Vasillaq Zëri: Pse e refuzova ofertën e Ajaksit, ndeshjet e mia kundër Aleks Fergusonit

Vasillaq Zëri, një nga lojtarët ofensivë më të mirë që ka nxjerrë shkolla dinamovite, pse jo dhe futbolli shqiptar. I mbiquajtur “Mesi” shqiptar i viteve 1970-1980.


Nga Dash Frashëri

Vasillaq Zëri, një nga lojtarët ofensivë më të mirë që ka nxjerrë shkolla dinamovite, pse jo dhe futbolli shqiptar. I mbiquajtur “Mesi” shqiptar i viteve 1970-1980, ai vlerësoi Kombëtaren aktuale, pjesë e së cilës ai ka qenë në vitet 1976-1982.

Me një karrierë të ndritur me Dinamon (katër herë kampion), por dhe një periudhë të suksesshme me Shkëndinë e viteve 1967-1973, Vasillaqi ishte pjesë e një prej tresheve më të famshme që ka pasur futbollit shqiptar, së bashku dhe me Ilir Përnaskën dhe Shyqyri Ballgjinin.

“E adhuroja Iljaz Çeçon”

Vasillaq Zëri, së bashku edhe me sulmuesit Ilir Përnaska dhe Shyqyri Ballgjini, formuan një nga sulmet më të frikshme në Shqipëri në kohën e tyre (1977-1982). Vasillaq Zëri i përket një grupi të artë lojtarësh të Dinamos, me emra të tillë si Iljaz Çeço, Torez Çiraku, Shyqyri Ballgjini, Ilir Përnaska, Gani Xhafa, Faruk Sejdini, Rifat Ibërshimi, Muhedin Targaj, Medin Zhega, Jani Rama, Aleko Bregu, Xhorxhi Puka, etj. Futbollistë pasionantë, të cilët prodhonin spektakël në fushën e lojës.

Zëri ishte një nga fantazistët e Dinamos, së bashku me regjisorin e madh Iljaz Çeço.

“Shiko, Dinamo ka pasur një grup shumë të mirë, tepër të talentuar. U puqën bashkë disa nga lojtarët më të mirë të vendit. Duhet të kalonin shumë breza lojtarësh që, Dinamo të krijonte një grup të ngjashëm. Kemi qenë më të vërtetë pasionantë apo të çmendur për të dhënë dhe shpirtin në fushë”, – tha Zëri.

Vasillaqi ka qenë një lojtar shumë virtuoz, me një teknikë të lartën në përdorimin e topit. “Kur isha i vogël e adhuroja Iljaz Çeçon te Dinamo. Kur unë isha i vogël, ai luante me Dinamon, por fati e solli që të luaja me të. Për mua ka qenë një lojtar i madh. Shqipëria ka nxjerrë shumë lojtarë fantazistë dhe të talentuar, një nga këta është dhe Sulejman Demollari, ndërsa në Kombëtare ka qenë Ervin Skela. Inteligjentë dhe kreativë”.

“Kur refuzova ofertën e Ajaksit”

Vasillaq Zëri mund të kishte veshur fanellën e Ajaksit të famshëm, nëse do të ekzistonte gjatë regjimit komunist do të lejoheshin transferimet e lojtarëve shqiptarë në kampionatet e huaja. Pikërisht, kjo ia mohoi Zërit fatin të luante me “harkëtarët” holandezë. Dinamo luajti kundër Ajaksit në sezonin 1980-1981 për Kupën e Kampioneve.

Në fakt, i humbi të dyja ndeshjet: 0-2 në “Qemal Stafa” (17 shtator 1980) dhe 0-1 në Amsterdam (1 tetor 1980), por loja e Zërit i bëri shumë përshtypje trajnerit të Ajaksit.

Ne bëmë një paraqitje shumë të mirë ndaj Ajaksit, pavarësisht se i humbëm të dyja takimet, por përballë futbollistvë të niveli të lartë. Të mos harrojmë se, Ajaksi drejtohej nga Leo Benhakeri, që ka drejtuar dhe Realin e Madridit. Në ‘Qemal Stafa’ pati entuziazëm shumë të madh, pasi për Ajaksin ishte hera e dytë që vinte në Shqipëri, pasi kishte luajtur më parë me Tiranën. Të luaja kundër Ajaksit ishte një eveniment”, – tregon Zëri.

Drejtuesit e Ajaksit i bënë një ofertë thuajse zyrtare Vasillaqit, por trajneri i Dinamos iu shpjegoi atyre se në Shqipëri nuk ishte praktikë që një futbollist të transferohej jashtë shtetit.

“Pasi mbaruam ndeshjen, kur ne ishim në aeroport, më erdhën drejtuesit e Ajaksit. Ata u takuan me trajnerin Saimir Dauti, duke i thënë se do ta mbajmë këtë ‘djalin’. Më thirrën dhe mua. I pranishëm ishte dhe Vasil Prifti, sekretar i klubit të Dinamos dhe përgjegjës i ekipit”.

Kur luante kundër Fergusonit

Dy ndeshje të tjera të bujshme të Dinamos, në të cilat ka marrë pjesë dhe Vasillaq Zëri janë ato kundër holandezëve të Ajaksit (1980-1981 për Kupën e Kampioneve: dy humbje 0-2 në “Qemal Stafa” dhe 0-1 në Amsterdam), gjermanolindorëve të Karls Zais Jenës (1981-1982 për Kupën UEFA: 1-0 në Tiranë, 0-4 në Jena) dhe Aberdinit e Skocisë (1982-1983: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Skoci, për Kupën e Kupave).

Aberdini drejtohej asokohe nga trajneri Aleks Ferguson, përpara se skocezi legjendar të ulej bankinën e Mançester Junaitid. Vasillaq Zëri atëherë ishte 31 vjeç: “Unë kam luajtur mirë në të dyja ndeshjet dhe Ferguson erdhi na takoi e na dha dorën. Nuk e patën dhe aq të lehtë, por ne kishim probleme, sepse Përnaska e Ballgjini e kishin lënë futbollin. Në fund të atij edicioni, Aberdini fitoi Kupën e Kupave të Europës”, – kujton legjenda blu.

Në një skuadër me Agronin, djalin e Kadri Hazbiut

Vasillaq Zëri ka luajtur në skuadër edhe me Agron Hazbiun, djalin e ish-ministrit të Brendshëm (1954-1979) dhe të Mbrojtjes (1979-1982), Kadri Hazbiu, të arrestuar më pushkatuar në 15 tetor 1982 dhe të pushkatuar më 10 shtator 1983.

“Agroni ishte një futbollist shumë i mirë. Në radhë të parë, ishte tepër i pasionuar pas futbollit. Ishte një dinamovit i lindur, me gjak blu, nëse mund të shprehem kështu. Ishte një lojtar që, mund të luante disa role. Ka luajtur nga krahu i djathtë i mbrojtjes së Dinamos. Kishte një pasion, disi të tepruar, pasi dëshironte vetëm të fitonte. Ishte energjik. E ndjente shumë nga në të gjithë, humbjen apo fitoren e Dinamos”, – thotë Zëri.

“Na erdhi keq, kur në vitin 1982, ai iku nga Dinamoja, për shkak të problemeve që pati i ati dhe familja e tij. Mbaj mend një ndeshje kur u kthyem nga Skocia, pasi u ndeshëm me Aberdinin në Kupën e Kupave. Ndaluam në Vjenë, pasi erdhëm këtu bëmë nja dy ndeshje kampionati, dhe Goni i dha fund futbollit. Më pas ndodhën të gjitha, nga pushkatimi i të atit, Kadriut, e deri te vetëvrasja e Agronit”.

Agron Hazbiu, i cili në futboll, njihej me emrin Agron Dautaj, sipas versionit zyrtar, kreu vetëvrasje në janar të vitit 1989, në galeritë e minierës së kromit në Kurbnesh, në moshën 30-vjeçare.

Katër herë kampion

Mesfushori virtuoz Vasillaq Zëri ka dalë katër herë kampion i Shqipërisë me Dinamon: sezonet 1974-1975, 1975-1976, 1976-1977 dhe 1979-1980.

5 ndeshje me Kombëtaren

Llaqi është aktivizuar në pesë ndeshjen me Përfaqësuesen A në vitet 1976-1980: kundër Algjerisë, Finlandës, Bullgarisë (2) dhe Austrisë.

Dy fanellat e Llaqit

Gjatë karrierës së tij të gjatë, Vasillaq Zëri ka veshur bluzat e dy skuadrave: Dinamos dhe Shkëndijës, më këtë të fundit gjatë kohës kur kryente Institutin.

Super tifoz i Brazilit

Zëri është një tifoz i thekur i Brazilit. “Jam bërë me ta, qysh kur kam qenë fëmijë. Kur ata fituan Kampionatin Botëror të vitit 1962, në Kili. E kam ëndërr të shkoj”.


Botuar në gazetën “Telegraf”, më 17 maj 2013

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…