SHBA, kampione e Amerikës Veriore dhe asaj Qendrore
SHBA-të e kanë fituar këtë trofe edhe më 1991, 2002, 2005, 2007, 2013, 2017 dhe tani më 2021.
Nga Bashkim Tufa
Pasi Amerika e Jugut përcaktoi Argjentinën si fituese të “Copa America” dhe Italia fitoi “Euro2020” dhe u shpall kampione e Europës, i erdhi radha edhe Amerikës Veriore e asaj Qendrore, të përcaktojë kampionen e saj…
Në mbrëmjen e 1 gushtit, në prani të 61.514 tifozve, në shkallët e stadiumit “Allegiant” të Las Vegasit, është zhvilluar finalja për trofeun “Gold Cup” dhe për të përcaktuar kampionen e kësaj zone. Koha e rregullt prej 90 minutash, nuk ka mjaftuar për të përcaktuar fituesen e finales SHBA- Meksikë.
Në shtesa, në minutën e 117-të, Miles Robinson shënoi me kokë golin e vetëm të takimit. Me rezultatin 1-0, SHBA arriti të fitojë “Gold Cup” dhe të shpallet kampione e Amerikës të Veriore e asaj Qendrore.
Ata e kanë fituar këtë trofe edhe më 1991, 2002, 2005, 2007, 2013, 2017 dhe tani më 2021.
Trajneri Gregg Berhalter i kombëtares amerikane, me një përvojë gati 15-vjeçare si mbrojtës në futbollin europian, ka përdorur një skuadër me moshë mesatare 24 vjeç, 236 ditë. Nën drejtimin e tij që nga 2018, SHBA ka zhvilluar 35 ndeshje me bilancin: +26 =3 -6 dhe golaverazh 83-23.