Bujar Qesja: E kreva porosinë tënde Xhovani!
Në postën time elektronike, më vjen një kërkesë jo e zakonshme. Këtë kërkesë ma drejton gazetari shumë i njohur sportiv italian, që i njeh në majë të gishtave të gjitha degët e sporteve në Shqipëri,
Nga BUJAR QESJA
“Mjeshtër i Madh”
Në postën time elektronike, më vjen një kërkesë jo e zakonshme. Këtë kërkesë ma drejton gazetari shumë i njohur sportiv italian, që i njeh në majë të gishtave të gjitha degët e sporteve në Shqipëri, që ka shkruar me dhjetra libra dhe studime për sporte dhe indivë dhe që mbetet aktiv dhe më tutje. Kërkesën ma formulon në gjuhën shqipe, ç’ka më nxit bindjen, se kemi të bëjmë edhe më një shqipfolës, që edhe këtu na befason.
-I nderuar Z. Bujar Qesja!
-Meqë po unë jam duke shkruar një libër në sportet ndërkombëtare, në të cilin do të ketë një kapitull kushtuar Shqipërisë, do të doja t’ju kërkoja një nder të madh. Në lidhje me artikullin tuaj të famshëm që po ka në dosjen e bashkëngjitur, unë do të doja të merrja një fotografi e albumit të Martin Çetës në lidhje me GANEFO 1963 dhe gjithashtu një fotografi e tjetër të medaljes së fituar nga Martin në Xhakartë gjithashtu në 1963.
Shumë faleminderit!
Giovanni.
Ky gazetar (Urdhëri “Toskana”) dhe studiues i famshëm, i lindur në Foggia, drejtor dhe manaxher i “Metodo”, revistë e arkitekturës, poltikës ndërkombëtare, historisë, shkencës dhe shoqërisë, me një komunikim njerëzor, me një art që veç profesionistë ekselencë e zotërojnë, me një informacion të hollësishëm për atë ç’ka kërkon, më transmeton dëshirën e mirë të një kolegu ndaj një kolegu tjetër, aq më shumë të një shteti tjetër, duke më lënë gojë hapur më atë që parashtron.
Më dërgon si faksimile, një shkrim të botuar nga Bujar Qesja, në ballinën e gazetës “SPORTI”, që mban datën 17 korrik 1992. I bie që të jetë 29 vite të shkuara. Aty lexohet:
In memoriam
“Martin Çeta në boksin tonë, midis më të mirëve”
-Në shtëpi kur shkuam të ngushëllojmë familjen, na treguan disa relike të çmuara, që të ofrojnë dhe të zgjojnë mall, të fusin në meditime e të ngjallin emocione të fuqishme. Janë ruajtur mirë dy medalje, njëra në lojrat e GANEFO-s dhe tjetra në veprimtarinë e njohur të Lajpcigut të vitit 1958. Pastaj albumi. Oh çfarë albumi!
Këtë paragraf, të nëvizuar dukshëm nga kolegu dhe miku ynë italian, kërkon ta konkretizoj, pasi ndihmon në botimin e një libri me vlerë për sportin shqiptar. Kjo kërkesë e Xhovanit, është bërë me 18 maj 2021. Çdo ditë që kalonte, më ngarkonte me një përgjegjësi të dyfishtë:
Së pari: po vonoja këtë kërkesë profesionale dhe miqësore.
Së dyti: po pengoja krejt padashur, punën e një kolegu të përkushtuar.
Nuk po rendis të tretën, që ka të bëj me një boksjer durrsak të përmasave të pazakonta dhe që doja detyrimisht ta plotësoja këtë dëshirë të italianit të njohur të letrave. Puna dhe ngarkesa ime publiçistike janë të tilla, që më vështirëson memorien për të mbajtur në kujtesë tërë inventarin e kësaj veprimtarie gjithnjë në rritje. Por Xhovani Armilota më lutet, t’ia realizoj këtë.
Dhe ka të drejtë. Por vështirësia ime qendronte, jo vetëm në kohën e gjatë që kishte kaluar nga 17 korriku i vitit 1992, por edhe me mundësitë e vakta për të gjetur përfaqësues nga familja. Nuk është më si më parë, që me një të rënë të bilbilit mbaroje punë. Njerëzit kanë emigruar dhe emigrojnë çdo ditë, lëvizjet gjithashtu janë të pandërprera dhe kështu koefiçienti i vështirësisë rritej më shumë sa ç’dukej.
Po për fatin tim dhe sidomos të Xhovanit, krejt rastësisht, në një mëngjes herët shikoj Aurelin, djalin e Martin Çetës. Pavarësisht se nuk i kisha kthyer përgjigje Xhovani Armilotës, sepse nuk kisha gjë në terezi, meraku për porosinë e mikut më ngarkonte për çdo ditë me peshën e rëndë të përgjegjësisë.
Aureli e kishte kaluar moshën 57 vjeçare të jatit, kur u nda nga jeta dhe takimi ishte shumë i përmallshëm. Ia thashë shpejt e shpejt, se si qendronte puna dhe kërkova ndihmën e tij. Vështirësi sa të duash. Albumi ishte çvendosur nga pika e origjinës dhe duhej të kërkoje se ku ndodhej.
-Është një rast, i fola Aurelit, që nuk duhej ta humbisnim. Kjo jo vetëm për Xhovanin, por as për Martinin tonë të përmallshëm, këtë boksjer klasi, me një elegancë në ring për t’u mos harruar.
Së bashku me Aurelin, kujtuam Martinin, sëmundjen e pashërueshme që e rrëmbeu në moshë adhuruese dhe dashurinë e tij për boksin, për sportet, për shokët dhe Durrësin aq të shtrenjtë. Aureli më gëzoi pa masë, që në pamundësi për të patur një djalë për ti vendosur emrin e të jatit, e ka përkujtuar Martinin tek e bija. Tani jeton dhe është si kokrra e mollës, një vajzë me emrin Martina Çeta. Sa bukur!
E ”humba” Aurelin prej disa javësh dhe teksa më çfaqet përsëri në një mëngjes herët. Mbante në dorë dy medalje. I shtrëngonte fort ato, a thua së shtrëngonte gjoksin e fortë të babait të tij, të Martin Çetës së famshëm.
-I gjeta Bujar. Jam shumë i gëzuar. Mbaro punë!
– Mos mi dorëzo mua, por ruaji mirë dhe trashëgoi tek të tutë. Mua më mjafton të bëjë dy foto dhe ti bëj publike. Jo vetëm Xhovani do të gëzohet shumë, por edhe durrsakët tanë. Janë dy relike të çmuara. Është historia jo vetëm e Martin Çetës, por edhe e boksit shqiptar. Kot nuk i kërkon ky italian i çmuar i gazetarisë.
Ja pra Giovanni Armillota. Kjo është e gjithë historia, përse s’jam bërë i “gjallë” që nga 18 maji 2021, kur më drejtoje një kërkesë shumë miqësore dhe emocionuese. Nuk kisha se si të dilja para syve, pa të mbaruar punë. Tashmë jam i lehtësuar.
Merre Martin Çetën dhe vendose ashtu të gjallë siç e meriton në librin tënd!
Punë të mbarë Giovanni!
Durrës: 12 korrik 2021