Robert Kokalari “Bekenbaueri” i Tomorit
Qendërmbrojtësi i Tomorit, Robert Kokalari, është i veçantë në karrierën e tij 15 vjeçare në elitën e futbollit shqiptar
Nga Agron KAJA, gazetar sportiv
Qendërmbrojtësi i Tomorit, Robert Kokalari, është i veçantë në karrierën e tij 15 vjeçare në elitën e futbollit shqiptar. Sikundër foli me talentin e tij në fushën e lojës, ashtu edhe bisedon sot me Bertin kur pyetet apo intervistohet për karrierën brilante si futbollist, njëherësh edhe për aktivitetin pas lënies së futbollit e më gjerë. Në 15 sezone me fanellën e Tomorit (1976-1991), Berti e “skaliti” veten në pozicionin e qendërmbrojtësit të lirë. Një mbrojtës elegant, pozicional dhe i fortë në dyluftime që nga tifozeria beratase morri nofkën “Bekenbauer” i Tomorit, referuar ish-kapitenit të RF të Gjermanisë, Franz Bekenbauer. Por edhe pse atëhere ishte një nga mbrojtësit më të mirë të elitës në futbollin shqiptar, Kombëtarja për Kokalarin e “Madh” mbeti “mollë e ndalueme”, referuar biografisë së tij që sistemi i kaluar e privoi të vishej kuqezi. Ndërkohë, ja si e përshkruan ai situatën e skuadrës së Tomorit për Tifozët.al, ku tregon për të kaluarën sportive, por edhe për situatën aktuale në futbollin beratas.
-Kokalari i madh ndjehet më shumë “italian” apo “shqiptar”, në këtë periudhë pas lënies së futbollit?
Ndryshimet politike që ndodhën në Shqipëri pas vitit 1990 më dhanë mundësinë që si shumë shqiptarë, edhe unë të emigroja jashtë vendit. Italia ka qenë një ëndërr, e cila u bë realitet dhe unë aty gjeta atë që më kishte munguar në shpirtin tim.
-Jeni pjesë e Tomorit në një periudhë ngjitje të nivelit e arritjeve, si e kujton atë periudhë?
Në kujtesën time janë “magazinuar” shumë ndeshje, shumë lojtarë e tifozë, të cilët do të mbeten ende edhe sot sikundër i kam përjetuar në fushën e lojës. Unë e nisa karrierën me të rriturit e Tomorit në vitin 1975 (17 vjeç), ku luaja edhe me të rinjtë e paralelisht edhe me të rriturit. Në sezonin 1976-1977 isha titullar ku me trajnerin Saimir Dauti, ekipi i Tomorit bëri ngjitjen në Kategorinë e Parë. Skuadrën e përbën grupi, më shumë se elementët e veçantë dhe me një formacion të konsoliduar. Këto ishin karakteristikat e Tomorit në atë periudhë.
-Si e përshkruan Tomorin e atyre viteve kur ishe në përbërje të tij?
Mendoj se gjendja psikologjike e Tomorit erdhi në ngjitje, kryesisht në kampionatet pas vitit 1980 e deri në vitin 1985. Ishte diçka që ndoshta pritej se do të ndodhte, edhe për faktin se ne kishim një trajner të përkushtuar (Guxim Mukli), si edhe futbollistë që me shumë skuadra të tjera do bënin diferencën. Ekipi ynë tregoi qëndrueshmëri, dhe kjo mbeti pjesë e suksesit që ne qëndruam në Kategorinë e Parë ato sezone, por që edhe meritonim. Kjo situatë mendoj se e ka kulmin në ndeshjen e 15 majit 1985 me Kombëtaren, në përurimin e stadiumit të ri.
-E nise karrierën me fanellën e Tomorit në moshën 17 vjeçare dhe u largove 32 vjeç, pse ndodhi kështu?
Kishte shumë rrethana atëherë që e impononin largimin, e kryesore ishte se mbi moshën 30 vjeç të shikonin si veteran në fushë. Por edhe fakti që Shqipëria ndryshoi sistemin politik dhe u hapën kufijtë e emigrimit, ishte për mua një shtysë për të realizuar ëndrrën që çdo shqiptar e kishte ruajtur në “sirtarin” e tij shpirtëror.
Dy vëllezër në një skuadër, si ka qenë bashkëpunimi tuaj me Arbenin që luante në mesfushë?
Benin nuk i kisha vetëm vëlla në fushën e lojës, por më shumë shok. Në atë kohë te Tomori u krijua një traditë e mirë e vëllazërive, të cilat krijuan dinasti të vërteta, unike për gjithë Shqipërinë e futbollit. Beni kishte vizionin e mesfushorit dhe ai e bënte më të afruar e më të lirshëm në bashkëpunim. Kuarteti në mesfushën e Tomorit me Matrapazin, Milen, Benin dhe Kulen, i dhanë fizionomi këtij repart, ku kontributi i Benit mendoj se ishte cilësor.
-Po ta krahasojmë Tomorin sot me atë të periudhës tuaj, si e bëni dallimin?
Kur e krahasoj sot situatën e Tomorit me atë të periudhës që unë luajta futboll, dalloj një ndryshim të madh në shumë drejtime. Sot ka kushte të infrastrukturës që ne nuk i mendonim në atë kohë, ndërsa rendimenti i lojtarëve në fushë nuk është ai i duhuri. Ne luanim me shpirt të lartë gare dhe grintë, por edhe e respektonim shumë fanellën tonë, tregues këto që sot duken si paradokse ti mendosh. Futbollistët e Tomorit mbetën simbol në histori nga këto karakteristika, ndërsa sot ne nuk i njohim se cilët janë. Tani këta duket se vijnë për interesa personale, ndërsa ne u lindëm dhe u rritëm me fanellën e Tomorit.
-Ka më shumë se 20 vite që Tomori luan në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar, çfarë mund të veçoni për këtë situatë?
Në futboll janë të pranueshme situatat me ulje e ngritje, rëndësi ka refletimi të vijë sa më shpejt dhe që sot Tomori mos të mbetet në kategori inferiore. Tomori duhet të jetë më shumë bio, e në periudhën ku unë luajta kështu ishte, ndaj edhe skuadra ishte më e konsoliduar. Duhet të shohin pak edhe patriotizmin qytetar, sepse baza e një skuadre rrethi këtu duhet të jetë.
-Pas lënies së futbollit të luajtur, si ka qenë aktiviteti juaj: Me apo pa futboll?
Unë deri në vitin 1994-1995 qëndrova në Berat dhe më pas jeta ime ka qenë mes Beratit, Greqisë e Italisë. Në Greqi luajta disa vite me ekipe amatore dhe më pas u përqendrova në Itali ku edhe kam trajnuar grupe fëmijësh. Ju kujtoj se unë kam qenë disa vite pjesëtar i ekipit të “primavera” të Sampdorias, skuadër për të cilën kam simpati të veçantë edhe tifoz.
-Kokalari te Tomori ishte një lider, por me Kombëtaren kishit marrëdhënie?
Kujtoj se unë në Kombëtare jam grumbulluar disa herë, pa mundur të luaj nga biografia që kisha në kohën e diktaturës. Kam qenë me biografi të keqe dhe nuk munda luaja brenda e jashtë shtetit, sepse në ditën e ndeshjes unë kthehesha në Berat. Kjo biografi më privoi nga e drejta për të kryer edhe studimet në Institutin e Fizkulturës, dhe gjithçka që unë pësova nga biografia erdhi nga Berati, jo nga Tirana.
-Keni diçka konkrete në arkivën e memorries suaj?
Po, dhe e kujtoj me dhimbje të madhe sot. Në vitin 1978 ka ardhur në Berat trajneri i Kombëtares sonë, Loro Boriçi, së bashku me Ali Kastratin e kapitenin e asaj kombëtareje Safet Berisha. Në takimin që pata me ta nw hotel “Turizmi” në Berat, më treguan se kishin ardhur të më merrnin në Tiranë, me Partizanin dhe Kombëtaren. Por në Berat nuk më lejuan, sepse ato konjukturat bajate të biografisë nuk më dhanë mundësinë të tregoja vlerat e mia në kombëtare dhe te Partizani. Madje as në vitin 1973 nuk më lejuan në shkollën e mesme të mjeshtërisë, ku konkurrova me sukses, por edhe për në Institutin e Fizkulturws në vitin 1977 nuk më pranuan as në konkurrim.
-Në Kampionatin Europian 2016 ju shprehët pakënaqësi ndaj FSHF-së pse nuk ju respektoi së bashku me shumë të tjerë që kishin qenë pjesë e Kombëtares, jeni ende qejfmbetur?
Me atë fyerje që më bënë atëherë, drejtuesit e FSHF-së më persekutuan për herë të dytë. Unë e kam quajtur një turp, dhe kështu do ta quaj ende. Më persekutuan si në diktaturë. Ata asnjëherë nuk kanë bërë dallimin në të tilla përzgjedhje. Unë kam qenë në mbi 20 grumbullime me Kombëtaren, kam luajtur në 5-6 ndeshje titullar brenda grupit në miqësore kundër skuadrave të tjera shqiptare. Nuk e di çfarë kërkojnë më shumë në FSHF, pasi unë jam Mjeshtër Sporti, Meshtër i Merituar i Sportit. Ndoshta më kanë harruar emrin!
Si e përshkruani situatën sot në futbollin shqiptar, kryesisht në Kategorinë Superiore dhe në Kategorinë e Parë?
Në Kategorinë Superiore shoh se ka elementë të veçantë që bëjnë diferencën. Por ka skuadra të predispozuara më shumë për përfitime personale dhe nuk shikojnë shumë kualitetin e grupit. Ndërsa Kategorinë e Parë pak e kam ndjekur, edhe pse Tomori luan më shumë në këtë kategori.
PASAPORTA SPORTIVE E ROBERT KOKALARI
Datëlindja: 14.12.1958
Vendlindja: Berat
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushë: Qendërmbrojtës
Këmba e preferuar: E djathta
Numri i këmbës: 43. Lartësia trupore 183/ Pesha trupore 73 kg
Nisja e karrierës: Në sezonin 1974-1975 me të Rinjtë e Tomorit.
Skuadrat ku ka luajtur: Me Tomorin në 16 sezone, 1975-1991.
Me Kombëtaret: Me U21 në vitet 1985-1987 me trajner Ramazan Ragamin; Me Kombëtaren A grumbulluar disa herë nga trajnerët Agron Sulo e Shyqyri Rreli. Jam larguar nga formacioni në ndeshjet me Greqinë dhe Austrinë.
Tituj sportivë: Mjeshtër Sporti; Mjeshtër i Merituar i Sportit
Aktualisht: Emigrant në Itali, bashkëpunëtor në disa skuadra “primavera”, kryesisht te Sampdoria.