Conference League, Thomas Brdaric: I di pikat e dobëta të AEL Limasol
Thomas Brdaric foli plot besim për kalimin në raundin tjetër të Conference League para sfidës me AEL Limasolin
Thomas Brdaric foli plot besim për kalimin në raundin tjetër të Conference League në konferencën e shtypit para sfidës me AEL Limasolin, që do të zhvillohet të enjten në orën 19:00.
“Skuadra është gati për ndeshjen me AEL-in. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar ta studiojmë këtë kundërshtar dhe mënyrën si luan. Kemi të bëjmë me një skuadër të mirë, ka lojtarë me shumë cilësi, por ka edhe pikat të dobëta. Ne do të mundohemi t’i godasim pikërisht aty.”
Brdaric iu kthye duelit me Shiroki Brijek, duke e pranuar që Vllaznia është treguar naive në sfidën e parë.
“Ndoshta kemi treguar pak naivitet. Fatmirësisht edhe orari i ndeshjes tashmë është ndryshuar nga UEFA dhe kushtet do të jenë më të mirë për të dy ekipet për të zhvilluar një takim të mirë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj AEL-it, kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë agresiv dhe sulmues dhe kuptohet edhe atmosfera në stadium do të jetë në favorin e tyre. Ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha këto dhe të japim më të mirën tonë, për të tentuar një rezultat sa më të mirë të mundshëm.”
Sa i përket situatës në skuadër. Brdaric sqaroi:
“Vetëm Da Silva nuk do të jetë i gatshëm se është i dëmtuar, ndërsa të tjerët janë të gjithë në dispozicion dhe shpresoj që secili prej tyre të japë më të mirën e tij në këtë sfidë shumë të rëndësishme.”