Esmeralda Franja, futbollistja “Made in Shkodra” e Vllaznisë dhe Kombëtares

Esmeralda Franja, është një tjetër emër shqiptar i futbollit të femrave në vend, “Made in Shkodra” që ka spikatur ndër vite me Vllazninë dhe Kombëtaren shqiptare. E lindur dhe rritur në qytetin verior, ku futbolli është i pranishëm në thuajse çdo sofër shkodrane, Esmeralda nuk mund t’i mohonte vetes të qenit pjesë e këtij sporti, duke mos qenë thjesht një tifoze, por më tepër.


Esmeralda Franja, është një tjetër emër shqiptar i futbollit të femrave në vend, “Made in Shkodra” që ka spikatur ndër vite me Vllazninë dhe Kombëtaren shqiptare. E lindur dhe rritur në qytetin verior, ku futbolli është i pranishëm në thuajse çdo sofër shkodrane, Esmeralda nuk mund t’i mohonte vetes të qenit pjesë e këtij sporti, duke mos qenë thjesht një tifoze, por më tepër.

Në shtëpinë e saj, ndeshjet e kampionateve të njohura ishin ato që shfaqeshin më shumë në televizor, ndërsa që e vogël, teksa i shihte, mundohej të imitonte disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit, duke i kopjuar në lëvizje, derisa e kuptoi që nën këmbët e saj “diçka bluhej”. Mënyra se si ajo e driblonte topin, se si gjuante, se si luante, kishin njëfarë ndryshimi nga loja që bënin moshatarët e saj.

Esmeralda ishte një vajzë e rritur me futbollin që në vegjëli dhe për këtë arsye, sa herë zhvilloheshin ndeshje në shkollë apo në lagje, shokët e klasës dhe ata të rrugicave të Shkodrës, e ftonin të bëhej pjesë e ekipit, duke e konsideruar si një lojtare mjaft të fortë, e cila do t’i ndihmonte që të fitonin ndeshjen. Kështu ndodhte shpeshherë dhe për këtë arsye, kur në ajo ishte vetëm 12 vjeçe, në shkollën e saj, mësuesja e fizkulturës “zbarkon” në klasën e saj, në kërkim të vajzave që luajnë futboll. Të gjithë sytë dhe duart u drejtuan nga Esmeralda, e cila disi e ndjeu veten të përkëdhelur, por edhe të lumtur, pasi më në fund ajo nuk do të luante më vetëm me djemtë, por edhe me vajzat.

“Më kujtohet që kur isha në shkollën 9-vjeçare, mësuesja e fizkulturës erdhi në klasën tonë dhe pyeti për vajzat që luanin futboll. Menjëherë klasa u drejtua nga unë dhe ajo më pyeti nëse kisha dëshirë të luaja futboll. Sigurisht që kjo ishte ëndrra ime, të luaja në një ekip të mirëfilltë futbolli.”

“The Door Albania” ishte trampolina e Esmeraldës dhe shumë vajzave të tjera që sot janë pjesë e futbollit shqiptar të femrave. Me këtë ekip, ajo ka mbajtur pozicionin e mbrojtëses, ndërsa te Vllaznia kaloi në mesfushë, duke vazhduar për vite me radhë të jetë në atë pozicion. “Ekipi i parë ku kam luajtur ka qenë “The Door Albania”, ku kam luajtur rreth 3-4 vite. Më pas u formua ekipi i KF Adës së Velipojës dhe pastaj mori emrin “Vllaznia”, ku jam edhe sot.”

Zakonisht, vajzat janë më të lidhura me baballarët. Esmeralda është shumë e lidhur me të atin, ashtu edhe si me të ëmën dhe me të gjithë familjen, por mbështetjen kryesore e ka pasur nga e ëma, e cila dikur ka ëndërruar të bëhej futbolliste, por për shkak të mentalitetit dhe pamundësisë për t’u zhvilluar futbolli i femrave në kohën kur ajo dëshironte të luante futboll, nuk mundi. Kësisoj, ëndrrën e saj të mbetur në sirtar, për të luajtur futboll, arriti ta shohë dhe po e sheh tek e bija, e cila vesh me krenari sot fanellën e Kombëtares shqiptare dhe të ekipit të Vllaznisë, që ka fituar për tetë vite rresht kampionatin e femrave, falë edhe Esmeraldës. Pa dyshim që edhe i ati, sot është mbështetësi i saj më i madh.

“Mami ka qenë personi që më ka mbështetur më shumë në fillimet e mia, pasi kur ka qenë e vogël ka dëshiruar të bëhej futbolliste, por nuk e bëri dot realitet ëndrrën e saj, për shkak të kohës. Kur i kam shprehur dëshirën për të qenë pjesë e kësaj bote, më ka mbështetur, ndërsa babi në fillim nuk ka qenë shumë dakord. Sot, i kam tifozët e mi më të mëdhenj. Vijnë edhe më ndjekin kur e kanë mundësinë”.

Shkolla dhe futbolli, dy botë. Për Esmeraldën, mungesat në shkollë ishin bërë si sëmundjet kronike, pasi i pëlqente më shumë të luante sesa të shkonte në shkollë, derisa kuptoi se shkolla kishte po aq rëndësi sa loja dhe vendosi të menaxhonte më mirë kohën. Argëtimi i vetëm ishte futbolli, ndërsa shokët dhe shoqet dilnin edhe për ndonjë kafe. Sot, Esmeralda është futbolliste profesioniste si edhe mësuese praktikante e lëndës së Edukimit Fizik në shkollën “28 Nëntori” në Shkodër.

“Kur isha në gjimnaz, bëja shumë mungesa, pasi më pëlqente më shumë të luaja futboll. Pastaj kuptova që shkolla është shumë e rëndësishme dhe vendosa që këto dy gjëra të ishin kryesore për mua në jetë. Ndërsa miqtë e mi dilnin e pinin kafe, apo bashkoheshin me njëri-tjetrin, unë atë kohë ia kushtoja futbollit dhe shkollës. I dhashë forca dhe arrita të fitoj degën e “Edukimit Fizik”, për të cilën edhe jam diplomuar, duke bërë një kombinim mes asaj që dua të bëj pasi të mos luaj më futboll dhe asaj që po bëj aktualisht”.

Për pjesën më të madhe të futbollistëve, Kombëtarja është arritja më e madhe. Nuk bën përjashtim këtu Esmeralda, e cila është rritur me ekipin Kombëtar, duke kaluar në filtrat e trajnerëve të moshave U-17 dhe U-19, ndërsa tashmë është nën urdhrat e trajnerit Grima dhe stafit të tij, marrëdhënia me të cilët është e fortë dhe e shkëlqyer. “Kam qenë pjesë e Kombëtares së moshave U-17 dhe U-19, ndërsa prej disa vitesh jam pjesë e Kombëtares A. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me stafin, por edhe me vajzat. Një harmoni thuajse perfekte, që na ndihmon edhe në lojë”.

Ftesën nga Kombëtarja e ka pritur me padurim, madje edhe pse nuk e ka shprehur në sy të shoqeve më parë, mërzitej kur zhvilloheshin grumbullime dhe emri i saj nuk ishte pjesë e listës. “Jam gëzuar shumë kur kam marrë për herë të parë ftesën nga Kombëtarja. Kur shikoja shoqet e ekipit që merrnin ftesën dhe unë jo, mërzitesha dhe thoja me vete se kur do të vijë dita ime. Pastaj, kur kam parë emrin tim në listë, jam gëzuar pafundësisht, edhe unë, edhe familjarët e të afërmit e mi”.

Tashmë, futbollistja nga Shkodra është bërë pjesë e historisë, duke u ngjitur në vendin e katërt me ekipin Kombëtar, një arritje e jashtëzakonshme kjo për futbollin e femrave në vendin tonë, që nëse dikur po ecte me hapa të vegjël, sot po ngjitet me hapa të mëdhenj në arenën e futbollit ndërkombëtar. “Kemi qenë një Kombëtare pa shumë pretendime, por jemi rritur me ngadalë. Sot, jemi ngjitur në vazon e katërt dhe kjo falë punës së shkëlqyer, jo vetëm të stafit dhe vajzave, por edhe falë mbështetjes së Federatës së Futbollit, që na ka prioritet. Për këtë jam vërtetë e lumtur, pasi kemi qenë shumë pak në numër, ndërsa tani jemi shumë”.

Vllaznia është pika e saj e dobët. Që e vogël pjesë e ekipit shkodran, kujton me emocione momentet e paharrueshme që ka kaluar. “Jam rritur në këtë skuadër, kam pasur shumë oferta, qoftë nga brenda vendit por edhe nga jashtë. Gjithmonë i kam refuzuar, pasi kam synuar që të eci sa më lart me këtë klub dhe ndihem krenare që në 2019 u kualifikuam në UEFA Champions League”.

Në fund të rrëfimit të saj, ekskluzivisht për fshf.org, Esmeralda Franja nuk ngurron që të japë një mesazh për të gjithë prindërit dhe vajzat, për të cilat futbolli, është më shumë sesa një lojë. “Prindërit duhet të jenë më të hapur me vajzat. Futbolli është një ves, një ves i mirë. Prindërit duhet t’i drejtojnë vajzat e tyre drejt këtyre veseve, nuk duhet t’i mohojnë dashurinë që kanë për këtë lojë. Vetë vajzat duhet të jenë më këmbëngulëse, pasi nuk është turp të luash futboll”. / Fshf.org/

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…