Arben Kasolli, trajneri i portierëve që punon për akademinë e Johan Krujfit
Arben Kasolli, i vetmi trajner i huaj portierësh në Holandë, i cili nga duart e tij ka nxjerrë dy portierë të një niveli të lartë, të cilët sot janë pjesë e skuadrave të Ajaksit dhe AZ Alkmaar.
Nga Dash Frashëri
Në nëntor të vitit 2003, legjenda më e madhe futbollit “portokalli” dhe një prej lojtarëve më të mirë të gjitha kohërave në botë, Johan Krujf, përuroi akademinë “Cruyff Court”.
Me këtë projekt, nënkampioni i botës në Gjermani 1974 dhe ish-trajneri epokal i Barcelonës, dëshironte të nxiste akoma më shumë djemtë e rinj holandezë, të cilët kishin ëndërr futbollin dhe famën. Në tërë Holandën brenda tre vjetësh u ngritën 100 akademi futbolli të cilat i përkasin “Cruyff Fondation”.
Pikërisht, një prej tyre ka fatin të punojë si trajner i portierëve, një shqiptar. Ky është Arben Kasolli, i vetmi trajner i huaj portierësh në Holandë, i cili nga duart e tij ka nxjerrë dy portierë të një niveli të lartë, të cilët sot janë pjesë e skuadrave të Ajaksit dhe AZ Alkmaar.
Tiranasi debutoi për herë të parë 18-vjeç në Kategorinë e Parë me Naftëtarin (në vitet e arta të tij).
Kasolli është një produkt i portierit Bashkim Muhedini, i cili mbrojti portën e Partizanit dhe Kombëtares. Kur Kasolli morri një ftesë për të veshur fanellën e “17 Nëntorit” në vitin 1989, nuk qëndroi shumë te Tirana e sotme. Hapja e kufijve e “transferon” në Greqi, ku filloi edhe stërvitjen me Janinën, ekip me të cilin është aktivizuar edhe Foto Strakosha.
Martesa me një holandeze në korrik të vitit 1992 e “transferon” në Holandë ku nis dhe stërvitjen me trajnerin e portierëve të Ajaksit, Frans Hoek, i famshëm në botë për metodën e tij, të pranuar zyrtarisht edhe nga FIFA e UEFA si një ndër më të mirat.
Një emër i madh i futbollit holandez si trajneri Luis van Gal (aktualisht trajneri i Bajernit të Munihut), i jep këshilla të vlefshme shqiptarit, i cili u bë befasisht portieri i tretë e “harkëtarëve” pas Menzo e Van der Sarit. HFC Haarlem, një klub satelit i Ajaksit, kërkoi shërbimet e Kasollit, i cili më pas u aktivizua te AZ Alkmaar, Fortuna Sittard e NEC Nijmegen.
Si një shqiptar entuziast i ngjizur edhe me shpirtin praktik perëndimor Kasolli hapi shkollën e portierëve në Almere-Prokeeper Training, për t’u thirrur për të qenë më pas trajner i portierëve të Kombëtares holandeze së 17-18 vjeçarëve, trajner i portierëve të FC Omniuorld, e më pas edhe zbulues talentesh në shërbim të Ajaksit dhe një prej trajnerëve më të njohur në Holandë për portierët.
Nga shtatori i vitit 2007, impulsivi Kasolli nisi punë te “Johan Cruijff foundation”, por edhe për akademitë e Klarens Sedorfit dhe Riçard Krajicekut. Kasolli është treguar një trajner me vizion dhe tepër inteligjent, duke ndërtuar Akademine e Portierëve “Kasolli – Goalkeeping Academy”, e para në Holandë e hapur me investimet e një individi, e për më të tepër të një shqiptari, e shoqëruar kjo edhe me një faqe internet me adresën Goalkeeping-academy.nl.
“Në Holandë janë befasuar jo pak, pasi është e para që hapet nga individ dhe jo nga një klub. Akademia mban emrin tim: ‘Kasolli – Goalkeeping Academy’, ndërkohë që të shumë media këtu i kënë bërë jehonë. Qëllimi është të furnizojmë me portierë ekipe të tilla si Ajaksi, PSV Eindhoven, AZ Alkmar, Ultreht”, – tha Kasolli për gazetën “Albania”.
Revista sportive holandeze e specializuar “Sportiev Flevoland” (100 mijë koje tirazhi) e që u shpërndahet të gjitha klubeve të futbollit si Ajax, AZ, Utrecht, Fejenoord, PSV, Den Haag, Groningen…etj., publikoi një intervistë të gjatë me trajnerin shqiptar.
Janë 136 portierë nga mosha 7-21 vjeç që stërvitet në akademinë e Kasollit, një numër aspak i vogël.
“Është vërtet një punë e madhe, por ne synojmë të shkojmë te 300 sportistë. Në janar 2010 do të jepet mësim te kompleksi i Johan Krujfit, ‘Cruijff Court dhe SC. Buitenboys (Almere). Stërvitja e portierëve është e ndarë në katër kategori, nga fillestarët, që fillojnë për herë të parë, ata amatorë e deri te profesionistët”, – theksoi Kasolli, i cili kryen edhe detyrën e zbuluesit (scouting) për klubin e kategorisë së parë holandeze, Ado Den Haag.
“Ata dëshirojnë që të përgatis dy portierë të moshave 15-16 për vitin e ardhshëm, pasi në Holandë i japin shumë rëndësi investimit lojtarëve të rinj edhe me prespektivë. Është në mentalitetin e marketingut të tyre”.
Klubi holandez është duke vendosur raporte bashkëpunimi me Olimpikun e Tiranës, një akademi e mirëfilltë sportive në Shqipëri edhe që është filial i Olimpiakosit të Athinës.
“Kasolli – Goalkeeping Academy” ka ndërtuar infrastrukturë të vërtetë të burimeve njerëzore, pasi në staf janë përveç gjashtë trajnerëve profesionistë, një mjeku sportiv edhe një psikolog sportiv, ndërkohë që shumë akademi simotra në Angli dhe Itali kanë vendosur ura bashkëpunimi të ndërsjelltë.
Klubi i famshëm portokalli, Ajaksi, është një nga më të afërtit me akademinë e Kasollit. Kok Jol, drejtori teknik i Ajaksit, dhe asisteni personal i Martin Jolit, trajneri të Ajaksit janë shpesh në kontakt me Arbenin, madje e portierët e ekipeve zinxhir të Ajaksit bëjnë “orë shtesë” te “Kasolli-Academy”.
“Janë portierë nga mosha 7-17 vjeç dhe i kanë sjellë këtu për të marrë më shumë njohuri, pasi edhe metodologjia e stërvitjes së portierëve është ndër më të përparuarat në botë”, – thotë Kasolli, i cili aplikon metodat “Total Coaching Advanced Goalkeepers” e që ka falë punës së tij ka çuar disa portierë te Omniorld. Akademia ka një emër të mirë dhe shumë trajnerë portierësh nga vende të ndryshme vijnë në Holandë për të parë stërvitjen apo duke dhënë një apo dy orë mësime treguese”, – përfundoi Arben Kasolli.
TRAJNERI MË I MIRË NË HOLANDË
Vitin e kaluar gazeta e njohur holandeze “Almere deze week Sport” publikoi lajmin se trajneri shqiptar, Arben Kasolli, ishte nominuar ndër tre trajnerët më të mirë të vitit për komplekset sportive, ndërkohë që në mbrëmjen gala të zhvilluar Kasolli u përzgjodh edhe si më i miri. “Arben Kasolli, kryetrajner dhe trajner mësimi tek kompleksi i sporteve “Clarence Seedorf”, është zgjedhur më i miri trajnerëve sportivë më të mirë të vitit. ‘De Playground’ (emri i qendrës sportive), ku janë fushat e Johan Krujfit, Klarense Sedorfit dhe Richard Krajicek (tenis), drejtohen nga portieri i dikurshëm i Shqipërisë dhe trajneri i portierëve, Arbeni. Fëmijët e të gjitha moshave, studentë e shkollave të fizkulturës stërviten çdo ditë nga Arbeni”, -shkruante gazeta holandeze “Almere deze week Sport”.
GARDIANËT SHQIPTARË NË EUROPË
Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC) apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, janë disa nga pionierët e “gardianëve” shqiptarë në Europë. Këtyre u bashkohen edhe portierët aktualë të Kombëtares shqiptare A dhe të moshave (U-17 deri U-21): Arjan Beqaj (Anothosis Famagusta, Qipro), Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë), Ilion Lika (Terek Grozni, Rusi), Samir Ujkani (Novara, Itali). Në Itali luajnë edhe Xhino Sejdon (Venecia U-19), Deljan Bregasi (Sampdoria U-19). Në Greqi janë dy portierë, Enea Koliqi (Iraklis) dhe Stiv Frashëri (Aris). Një tjetër portier që po ritet jashtë Shqipërisë është dhe Geri Lika (Shqipëria U-19) dhe që luan në Danimarkë me B93 Kopenhagen.
Botuar në gazetën “Albania”, 21 Dhjetor 2009