Gani Merja, mesfushori “bombardues” i nivelit të lartë
Dossier/ Futbollisti që mbeti përjetësisht i thjeshtë, edhe pse në fushë jepte më shumë nga të gjithë
Nga Bedri Alimehmeti,
Gazetar, shkrimtar – “Mjeshtër i Madh” & “Fisnikëria Tiranse”
Kopshti i Rukes, gjendej thuajse buzë përzgjatimit të rrugës “Fortuzi”, ekzaktësisht sapo futesh në rrugicën “Prokop Myzeqari”. Ishte pronë e familjes së Ibrahim Fortuzit, i cili si edhe shumë tiranas e kishte lënë papunuar enkas atë copëz të bahçes, që çunat të mos i copëtonin këmbët nëpër gurët e rrugicës. I thoshin kopshti i Rukes, ngaqë për të në pjesën e punuar, ku mbilleshin zarzavate dhe kishte plot pemë kujdesej nënë Rukia, e shoqja e Ibrahim Fortuzit, të cilën çunat e mëhallës shpesh kur e shihnin duke punuar, linin lojën dhe e ndihmonin.
Sot, aty ngrihet një pallat shumëkatësh! Në truallin e atij kopshti në vitet 40-50 -të shekullit të kaluar dhanë shenjat e para të talentit plot djem të rrugës së “Fortuzit”. Pikërisht në atë fushë, e cila gjendej sapo kapërcente pragun e shtëpisë rendi për të parën herë pas topit me bashkëmoshatarët e tij Astrit Zhorda, Shaban Nallbani, Nazim Hamdiu, Tahsim Demneri etj, Gani Merja, djali shtatshkurtër, por i ngjeshur fizikisht. Shpesh me shokët shkonin në “Shallvare” për të parë Sportklub Tiranën gjatë seancave të stërvitjes. Zinin vend pas portave u kthenin topat lojtarëve dhe jo pak herë ëndërronin, që kur të rriteshin të bëheshin edhe ata futbollistë me emër.
Por, Ganiu frymëzohej e nxitej edhe nga i vëllai i tij më i madh Xhaferri, që në atë kohë ishte pjesë e skuadrës bardheblu. Ndaj përkushtimi i tij në lojën me topin nuk njihte kufij. Çka bëri që shumë shpejt të posedonte dhunti të jashtëzakonshme duke e evidentuar tejet dukshëm mbi moshatarët. Ganiu shquhej në përdorimin e topit në mënyrën më të shkëlqyer, driblonte e depërtonte me të mes kundërshtarëve gjithnjë me kokën lart, qe i shpejtë si rrufeja, godiste si rrallë kush me një forcë të paparë nga vendi, edhe pse i shkurtër falë kërcyeshmërisë goditjet me kokë i kishte perfekte, bombardues i rreptë nga distanca i portave kundërshtare, por mbi të gjitha dallohej në mbulimin e kundërshtarëve. E pikërisht për këtë që herët Gani Merjes i ngjitën nofkën “Kacafycja”. Tejet e bukur vërtet, që saktësisht në shqip do të thotë: përleshem, kapem fytas, hahem kacafytem.
Falë këtyre të dhënave shumë shpejt inkuadrohet në ekipin e të rinjve të Tiranës, ku stërvitet nën drejtimin e trajnerit Xhavit Demneri. Dhe ende pa i mbushur 16 vjeç në vitin 1949 do të inkuadrohet ne radhët e Tiranës, ku do të jetë në fushë përkrah emrave të mëdhenj si Xhakomino Pozeli, Rexhep Spahiu, Sulejman (Bule) Vathi, Haxhi Arbana, Refik Resmja, Osman Caslli, Besim Boriçi, Ahmet Aga, Osman Reçi, Fadil Vogli, Isuf Borova etj.
Me Tiranën luajti deri në vitin 1953, më pas u largua për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak duke u bërë pjesë e formacionit të Partizanit, nga ku siç ndodhte në ato vite nuk u kthye më, deri në fund të karrierës sportive. Në gjirin e kësaj skuadre nën drejtimin e trajnerëve të njohur Loro Boriçi, Myslym Alla e Rexhep Spahiu padyshim ndër më të shquarit e topkëmbës shqiptare cilësia e rendimenti i Gani Merjes në fushën e lojës preku nivele kulmorë.
Por, edhe pse i tilli ai mbeti përjetësisht i thjeshtë ndonëse në fushë jepte më shumë nga të tjerët. Me Partizanin u shpall gjashtë herë kampion, fitoi tri kupa të Shqipërisë, dy herë medalje të argjendta në Laipzig e në Hanoi.
Gjatë karrierës së tij zhvilloi 70 takime ndërkombëtare, ndaj skuadrave të njohura e më emër në futbollin evropian si Dinamo e Kievit, Dukla e Pragës, Fenerbahçe e Stambollit, Steaua e Bukureshtit, CSKA e Sofjes, Honved i Budapestit etj, Në kampionatin shqiptar bënte pjesë gjithnjë ndër golashënuesit më të mirë të vendit. Ganiu godiste tejet fuqishëm, qe bomber i vërtetë. Tregojnë gjatë një ndeshje nëpër rrethe, trau horizontal i portës kundërshtare është thyer (në ato kohë portat ishin prej druri) nga topi i goditur në distancë rreth 40 m prej Gani Merjes.
U nda nga jeta në moshë shumë të re, vetëm 56 vjeç, por në zemrat e në kujtesën e futbolldashësve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë Gani Merja ka mbetur i pashlyer.
“Dinastia Merja”, ende në tregun e topkëmbës
Duhet sqaruar fakti që, kjo familje në Tiranë njihet me dy mbiemra: Gjasula, me të cilin rezultojnë të regjistruar në dokumentet e zyrës civile, dhe Merja aq shumë të përdorur prej pjesëtarëve të saj edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë, duhet thënë se më parë se Ganiu, në futboll është dalluar i vëllai i tij më i madh Xhaferri, që ka luajtur me Tiranën dhe me Luftëtarin. Kurse Ganiu, së pari spikati si talent tek Tirana, madje që në kampionatin e vitit 1949, për të shpërthyer në vitin 1953 tek Partizani, si një nga mesfushorët më të mirë të vendit. Në kampionatin e vitit 1958 u shpall futbollisti më i mirë. Skënder Halili, nipi i tyre padyshim, që është pjestar i kësaj “dinastie”, jo thjesht se ishte djali i motrës së tyre, por më së shumti, ngaqë u rrit në gjirin e familjes Merja. Jo më kot në fillimet e shkëlqimit ai u bë i njohur me mbiemrin Skënder Merja. Ndërsa Jurgen Gjasula, i nipi i Xhaferrit, u rrit në Gjermani, ku i mitur emigroi me prindërit në vitin 1990. Ai luan ende në Bundesligë, pasi fillimisht shkëlqeu në radhët e Frajburgut.
SKEDA
GANI MERJA
Datëlindja: 1933
Ekipet me të cilët është aktivizuar: 1946-1948 të rinjtë e Puna e Tiranës; 1949-1953 me të rriturit e Puna e Tiranës; 1953-1964 me të rriturit e Partizanit
Ndeshja e parë: 1949 takimi Puna e Tiranës-Puna e Elbasanit
Me ekipin kombëtar 2 ndeshje: Pekin 15.09.1957 Kina-Shqipëria 3-2; Tiranë 01.05.1958 Shqipëria-RD Gjermane 1-1
Titulli Kampion 6 herë: Me Partizanin 1954, 1957,1958, 1959, 1961, 1963
Kupën e Shqipërisë 3 herë: Me Partizanin 1957, 1958 dhe 1961
Turne ndërkombëtar:1955 në Varshavë (Poloni); 1957 në Moskë (BRSS); 1959 në Laipzig (RDGJ) Spartakiada e Ushtrive mike, medalje Argjendi; 1963 në Hanoi (Vietnam), Spartakiada e Ushtrive mike, medalje Argjendi
Tituj: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar, Nderi i Sportit Shqiptar
Dekoruar: “Mjeshter i Madh”, Medalje Pune, Urdhëri “Naim Frashëri kl.II”, Medaljen “Naim Frashëri”
U nda nga jeta 25 janar 1989