Bedri Stërmasi, “barrikada” e Tiranës së viteve ‘50-të
Dossier / Qendërmbrojtësi shtatlartë, që nuk i braktisi asnjëherë bardheblutë
Nga Bedri Alimehmeti
Gazetar, shkrimtar – “Mjeshtër i Madh” & “Fisnikëria Tiranse”
Vitet e fëmijërisë së Bedri Stërmasit, i përkasin viteve 30-të të shekullit të kaluar. Periudhë kjo, tejet e lavdishme për Sportklub Tiranën skuadrën e qytetit të tij, kampionia në fuqi që kishte në gjirin e saj futbollistë të famshëm si Riza Lushta, Naim Kryeziu, Adem Karapici, Haki Korça, Hysen (Dake) Kusi, Maliq Petrela etj., shndërruar në legjendë. Ndaj me bashkëmoshatarët në lojnat e përditshme, duke rendur pas një topi prej lecke nëpër rrugicat e lagjes në zonën e “Pazarit të ri”, ku edhe sot ka përqendrimin fisi i madh Stërmasi, nuk kish sesi të mos i imitonin këta lojtarë të mëdhenj. Ndërkohë sa herë luante Tirana në fushën e Shallvares, disa orë para, aty do t’i gjeje në pritje për të ndjekur lojën e idhujve të tyre, numrat e të cilëve i mbanin në fanella.
Dhe kështu me shokët e mëhallës, djem nga familje të nderuara tiranse: Lundra, Demneri, Saraçi, Ndroqi, Mulleti, Lasku, Kërçiku etj., duke luajtur me top sa në rrugën e “Postës” (sot “Luigj Gurakuqi”) në atë “Mbretëresha Elena” (sot “Barrikada”) apo në fushat e Tiranës së asaj kohe si tek ajo e “Caracave” (sot spitali nr.5), tek xhamia “Met Firës” (sot gjimnazi “Sami Frashëri”) etj., u mbrujt e u konsolidua talenti i djaloshit shtatlartë, me aftësi fizike të admirueshme.
Ende adoleshent, Bedriu pati fatin të përjetoj me gëzim të paparë fitoren e ekipit kombëtar të Shqipërisë, i cili u shpall kampion i gadishullit në kampionatin ballkanik të futbollit, zhvilluar në Tiranë në tetor të vitit 1946. Dhe domosdo si të gjithë të rinjtë e asaj kohe, dhënë aq shumë pas futbollit, nuk kish përse të mos ëndërronte edhe ai një ditë të zbriste në “qilimin e blertë” të stadiumit “Qemal Stafa”. Por, në ato vite të para pas çlirimit, vështirësitë e familjes, aq më tepër pas goditjeve të marra nga lufta e klasave vinin duke u shtuar, çka e detyruan të punonte. Kësisoj për pak kohë ëndrra e bukur iu venit. Por, vetëm për pak kohë. Themi kështu, sepse në vitin 1949, kur u thirr për të kryer shërbimin ushtarak shpërthimi i talentit të tij, në veprimtaritë futbollistike të reparteve ushtarake, që në ato vite ishin të shumta do të ishte i dukshëm. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Tek Stërmasi i ri, sepse pas legjendarit Selman Stërmasi, Bedriu ishte i dyti futbollist nga dera e madhe e këtij fisi të nderuar tiranas, tek i cili të dhënat teknike ishin në harmoni të plotë me konstruktin fizik, çka në mënyrë absolute garantonin të ardhmen e tij. Madje, këtë e vërteton më së miri fakti, që në radhët e skuadrës së futbollit të garnizonit të Durrësit, Bedri Stërmasi të shquhej mbi të gjithë.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak (1951), ishte trajneri i Tiranës së asaj kohe Isuf Peligu, i cili e ftoi të aktivizohej në skuadrën bardheblu, që mbante emrin Puna e Tiranës. Shtatlartësia dhe përgatitja mjaft e mirë fizike e bënë atë të përhershëm në rolin e qendërmbrojtësit dhe nga ndeshja në ndeshje e shndërruan në “barrikadë” të vërtetë për skuadrat kundërshtare. Një vit më vonë, në krye të pankinës bardheblu erdhi trajneri Myslym Alla, i cili kryesisht mbi karakteristikat e lojës së Bedriut, si zotërues i lojës së ajrit, i goditjeve të forta të topit dhe i pozionalitetit stabël, pati ndërtuar taktikën e lojës së ekipit, mbështetur në kundërsulmin e shpejtë.
Kësisoj, duke zbritur jo vetëm mbi “qilimin” e stadiumit “Qemal Stafa”, por në të gjithë stadiumet e fushat sportive të asaj kohe, si një futbollist i formuar mirë e i nivelit të lartë, iu shndërrua në realitet ajo ëndrra e vjetër. Por, rruga sportive për futbollistët e Punës së Tiranës të asaj kohe nuk ishte e lehtë. Pjesëtarët e formacionit, si të gjithë qytetarët e asaj kohe punonin tetë orë në ditë. Madje, realizonin e tejkalonin norma. Vetëm pas tetorëshit të punës merreshin me sport. Kështu edhe Bedriu, pasi mbaronte orarin e punës, me çantën e sportit në dorë shkonte e zhvillonte stërvitjen. Vonë nga fundi i viteve 50-të, një vendim i posaçëm i qeverisë, punëtorëve që merreshin me sporte ua reduktoj orarin e punës, nga tetë në pesë orë.
Alfred Bonati, Bajram Kurani, Isuf Pelingu, Remzi Bulku, Nazim Selimi, Xhaferr Merja, Lutfi Laçja, Osman Reçi, Vasif Biçaku, Qamil Teliti, Pal Mirashi, Teofil Baçi, Hysen Petrela, Osman Caslli, Sali Kubati, Gëzim Këllezi, Haxhi Pëllumbi, Nikolla Gjini, Besim Boriçi, Met Metani, Sadik Struga, Ramazan Topi, Aristidh Parapani, Aristidh Papadhopulli, Petrit Llagami, Haxhi Arbana, Vasil Toçi, Enver Shehu, Shaban Nallbani, Enver Rada, Galip Çaushi, Saimir Dauti, Hysni Skënderi, Marjan Kosturi, Zydi Shehu, Nuri Bylyku, Petraq Konomi, Myrteza Fushekati, Naim Balla, Vili Dashi, Gëzim Saraçi, Aurrel Verria etj., ishin futbollistët e Tiranës së viteve 50-të, që me Bedri Stërmasi në krye të mbrojtjes, shquar sidomos për tipare sportive dhe të një njeriu shpirtmadh, me edukatë shembullore si në gjirin e ekipit ashtu edhe në shoqëri, patën meritën e padiskutueshme se në garë të pabarabartë me Partizanin e Dinamon, me dinjitet të pashoq nderuan ngjyrat bardheblu të klubit.
Ishin vite, në të cilët kampionatet e futbollit shqiptar dominoheshin nga Partizani e Dinamo, që thithnin talentet më të spikatur të topkëmbës shqiptare më së shumti nga skuadra bardheblu, por jo pak edhe nga ekipe të rretheve. Gjithsesi edhe pse në kushte të tilla Tirana nuk iu nda këtyre dy skuadrave, hap pas hapi, gjithnjë pas tyre e treta në renditje. Për fatin e keq pa fituar asnjë trofe. Madje, ky fakt ishte edhe pengu më i madh i Stërmasit, që gjatë 12 viteve të karrierës sportive Tirana nuk regjistroi asnjë titull kampion. Gjithsesi, asnjëherë nuk e vuri në dyshim, se dita kur bardheblutë do të shpalleshin kampionë nuk do të vononte. Garancinë për këtë ai e pa tek ata futbollistë të rinj të talentuar si: Skënder Halili, Panajot Panon, Fatmir Frashëri, Pavllo (Ben) Bukoviku, Aurrel Verrija, Saimir Dauti, Osman Mema, Ali Mema, Gëzim Kasmi, Niko Xhaçka, Bahri Ishka, Josif Kazanxhi etj, ardhjen e të cilëve në skuadër e priti me shumë dashamirësi. U qëndroi pranë si vëlla i madh, i mbështeti në çdo situatë, i nxiti e u dha kuraja për të çarë përpara në rrugën e vështirë, por mjaft të bukur të futbollit.
Ishte Bedri Stërmasi një nga të parët në ekip, i cili e përkrahu trajnerin Myslym Alla në nismën e guximshme e largpamëse, që kishte nisur të ravijëzonte në mendjen e tij për projektin e Tiranës “së artë” të viteve 60-të.
Ndërkohë duhet thënë se, gjatë karrierës sportive Bedriu zhvilloi edhe shumë takime ndërkombëtare si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Në biseda të ndryshme me shokë e miq, shpesh i pëlqente të kujtonte turneun miqësor të Tiranës në Bashkimin Sovjetik. “Ka qenë verë e vitit 1958, – fliste ai si gjithnjë i qetë. -Turneu i Tiranës nisi me një ndeshje në Odesa, të cilën e humbëm, 0-1. Vijoi më pas me një takim tjetër në Kishinjev të Moldavisë, ku përsëri jemi mundur, 1-2, dhe përfundoj në Moskë në një ndeshje me Lokomotivën, e cila në atë kohë renditej e dyta në kampionatin e BRSS dhe kishte në përbërje disa lojtarë të ekipit kombëtar sovjetik, i cili sapo qe kthyer nga finalet e Botërorit Suedia-1958. Mbresa të pashlyeshme nga ky turne më ka lënë veçanërisht ndeshja e fundit me Lokomotivën e Moskës, zhvilluar në stadiumin “Lenin” në prani të 100 000 shikuesve. E veçoj këtë ndeshje sepse Skënder Halili dhe Panajot Pano, që si kishin mbushur ende 19 vjeç shkëlqyen mes 22 lojtarëve të të dyja skuadrave. Pano në atë ndeshje qe me të vërtetë i mrekullueshëm dhe befasues në gjithçka, pa harruar që ishte edhe autori i golit të vetëm (1-4) për ekipin tonë. Dhe nuk ekzagjeroj fare, nëse them se ishte një gol i rrallë me të vërtetë fantastik, të cilin ai e realizoj nëpërmjet një depërtimi mjeshtëror mes mbrojtësve rusë”. Pas kësaj ai kujtonte takimet miqësore me skuadra nga vende të ndryshme të Europës lindore që vinin shpesh për turne në vendin tonë.
Në fund të vitit 1962 Bedri Stërmasi e mbylli karrierën sportive, duke mbetur unik jo vetëm në vlerat e futbollit që demonstroi në fushë, por mbi të gjitha për korrektësinë e pashembullt gjatë lojës, ku asnjëherë nuk u ndëshkua nga gjyqtarët. Për disa kohë punoi me ekipet e grupmoshave të klubit. Kurse më pas iu përkushtua profesionit elektroauto për të cilin pati merituar titullin “Mjeshtër”. Dhe deri sa doli në pension punoi në Parkun e Transportit të Mallrave. Ndërkohë skuadrën e zemrës e ndiqte në të gjitha ndeshjet. I gëzohej arritjeve të saj dhe i bëhej zemra mal, kur shihte që djemtë bardheblu e ngrinin gjithnjë e më lart cilësinë e futbollit.
Nëse do ta kishim midis nesh, këto ditë Bedri Stërmasit njeriut shpirtmadh, futbollistit korekt e të edukuar si në fushën e lojës ashtu edhe jashtë saj, do t’i festonim 85-të vjetorin e ditëlindjes. Një jubile, ku sigurisht miqtë e shokët e tij të panumërt nuk do të mungonin.
“Dinastia Stërmasi”
Në krye të listës së sportistëve të këtij fisi autokton tiranas domosdoshmërisht do të rendisim “arkitektin” e klubit Tirana, Selman Stërmasi. Diplomuar në universitetin e sporteve në Romë më 1932. Sportist i gjithanshëm, atlet i nivelit të lartë, në hedhjen e shtizës dhe në vrapimet e gjysmëthellësisë, përfaqshi Shqipërinë në Ballkaniadat e viteve 30-të në Athinë e në Beograd. Futbollist cilësor, kontribuoj për sportklubin bardheblu në fitoret e tri titujve më 1930, 1931 dhe 1932, Trajner e më pas president i Klubit Tirana, deri në vitin 1946. Eqerem Stërmasi, diplomuar njëherësh në të njëjtin universitet me kushëririn e tij Selmanin, kontribuoi shumë në përhapjen e zhvillimin e sportit në vendin tonë, sidomos në lojërat me dorë, ndërkohë gjatë viteve 30-të, kur nisi rrugëtimi i kampionateve të futbollit u shqua si gjyqtar i aftë. Abdullai, mësues i edukimit fizik për shumë vite në shkollën e mesme “A.Z.Çajupi”, ku qëmtoi e përgatiti basketbollistë të nivelit të lartë si Vaso Shaka, Bujar Shehu etj. Aliu, i vëllai luajti për shumë vite basketboll me Tiranën, më pas iu përkushtua përgatitjes së basketbollistëve të rinj. Bedriu, spikati në futboll, ku falë shtatlartësisë kreu rolin e qendërmbrojtësit në skuadrën bardheblu. Luftullai, u aktivizua më ekipin e të rinjve të Tiranës. Taulanti, gjithashtu në vitet 90-të luajti futboll për Tiranën e Dinamon. visi u shqua si basketbolliste në ekipin Studenti.
SKEDA
Emri: Bedri
Mbiemri: Stërmasi
Datëlindja: 30 qershor 1930
Vendlindja: Tiranë
Roli: Qendërmbrojtës
Ekipi si futbollist:
Klubi i Futbollit Tirana nga viti 1951 deri më 1962
Vlerësime: “Mjeshtër i sportit”, “Mirënjohje e qytetit të Tiranës” (2000) dhe Urdhrin “Naim Frashëri” klasit III (1995)
U nda nga jeta: 14 janar 2011