Muhedin Targaj: Agron Hazbiu, model i futbollistit modern

Ish-kapiteni i Dinamos: “Nuk dua kurrë ta besoj se, një djalë i fortë si ai, mund të vetëvritej!”


Nga Dash Frashëri

Edhe pse Agron Hazbiu, i njohur me emrin futbollistik Agron Dautaj, është ndarë prej 25 vjetësh nga jeta në shkaqe ende mister në një nga galeritë e minierës së Kurbneshit, më 28 janar 1989, ai vazhdon të kujtohet me respekt për atë që ish-futbollisti i shquar i Dinamos së viteve 1977-1982 dha për fanellën blu. Përvjetori i 55-të i lindjes së mbrojtësit energjik mblodhi në një nga ambientet e kryeqytetit shumë nga emrat më të spikatur të Dinamos së asaj kohe, por dhe miq e familjarë të tij.

Muhedin Targaj, Vasillaq Zëri, Ilir Përnaska, Faruk Sejdini, Iljaz Çeço, Shyqyri Ballgjini, Andrea Marko, Sulejman Demollari nderuan bashkëlojtarin e tyre, me të cilin fituan titullin kampion në sezonin 1979-1980. Karriera e artë e djalit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu, u ndërpre në mes në vitin 1982, pas arrestimit dhe pushkatimit të një prej njerëzve më të rëndësishëm të shtetit shqiptar të asaj kohe.

Muhedin Targaj, një nga ish-futbollistët e shquar të Kombëtares, njëherësh kapiten i saj dhe një nga lojtarët e njohur të viteve 70-80-të te skuadra e Dinamos, e ka ende të gjallë në kujtesën e tij Agronin, djaloshin me të cilin e lidhte një miqësi e veçantë.

Agronin ishte i fundit nga pesë fëmijët e Kadri Hazbiut, i cili nga martesa me Hedijen kishte pasur me radhë Elenën, Bashkimen, Mimozën, Petritin dhe Agronin. Kadri Hazbiu, komisar i Çetës Plakë, në formacionet e Brigadës V-të Sulmuese, ish-Ministër i Brendshëm (1954-1979) dhe ish-Ministër i Mbrojtjes (1979-1982), anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë (1971-1982), dekoruar 13 herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, pati një fund të tmerrshëm dhe të pamerituar (u pushkatua më 10 shtator 1983 në moshën 61-vjeçare), ndërkohë që e gjithë familja e tij u internua në Kurbnesh në vitin 1982, që kulmon me (vet)vrasjen e Agronit, më 28 janar 1989 në një nga galeritë e bakrit të minierës së Kurbneshit.

– Zoti Targaj, para pak ditësh së bashku edhe me lojtarë të tjetër të njohur të Dinamos përkujtuat 55-vjetorin e lindjes së Agron Hazbiut (Dautaj), shokun tuaj të ekipit të ndarë nga jeta tragjikisht në vitin 1989. Si lindi ideja për ta përkujtuar atë?

– Në fakt, ishte një ide e shoqërisë dhe familjarëve të Agronit, motrave dhe vëllait të tij Petrit Hazbiut, për ta kujtuar atë. Goni ka bërë shumë për shoqërinë, kështu që ne të gjithë vetëm sa bëmë detyrën tonë ndaj tij. Do të ishte krejt ndryshe po ta kishim midis nesh. Duhet të ishte me ne, por…

– Për ju thuhet se, keni qenë një ndër miqtë e tij ngushtë…

– Ai nuk ishte vetëm i imi, por i të gjithëve. Goni ishte shumë i thjeshtë dhe tepër modest. Marrëdhëniet shoqërore dhe miqësore i kishte shumë të mira më të gjithë. Gjendej gjithandej, nuk kursehej për askënd që i kërkonte ndihmë. Ishte një njeri tepër qeshur, i thjeshtë dhe i dashur. Goni nuk bënte shumë për ne të Dinamos, por edhe për lojtarët kundërshtarë.

– Si e kujtoni atë si futbollist?

– Agroni luante me shumë pasion për Dinamon dhe futbollin në përgjithësi. Goni ishte një lojtar i shpejtë, një ndër futbollistët më të shpejtë në kampionatet e kohës sonë. Tepër i fuqishëm. Kur mbaronte ndeshjen me Dinamon e kishte mendjen te Flamurtari, pasi pas Dinamos e donte shumë skuadrën vlonjate. Goni kishte një debolesë për lojtarët e Flamurtarit.

Të vjen keq që, karriera e tij u ndërpre në kulmin e vet, në vitin 1982, kur ai ishte vetëm 22 vjeç.

– Bashkërisht keni qenë pjesë e një Dinamoje të famshme të mesit të viteve 1970, pjesë e së cilës u bë dhe Agron Hazbiu, apo siç njihej në protokollet e ndeshjeve me emrin Agron Dautaj.

Si e mbani mend titullin e parë të tij?

– Goni erdhi në ekipin e parë në vitin 1977, ndërkohë që me ne ai fitoi titullin kampion në sezonin 1979-1980. Ai jo vetëm që ka dalë kampion me Dinamon, por ka fituar dhe dy herë Kupën e Republikës. Goni ishte një lojtar me shumë perspektivë, pasi luajti qysh 18 vjeç në skuadrën e parë si mbrojtës i djathtë. E mbulonte shumë mirë linjën e krahut të djathtë, pasi ishte një lojtar shumë i shpejtë. Futbollist me sedër dhe bënte më shumë stërvitje nga të gjithë, pasi e kishte me pasion. Vazhdimisht vraponte me kilometra të tërë nga Liqeni. Mbante regjim të fortë.

– A ka qenë Dinamoja juaj një nga skuadrat më të mira që ka nxjerrë klubi blu?

– Mendoj se, Dinamoja e viteve 1974-1977, që doli tri herë rresht kampion është më e mirë e të gjitha kohërave. Kanë luajtur emra të mëdhenj të futbollit shqiptar: Faruk Sejdini, Iljaz Çeço, Torez Çiraku, Gani Xhafa, Kujtim Çoçoli, Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri, Shqyqyri Balgjini, Ilir Luarasi, Jani Rama, Haxhi Mërgjyshi, Frederik Gjinali, Andrea Marko, Aleko Bregu. Në sezonin 1979-1980 e morëm sërish kampionatin, dhe pikërisht në këtë edicion doli kampion edhe Agron Hazbiu. Titulli im i fundit kampion është ai sezonit 1985-1986 me trajner Fatmir Frashërin.

– Disa ndeshje ndërkombëtare me Dinamon, madje kundër kundërshtarëve më emër të madh në Europë….

– Po, Dinamoja jonë luajti kundër Ajaksit të Amsterdamit

Karl Zais Jena të Gjermanisë, Aberdin të Skocisë, etj. Kemi bërë ndeshje me të vërtetë të mira dhe Agroni ka qenë protagonist në ato takime. Më vjen keq, që ai nuk e veshi fanellën e ekipit Kombëtar, pasi qëlloi që në atë kohë në vitet 1974-1980 ishte e ndaluar që përfaqësuesja jonë të luante ndeshje ndërkombëtare.

– Ka bërë shumë bujë historia e dhurimit të një topi të markës “Adidas”, në kohën që Agron Hazbiu ishte i internuar në Kurbnesh dhe punonte në galeritë e saj miniere. Si ndodhi?

– Atë top e kishim marrë në Maltë së bashku me Arben Vilën, ia dhamë Çim (Shkëlqim) Skifterit dhe ishte ai që e çoi topin “Adidas” në internim. Bëri shumë bujë prania e atij topi në duart e Agronit, për më tepër që ai ishte në internim në Kurbnesh. Sigurisht, na pyetën dhe ne, por ne e justifikuam duke thënë se e kishte marrë kohë më parë i ati i tij, Kadri Hazbiu, për ditëlindjen e Agronit. Në fakt, edhe trajnerët Fatmir Frashëri dhe Faruk Sejdini e dini se ne topin e kishim marrë për Agronin, por nuk u ndjenë.

– Targaj, si reaguat ju kur e morët vesh se, Agroni kishte ndërruar jetë, pas një vetëvrasje, të paktën sipas versionit zyrtar?

– Unë nuk e besoj se, ai ka vrarë veten. Ai ishte një djalë me kurajë të madhe. Të vrasë veten ai në janar të vitit 1989, është diçka e pamundur. Unë për veten time s’e besoj, pasi ka qenë gjithmonë një djalë kurajoz.

“Dhurata” e Çeços, bluza me numër 8

Agron Hazbiu u prezantua te Dinamo nga trajneri Saimir Dauti në verën e vitit 1977. Djaloshi 17-vjeçar veshi fanellën me numër 3, atë të mbrojtësit Frederik Gjinali, të sapo larguar nga futbolli i luajtur. Lojtar formacioni, ai pati fati të merrte si “dhuratë” fanellën me numër 8 të Iljaz Çeço, një prej mesfushorëve më të mirë që ka nxjerrë Shqipëria, pikërisht gjatë ceremonisë së lamtumirës së “trurit” të Dinamos në ndeshjen Dinamo-Vllaznia. Në atë eveniment, si gjithmonë në të tilla raste ka qenë i pranishëm edhe Kadri Hazbiu, që e kishte pikë të dobët ekipin e Dinamos.

* * * *

Adhurues i Përnaskës dhe Kreshnik Çipit

Agron Hazbiu e adhuronte sulmuesin e Dinamos, Ilir Përnaskën, gjashtë herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë, një megaportret të cilit e mbante në dhomën e tij në shtëpinë e tij në bllok. Por, ai adhuronte edhe Kreshnik Çipin e Flamurtarit, të cilin e cilësonte si Franc Bekenbauerin e Shqipërisë. Agroni pëlqente ekipin italian dhe përpiqej të ndiqte të gjitha ndeshjet e tij, sidomos gjatë kampionateve botërore që për të ishin festat më të bukura. Por, arrestimi i Kadri Hazbiut në vitin 1982, atëherë Ministër i Mbrojtjes solli edhe largimin e Agronit nga Dinamoja, ndërsa më pas erdhi edhe internimi i familjes në Kurbnesh.

22 ndeshje dhe 3 golat e Mujos kundër Gjermanisë, Finlandës dhe Austrisë

Targaj, një kapiten kuqezi

Muhedin Targaj numëron 22 ndeshje me Kombëtaren dhe 3 gola. Ai ka fituar pesë tituj Kampion të Shqipërisë me Dinamon, tri Kupa Republike dhe ka qenë i pranishëm në shumë suksese të kësaj skuadre edhe në ndeshjet ndërkombëtare të Kupave të Europës.

Nga viti 2002 e në vazhdim, Targaj është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së (mandati i tij i tretë).

– Mujo, le t’i kthehemi Kombëtares shqiptare, me të cilin ju keni qenë dhe kapiten i saj. Prej kujt e morët shiritin?

– Shiritin e kapitenit e mora nga mbrojtësi i Partizanit, Safet Berisha dhe pas meje, atë e mori sulmuesi i Tiranës, i ndjeri Arben Minga.

– 22 ndeshje me ekipin Kombëtar në harkun e viteve 1980-1985.

– Ndeshja ime e parë nisi me fitore, 2-0 ndaj Finlandës (3 shtator 1980, Kupa e Botës 1982), ndërsa ajo e fundit ka qenë me Greqinë, një barazim 1-1 (30 tetor 1985, Kupa e Botës 1986). Kam luajtur kundër Gjermanisë, Austrisë, Bullgarisë, Belgjikës, Polonisë, Greqisë, Turqisë, etj.

– Fitorja 2-0 ndaj Belgjikës në Tiranë dhe barazimi 2-2 në Poloni, për eliminatoret e Botërorit “Meksikë 1986” ende kujtohen si nga ndeshjet me të mira të Kombëtares…

– Në atë kohë kemi bërë ndeshje shumë të mira. Kemi pasur me të vërtetë një ekip solid dhe me lojtarë të talentuar në çdo repart. Po të kishim më shumë përvojë, pasi vinim pas një periudhe të gjatë pa ndeshje ndërkombëtare edhe mund të ishim kualifikuar në Botëror.

– Tre gola, të shënuar me Kombëtaren. Aspak keq për një mbrojtës, apo jo?

– Në fakt, golat i kam shënuar me penallti. U kam realizuar Finlandës në Helsinki (2-1), Gjermanisë në Tiranë (1-2) dhe Austrisë po në Tiranë (1-2).

– I pagabueshëm nga pika e bardhë…

– Edhe mund të gabosh. Në fakt, edhe kur fituam Kampionatin Ballkanik në Volos të Greqisë kam realizuar me penallti.

Dolëm Kampion Ballkani me trajner Shyqyri Rreli në vitin 1978 dhe 1981. Ishte brez i artë, punonim shumë. Trajnerët punonin gjithashtu me pasion.

– Me cilët trajnerë keni punuar në Kombëtare?

– Kam qenë me Zyber Konçin, Loro Boriçin dhe Shyqyri Relin.

– Loro konsiderohet si një mit. Si e kujtoni atë?

– Me të gjithë trajnerët që, unë kam punuar në Kombëtare kanë edhe trajnerë të mëdhenj, edhe njerëz të mëdhenj. Loro ishte mit. Gjithsesi, Rreli ka pasur më shumë sukses, pasi fitoi edhe Kampionatin Ballkanik dy herë (1978 dhe 1981). Rreli kishte një sekret, pasi ndërtoi marrëdhënie të shkëlqyera me lojtarët.

Skeda e Muhedin Targaj
Lindur : Në Tepelenë më  17  mars  1955
Karriera  si futbollist: Në vitet 1971-1973  “Minatori” – Memaliaj, me 32 ndeshje të zhvilluara, në vitet 1973-1987  “Dinamo”-Tiranë, 507 ndeshje të zhvilluara. 1978- 1981 me ekipin kombëtar U-21  me 7 ndeshje të zhvilluara dhe 1 gol i shënuar  dhe 1980-1985 me ekipin kombëtar të Shqipërisë  me 22 ndeshje të zhvilluara  dhe 3 gola të shënuar.
Roli në skuadër: Mbrojtës krahu dhe  qendërmbrotjës si dhe kapiten skuadre  për 7 vite tek  “Dinamo”  për  5 vite  tek ekipi  kombëtar i Shqipërisë .
Trofe të fituara: 5 herë fitues i titullit kampion  kombëtar  me  “Dinamon” në sezonet 1974-1975 , 1975-1976, 1976 -1977,1979-1980 dhe 1985-1986.  2  herë  fitues  i  Kupës të Shqipërisë në vitet 1974-1979  dhe  po 2 herë fitues  i Medaljeve të Arta  në Spartakiada Kombëtare të viteve   1974-1979 . Kampion Ballkani në vitin 1981  me  ekipin kombëtar  U-21  të Shqipërisë .
Detyra të kryera në shërbim të futbollit:  Në vitet 2001-2005  është Drejtor Teknik i “Dinamos” dhe  vitet 2001-2017  për katër mandante rresht është antar  i  Komitetit Ekzekutiv të F.SH.F-së.
Vlerësime për karrierën: Fitues  6 herë i anketës “Sportisti më i mirë i klubit “Dinamo”  , fitues 2 herë i  anketave  kombëtare  “10 sportistët më të mirë të vitit”, “Mjeshtër i  Merituar Sporti”, “Nderi i Futbollit Shqiptar”, “Legjenda e  Futbollit “ . “Mjeshtër  i Madh”  dhe  “Qytetar Nderi” për  qytetet Memaliaj dhe Tepelenë.
(Shkruar dhe botuar në gazetën “Telegraf”, më 22 Prill 2014)

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…