Diana Mata, “snajperja” me syrin te dhjeta dhe me 4 kg medalje
Diana Mata dhe familja Mata përbën një simbolikë të qitjes shqiptare, për të cilën natyrshëm meriton një respekt të veçantë. Një dinasti dominuese mbi 60-vjeçare në sportin e “syrit dhe të gishtit’,
Nga Dash Frashëri
Diana Mata dhe familja Mata përbën një simbolikë të qitjes shqiptare, për të cilën natyrshëm meriton një respekt të veçantë. Një dinasti dominuese mbi 60-vjeçare në sportin e “syrit dhe të gishtit’, në sportin ku që të fitosh duhet të qëllosh në zëmër të dhjetës. Diana Mata është sportistja cilësore më jetë gjatë, një histori gati 33-vjeçare, që nis nga mosha e njomë 15 vjeç. Një histori suksesi e medaljesh. Diana, nënkampione e Europës dhe “pronare” e më shumë se 50 medaljeve, midis tyre 13 të arta, përjeton ende emocionet e garës, por kësaj radhe jo si sportiste e nivelit të lartë, por si trajnere e kampiones së Europës, Lindita Kodra, e katërta qitëse shqiptare që ka mundur të sjellë një medalje të artë nga një kampionat Europian. “Mjeshtrja Botërore e Qitjes” duket se e ka më lehtë të qëllojë te dhjeta, duke pohuar se elokuenca e saj në të folur është shumë prapa asaj që ajo bën në vijën e zjarrit. Ende elegante, aq sa mund t’i heqësh pa frikë 20 vjet nga mosha e saj biologjike, me sytë që i shkëlqejnë dhe në prani të bashkëshortit, Denish Nallbani, njeriut që i ka krijuar çdo mundësi që Diana, vajza e Ali Matës, trajnerit që ka nxjerrë 3 kampione të Europës, të shkëlqejë në Shqipëri e në botë. “Ka lënë ndoshta familjen pak mangët, por ia kemi bërë hallall për ato që ka arritur”, – thotë bashkëshorti i saj. “Kam pas munguar edhe me muaj nga shtëpia, por Denishi, më ka mbështetur vazhdimisht, por ja kam kompensuar më pas me medalje. Ka pasur raste që nuk më njihnin as në shkollë”, – shton me të qeshur Diana. Në shoqërinë e një çaji te një kafet luksoze të “European Trade Center”, Diana, 17-herë kampionia e Shqipërisë nis rrëfimin e radhës për gazetën “Albania”, për të qenë pas disa kohësh mysafire në një media tjetër të shkruara apo elektronike…
***
Diana, jeni rritur në një familje qitësish, për më tepër që jeni stërvitur nga babai juaj, Aliu. Sa ka ndikuar ai në arritjet tuaja kombëtare e ndërkombëtare të cilat kulmojnë me shpalljen nënkampione të Europës në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1978?
Kam marrë shumë nga babai im. Faktorin psikologjik. Pa zotëruar atë nuk mund të jesh kurrë një sportiste e madhe. Në garat e mëdha pa qenë zotëruese e vetes nuk mund të arrish rezultate të larta. Të transmetonte kurajo. Kam fituar goxha shumë nga babai im. Vërtet babain e kisha trajner në poligon, por më trajtonte si gjithë të tjerët. Privilegji im ishte se e kisha dhe në shtëpi. Më njihte deri në imtësi karakterin, tipin që kisha.
Konsultohesha gjithmonë me të. Kishim krijuar një kampionat të vogël në shtëpi. Dhe në darkë, kur mblidheshim të gjithë bashkë tema kryesore ishte qitja. Diskutonim të metat që shfaqnim në poligon. Ishte një ndihmë e madhe që trajnohesha nga im atë. Shumë gjëra që nuk mund t’i mi thoshte në poligon mi thoshte në shtëpi. “Diana kujdes këtë, kujdes atë”.
Kisha krijuar një stereotip shumë strikt të jetës sime si sportiste, ishte gjithçka e programuar deri në imtësi. Qitja përveç syrin të mirë kërkon dhe përgatitje të lartë fizike. Kam bërë shtangë, kilometra pa fund vrap. Kjo ka ndikuar që të garoj në një nivel të lartë për një periudhë thuajse mbi 30 vjeçare.
Nga familja juaj kanë dalë disa qitës të spikatur, të babai juaj, Ali Mata, është dekoruar edhe me titujt e “Mjeshtrit të merituar të sportit”, “Nderit të kombit”, duke nxjerrë dy kampione të Europës, Ermira Dingun dhe Emanuela Kolën , si dhe ju vetë, “mjeshtre të merituat të sportit”. Si e kujtoni babain tuaj në rolin e trajnerit?
Babai im, Aliu, ruan ende një hijen e një trajneri. Edhe pse nuk stërvit më, prapë së prapë nuk heq dorë nga këshillat e tij. Tashmë, edhe pse ai është 79 vjeç flasim të dy thuajse çdo ditë për qitjen. Më parë kisha marrë medalje ari në Finlandë, në vitin 1980, por dhe argjendi në një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar. Si ekip dolëm në vend të tretë. Medalja të argjendtë në Frankfurt në vitin 1979 ishte një arritje e madhe personale, por rezultati më i mirë imi është arritur në Zuul të Gjermanisë Lindore, kur u rendita e pesta në botë, me 587 pikë. Të arrish të marrësh titullin më të lartë të “Mjeshtres Botërore të Qitjes” është diçka që të bën me të vërtetë krenare, vetëm pesë sportistët e para e morën atë. Atëherë mendova se ky ishte fundi i atyre që mund të arrija, por në të vërtetë dhashë akoma për veten dhe vendin. Të jashtëzakonshme.
Duke mbetur te familja juaj, a ka pasur ndonjë garë brenda familjes suaj, kur qitëse të tjerë kanë qenë edhe motra juaj, Marjana Mata, apo dhe me vëllain Skënder Mata dhe kushëririn tuja, Shefqet Mata?
Ka ekzistuar vërtet një kampionat midis nesh, pavarësisht se ndonjë prej tyre ishte në pushkë dhe jo në pistoletë. Kemi qenë gjashtë qitës në shtëpi. Mund të merret lehtë më mend, se çfarë ambienti shndërrohesh. Rivale më të madhe kam pasur nuset e vëllezërve, që bënin garën time. Në poligon dhe në garë ishim rivale, por jashtë saj ishim kunata shumë të mira.
Keni garuar për herë të parë në moshën 16-vjeçare, në vitin 1976, nën drejtimin e babait tuaj të nderuar…
Është një moment që nuk e harroj kurrë. Kam punuar shumë dhe kam arritur të kem sukses të menjëhershëm qysh në garat e para. Edhe pse isha vetëm 16 vjeçe e kam zënë vend në ekipin e të rriturave.
Gara juaj e parë është ajo në kampionatin europian në Itali, në vitin 1977. Si e kujton pjesëmarrjen tuaj të parë në Europë?
S’mund ta harroj kurrë. Ishte gara ime e parë në Europë. Dola e nënta. Kjo garë më vendosi në pozita pune për të punuar më shumë për të kapur rezultate më të mira. Kundërshtaret më të forta ishin ruset, bullgaret dhe jugosllavet.
Keni një karrierë të gjatë ndërkombëtare si në garat europiane dhe ato ballkanike, ku jeni kurorëzuar edhe me titullin “Mjeshtre Europiane e Qitjes”, çfarë emocione ruani?
Nuk është thjesht të jesh një sportiste cilësore e të spikasësh në arenën ndërkombëtare, apo të ndihmosh ekipin që të dalë ndër më tre më të mirët në botë. Nuk jam gëzuar më shumë për vete, se sa për flamurin e Shqipërisë pas podiumit të fituesve. Të konkurrosh denjësisht me qitëset më të mëdha të botës përveç emocioneve të garës të dhuron edhe një kënaqësi që nuk mund ta harrosh kurrë.
Keni qenë shpesh pran1% barazimit të rekordit botëror në garën tuaj, a keni ndjerë ndonjë peng që nuk e keni barazuar apo thyer atë?
Në garat kombëtare thuajse absolute. Kam qenë 17-herë kampione e vendit. Kam qenë shpesh një apo dy pikë larg rekordeve botërore. Në Shqipëri ende nuk është thyer rekordi im, 592 pikë. Rekordi botëror në pistoletë është 594 pikë. Jam përpjekur gjithmonë që t’i afrohem.
Tani pas më shumë se 30 vjetësh, jeni vetë trajnere e një kampione tjetër shqiptare të Europës, Lindita Kodra. Cili është ndryshimi midis Dianës qitëse dhe Dianës trajnere?
Është krejt ndryshe të jesh sportiste dhe trajnere e të trajnosh sportiste të niveleve të larta europiane dhe botërore. Ndjek të njëjtën rrugë siç e ka ndjekur edhe babai im me mua. Kam marrë shumë nga babai im. Kështu dua dhe unë që sportistja ime të shkëlqejë. Besoj se të vetja ime si trajnere dhe te Lindita si sportiste e kam arritur. Një ndihmë të madhe na ka dhënë dhe shefi i klubit të Tiranës, Besim Rizvanolli.
Diana, keni marrë dy herë pjesë në Lojërat Olimpike, në “Atlanta 1996” së bashku edhe me Enkelejda Shehun, si dhe në “Sidnej 2000” në Australi. Si i kujtoni garat në këto Olimpiada?
Në ato vite qitja arriti të kapë normat strikte të pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike. Së bashku edhe me Enkeleljda Shehun morra pjesë në “Atlanta 1996”. Sigurisht ishte gara e parë e jona në një eveniment kaq të madh si Olimpiada. Nuk dolëm keq në Atlanta, nëse do të marrim në konsideratë dhe faktin se garonin kampione të botës. Katër vite më pas, në Australi për “Sidnej 2000” e ndieja veten më me përvojë. U rendita e dhjeta në Lojërat Olimpike. E konsideroj sukses të madh për veten. Edhe mosha ka bërë të veten në Australi.
***
4 kg medalje
Diana Mata ka koleksionuar mbi 50 medalje, 13 ari, 21 argjendi dhe 9 bronzi e një numër pafund medaljesh në aktivitetet kombëtare. Diana është shpallur dhjetë herë ndër “10 sportistët më të mirë”, një anketë prestigjioze e organizuar nga gazeta sportive “Sporti Popullor”, sot “Sporti Shqiptar”. Por, çfarë peshë zënë ato për Dianën dhe a ekziston ndonjë muze i vogël në shtëpinë e saj. “Po ti peshosh të gjitha bashkë, rëndojnë gati 4 kilogram, – ndërhyn bashkëshorti i saj, Denishi. “Janë vërtet shumë, nuk kam as ku t’i vendos – thotë Diana, – janë një valixhe plot. Nga kampionatet ballkanike kam medalje pa fund. Asnjëherë nuk jam kthyer pa medalje nga Ballkani. Jam dy herë kampione Ballkani, në vitin 1991 kam thyer edhe rekordin ballkanik në garën pistoletë ajër”.
Rivale, por shoqe të ngushta
Shqipëria ka nxjerrë disa qitëse kampione të Europës para viteve 1990, si Elisabeta Karabolli në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1979, Ermira Dingu në Madrid në vitin 1980, pushkë, Emanuela Kola për të reja. Por sa ka ndikuar rivaliteti me to dhe çfarë marrëdhëniesh ka pasur Diana me to. “Kemi qenë së pari shoqe shumë të mira. Në jetën sportive kemi qenë rivale garash, pasi konkurronim me disa për ekipe të ndryshme, por jashtë ishim shoqe të mira. Përsa i përket medaljeve të të para e para që ka sjellë një të tillë ka qenë Elisabeta Karabolli, e cila doli e treta në Itali, duke fituar medalje bronzi. Unë, Elisabeta dhe Margarita Cingu dolëm nënkampionë të Europës në ushtrimin me pistoletë 30+30 (1733 pikë në total). Ishte hera e parë që fitonim si ekip në Europë. Kur vjen Elisabeta nga Amerika do të vijë patjetër në poligon të më takojë. E merr shumë malli. Bashkëshorti i Elisabetës ka qenë trajneri im”.
Diana kundër Dianës
Diana Mata ka pasur shumë konkurrente të huaj në Europë, si jugosllaven Jasna Sarakiç, bullgaret Diana Jorgova e Maria Grozhdodieva. A ka pasur ndonjë moment të veçantë në garën midis jush, sidomos me me Diana Jorgovën, apo më mirë një duel shqiptaro-bullgar “Diana kundër Dianës”? “Bullgarja Diana Jorgova është si një sportiste madhe. Tani është 44 vjeçe. Së fundi, jam takuar në Lojërat e Pekinit. Kemi kujtuar shumë gjëra nga garat dhe rivaliteti ynë. Jemi shpesh në kontakt me njëra-tjetrën. Serbja Jasna Sarakiç ka ende rezultate të larta. Në Kinë kur mësuan se unë isha trajnerja e Lindita Kodrës u gëzuan shumë. E kam mundur në garë Jasna Sarakiçin, e cila ka qenë kampione bote, duke u shpallur sportistja më e mirë e Ballkaniadës, në vitin 1988”.
****
Mikerezi: “Qitja, superfuqia që mbijeton”
Qitja është një nga sportet më elitare dhe më cilësorë në Shqipëri e që i ka dhuruar vendit disa kampionë Europë, dhjetëra kampionë Ballkani dhe një numër të jashtëzakonshëm medaljesh në arenën ndërkombëtare. “Aktualisht është sporti që i ka dhënë vendit katër kampionë të Europës, duke filluar që nga viti 1979 me Elisabeta Karabollin në Frankfurt të Gjermanisë, vazhdon me Ermira Dingun në vitin 1980 në Madrid të Spanjës, më pas me Emanuela Kolën për të reja në vitin 1981 dhe së fundi me Lindita Kodrën në Granada të Spanjës në vitin 2007, duke mos përmendur dhjetëra kampionë Ballkani. Kristo Robo është kampion i Lojërave Mesdhetare në Latakia në vitin 1987 – thotë Koço Mikerezi, sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes. Qitja ka qenë e vazhdon të mbetet një nga krenaritë e sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke mbetur rivalja më e madhe e peshëngritjes sonë. Madje, edhe në Lojërat Olimpike të Munihut në vitin 1972, në të cilat Shqipëria ka marrë pjesë për herë të parë, në delegacionin sportiv shqiptar bënte pjesë edhe Afërdita Tushe, e cila sa për kuriozitet ka garuar me qitësit meshkuj. “Për qitjen para viteve 1990 është investuar shumë. Ndoshta mund të jetë investuar për politikë apo po propagandë, por rezultatet kanë qenë me të vërtetë fantastike. Në atë kohë (gjatë regjimit komunist), – thekson Mikerezi, – gjithmonë thuhej se shqiptari e ka traditë pushkën, por në atë kohë të mirë apo të keqe, rezultatet e larta nuk kanë qenë kurrë një rastësi”. “Deri në vitin 1991, qitja numëronte 31 ekipe me 1500 sportistë, në dispozicion të tyre ishin 25 poligone, kishte ekipe të kategorisë së parë dhe të dytë, ishte e shtrirë në të gjithë Shqipërinë. “Ishin 154 trajnerë të kategorizuar, ishte i ngritur një sistem i tërë prej vitesh, derisa u arrit në atë nivel cilësor”, – jep një panoramë të së kaluarës sekretari Mikerezi. Qitja numëron një numër të madh “mjeshtrash të merituar të sportit”, duke filluar nga Ali Mata, Ismail Rama, Sadik Kuçana, Shefqet Mata, Beqir Kosova, Ermira Dingu, Kristo Robo, Diana Mata, Elisabeta Karabolli, Eglantina Lalmi, Niko Shtrepi, Emanuela Kola, Liri Beqaj. “Ka pasur shumë sportistë cilësorë, është e pamundur t’i përmendësh të gjithë. Sa për ta ilustruar, Sadik Kuçana ka barazuar rekordin botëror në garën me pushkë 40×3 në pozicionin në gjunjë me, ndërsa në vitin 1984 ai arriti 400 pikë, në pozicionin barkas, pra të 40 fishekët te 10-ta, pra 40 dhjeta. Kur shkonim në kampionatet Ballkanike ne ishim një nga ekipet që dominonim në gara, kur në ato kohë ishim në rivalitet të fortë me shkollën jugosllave, bullgare, që kishin nga ana e tyre një nivel shumë të lartë në sportin e qitjes. Sot nuk zhvillohen më kampionate ballkanikë, në vitin 2005 është zhvilluar për herë të fundit. Në fakt, është krijuar një Federatës e Europës Juglindore, por që nuk ka dhënë suksesin e pritur”, – thotë Mikerezi, duke treguar një historik prej më shumë se 1000 faqesh të daktilografuara e të ruajtura me kimet në zyrën e tij. “E përsëris nuk kanë qenë rezultate të rastësishme, por fryt i një pune të madhe e një rivaliteti të fortë midis shumë ekipeve dhe qitësve. Janë investuar shumë të mëdha në pajisje, fishekë, e trajnim, që detyrimisht do të sillnin edhe suksese në arenën ndërkombëtare. Kur vinim me 20 medalje nga kampionatet ballkanike na dukeshin shumë pak, por tani që fitojmë pak të tilla, e kuptoj që kemi qenë një superfuqi në qitje dhe jo vetëm në një ushtrim”, – përfundon sekretari i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi.
***
“Mjeshtrat” e mëdhenj
Qitja numëron një numër të madh “Mjeshtër të merituar të sportit”, duke filluar nga Ali Mata, Ismail Rama, Sadik Kuçana, Shefqet Mata, Beqir Kosova, Ermira Dingu, Kristo Robo, Diana Mata, Elisabeta Karabolli, Eglantina Lalmi, Niko Shtrepi, Emanuela Kola, Liri Beqaj.
Sa e vështirë është të krijosh një kampion?
“Është shumë e vështirë,- thekson Mikerezi, një nga njohësit më të mirë të qitjes shqiptare. “Një kampion i nivelit evropian duhet shumë vite. Po ta marrësh që nga Elisabeta Karabolli e deri në te Lindita Kodra, rezultatet e larta kanë ardhur pas një pune shumë të madhe disavjeçare, me stërvitje të përditshme e të përkushtuar. Atëherë ekzistonte 5-orëshi i punës, e më pas orët e tjera të punës kompensoheshin me stërvitje. Sot, në ekonominë e tregut ai që merret me sport, ose do të sigurojë të ardhura të mjaftueshme nga sporti ose do të gjejë kohën për ta bërë stërvitjen”.
E ardhmja Çfarë premton ajo?
Shqipëria ka krijuar një plejadë të madhe qitësish të talentuar, kampionë, medalistë. Por a ka të ardhme po kaq të ndritur qitja shqiptare? “Pa dyshim, që po. Ka disa emra premtues si Klarita Strataj, Majlinda Konini, Aida Mustafaj, Elvira Dingu, Arben Kuçana, Arben Cerina – thekson sekretari Mikerezi. “Ka shumë kërkesa nga rinia, të cilët kërkojnë të marrin pjesë, por si sport sot gjendemi edhe në disa vështirësi objektive. Në rast se para viteve 1990 ishin 1500 sportistë, sot mund të jenë 50 sportistë të shpërndarë në pesë ekipe. Klubet sportive janë në varësi të bashkive, ashtu si dhe objektet sportive”. Poligone sot kanë mbetur shumë pak në Shqipëri. Janë katër, dy në Tiranë, një në Elbasan dhe një në Berat. Më i miri është poligoni i klubit “Studenti”. Po ku është qitja sot? Shpjegimin më të plotë e jep sekretari Mikerezi. “Me ardhjen e Demokracisë, normalisht që ekonomia e tregut ka sjellë shumë probleme, pavarësisht se shteti investon sot 100 për qind për qitjen. Sporti i qitjes është një sport i kushtueshëm, ka shumë shpenzime: armë, municione. Çdo stërvitje kushton, pasi fisheku ka një vlerë të caktuar financiare. Çdo kush duhet të ketë armën e tij”. Një pushkë profesionale kushton afërsisht 900-1000 euro, ndërsa pistoletat deri në 700-800 euro. “Nëse këtij sporti do t’i mungojnë sportistët e pasionuar pas qitjes, do të ndodhemi në vështirësi të madhe”, – theksoi Mikerezi. “Aktualisht sot, ne konkurrojmë në nivel të lartë në Europë dhe në botë vetëm në ushtrimin pistoletë femra, ajo 2×30 ku konkurron Lindita Kodra. Në të gjitha të tjerat nuk dallohemi”. Vitin e kaluar u shkri ekipi i qitjes së Partizanit, Tirana e kanë lënë poligonin të rinohet se i ka dalë pronari, në të njëjtën situatë ndodhet edhe ai i Laçit.
Në “luftë” me jugosllavët
Shqipëria ka dominuar më kampionë Ballkani, duke koleksionuar medalje ekipore dhe individuale. Disa nga emrat e bujshëm janë Sadik Kuçana, Niko Shtrepi, 2 herë kampion i Ballkanit, apo Diana Mata, po 2 herë, Enkelejda Shehu, Alqi Mustafaj ndërsa janë të panumërt ata që kanë marrë medalje argjendi dhe bronzi. “Jugosllavët dhe bullgarët kishin qitës të fortë, por ne shpesh në konkurrime individuale i linim pas, sidomos në qitjen me pushkë për meshkuj e pistoletë për femra. Edhe Rumunia ka pasur shkollë të mirë qitjeje, ndërkohë që nuk bëhej fjalë fare për grekët e turqit, që sot janë rritur shumë”, – thotë Mikerezi, një njeri që gjithë jetën e tij e ka të lidhur me sportin e qitjes, edhe si sportist, por më së shumti si trajner i ekipit Kombëtar të qitjes (1980-1984) për pushkë për të rinj e të rritur. “Kam marrë pjesë si trajner në disa evenimente dhe më të vërtetë jam ndier krenar. Kam qenë i pranishëm kur ka dalë kampione Emanuela Kola në Rumani në vitin 1984”, – thekson Mikerezi, i cili ka kryer rolin edhe të kryetarit të Sporteve të Rënda.
Rusi-Kinë, dueli i madh
Qitja në botë është e zhvilluar dhe tashmë ekziston një “luftë” në distancë dhe garë e jashtëzakonshme në poligon midis dy superfuqive të këtij sporti, Rusisë dhe Kinës. Nivel të lartë kanë Bullgaria, Rumania, Serbia dhe janë rritur edhe Italia e Turqia. “Turqit dikur nuk i llogarisnim, por tashmë kanë sportistë cilësorë. Shkollat ruse dhe kineze kanë pasur ndikim edhe në sportin shqiptar. Rusët kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë Ballkanin. Shkolla ruse ka qenë më e përparuara, më cilësorja në botë. Kinezët kanë ardhur pas prishjes me Rusinë, por ndryshe nga rusët që erdhën vetëm për të dhënë eksperiencë e tyre kohë pas kohe, kinezët sollën specialistë që jetuan këtu. Madje sollën trajnerë, armatime. Një nga këta ishte Li Pe Lini, një kampion bote”, – thotë Mikerezi.
Karabolli, kampione e Amerikës
Hapja e kufijve pas viteve 1990 si në të gjitha fushat e jetës solli edhe rrjedhjen jashtë kufijve të Shqipërisë, midis sportistëve të tjerë edhe të qitësve. Por, a ka ndonjë qitës shqiptar që po bën bujë në Europë apo botë. “Që të bëjnë pjesë në Kombëtaret e vendeve të huaja nuk ka. Nga ana tjetër, ka disa, qitës që jetojnë jashtë e garojnë për Shqipërinë, por jo të nivelit ndërkombëtar. Djali i qitësit të famshëm, Sadik Kuçana, Arbeni, i cili ka ikur në Gjermani qysh në fillimet e viteve 1990 dhe ka dalë kampion në garat e Gjermanisë në qitje me pistoletë konkurroi për Shqipërinë Në Lojërat Mesdhetare ‘Pescara 2009’, ku zuri vendin e shtatë në pistoletë ajër. Po kështu, Manjola Konini në Itali me ekipin e Milanos. Elisabeta Karabolli konkurron në kampionatin amerikan dhe vitin e kaluar doli kampione e Amerikës në ushtrime me pistoletë”.
****
Një histori heronjsh, nga Karabolli te Kodra
Federata Shqiptare Qitjes është krijuar në vitin 1948, ndërsa kampionati i parë kombëtar për meshkuj u zhvillua në vitin 1949, ndërsa ai për femra në vitin 1951, ndërkohë që nga viti 1963 është anëtare e Federatës Ndërkombëtare së Qitjes. Kampionatet, Kupa e Shqipërisë, Spartakiadat Kombëtare kanë qenë veprimtaritë më të rëndësishme të qitjes. Poligonet më të famshme dhe më moderne në Shqipëri ishin ato të ndërtuara në Tiranë, Berati e Laç, ndërsa në vendin tonë kishte 24 të tilla. Për momentin Lindita Kodra është shndërruar në simbolin aktual të qitjes shqiptare, por përpara saj atdheu i shqiponjave ka nxjerrë edhe dy kampione të tjera të Europës, Elisabeta Karabolli dhe Ermira Dingu, por edhe një kampione të Europës për të reja si Emanuela Kola. Kristo Robo është i vetmi qitës nga meshkujt që ka mundur të fitojë një medalje të artë, pikërisht në Lojërat Mesdhetare të Latakias të Sirisë (1987).
RAMA – Gara e parë ndërkombëtare i përket Ismail Ramës, i cili morri pjesë në Xhakarta të Indonezisë (1963) dhe në Bukuresht të Rumanisë (1963), duke marrë medalje argjendi. Gjithsesi rezultati i parë i bujshëm për një qitës shqiptare i përket Ermira Dingut në vitin 1971, e cila atëherë vetëm 19-vjeçe, grumbulloi 589 pikë, vetëm një më pak se vendi i parë në botë për atë kohë për garën me precizion 1×60. Edhe të rinjtë janë në evidencë ndërkombëtare. Fatmir Dule u shpall kampion Europe në vitin 1972 më 1×60. Ermira Dingu, u rendit e 6-ta, por në vitin 1974 për kategorinë e të rinjve. Në vitin 1975, Liri Beqja me 593 pikë fitoi vendin e parë në 1×60 në Turneun e Pekinit.
KARABOLLI– Në vitin 1977 nis edhe “epoka Karabolli”. Në piostoletë 30×30, vetëm 19-vjeç ajo fiton medaljen e bronzit në Romë, një vit më pas argjendin në Finlandë dhe në vitin 1979 konfirmon dominimin e saj në Gjermani, kur me 587 pikë shpallet kampione Europës. Elisabeta Karabolli është kampionia e parë shqiptare në Europë. 21-vjeçarja e atëhershme e fitoi medaljen e artë në Frankfurt am Main (Gjermani) në vitin 1979, me 587 pikë në pistoletë 30+30. Por, “uria” e Karabollit (sot jeton në Amerikë) nuk ndalet këtu. Në vitin 1980 në kampionatin shqiptar me 593 pikë ajo vendos një rekord kombëtar, duke kaluar dhe rekordin botëror.
DINGU – Një vit më pas, 1980, vendi i pushkës prodhoi edhe kampionen e dytë. Ermira Dingu, me 584 pikë në garën 1×60 precizion u shpall kampione e Europës në kampionatin e zhvilluar në Madrid të Spanjës. Pas 27 vitesh mungesë në shkallën më të lartë të podiumit, u ngjit edhe Lindita Kodra, e cila u kampionia e tretë shqiptare e Europës për të rritura. Kodra arriti ta pronësojë medaljen e artë në pistoletë 30+30 në Granada të Spanjës në vitin 2007. Ajo arriti të grumbullojë 584 pikë në kualifikuese dhe 101.8 pikë në finale dhe në total 685.8 pikë. Edhe për të reja, Shqipëria ka kampionen e saj, Emanuela Kolën, që e fitoi atë në vitin 1982 në Bukuresht. Lindita Zeqo është një tjetër qitëse e madhe e shkollës shqiptare.
KUÇANA- Një emër tjetër i madh është Sadik Kuçana, kampion Ballkani dhe nënkampione Europe, i cili në vitin 1979 me 396 pikë në Kampionati Ballkanik barazoi rekordin botërore në 40×3 në pozicionin në gjunjë me, ndërsa në vitin 1984 ai arriti 400 pikë, në pozicionin barkas, pra të 40 fishekët në 10, pra 40 dhjeta. Ky rekord akoma nuk është thyer nga askush në botë. Megjithatë Sadiku hyri në historinë botërore të qitjes edhe për një fakt tjetër. Ai është i vetmi sportist në botë që ka përdorur pushkë sportive, qitje me thep dhe shtjekëz, sepse të tjerët përdorin dioptrin, pra shënjestrën me rreth.
SHTREPI- Niko Shtrepi, kampion i parë shqiptar në Ballkan (1982). Karriera sportive e Niko Shtrepit do të fillonte në vitin 1969, asokohe në moshën 14 vjeçare, me ekipin e Flamurtarit. Në vitin 1981, Niko Shtrepi shpallet Kampion Evrope dhe sërish një vit më pas (1982) në Athinë, shpallet Kampion Ballkanik me 598 pikë nga 600 të mundshmet. Niko Shterpi arriti të dilte Kampion Ballkani në këtë garë dhe arriti të kapte 599 nga 600 pikët e mundshme në disiplinën e precizonit 1×60.
KUARTETI– Beqir Kosova e Shefqet Mata janë emra të tjerë që pasurojnë “muzeun shqiptar” të qitjes. Beqir Kosova në garën me precizion 1×60 me 599 pikë arriti të barazojë Fratatanton, qitësin më të mirë në botë të kësaj fare. Kuarteti shqiptar i përbërë nga Niko Shtrepi (598 pikë), Beqir Kosova (595), Sadik Kuçana (595) e Shefqet Mata (591) me 2379 pikë e grumbulluara në total si skuadër ishte vetëm një pikë larg vendit të parë në botë.
TE FAMSHMIT– Në garat ballkanike shqiptarët kampionë janë një dyzinë. Kristo Robo është kampion i parë shqiptar në Lojërat Mesdhetare (1987) të zhvilluara në Latakia të Sirisë. Më të njohurit. Femra: A.Selmani, L.Beqja, L.Zeqo, D.Vjerdha, M. Cinga, E.Dingu, E.Karabolli, D. Mata, L.Pantazo, L.Kodra. Meshkujt: S.Kuçana, P.Kostaqi, B. Kosova, N. Fani, N. Shtrepi, A. Mustafaj, K. Robo, F. Pilkati.
Afërdita Tushe, qitësja që konkurroi në garën e meshkujve
Qitja ka marrë pjesë në pesë nga gjashtë olimpiadat ku Shqipëria është përfaqësuar. Në “Munih 1972” në Gjermani u paraqit me Afërdita Tushën, Fatos Pilkatin dhe Ismail Ramën. Në “Barcelona 1992” në Spanjë me Enkelejda Shehun, në “Atlanta 1996” me Enkelejda Shehun dhe Diana Matën, në “Sidnej 2000” me Diana Matën dhe në “Pekin 2008” me Lindita Kodrën, por pa mundur dot të sjellë medalje. Detaji më interesant nga përfaqësimi i sportisteve femra në Lojërat Olimpike është ai i qitëses Afërdita Tushe, e cila mori pjesën e garën e zjarrit të meshkujve. “Në rregulloren e qitjes së asaj kohe lejohej, që femrat të bënin ushtrimet e meshkujve, qoftë me pistoletë dhe qoftë me pushkë, ndërsa meshkujt nuk mund të bënin të kundërtën”, – shpjegon Mikerezi. “Afërdita ishte një qitëse shumë e mirë dhe këtë ushtrim e zhvillonte në Shqipëri. Afërdita Tushe dhe Fatos Pilkati bënë të njëjtin ushtrim në Munih”. Afërdita ka mbajtur edhe flamurin e Shqipërisë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Munihut, pikërisht në Lojërat Olimpike ku morri pjesë Shqipëria. “Ndryshe nga sportet e tjera ku mund të marrësh pjesë edhe me ftesë si atletika apo noti, në qitje e peshëngritje duhet të kapësh normën që të shkosh Lojërat Olimpike. Qitja ka norma shumë të forta olimpike, duhet të renditesh në vendet e para në kampionatet europiane, deri në të pestin në kampionatet botërore”.
Sportistët në Olimpiada
“Munih 1972”
QITJE: Afërdita Tusha (flamurmbajtëse), Beqir Kosova, Fatos Pilkati, Ismail Rama
“Barcelona 1992”
QITJE: Enkeleda Shehu (flamurmbajtëse), Kristo Robo
“Atlanta 1996”:
QITJE: Enkeleda Shehu, Diana Mata
“Sidnej 2000”
QITJE: Diana Mata
“Pekin 2008”
QITJE: Lindita Kodra
Kodra, kampionia e fundit në Europë
Lindita Kodra është kampionia e fundit europiane që ka nxjerrë Shqipëria në qitje. E ka fituar medaljen e artë në Granada të Spanjës në vitin 2007. “Ka shumë vite që stërvitet, – thotë sekretari Mikerezi, – Lindita ka qenë prej vitesh me ekipin e Laçit. Por, megjithëse ishte qitëse e talentuar, kishte bazë teknike dhe evidentohej në garat kombëtare, Kodra, për fatkeqësinë e saj në atë kohë, për shkak edhe të biografisë së keqe, siç konsiderohej atëeherë, iu privua e drejta për të konkurruar në atë kohë jashtë shtetit. Mbas viteve 1990 ajo meritoi vendin që i përkiste. Në Lojërat Olimpike të Barcelonës të vitit 1992, Lindita morri pjesë në testin paraolimpike doli e teta, por nuk kaloi normën e pikëve. Pasi fitoi medaljen e artë në Granada të Spanjës në vitin 2007, ajo morri pjesë në kupat e Botës në Zvicër, Kinë e Gjermani, përpara se të merrte pjesë në Lojërat Olimpike të Kinës. Në ‘Pekin 2008’ ajo u përball me me sportiste që zhvillojnë shumë gara ndërkombëtare gjatë një viti. Në garën e fundit të zhvilluar në Elbasan para pak ditësh, Lindit Kodra arriti një rezultat të nivelit ndërkombëtar: 588 pikë. “Me këtë rezultat në çdo aktivitet ndërkombëtar, evropian dhe botëror, pretendon për medalje”, – tha Koço Mikerezi.
Punë titanike
Koço Mikerezi i njeh nga afër katër kampionet shqiptare të Europës, si Elisabeta Karabollin, Ermira Dingun, Emanuela Kolën për të reja në vitin 1981 dhe së fundi me Lindita Kodrën. “Karabolli u rrit gradualisht, nga vendi i tretë, më pas nënkampione dhe së fundi kampione e Europës në Frankfurt të Gjermanisë në vitin 1979”. Por cila ka qenë më e kompletuara? “Që të gjitha këto, përderisa arrijnë në ato nivele kanë qenë të kompletuara. Nuk mund të konkurrosh e të shpallesh kampione e Europës, e të mos jesh e kompletuar. Është një punë disavjeçare titanike që ato kanë bërë”, – thotë Mikerezi. “Shumë prej tyre kanë qenë vetëm një pikë larg rekordit botëror, pavarësisht se mund të dilnin kampionë Ballkani. Është interesante, se para viteve 1990 duke pasur shumë sportistë të nivelit të lartë nuk na dukej edhe ndonjë çudi e madhe, por tani që i kemi me kokrra duhet t’i ruajmë fort. Kur vinim me 20 medalje nga kampionatet ballkanike na dukeshin shumë pak”.
Botuar në gazetën “ALBANIA”, më 2 Nëntor 2009