“Legjenda beratase” Përparim Kovaçi, goleadori mitik i Tomorit

Karriera 50 vjeçare e ish-futbollistit të Tomorit, Përparim Kovaçi, Legjenda e shekullit, Ikona e gjallë e futbollit përjetësohet në një libër biografik


Nga Agron Kaja

Për futbollin, por edhe për të tjera problematika të jetës sportive, me Rim Kovaçin kisha biseduar shumë herë në Berat e Tiranë. Në intervista, komente e transmetime, ajo që e bën edhe më tërheqës këtë futbollist të Madh në Berat është thjeshtësia e tij. Ndoshta futbollistë të tjerë të përmasave të Kovaçit edhe mund të kenë përfituar në aspekte sportive e financiare, ndërsa Rimi mbetet ende ai njeriu i thjeshtë në jetë, i qartë e konktret në punë e shoqëri. Kështu ndodhi edhe në këto radhë të kësaj interviste ku u shpreh se e ka ndjekur me interes Tifozët.al, dhe  teksa kjo legjendë e Futbollit Shqiptar mësoi se në kuadrin e 100-vjetorit të FK Tomori, një libër portret i dedikohet pikërisht figurës së tij, u ndje i emocionuar.

***

-Dikur në Berat, Kovaçi ishte një idhull, sot 30 vite pasi jeni larguar si futbollist, ndjeheni i tillë?

-Unë e them me krenari se Berati është një qyetet shumë dashamirës për sportin, dhe jo vetëm me futbollin. Edhe pse nuk është ajo situatë si para viteve ’90-të kur unë luajta futboll, pasi dihet që shumë njerëz janë larguar nga qyteti, ka edhe nga ata që na respektojnë kudo, në ambiente publike, në institucione, apo edhe në stadium kur brohorasin “Forca Kovaçi”. Ndaj ndjehem i respektuar.

-Jetoni në Beratin me futboll inferior, si ndjeheni krahasuar me kohën tuaj kur ishit futbollist në elitën e futbollit shqiptar?

Unë Tomorin e ndjek rregullisht në çdo kategori ku ai luan. Për shumë vite kam qenë edhe trajner e tashmë duke u lidhur më fort karriera ime futbollist-trajner, lidhja me Tomorin është “betonizuar” më shumë. Unë nuk e konceptoj jetën time pa këtë futboll.

-Për karrierën tuaj është folur dhe është shkruajtur shumë në media, e mendoni se je i vlerësuar?

-Natyrisht që me gjithë këtë angazhim që ka patur në median sportive shqiptare për figurën time si futbollist, unë ndjehem i respektuar mediatikisht. Por edhe në titujt sportivë personalë që unë kam marrë, mendoj se e kanë vlerësuar karrierën time 18 vjeçare në elitën e futbollit shqiptar. Tashmë ne jetojmë me kujtimet e karrierës sonë dhe kur media shkruan e flet për ne duket sikur na kthen në kohë. Nostalgji!

-Nëse kthehemi në kohë, si i kujton fillimet e tua me futbollin?

-Unë e kam të salduar në memorrjen time karrierën që në nisje e deri sa u largova në moshën 35 vjeçare. E kam nisur si të gjithë fëmijët shqiptarë të asaj kohe në Shtëpinë e Pionierit në Berat, në moshën 10 vjeçare. Vazhdova me paratërinjtë dhe më pas me të rinjtë, ku fusha e vjetër dhe aneksi u bënë shtëpia e dytë për mua. Kaloja shumë kohë me futbollin, dhe më shumë me gjuajtjet në portë.

-Në skuadrën e parë të Tomorit të kanë afruar në moshë shumë të re, si e kujton atë eksperiencë?

-Unë isha 17 vjeç në vitin 1973 kur trajneri Mandi Xhamo më afroi me ekipin e parë të Tomorit. Në skuadër ishin futbollistë që kishin bërë emër dhe kishin dekada në fushën e lojës, por mua më kanë pritur shumë mirë të gjithë. Tomori historikisht ka patur harmoni brenda grupit, dhe këtë unë e quaj si një nga faktorët që i ka dhënë skuadrës gjithçka që ka arritur.

-Në 18 vite me Tomorin, e quan veten të plotësuar si futbollist?

-Kjo pyetje më bëhet sot që jam 65 vjeç, pas 30 viteve që jam larguar si futbollist. E natyrisht që përgjigja ime është PO, por nëse me Tomorin do të kisha fituar një trofe kombëtar, do të ndjehesha më i plotësuar në karrierë. Gjithsesi, duke qenë se kam luajtur edhe shumë ndeshje ndërkombëtare me skuadra të tjera në futbollin tonë, mendoj se karriera ime ka arritur disa kulme.

-Keni parasysh vetëm ndeshjet në Kupën UEFA që ishit në përbërje të Flamurtarit?

-Ndeshjet me Flamurtarin në Kupën UEFA zenë një vend të rëndësishëm në karrierën time. Unë kam luajtur 11 ndeshje ndërkombëtare në karrierën time në përbërje të Tomorit dhe të Flamurtarit, ku edhe kam shënuar edhe 6 gola. Duke shtuar edhe dy ndeshje të Kupës UEFA si zëvendëstrajner i Tomorit, mendoj se është një karrierë e mirë, por jo e fundit. Sepse karriera ime vazhdon dhe asnjëherë nuk thuhet “kurrë” për të tjera eksperienca të tilla në bankinë.

-Po me Kombëtaren si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?

-(Qesh) Atëhere them se më janë bërë disa herë padrejtësi sa i përket Kombëtares. Unë nuk isha nga Tirana që tu rrija afër drejtuesve të kohës, e duke shtuar shtatin tim të shkurtër, mbeta peng i paragjykimit. E mendoja veten futbollist i aftë që ta çoja topin në rrjetë, dhe ky ishte shtati im që më nxorri faqebardhë në karrierë duke dalë edhe golashënues kombëtar në sezonin 1979-1980 me 18 gola.

-Cili ka qenë stili juaj më i preferuar në shënimin e golit?

-Unë golin mundohesha ta realizoja, ky ishte synimi kryesor. Pastaj, në varësi nga pozicioni: Me kokë, me këmbë, rrofeshjatë apo tjetër pozicion, unë përqendrohesha maksimalisht. Edhe bar kam ngrënë kur shtrihesha në shënimin e golave me kokë apo me këmbë, vetëm që “laramëni” (topi) të shkonte në rrjetën e portës kundërshtare.

-Cilin gol që keni shënuar gjatë karrierës do ta veçonit si më të bukurin, apo më përcaktuesin për ecurinë e skuadrës së Tomorit?

-Çdo gol që shënohet mendoj se është përcaktues për skuadrën, pavarsisht nga rezultati. Unë kam shënuar shumë gola në karrierë dhe nuk mund ti ndaj, sepse e mendoj sikur një prind do ti veçonte fëmijët e tij. Gjithsesi, kujtoj se kam shënuar edhe me dorë (alla Maradona), i shtrirë në fushë, me këmbë, me thembër, me kokë e trup.

-Në sezonin 1979-1980 je shpallur golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 18 gola, si e kujton atë sezon?

-Ai do të mbetet si një nga kulmet e karrierës sime në futboll sa i përket shënimit të golave, sepse në këtë tregues unë kam qenë afër edhe në dy sezone të tjerë. Gjatë gjithë karrierës sime unë asnjëherë nuk kam rënë poshtë shifrës së 10 golave të shënuar, sepse ulje e ngritjet kanë qenë prezente për faktorë të ndryshëm që janë bashkëudhëtarë në futboll.

-Duke qëndruar në kohën kur ju ishit futbollist me Tomorin, si e krahasoni trajtimin tuaj në raport me futbollistët sot?

-Nuk ka të krahasuar, edhe për faktin se ka ndryshuar sistemi politik në Shqipëri. Pagesat tona ishin shumë të mira për kohën, trajtimi ushqimor ishte shumë cilësor dhe duke u bashkuar këto me trajtimin që na bënin zyrtarët vendorë, ishim shumë të privilegjuar. Ne atëhere kërkonim një shtëpi dhomë e kuzhinë, një frigorifer apo edhe një televizor për familjen, ndërsa tani këto duken si paradokse.

-Nëse Kovaçi do të ishte sot në drejtimin e një skuadre në futbollin shqiptar, cilën do të preferonit?

-Unë jam besnik i Tomorit. Vite më parë, së bashku me kolegun tim Kiço Mile kishim ofertë për të drejtuar një skuadër të madhe në Superiore, por ne asnjëherë nuk e “tradhëtuam” skuadrën tonë të zemrës. Të drejtosh një skuadër sot duhet të mendohesh dy herë: Për emrin e skuadrës, por edhe për  garancinë që të japin drejtuesit me financat e tyre për të arritur synimet. Ndryshe dështon.

-Nga periudha kur ju ishit në bankinën e Tomorit e deri më sot, shikoni ndryshim në elitën e futbollit shqiptar?

-Natyrisht që ndryshime ka, dhe unë mendoj se ato i kanë shërbyer rritjes së cilësisë në futbollin tonë. Nëse do të kthehesha 20 vite pas, ndryshimin e parë e shikoj në përmirësimin e infrastrukturës, në rritjen e financave, por edhe në organizimin e garave nga FSHF-ja. Këtu them se është pjesa më vitale e progresit që ka shënuar futbolli shqiptar.

-Në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të FK Tomori, një libër i është dedikuar karrierës suaj, e prisnit këtë “dhuratë”?

-Mendoj se kështu historia e FK Tomorit do të jetë e “gjallë” për brezat që vijnë, madje duke shkruar edhe për të tjerë ish-futbollistë e trajnerë dhe për gjithë historinë shekullore të FK Tomori. Për mua është respekt e nostalgji kur shkruajnë për karrierën time, dhe duke qenë se librat mbeten si dëshmia fizike më e afërt e historisë, ndjehem krenar që do të më lexojnë edhe në 200 vjetorin e FK Tomori, pse jo edhe më gjatë.


 

Skeda sportive e Përparim Kovaçi

Datëlindja …………………………. 8 janar 1956

Vëndlindja e vendbanimi …………. Berat.

Statusi ………………………………..  I martuar

Sporti që ka ushtruar ………………….. Futboll/ Pozicioni në fushë: Qendër-sulmues

Numri në fanelë: 10/ Numri i këmbës: 40

Skuadrat ku ka luajtur: Me të Rinjtë e Tomorit në periudhën1970-1973; Me të Rriturit e Tomorit në periudhën 1973-1991 (Në sezonin 1983-1984 i huazuar te Flamurtari për Kupën Ballkanike dhe Kupa UEFA).

Ndeshje të zhvilluara: Me Tomorin ka luajtur 580 ndeshje: 468 në kampionate, 72 në kupa dhe 40 në ndeshje miqësore.

Ndeshje ndërkombëtare 11 (njëmbëdhjetë). Si futbollist 9 (nëntë): Miqësore, Viti 1971 Tomori-U19 e Kinës 1-1; Miqësore, Viti 1977 Tomori-Trepça 1-1; Turne Miqësor në Kosovë, Viti 1980:  Trepça-Tomori 1-1; Kristal Peja-Tomori 1-1; Liria Prizren-Tomori 3-0; Kupa Ballkanike sezoni 1983-1984 Flamurtari-AEK 3-1 (shënoi 2 gola), AEK-Flamurtari 2-3 (shënoi 1 gol), Flamurtari-Velez Mostar 3-0 (shënoi 2 gola) dhe Velez Mostar-Flamurtari 1-3 (shënoi 1 gol); Miqësore më 15.05.1985 Tomori-Kombëtarja A 3-1 (shënoi 1 gol).

Si trajner 2 (Dy): Kupa UEFA në vitin 2000 Tomori-APOEL  Nikozia 2-0 dhe APOEL Nikozia-Tomori 4-0.

Ndeshje me kombëtaren: Në vitin 1981 titullar në ndeshjen Kombëtare A-Kombëtare B (shënoi 1 gol); Kombëtare A-Flamurtari (Shënoi 1 gol).

Ka fituar: Dy herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë: Në sezonin 1976-1977 në ish-Kategoria e Dytë (sot Kategoria e Parë), në sesonin 1979-1980 në ish-Kategoria e Parë (sot Kategoria Superiore); një herë fitues i anketës “10 Sportistët më të mirë të Shqipërisë”, sezoni 1979-1980.

Skuadrat që ka drejtuar si trajner: Në periudhën 1992-1993, zëvendëstrajner me U21 të Tomorit (Nënkampion); në periudhën 1993-2012, zëvendëstrajner në skuadrën e Tomorit (Nënkampion në sezonin 1999-2000).

Aktualisht: Specialist futbolli me Licencën UEFA A për trajner. Trajner në ekipet zinxhir të Tomorit.

Tituj dhe dekorime: Mjeshtër Sporti; Mjeshtër i Merituar i Sportit; Nderi i Sportit Shqiptar; Nderi i Qytetit të Beratit; Sportisti i Shekullit në Berat; Mjeshtër i Madh; Mirënjohje për punën e suksesshme në zhvillimin e futbollit shqiptar, nga FSHF-ja; Titulli civil nga Presidenti i Republikës për merita të veçanta në sport.

 

LIBRI NGA AGRON KAJA

 Legjenda e shekullit

Përparim Kovaçi

Ikona e gjallë e futbollit beratas

 Berat, 2022

 

Lexo më shumë

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…