Nora Gjakova e Artë, Kosova “mbretëresha” e xhudos!
Xhudistja Nora Gjakova triumfoi në peshën deri në 57 kilogramë dhe ngriti në majën më të lartë flamurin e Kosovës.
Kosova vijon të mahnitë botën në Lojërat Olimpike të Tokios, pasi e ka shtrirë dominimin në Xhudo, duke marrë një tjetër medalje të artë. Këtë herë ka qenë xhudistja Nora Gjakova, e cila triumfoi në peshën deri në 57 kilogramë dhe ngriti në majën më të lartë flamurin e Kosovës, për herë të dytë në harkun e pak ditëve.
Xhudisjta 26-vjeçare bëri një garë perfekte, duke mposhtur në finale francezen Cysique Leonie Sarah, ndërsa pak më herët kishte triumfuar në gjysmëfinale ndaj japonezes Tskuasa Joshida, e cila ishte edhe favoritja kryesore.
Nora Gjakova është medalisjta e dytë e Artë e Kosovës në “Tokio 2020”, pasi dy ditë më parë ishte xhudistja tjetër Distria Krasniqi që ngriti lart flamurin e Kosovës në peshën deri në 48 kilogramë.
Si Nora Gjakova, ashtu edhe Distria Krasniqi, janë të dyja pjesë e skuadrës që stërvitet nga trajneri i mirënjohur Driton Kuka, sportistë të së cilës kanë fituar medalje të shumta në xhudo vitet e fundit.
Vlen të theksohet se edhe në Lojërat Olimpike të Rios më 2016-ën, Kosova ia doli të marrë medalje të artë në xhudo, me të mirënjohurën Majlinda Kelmendi, e cila nuk arriti të paraqitet të nivelin e pritshmërive në Tokio, për shkak të një dëmtimi.