Petrit Çilingiri, “diga” e Tomorit

Në 15 vite karrierë, nuk luajti asnjëherë si lojtar stoli dhe s’u zëvendësua në ndeshje. Të tre vëllezërit formuan “Dinastinë Çilingiri”


 Nga Agron KAJA, gazetar sportiv

Kapiten i Tomorit në periudhën 1973-1983, Petrit Çilingiri e kujton me nostalgji aktivizimin e tij me skuadrën beratase, por edhe ndjehet i keqardhur për gjendjen aktuale të skuadrës që endet në kategoritë inferiore të futbollit shqiptar. Qendërmbrojtës elegant dhe i fuqishëm në dyluftimet në ajër me çdo kundërshtar, Petriti e vlerëson skuadrën e asaj periudhe si një nga bazat e talenteve “bio” në futbollin beratas. “Ndjej keqardhje edhe si ish-futbollist e kapiten i Tomorit, sepse kur kujtoj kohën kur unë luajta për këtë fanelë të nderuar kishte më shumë pasion e respekt për fanelën, Ndaj po ju bëj apel të gjithëve që të luftojnë më për të mos zbritur nga kategoria. Duhet ta motivojnë më shumë skuadrën, që nga pushteti lokal dhe gjithë dashamirësit e biznesit. Unë përfitoj tu bëj thirrje faktorëve dhe aktorëve në futbollin beratas  “Gjithçka për Tomorin”. Gjithkush sot duhet ti gjendet skuadrës, që në 100 vjetorin e krijimit të klubit Tomori ta festojmë në elitën e futbollit shqiptar”, kështu theksoi mes të tjerash Petrit Çilingiri në këtë bisedë për Tifozët.al.

Jeni i gatshëm Petrit, sikundër në fushë ta nisim një “dyluftim” mediatik?

-Patjetër që po. Bisedat me gazetarët sportivë unë gjithmonë i kam quajtur të vlefshme, natyrisht për ne që flasim para tyre. Se në fund të fundit, kur një gazetar të merr një opinion teknik, të kërkon një vlerësim ndeshjeje apo të bën një intervistë, gjithçka i shërben pasqyrimit të vlerave personale të çdo futbollisti.

-Një ish-kapiten e lider në fushën e lojës, tashmë në këtë moshë ndjeheni i vlerësuar për çka i dhatë futbollit beratas?

Si një ish-futbollist e kapiten i Tomorit në një dekadë, unë këtë skuadër do ta kem pjesë të zemrës sime. Gjatë karrierës si futbollist na respektonin kudo ku ndodheshim, por respekti duhet vazhduar edhe jashtë fushës së lojës. Sepse kur largohesh nga futbolli i luajtur, atëhere e vlerëson respektin, dhe këtu mos harrojmë edhe vlerësimet me tituj sportivë të dhëna nga pushteti lokal.

-Si e përshkruani situatën e skuadrës së Tomorit në tre dekadat e fundit?

Me shumë ulje e ngritje. Me një kulm që e pasuroi historinë e tij kur doli nënkampion në sezonin 1999-2000 dhe luajti në Kupën UEFA, por më pas me rënie të shpeshta në kategoritë inferiore. Mendoj se kjo situatë e ka një spjegim, të cilin unë do ta fokusoja te mungesa e një sponsori, apo drejtimi nga privatë.

-Nisur nga suksesi i sezonit 1999-2000, çfarë mendoni se duhet ndryshuar te Tomori që të rikthehet në elitë?

Duhet një President si dikur Adrian Çobo dhe Bexhet Aliaj. Koha kur ata e drejtuan Tomorin solli edhe historinë më të pasur në një shekull që skuadra është krijuar. Sot nuk po e shijojmë më atë Tomor që duam, atë për të cilin brezat beratas kanë derdhur djersë, mund e sakrifica. Uroj që këtë sezon Tomori të ngjitet në Superiore.

-Keni qenë pjesë aktive në median sportive edhe në sezonin 1999-2000, si e vlerësoni atë situatë për Tomorin?

Tomori në atë sezon na bëri krenarë të gjithëve ne që e kishim veshur fanelën e tij brez pas brezi. Dalja nënkampion ishte një meritë, por edhe një lojë në dëm të skuadrës sonë, të cilën FSHF-ja e luajti shumë keq. Një histori që edhe sot pas 20 viteve kujtohet si një nga anët më të zeza të FSHF-së së asaj periudhe. Tomori është kampioni moral i atij sezoni dhe historia duhet të mos heshtë.

-Diçka për Tomorin sot, besoj se e keni ndjekur në ritmikë skuadrën?

Patjetër që po, dhe së pari do të them se nuk është skuadra më ideale, por një skuadër e momentit. Ka shumë faktorë, por ajo që vlen të theksohet në këtë situatë është angazhimi i Bashkisë, e cila po e mban me përkushtim e seriozitet në nivele normale skuadrën. Por, nuk është ai Tomor në atë nivel që ne kemi qenë dikur. Gjithsesi, kështu siç po punohet sot, e ardhmja duket e mirë.

Për periudhën kur ju luajtët futboll, keni qenë në një brez i konsoliduar te Tomori. Cili është dallimi me skuadrën sot?

Në periudhën kur unë luajta me fanelën e Tomorit ne ishim më “Bio”, në kuptimin e përfaqësimit të vlerave të qytetit, ndërkohë që sot kjo duket si paradoks. Atëhere ne ishim futbollistë vendalinj dhe shumë pak të ardhur nga rrethe të tjera. Por sot, niveli i futbollit shqiptar është rritur dhe kërkesat për elitën gjithnjë janë shtuar, ndërsa respekti për fanelën e historinë është zbehur para anës financiare.

-Kur ju luajtët futboll me Tomorin, si ka shkuar karriera juaj në këtë skuadër?

Unë hyra në moshën 16 vjeçare në ekipin e parë të Tomorit dhe në 15 sezone asnjëherë nuk e ndërrova skuadrën, edhe pse e kisha një mundësi rreth vitit 1975 të kaloja te Lokomotiva në Durrës, njëherësh të kryeja edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Trajner kishim Guxim Muklin, kunatin e ish-shefit të shtabit të ushtrisë të asaj kohe, dhe urdhri i tij më la në Berat. Do të ishte një moment i mirë për karrierën time, por sot nostalgjia nuk e kthen dot.

-Në suksesin e vitit 1977 kur Tomori u ngjit në Kategorinë e Parë ju ishit kapiten, si e kujtoni atë skuadër në tërësi?

E kujtoj me shumë nostalgji, dhe në gjithë sezonin do veçoja finalen me Besëlidhjen në muajin maj të vitit 1977. Unë pata nderin të jem kapiten me emra të mëdhenj, si Sami Shefa në portë, Leonard Bakalli, Suvorov Seferaj, Robert Kokalari dhe Ylli Karkanjozi në mbrojtje, bashkë me lojtarët e tjerë Nezim Nuri, Ceni Mata, Agim Matrapazi, Hektor Buza dhe të madhin Përparim Kovaçi. Pjesë thelbësore e këtij suksesi ishin edhe dy trajnerët Saimir Dauti e Fatbardh Buzi.

-Tre vëllezër në një skuadër (Dinasti) dhe të tre në repartin e prapavijës, si ka qenë bashkëpunimi mes jush gjatë ndeshjeve?

Ne e kemi përfaqësuar Tomorin të tre vëllezërit: Unë dhe Ladi kemi luajtur në mbrojtje, ndërsa Fatosi portier. Sportdashësi beratas na ka respektuar në çdo ndeshje, sepse ne të tre si vëllezër kemi dhënë shpirtin në fushë me fanelën e Tomorit. Me njeri-tjetrin kemi luajtur pak herë bashkë, por gjithmonë kemi qenë “diga” e prapavijës së Tomorit në dy dekada.

-Asnjëherë nuk keni luajtur lojtar stoli te Tomori, ku e kishit të veçantën?

Forma ime sportive dhe përkushtimi më dhanë jetëgjatësi e stabilitet. Unë e kisha pasion futbollin dhe në natyrë nuk isha abuziv në stërvitje e në rregjim. Punoja shumë individualisht jashtë seancave stërvitore, dhe kjo mendoj se ka ndikuar në formën sportive. Unë në dhjetë vite kam qenë kapiten skuadre te Tomori, e ky është një fakt që më bën edhe më nostalgjik për vehten.

-Po tifozeria beratase, mendoni se ka ndikuar në ecurinë e skuadrës së Tomorit?

Kur flasim për tifozë, ndhe kur kujtoj tifozerinë e Tomorit në periudhën që unë luajta futboll, madje edhe deri nga viti 2001, them se kemi qenë me fat për këtë “Lojtar të 12-të”. Tifozeria beratase ka qenë pjesë të sukseseve, pse jo edhe moral në dështime. E respektoj maksimalisht!

Nga këndvështrimi juaj, si e përshkruani situatën e Kombëtares sot?

Mendoj se Kombëtarja jonë sot na përfaqëson me më shumë dinjitet. Pjesëmarrja në Evropian e tregoi se ne kemi vlera në këtë futboll. Puna e mirë e De Biazit ka ndikuar në këto arritje, njëherësh edhe angazhimi që FSHF-ja tregon për Kombëtaren. Dhe nëse me Edi Rya-n do të përsëritet ai sukses, do të thoja se italianët e bankinave i shkojnë për shtat futbollit shqiptar.


PASAPORTA SPORTIVE E PETRIT ÇILINGIRI

Datëlindja: 25 shkurt 1952
Vendlindja: Berat
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushë: Qendërmbrojtës
Nr këmbës: 41/ Shtatlartësia: 179 cm
Hyrja në futbollin e elitës: Tomori 1968
Skuadra ku ka luajtur: Tomori 1968-1983
Me Kombëtaren: Në vitin 1970 me U19 në 2 ndeshje
Ndeshje ndërkombëtare: Në vitin 1971 Tomori-U19 e Kinës 1-1, në vitin 1977 Tomori-Trepça 1-1; në vitin 1980, Trepça-Tomori 1-1, Kristal Peja-Tomori 1-1, Liria Prizren-Tomori 3-0.
Si trajner: Trajner i moshave të Tomorit 1984-2014
Tituj sportivë: Mjeshtër Sporti
Aktualisht: Specialist futbolli; I pranishëm në median sportive kombëtare.

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…