Afërdita Tusha, qitësja shqiptare që rivalizoi meshkujt në Olimpiadën “Mynih 1972”
Historia e Afërdita Tushës ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, të cilat kanë shkruar shpesh për të në prag të Lojërave Olimpike.
Nga Dash Frashëri
Shqipëria për herë të parë në Lojnat Olimpike. Ka ndodhur në Olimpiadën XX zhvilluar më 1972 në Mynih të Republikës Federale Gjermane.
Më 26 gusht të atij viti në ceremoninë e hapjes, sipas rendit alfabetik të gjuhës gjermane pa cenuar kurrsesi vendin e parë, i cili dihet tradicionalisht në çdo Olimpiadë i përket Greqisë, pas Egjiptit, Etiopisë e Afganistanit në pistën e “Olimpic Stadion” ka parakaluar delegacioni sportiv i Shqipërisë përbërë nga shtatë vetë.
Këtij delegacioni të vogël i printe “flamurmbajtësja” veshur me kostumin kombëtar tradicional shqiptar. Fakt ky, që bëri të tërhiqte shumë vëmendjen e të pranishmëve.
Por, interesimi e vëmendja e tyre do të rritej ca më tepër kur ditë më pas në poligonin e qitjes në Hochbryk fare pranë Munihut, në vijën e zjarrit në distancën 50 metra pistoletë e lirë 1 X 60 u rreshtuan 59 qitës, që përfaqësonin 36 shtete nga të gjithë kontinentet. Dhe midis tyre binte në sy prania e një femre të vetme.
Ajo ishte “flamurmbajtësja” e delegacionit shqiptar, quhej Afërdita Tusha, e cila tashmë me kostumin sportiv përgatitej të merrte pjesë në garë. Dhe teksa garoi në baterinë e dytë (me 6 pjesëmarrës) në serinë e dhjetë goditjeve të para zuri vendin e tretë me 94 pikë nga 100 të mundshme, 2 pikë më pak se vendi i parë.
Pas kësaj në përfundim të garave me grumbullimin e 559 pikëve ajo u rendit e 20-ta mes 59 qitësve meshkuj të nivelit të lartë. Madje për atë vit Afërdita Tusha rezultoi e para femër në Botë, e cila duke garuar në vijën e zjarrit me meshkuj në një garë të nivelit të lartë botëror, arriti të prekte një rezultat të tillë.
Po ku kishte nisur rruga sportive e kësaj snajperëve të vërtetë? Në vitet 60-të të shekullit të kaluar nëpër shkollat e mesme, paramaturantë dhe maturantë të shtunave mbasdite zhvillonin lëndën e përgatitjes ushtarake, thënë më saktë bënin rregullisht paraushtarak. Praktikë kjo tashmë e harruar, por në atë kohë qe e detyrueshme.
Në fund të vitit shkollor kryej edhe qitje me armë të karakterit sportiv. Madje, zhvilloheshin edhe gara mes shkollave. Në njërën prej të cilave trajneri i mirënjohur i qitjes “Mjeshtri i Merituar i Sportit” Ali Mata spikati një vajzë të re, që nuk i kishte mbushur ende 18 pranvera.
Vendosja, kujdesi dhe përqendrimi në marrjen e pozicionit, si dhe qetësia në tërheqjen e këmbëzës ishin elementët që tërhoqën vëmendjen e seleksionerit të sprovuar, ka bënë të këmbëngulte, që ajo të inkuadrohej në ekipin e sapoformuar të qitjes për femra pranë KS 17 nëntori, sot KS Tirana. Dhe pas kësaj me nisjen e stërvitjeve të vazhdueshme dhe kujdesin e pandërprerë të trajnerit Ali Mata, talenti dhe aftësitë e Afërditës u dukën që në veprimtaritë e para ku mori pjesë.
Fillimisht në kampionatin kombëtar të kategorisë së dytë zhvilluar në vitin 1964 ajo garoi në garën e qitjes me pushkë precizion 1 X 60 dhe u rendit e dyta, ndonëse ishte pjesëtare e ekipit të të rejave. Një vit më pas, më 1965 në kampionatin e të rriturave në garën me pistoletë “Drulov” 1 X 10 distanca 25 m u rendit sërish e dyta.
Pas kësaj me prekjen e këtyre rezultateve, si trajneri Ali Mata, ashtu edhe ajo vendosën përfundimisht t’i përkushtohen garimit me pistoletën “Drulov”. Dhe vetëm pas pak muajsh rezultatet qenë tejet të kënaqshëm. Kështu në garën
1 X 30 në distancën 25 m Afërdita Tusha theu rekordin e parë kombëtar nga 274 në 277 pikë. Rekord të ri ajo vendosi edhe në garën 1 X 10 distanca 25 m, duke i lëvizur shifrat nga 93 në 95 pikë. Me pistoletën “Mc” duke konkurruar me meshkuj në garën 1 X 60 në distancën 50 m ajo u rendit e treta. Ndërkohë në kampionatet e mëpasshme duke rivalizuar me qitëset më të mira të vendit, Afërdita njohu pambarimisht suksese.
Tituj kampionë, vende nderi në garat për Kupën e Republikës dhe medalje të artë në finalet e Spartakiadës së tretë Kombëtare. Kjo ishte rruga sportive e kësaj qitëseje të talentuar, që do të kulmonte në atë rezultat unikal, që arriti duke garuar në vijën e zjarrit me qitës snajper të nivelit botëror në Lojnat e XX-ta Olimpike MYNIH-1972.
Por, nuk mbaron këtu. Rruga sportive e Afërdita Tushës, “flamurmbajtëses” së parë të flamurit kuqezi në një Olimpiadë Botërore, nga 1963 deri më 1998 vijoi për 26 vite me radhë shoqëruar pambarimisht me rezultate të nivelit të lartë duke u bërë padyshim ndër përfaqësueset më dinjitoze e më të suksesshme të Klubit Tirana, por edhe të Shqipërisë në veprimtari të ndryshme ndërkombëtare.
Në morinë e madhe të medaljeve, diplomave e certifikatave vlerësuese, që Afërdita i ruan ende me kujdes, spikat padyshim “Medalja e Artë”, vlerësimi më i madh që është bërë deri më sot për këtë snajpere të pashoqe në historinë e qitjes shqiptare. Tashme në pension ajo lumturohet shumë nga gëzimi e hareja që i dhurojnë nipërit e mbesat.
Rekordi unik
Afërdita Tusha rezultoi e para femër në Botë, e cila duke garuar në vijën e zjarrit me meshkuj në një garë të nivelit të lartë botëror, arriti të prekte një rezultat të tillë.
Delegacioni sportiv i Shqipërisë në Mynih-1972
Në delegacionin sportiv shqiptar bënin pjesë: Ymer Pampuri peshëngritës kampion e rekordmen olimpik në stilin e forcës 127,5 kg., Beqir Kosova (renditur në vendin 66 në garën e qitjes me pushkë 50m me 587 / 600 pikë), Fatos Pilkati (vendi 24 në garën pistoletë e lirë 50m me 546 / 600 pikë), Ismail Rama (vendi 22 në garën me C.p.c. 50m me 594 / 600 pikë), Afërdita Tusha (vendi 20 në garën pistoletë e lirë 50m me 554 / 600 pikë), trajneri Zyhdi Mazreku dhe nga kryetari delegacionit Xhemal Punavia në atë kohë zv/ministër i arsimit.
“Dinastia Beqiri”
Përqendrimi i familjes Beqiri në qendër të kryeqytetit, saktësisht në bulevardin “Zogu I”, as 100 metra larg nga sheshi “Skënderbej”, dëshmon sigurisht për hershmërinë e kësaj familje të nderuar autoktone tiranse, pjesë e së cilës prej vitesh është “Mjeshtrja e Sportit” Afërdita Tusha, që e ka lidhur jetën me Beqir Beqirin, basketbollist i Partizanit, kampion më 1960 me këtë skuadër. Edhe Skënderi, i vëllai i tij u dallua si basketbollist, por në radhët e Tiranës ku u aktivizua për shumë kohë. Të njëjtën rrugë zgjodhi edhe vëllai tjetër Fatmiri. Kurse, nipi i tyre Arditi spikati në futboll, fillimisht te Partizani me të cilin fitoi Kupën e Shqipërisë, por më pas në radhët e Tiranës më 2004-2005 u shpall kampion.
Afërdita Tusha në mediat e huaja
Historia e Afërdita Tushës ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare, të cilat kanë shkruar shpesh për të në prag të Lojërave Olimpike. Kështu, studiuesi e gazetari sportiv italian Xhovani Armilota, një njohës i shkëlqyer i sportit shqiptar ka shkruar një artikull special me titull “La leggenda di Afërdita Tusha, prima al mondo senza essere campionessa mondiale”(Legjenda e Afërdita Tushës, e para në botë pa qenë kampioneshe bote). Për Afërdita Tushën ka pasur edhe një interesim nga gazeta e madhe amerikane “Nju Jork Tajms”, nisur edhe nga fakti se ajo ishte e vetmja femër që garoi në qitjet me pistoletë në Lojërat Olimpike të Munihut.
(Botuar në gazetën “Telegraf”, 4 Gusht 2014)
—***—
Më 24 shtator 2014, u nda nga jeta, në moshën 74 vjeçare, Afërdita Tusha, rekordmenia, kampionia e shquar e qitjes shqiptare, Mjeshtre e Sportit, sportiste e klubeve 17 Nëntori e Partizani dhe e ekipit kombëtar