Petrit Stefa, “amerikani” i basketbollit shqiptar!

Petrit Stefa, arkitekti i një Flamurtari të jashtëzakonshëm me të cilin matematicieni vlonjat fitoi 25 trofe, midis kampionatit, Kupës së Shqipërisë, Superkupës së Shqipërisë dhe kupave speciale.


Nga Dash Frasheri

Për herë të parë një skuadër shqiptare e basketbollit për femra merr pjesë në Kupën e Kampioneve në vitin 1980 dhe kjo kënaqësi i takoi Flamurtarit të Vlorës, madje ndaj nënkampiones së Europës, hungarezëve të BSE Budapest. Trajner është Petrit Stefa, arkitekti i një Flamurtari të jashtëzakonshëm me të cilin matematicieni vlonjat fitoi 25 trofe, midis kampionatit, Kupës së Shqipërisë, Superkupës së Shqipërisë dhe kupave speciale. Pikërisht, për revolucionin që Stefa solli në basketbollin e femrave, ku mbizotëronin konceptet amerikane, ai u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me “Medaljen e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”, gjatë një ceremonie mbresëlënëse “Gala”, më 15 dhjetor 2014. Medaljen prestigjioze ia dorëzoi Stefës një tjetër vlonjat i shquar, Bujar Leksaj, Doktor i Shkencave Ekonomike dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ish-ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve (shtator 2005-mars 2007).

MATEMATICIENI I BASKETBOLLIT

Petrit Stefa u lind në Vlorë, më 20 nëntor 1945, 32 vjet pas shpalljes së Pavarësisë dhe dy vjet para se basketbolli për femra të zhvillonte kampionatin e parë. Pasi mbarimit të shkollës së mesme “Halim Xhelo” me rezultate të shkëlqyera, studioi dhe u diplomua për matematikë në Universitetin e Tiranës në vitin 1967. Ai u emërua në Sarande në shkollën e mesme “Hasan Tahsini”, ku përveç matematikës, hodhi edhe hapat e para si trajner basketbolli, por gjeti edhe dashurinë e jetës së tij, bashkëshorten e ardhshme. Stefa vazhdon ta quajë periudhën që punoi në Sarandë, si një “copëze brilante të jetës së tij”. Pas tre vjetësh në Sarandë, në moshën 26-vjeçare u rikthye në Vlorë. Petriti u emërua trajner i basketbollit për femra të Flamurtarit, asokohe në Kategorinë e Dytë në janar të vitit 1972. Stefa kishte luajtur basketboll në rininë e tij, si dhe në vitet si student. Ilo Taska është trajneri i parë i tij, pikërisht Stefa ia kushton atij suksesin e tij të madh në basketbollin e femrave. Petriti studioi një mal me libra e literaturë basketbolli, për të krijuar këtë mit që ka ai sot. Madje, jo vetëm të specialistët shqiptare, por vlonjati i pasionuar pas “basketbollit modern” ndihet i vlerësuar edhe nga trajnerë dhe ekspertë të huaj me të cilin ai pa pasur fatin të përballet herë si kundërshtar, herë që si miq në kongrese apo forume për basketbollin.

TRAJNER TROFESH

Për 20 vjet rresht: 1972-1992, Petrit Stefa qëndron trajner i Flamurtarit të Vlorës, duke qenë arkitekti i të gjitha trofeve që ka fituar ajo skuadër gjatë kësaj periudhe. Stefa është ideatori i të gjithë atij ndryshimi cilësor që solli Flamurtari në basketbollin e femrave. Nga viti 1975 e deri më sot, 69 vjeç, Petriti është trajner profesionist dhe i përkushtohet basketbollit. Stefa ndërtoi një skuadër legjendë, duke thyer hegjemoninë e 17 Nëntorit të Tiranës, me trofeun e fituar për herë të parë në kampionatin e edicionit 1976-1977. Emrat e sportisteve janë nga më të respektuarat në e basketbollit: Pjerita Çika, Eleni Beli, Afërdita Vjero, Ariana Birçe, Elida Laboviti, Violeta Çala, Luljeta Mina, Edlira Agalliu, etj. Stefa është 25 herë fitues i vendit të parë, nga të cilat 8 herë kampion kombëtar, 6 herë fitues i Kupës së Republikës dhe 11 herë fitues i kupave të tjera si Superkupa, kupa speciale, historike, etj. Në sezonin 2002-2003 ai është përsëri kampion për të nëntën herë, por kësaj radhe si trajner i Luftëtarit të Gjirokastrës. Gjate periudhës 1992-2001, Petriti provon vlerat e tij me dy skuadra greke, një për femra dhe një për meshkuj: “Skeria” (femra) e Korfuzit, të cilën e çon nga Kategoria e Tretë në Kategorinë e Parë si dhe “Erithros Stavros” (meshkuj) e ESKA-s( Federata e Athinës). Si trajner i Flamurtarit, ai bëri një revolucion të vërtete në basketbollin e femrave duke futur koncepte të reja të basketbollit të kohës, veçanërisht atij amerikan mbi sulmin, mbrojtjen, sulmin e shpejtë etj.

KUPA E KAMPIONEVE

Shqipëria nuk mori pjesë me basketbollin e femrave në vitet 1959-1980 në Kupën e Kampioneve. Pikërisht, në sezonin 1980-1981 Flamurtari u bë skuadra e parë shqiptare që merr pjesë në kompeticionin më prestigjioz për klube. Kundërshtari është një emër i madh në basketbollin europian: BSE Budapest, nënkampion i Europës për sezonin 1978-1979. Dy humbje, por një përvojë e madhe e fituar. Interesant është fakti, se klubet shqiptare nuk marrin më pjesë në periudhën 1981-1988. Në vitin 1989, skuadra vlonjate do të zhvillonte një nga lojërat e veta më të bukura përballë Sportingut të Athinës, skuadra kampione e Greqisë, një nga të njohurat e kontinentit, kur vetëm për mungesë ndoshta të fatit, humbi në Vlorë me një diferencë prej vetëm dy pikësh. Stefa u rikthye edhe një herë tjetër në “parketin ndërkombëtar”, por kësaj radhe si trajneri i Luftëtarit në sezonin 2002-2003 në Kupën e Europës.

TRAJNER I KOMBËTARES

Qysh nga viti 1983, Petriti zgjidhet trajner në ekipet tona kombëtare duke e përfaqësuar vendin në kampionate Ballkanike, Europiane, Lojëra Mesdhetare, etj. Në vitin 2002, Stefa është fitues i Kupës Europiane të Promocionit (për vendet e vogla) në Andorra, ngjarje e cila përben arritjen me të madhe të basketbollit shqiptar të femrave. Në vitin 2012 ai është përsëri trajner i ekipit tonë kombëtar dhe luan ne Kampionatin Evropian të 2012 (faza e 2-të).

“BIBLA E BASKETBOLLIT”

Ai është autor i shume artikujve, studimeve, si dhe autor i librit “Trajneri dhe filozofia e tij” i pritur mjaft mirë nga specialistet e sportit. Një punë voluminoze trevjeçare për ta shkruar në Athinë të Greqisë, por që në të vërtetë ishte fryt i një pune të mirëmenduar dhjetëvjeçare. Një lloj “Bible” për basketbollin. Ai është “Trajner i Merituar” dhe “Mjeshtër Sporti” së bashku me shumë basketbolliste vlonjate.

“MJESHTËR I MADH”

Pasioni tjetër i madh i Petritit janë gjuhët e huaja. Në moshën 20-vjeçare certifikohet për gjuhen ruse, 22 vjeç mbron gjuhen frënge, ndërkohë që flet lirisht anglisht, italisht dhe greqisht. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nderoi mw 10 shkurt 2012 me Urdhrin “Mjeshtër i Madh” gjashtë emra të shquar të basketbollit shqiptar ndër vite, Besnik Pëllumbin (pas vdekjes), Bujar Shehun, Vasil Shakën, Viktor Papavangjelin, Nijazi Lleshin dhe Petrit Stefën, për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e basketbollit shqiptar. Aktualisht, është kryetrajner në Shoqatën e Basketbollit për fëmije “Perla probasket” Vlorë. Aty po eksperimenton për herë të parë në Shqipëri fillimin e basketbollit në moshën 5-6 vjeç. Petrit Stefa është një nga ideologët e basketbollit shqiptar, ndërsa shumëkush e cilëson një legjendë të trajningut të koshit.

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…