Historia shqiptare në Lojërat Olimpike: “ATLANTA 1996”, nga Manjani te Mata, te Musai dhe Troplini
Historia olimpike e Shqipërisë, nga pjesëmarrja e parë “Munih 1972”, tek ajo e fundit “Tokyo 2020”. Speciale me 9 pjesë.
Nga Dash Frashëri, botues i Tifozet.al
Shqipëria ka marrë pjesë për herë Lojërat Olimpike në “Munih 1972” (Gjermani). Pas 20 vitesh mungesë,nmë shumë për arsye politike (absurde) nga regjimi komunist, rikthimi i vendit tonë në Lojërat Olimpike daton në vitin 1992, në “Barcelona 1992” (Spanjë). Më pas vijon pjesëmarrja rregullisht me: “Atlanta 1996” (SHBA), “Sidnej 2000” (Australi), “Athinë 2004” (Greqi), “Pekin 2008” (Kinë), “Londër 2012” (Angli), “Rio 2016” (Brazil) dhe tani në “Tokyo 2020” (Japoni).
“ATLANTA 1996”
Shqipëria bëhet pjesëmarrëse e rregullt e Lojërave Olimpike, dhe në “Atlanta 1996”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (20 korrik-4 gusht 1996) ajo u paraqit po me 7 sportistë, ku mbizotërojnë për herë të parë femrat (4), ndaj meshkujve (3).
Sportistja më e re është Mirela Manjani, 19 vjeç e 218 ditë, që garon në hedhje shtize (Olimpiada e fundit për të me Shqipërinë, pasi në dy pasardhëset, “Sidnej 2000” dhe “Athinë 2004”, durrsakja garon për Greqinë).
Risi olimpike për ne janë sporti i çiklizmit (me Besnik Musain) dhe mundja (me Shkëlqim Troplinin), pasi qitja, atletika dhe peshëngritja ishin bërë të zakonshme.
Flamurmbajtëse e delegacionit shqiptar është Mirela Manjani. Atletja Vera Bitanji zuri vendi e 25-të në trehapësh, nga 31 sportistë, duke mos u kualifikuar në gjysmëfinale. Hedhësja e shtizës, Mirela Manjani, ende pa një eksperiencë ndëkombëtare, edhe pse një sportiste premtuese, zuri vendin e 24-t nga 32 sportistë, pavarësisht se katër vjet më pas (me Greqinë) mori medaljen e argjendtë në “Sidnej 2000”.
Qitësja Diana Mata zuri vendin e 38-të nga 41 sportistë në 10 metra pistoletë ajër, me 363 pikë, kur në këtë garë, Enkelejda Shehu zuri vendin e 21-të (me 377 pikë).
Në garën 25 metra me pistoletë sportive, Diana zuri vendin e 20-të 575 pikë, ndërkohë që Enekelejda, të 15-tin me 576 pikë. Çiklisti Besnik Musaj nuk arriti të kualifikohej në garën individual, me një gjatësi prej 228.1 km, e ku morën pjesë 183 çiklistë nga 57 vende, ku vetëm 111 prej tyre arritën ta përfundonin garën.
Peshëngritësi Ilirjan Suli (77 kg) zuri vendin e 14-të nga 24 sportistë, duke ngritur në dygarësh 322.5 kg: 147.5 kg në shkëputje/ 175 kg në shtytje (vendi i tretë ngriti 357.5 kg, koreanojugori Çon Ço-Hol).
Mundësi Shkëlqim Troplini u rendit i parafundit nga 19 sportistë, në stilin e lirë, pesha e rëndë (100 kg), ku kampion doli amerikani Kurt Engëll.