Erlin Nikolla, rekordmeni durrsak që sfidoi Aleksandër Kondon dhe Mirjan Hakanin

Erlin Nikolla, një nga peshëngritësit me të mëdhenj të plejadës së shkëlqyer të viteve ’80, ishte në Shqipëri me një mision të veçantë: ngritjen e një ekipi peshëgritjeje në vendlindjen e tij, në Sukth të Durrësit.


Nga DASH FRASHËRI

Erlin Nikolla, një nga peshëngritësit me të mëdhenj të plejadës së shkëlqyer të viteve ’80, ishte në Shqipëri me një mision të veçantë: ngritjen e një ekipi peshëgritjeje në vendlindjen e tij, në Sukth të Durrësit.

Në tetorin e vitit të kaluar ai solli nga Greqia një shtangë. “Vetë Pirro Dhima ma solli deri në autobuzin e linjës Athinë‑Tiranë,‑ thotë Erlini,- tashmë 44 vjeçar. Tani jam duke e kompletuar edhe me ndihën e veçantë të presidentit të FSHP‑së, Esat Ademi”. Nikolla, i pari peshëngritës shqiptar që arriti të kaloi kufirin e 210 kg, jeton në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, ku drejton në Hate Islands, rreth 30 minuta larg Manhatenit, një qendër fitnesi “NY Health Club”. “Shtanga në Amerikë në një farë kuptimi nuk më mungon‑, thotë Nikolla, ‑sepse ushtrohem pesë herë në javë, për të ruajtur treguesit kardiologjikë dhe rruajtjen e masës muskulore, por jo për rezultate apo për peshëngritje të mirëfilltë”.

Erlini është i martuar me një “bukuroshe”, që sipas tij nuk mund të ishte veçse nga Durrësi (Eshtë qyteti që më ka inkurajuar më shumë se kushdo tjetër, ‑ thotë ai), më të cilën kanë dy fëmijë, një djalë 16 vjeç dhe një vajzë gjashtë muajshe. Pirro Dhima, tri herë kampion olimpik me ngjyrat e Greqisë, një nga nxënësit e Erlinit e konsideron “profesorin” e tij një nga peshëngritësit më të mëdhenj shqiptarë. “Erlini përfaqësonte klubi “Studenti” dhe me ka ndihmuar shumë”,- thotë Dhima. “Sipas mendimit tim, peshëngritës i madh ka qenë Aleksandër Kondo, pasi ka pasur aftësi të veçanta.

Më pas vijnë Erlin Nikolla, Mirjam Hakani, Muharrem Berisha”, ‑është shprehur “gjenerali” Pirro, gjatë një interviste, duke mos lënë pa përmendur edhe “agjitacionin” e Erlinit për ushqimin jo të mirë në ekipin kombëtar. Pas “propagandës” Nikolla u “dënua” duke mos marrë pjesë për pesë vjet në ekipin kombëtar të peshëngritjes. Peshëngritësin e njohur e takuam në shoqërinë e presidentit të FSHP‑së, Esat Ademi dhe kërkesës për një intervistë ekskluzive për gazetën “Sport Ekspres”, ai e priti me shumë kënaqësi.

***

‑ Sa i mungon shtanga Erlin Nikollës, një emër i njohur i peshëngritjes shqiptare, vendosës rekordesh, konkurrent i “hekurt” i dyshes Aleksandër Kondo ‑ Mirjan Hakani?

‑ Në një farë kuptimi jo dhe shumë, pasi aty ku punoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një qendër fitnesi, kam çdo ditë kontakt me shtangën dhe klientët dhe palestrën. Të qenit peshëngritës ishte një bazë e rëndësishme dhe një eksperiencë e madhe në përshtatjen perfekte me punë që bëj. Peshëngritjen në Shqipëri e kam shfrytëzuar maksimalisht, gjë që nuk do ta arrija në asnjë vend tjetër.

‑ A ka shtangistë të rinj amerikanë, që kërkojnë të mësojnë prej teje?

‑ Aktualisht jo. Në Amerikë nuk e kuptojnë peshëngritjen në kuptimin e saj olimpik, por kryesisht në pikëpamjen e edukimit dhe kulturën fizike, që lidhen me stërvitjet për të patur një trup të hekurt dhe të bukur, në raportin e muskulit për shëndetin se sa për sport. Shtanga nuk është e zhvilluar dhe kjo më zhgënjeu shumë. Kur mbërrita atje para 11 vjetësh, peshëngritja amerikane renditej e 48‑ta në botë, ndërsa Shqipëria ishte shumë më lart në renditje.

‑ Duke qenë dhe trajner, a ke ndonjë projekt për ngritjen e një ekipi peshëngritje?

‑ Jo. E parashikoj shumë të vështirë. Kjo edhe për shkak të mosinteresimit real të amerikanëve për këtë sport. E njoh mirë mendësinë e tyre. Ata janë më të interesuar të merren me bodybuilding se sa me peshëngritje. Nga ana tjetër duhen më pak sakrifica për të bërë një bodybuilding se sa impenjimi i përditshëm për t’u bërë peshëngritës. Bëj stërvitje pesë herë në javë, përmes një regjimi të rreptë por kjo për të ruajtur treguesit kardiologjikë dhe rruajtjen e masës muskulore, por jo për rezultate apo për peshëngritje të mirëfilltë.

‑ Cili është lajtmotivi që udhëheq Erlin Nikollën?

‑ Motoja imë është shumë konkrete: kur unë kam arritur të ngre mbi 200 kg peshë falë përpjekjeve mbinjerëzore të kohës sonë, atëherë, unë jam bindur se kurrë nuk do të thyhem në asnjë fushë tjetër. Ky postulat është gdhendur në ndërgjegjen time dhe përbën filozofinë time.

‑ Peshëngritja është një nga mburrjet e sportit shqiptar. Te ju që jetoni në Amerikë a mbërrin ndonjë jehonë?

‑ Te mua personalisht po. Por shqiptarët me të cilët unë kam kontakte, në përgjithësi janë pak të interesuar. Në SHBA, përveç Aleksandër Kondos, që humbi jetën tragjikisht dhe Xhelal Sukniqit, nuk mbërriti askush nga emrat që lanë gjurmë në Shqipëri. Unë do të rekomandoja tani, duke qenë edhe më në brendësi të peshëngritjes shqiptare, përmbushjen e disa nevojave kryesore. Duke parë rezultatet e peshëngritësve tanë dhe kur verifikoj se kanë shumë gjërta që u mungojnë sot. Nëse ne do t’i mundim t’i realizojmë ato, t’i afrojmë kushte optimale, kjo do të ishte pengesa e fundit që peshëngritja jonë të jetë në majat e botës.

‑ Pse peshëngritja në Shqipëri dhe shtanga është më e fuqishme, edhe pse ka shumë deficite në komponentë të tjerë?

‑ Unë mendoj se në Shqipëri tradicioni në peshëngritje është një faktor përcaktues. Eshtë më e lehtë të shkosh pas gjurmëve të një idhulli se sa të zbulosh apo të prodhosh i pari një të tillë. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kjo vlen edhe për në Shqipëri, ku ka disa idhuj të tillë: Pampuri, Kalleshi, Kondo, Hakani, Suli etj.

‑ Kë “urrenit” me shumë në sport në kuptimin e rivalitetit?

‑ Në pëshngritje nuk ndodh si në mundje, ku duhet të dyluftosh me njeriun. Këtu duhet të luftosh me kilogramët e shtangës, që është dhe kundërshtari numër një. Endra jonë e atëhershme ishte kalimi i kufirit të 200 kg, dhe për t’ia arritur kësaj duhej shumë punë dhe sakrifica të panumërta. Ky ishte pikësynimi i të gjithë shtangistëve të peshave të rënda. Rivalët e mi të përhershëm Aleksandër Kondo, Mirjan Hakani, Asim Belinova më kanë “detyruar” të djersitesha fort dhe të haja “muskujt” me dhëmbë. Gjithmonë kam ecur me parimin, se dhe eksperienca më e hidhur, vlen sa mësimi më i “embël”.

‑ Le të kthehemi te disa emra të mëdhenj të kohës suaj. Kë vlerëson më shumë nga gjenerata tuaj?

‑ Mendoj se është vështirë t’i numërosh se ata kanë qënë shumë dhe disa prej tyre kanë qenë idhujt për mua, të cilët më ndërtuan mua si peshëngritës. Unë do ta nis me Ymer Pampurin, Bujar Bodinakun, Asim Belinovën, Gac Nushin, Faruk Kalleshin, Nikolin Qyrsaqin, etj.

‑ Si ndihet Erlini në Amerikë, kur dëgjon për sukseset e peshëngritjes shqiptare, kur dëgjon për rezultatet e Ilirjan Sulit si nënkampion i Botës apo kampiones së Evropës, Fetie Kasaj?

‑ Vazhdimisht kam qenë në kontakt dhe mbaj lidhje me drejtuesit e peshëngritjes shqiptare, por dhe prej lajmeve që i shfrytëzoj përmes internetit. Bisedoj shpesh me presidentin aktual Esat Ademi dhe e vlerësoj shumë për interesimin që ai ka ndaj peshëngritjes, gjë që mungonte në kohën kur unë merresha me këtë sport në Shqipëri, para 15 vjetësh. Ndihem shumë i kënaqur që peshëngritja jonë ka arritur rezultate të larta ndërkombëtare. Nga ana tjetër me vjen keq për gjeneratën e peshëngritësve të kohës sonë, që nuk kishin kaq shumë mundësi prezantimin në botë saç është tani.

‑ Kë do të veçoje nga peshëngritja shqiptare mbi bazën e informacionet që keni?

‑ Do të veçoja padyshim Ilirjan Sulin, një kampion i madh. Me Fetie Kasaj, të cilën e konsideroj “zonjushën e hekurt” të peshëngritjes e pata kënaqësinë ta takoja dhe si person. Ishte shumë e entuziazmuar dhe e dinte se kishte një rrugë të gjatë për të bërë. Mu duk shumë këmbëngulëse. Nga të rinjtë dua të veçoj edhe disa djem të tjerë si Qerimaj dhe Trashën, por edhe djem të tjerë më shumë perspektivës.

‑ Po mungojnë emrat e mëdhenj të peshëngritjes durrsake, kur Elbasani, Shkodra po nxjerr vazhdimisht talente.

‑ Kam bindjen se tradita e krijuar nuk u mbajt dhe për më tepër nuk është trashëguar. Mendoj se nuk ka një interesim dhe përpjekje ashtu siç duhet nga ana e drejtuesve durrsakë.

‑ Keni patur marrëdhënie të veçanta me Pirro Dhimën, tri herë kampionin olimpik, por edhe ai në çdo deklaratë të tij, ju citon si mësuesin e tij?

‑ Pirro Dhimën mund ta konsideroj nxënësin tim, sepse kur bëja praktikën mësimore si mësues i ardhshëm i fizkulturës te shkolla “Mihal Grameno”, Pirroja ishte nxënës i klasës së katërt fillore. Unë mendoj se Pirro më nuk do të ketë. Pse? Jo thjesht ai morri katër medalje olimpike: tri ari dhe një bronzi. Por ato katër medalje u gatuan në Shqipëri. Unë mendoj se të tjerët duhen të ndjekin rrugën e këtij sportisti që të kenë rezultate.

‑ Ti beson se në Shqipëri është duke lindur ndonjë tjetër kampion olimpik si Pirro Dhima?

‑ Unë jam plotësisht i bindur se nuk do të ketë të tjerë Pirro Dhima në Greqi që të marrin tre medalje ari rresht dhe një bronzi. Mund të ketë Pirro Dhima të tjerë që do të dalin por këta do të lindin në Shqipëri. Dhe këtë ia kam thënë burrash dhe vetë Pirros kur e kam takuar në gjatë tetorit të kaluar në Greqi. Dhe ai i mbushi sytë me lot. Në Greqi është e pamundur të “prodhohen” të tjera gjenerata medalistë. Eshtë e pamundur, sepse atu nuk ekziston tradita që është në Shqipëri. Këtë e dinë dhe vetë grekët që fotografojnë çdo lëvizje të Pirros, deri në lëvizjen e syve. Sepse ata nuk njohin asnjë detaj nga krijimi i tij si peshëngritës në Shqipëri deri në moshën 20 vjeç. Kurse ne e kemi këtë traditë. Me Pirron jam vazhdimisht në kontakt përmes internetit dhe i dërgoj vazhdimisht të rejat e shkencës që kanë të bëjnë me peshëngritjen. Pirro ka shumë respekt për jetën që ka kaluar në Shqipëri, sepse përgatitja e tij në vendin tonë ishte faza më e rëndësishme e pjekjes së tij si peshëngritës. Por është pak e vështirë të kuptosh atë që ai ndjen në të vërtetë.

‑ U “arratise” në Greqi për t’u marrë me peshëngritje apo për të punuar si një emigrant i thjeshtë?

‑ Fillimisht mendova të ushtrohesha si peshëngritës dhe madje fillova edhe stërvitjen me ekipin kombëtar grek për një periudhë gjashtëmujore. Por aty u bë një ndarje. Atyre që ishin puro shqiptarë dhe e kishin të vështirë t’i transformonin, ata sikur ua vononin përgjigjen dokumentet. E ndjeva veten të diskriminuar dhe nga ana tjetër më ishte sosur durimi, pasi edhe mosha ime ishte 28 vjeç, shumë më e madhe se ajo e Pirro & Co, që ishin rreth të 20‑ve. Kështu që “treni” im nuk priste më në “stacion” dhe prandaj u largova drejt Gjermanisë për t’ubërë përfundimisht një amerikan me zemër shqiptare.

‑ Si do ta imagjinonit Erlinin e vogël në kushtet e sotme. Një Erlin virtual ku do të arrinte duke u nisur nga kufiri i 200 kg?

‑ Në mënyrë imagjinare unë e mendoj gjithmonë. Do të kisha dëshirë të korrektoja shumë e shumë gjëra që kam bërë dikur gabim. Një Erlin virtual do të ishte shumë përpara. Nuk është vetëm opinioni im por edhe bashkëkohësve të mi, si Agron Haxhihyseni dhe të tjerë. Nuk do ta diskutoheshin rekordet botërore: 210 kg në shkëputje dhe 240 kg shtytje. Do të isha një kampion absolut i padiskutueshëm. Por këtë dëshiroj ta shoh te gjeneratat e tanishme dhe ka shumë shanse për të rinjtë. Erkandi (Qerimaj) është më afër rezultateve botërore. Unë shpreh besimin tim se ai do të jetë shumë shpejt një kampion bote. Nëse do të vazhdohet të punohet për ta bërë një kampion olimpik, Qerimaj do të jetë i tillë. Kjo duhet të jete strategjia e federatës së peshëngritjes. Së pari më përmirësimin e njohurive ekzistuese që kanë trajnerët dhe, së dyti me suplimentet sportive në trajtimin ushqimor, kur bëhet fjalë për shtangistë që stërviten dhjetë seanca në javë, që janë të barabarta me 120 ditë kilokalori të harxhuara të një njeriu normal. Nëse një sportist i duhen 100 gr proteinë dhe 10 gr kreatinë këtu futen në trup, duke ngrënë 16‑18 biftekë të mëdhenj që ai duhet t’i hajë çdo ditë dhe jo t’i marrë ato duke ngrënë 5 kg spinaq. Eshtë e pamundur të “prodhosh” kampionë në se nuk i trajton kështu.

‑ Nëse do të duhej të bënit një drejtim të kundërt të rrugës suaj drejt Amerikës, ku do të ndalonit përfundimisht?

‑ Përgjigja është shumë e thjeshtë: në Shqipëri dhe do të ndërtoja çdo gjë këtu. Në vendim tim do të jepja dy ‑tre herë më shumë energji pune se aty ku jam. Në regjimin e kaluar e humba shpesh herë besimin, por tani më është kthyer plotësisht.

– Kjo intervistë është shkruar dhe botuar në gazetën sportive “Sport Ekspres” (6 shkurt 2006)

Ne foto: Erlin Nikolla, djathtas, me peshëngritësin shqiptar Pirro Dhima. 3 dhjetor 2017, Nju Jork

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…