Arben Arbri, “Këpuca e Artë” e Tomorit

Pinjoll i dinastisë “Arbri”, në moshën 22 vjeçare shënoi arritjen e madhe në futbollin shqiptar si kryegolashënues kombëtar


Nga Agron KAJA, gazetar sportiv

Unë e kam njohur, e kam ndjekur, e kam shijuar në fushën e lojës dhe e kam  transmetuar në radio e televizion këtë “Perlë” të futbollit beratas me emrin Arben Arbri. Jam i ndërgjegjshëm për faktin se që të shkruash për një talent të tillë të përmasave ndërkombëtare, përveç pasionit, detyrimi për ta sjellë atë në detaje është përcjellë edhe si një përgjegjësi e respekt ndaj kësaj figure të madhe sportive. Gjithsesi, duke menduar edhe faktin tjetër se në rreshta sillen mbresa, kujtime, intervista e deklarata, për ta mbajtur të gjallë portretin e Arben Arbrit tek dashamirësit e qytetit të Beratit e më gjerë, në këtë intervistë të Tifozët.al portreti i tij vjen edhe nëpërmjet kujtimeve personale, nëpërmjet konsideratave e vlerësime të ish-trajnerëve dhe ish-kolegëve të tij në fushën e lojës. Që nga nisja e karrierës në elitë, dalja dy herë golashënues në dy kategori, te Kombëtarja dhe arratisja në Greqi duke u fshehur në shasinë e një makine, këto janë të veçantat që i përmbledh karriera e Arben Arbrit në futboll, të cilin në Greqi e vazhdoi për disa sezone me skuadra greke të kategorive të ndryshme. Në këtë sezon vere është e vështirë të gjesh të lirë Arben Arbrin, sepse ai jeton e punon në Greqi, por pasioni i tij për futbollin e karrierën e tij, jo vetëm që e nxorrën nga “foleja” e biznesit, por ai afroi më shumë kohë në këtë bisedë, e cila vetëm sa e “gërvisht” karrierën brilante të këtij talenti.

 

 

-Arben Arbri u “zhduk” nga Berati ka dekada, e pranoni këtë fakt?

Edhe po, edhe jo? Them po, sepse aktualisht unë jetoj e punoj në Greqi, ku së bashku me familjen kam gjetur atë që nuk mund ta arrija në Shqipëri. Them jo, sepse unë u riktheva në Shqipëri për disa vite e luajta me Tomorin. Jo shpesh, unë vij në Shqipëri, por nuk i dal përpara medias sportive, se nuk kam kohë.

-Jeni pjesë e një “Dinastie” në futbollin beratas dhe më gjerë, si ndjeheni ju kryegolashënuesi i parë i kësaj dinastie?

Rasti ynë me tre vëllezër dhe dy nipër që kemi përfaqësuar Tomorin në elitën e futbollit shqiptar, besoj se veçohet i rrallë në historinë shekullore të futbollit beratas. E nisi vëllai i madh Dhori, e pasova unë, më pas Klodi me dy nipërit Gersi e Polizoi, kjo është dinastia jonë. Dalja si golashënuesi më i mirë me 14 gola në sezonin 1986-1987, tregoi dhe po tregon se mbiemri ynë nuk ka luajtur futboll për të mbijetuar.

-Vëllai tjetër juaj, Shkëlqimi, është vlerësuar me më shumë talent nga ju që luajtët, sa e pranoni këtë vlerësim?

Është një konstatim i drejtë, sepse Çimi kishte shumë talent në futboll. Ishte një lojtar i gjithanshëm, por nuk kishte shumë dëshirë. Talentin e tij e mposhti natyra e qetë dhe largësia nga syri e veshi i medias. Ai u largua në Greqi në vitin 1990, dhe nëse do qëndronte këtu, do të ishte më lart se ne në karrierë.

-Ju ishit futbollisti i parë beratas që bëtë të veçantën me largimin nga Shqipëria, si e kujtoni atë arratisje?

Unë e kisha vendosur që në fundin e vitit 1989 të largohesha nga Shqipëria, e cila jo vetëm ekonomikisht, por edhe në sport sa vinte e varfërohej. E mendova gjatë sakrificën që duhet të bëja dhe pasojat pas saj, por vendosmëria ime ishte e pakthyeshme. Është bërë publike edhe forma e largimit tim në drejtim të Greqisë, pasi unë jam fshehur në shasinë e një makine “Albania” të kohës. Dhe nuk e ktheva kokën pas.

-Pse pikërisht kaluat në Greqi dhe jo në ndonjë shtet tjetër europian?

Sepse ai ishte shteti europian më i afërt gjeografikisht me Shqipërinë, dhe më i mundshëm për të kaluar. Një vit te PAZ Janina kam luajtur si grek, ku trajner ishte  holandezi Beri Hulshov, sepse nuk më bënin dokumentet. Unë ëndër kam patur Italinë e futbollin e saj, por tani nuk them se jam gabuar, se edhe këtu në Greqi karriera ime në futboll ka qenë e mirë.

-Në Shqipëri keni fituar dy herë “Këpuca e Artë”, e kishe menduar këtë arritje personale?

Unë në nuk jam nisur nga trofetë personalë. Kur dola golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Parë, vija pas një sezoni si golashënues në Kategorinë e Dytë me 38 gola të shënuar. Edhe në këtë sezon (1986-1987) unë do të kisha shënuar më shumë se 14 gola, por pesë muaj kam qenë i dëmtuar. Pas meje, golashënues doli edhe vëllai i vogël Klodiani, të cilit unë i kam dorëzuar fanelën në 1997 dhe tre sezone më pas doli me sukses pasi ai u shpall golashënuesi më i mirë me 18 gola.

-Ka diçka të veçantë kjo historia juaj e shënimit të golave, në raport me kundërshtarët?

E kam një të veçantë që asnjëherë nuk e kam deklaruar publikisht, por vetëm në rrethin miqësor e shoqëror. Mua këmbën ma kanë thyer qëllimisht dy herë: te Partizani dhe te 17 Nëntori (emrat nuk i tregon), për të mos shënuar shumë gola. Në fazën e parë shënova 10 gola dhe qëndrova i dëmtuar disa muaj, ndërsa ato katër golat e tjerë i kam shënuar në dy-tre ndeshjet e fundit të kampionatit. Gjithsesi, unë dola superior ndaj sulmuesave të njohur të asaj periudhe, si Kujtim Majaci i Apolonisë, Arben Minga dhe Agustin Kola të 17 Nëntorit.

-Karriera juaj me Tomorin kishte largime e kthime, cili është rrugëtimi i saj në aksin Shqipëri-Greqi-Shqipëri?

Kur unë u largova nga Shqipëria isha 26 vjeç dhe asnjëherë nuk e kisha menduar se sa e rëndë është të largohesh nga vendi yt në atë formë (arratisje). Por edhe pasioni për futbollin beratas nuk më linte të qetë, ndaj u riktheva disa sezone më vonë, natyrisht kur isha drejt fundit të karrierës. Edhe tani, jeta ime dhe e fëmijëve të mi është mes Shqipërisë e Greqisë.

-Ndodheni emigrant në Greqi, nëse jeni në kontakt me zhvillimet te skuadra beratase, si e komentoni situatën aktuale te Tomori?

Largësia ime nga vendlindja dhe skuadra e zemrës mund të jetë fizikisht, por në asnjë mënyrë me mendje dhe zemër. Informohem nëpërmjet kontakteve telefonike me njerëzit e afërm që kam në Berat dhe në rrjetet sociale. Për këtë sezon të ri duket pak si vonë, sepse vetëm 48 orë ka që e vendosi trajnerin dhe nuk ka nisur fazën përgatitore. Kështu duket e vonuar edhe me merkaton.

-Kur keni qënë në përbërje të Tomorit, si i kujtoni fazat përgatitore?

Në ato vite të arta, faza përgatitore fillonte me Divjakën ku bëheshin vrapime, të cilat këta futbollistët e sotëm nuk mund t’i bëjnë dot. Kishim dy trajnerë seriozë e të përkushtuar, Guxim Muklin dhe Andrea Xheblatin të cilët na peshonin muskujt e barkut dhe na i masnin me kalibër. Duhet kohë e gjatë që të na kuptojnë këta futbollistët e sotëm, sepse këta menjëherë pasi mbyllin stërvitjen ditore dalin xhiro, apo qëndrojnë në lokale.

-Para vitit 1990 u bëtë pjesë e Kombëtares, cilat janë fillimet tuaja me ekipet përfaqësuese?

Me ekipet kombëtare unë karrierën time e kam nisur në moshë shumë të re, vetëm 18 vjeç (1982), ndërkohë që me Kombëtaren A luajta në ndeshje eliminatore për Evropian dhe Botëror, në periudhën 1986-1990. Në atë kohë kombëtarja shqiptare kishte lojtarë talente që shkruan histori shumë pozitive në kombëtare, por edhe në klubet ku luajtën, në Shqipëri dhe jashtë saj.

-Si e vlerësoni atë periudhë për karrierën tuaj, nga Tomori te Kombëtarja?

Më Kombëtaren e kujtoj si një periudhë të bukur të karrierës sime në futboll, si kulmin e saj. Kujtoj edhe disa ndeshje, si në Poloni, në Suedi, në Spanjë apo Islandë ku skuadra jonë kombëtare u përfaqësua me dinjitet. Kam kaluar një nga periudhat më të mira në karrierën time që e nisa 17 vjeç në vitin 1981 dhe e mbylla në moshë të re, 33 vjeç në vitin 1997.

-Pas pjesëmarrjes së Kombëtares në Euro 2016, si e shikoni ecurinë e saj në kompeticionet evropianë e botërorë?

Pas vitit 1990 them se ecuria e Kombëtares ka patur shumë luhatje, ndërsa arritja në Europian tregoi se një trajner i mirë sjell rezultate të mira. Sot në vitin 2021, me Edi Rejën trajner pritet një e ardhme e mirë në Kombëtare, por çka po ndodh në Botë me pandeminë që e frenoi futbollin, vështirë se do kemi ecuri të mirë.

“DINASTIA” ARBRI, ME BENIN “GJAHTARIN” E PARË GOLEADOR

Arben Arbri është Pinjoll i Dinastisë “Arbri” në futbollin beratas dhe atë shqiptatr. Tre vëllezër dhe dy nipër, të gjithë janë futbollistë që kanë luajtur në elitën e futbollit beratas dhe atij shqiptar, kanë përfaqësuar me dinjitet veten edhe në skuadrat kombëtare të moshave deri në U21, njëherësh edhe në Kombëtaren A të futbollit. Ky është rasti më i rrallë në historinë shekullore të futbollit beratas, kur nga një familje janë pesë futbollistë që kanë luajtur në elitën e futbollit shqiptar, dy prej tyre kanë dalë edhe kryegolashënues në Superioren shqiptare (Arbeni e Klodiani), ndërkohë që vetëm njëri prej tyre e ka veshur fanelën e Kombëtares A (Arbeni).

Dhe kjo është “Dinastia” Arbri, e cila rrugëtimin e saj në fushën e lojës e ka nisur me Theodhoriun si sulmues pykë, e më pas u vazhdua me sukses nga Arbeni si mesfushor-sulmues e kryegolashënues kombëtar (1986-1987). Në vitin 1991 në futbollin beratas shkëlqeu një tjetër talent me mbiemrin Arbri, dhe ky ishte djali i tretë i kësaj familjeje, Shkëlqimi. Por ai nuk shkoi shumë larg, edhe pse cilësohej si më i talentuar nga dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Theodhorit dhe Arbenit. Sepse Çimi u largua në emigrim në vitin 1992 duke e vazhduar jetën jashtë futbollit, ndërkohë që stafetën e sulmuesave me mbiemrin “Arbri” do ta vazhdonte Klodiani (Loku), i cili në një sezon u shpall edhe kryegolashënues kombëtar (1999-2000). Dy djemtë e Theodhoriut: Gersi dhe Polizoi ishin të fundit e kësaj dinastie që luajtën në elitën e futbollit shqiptar (deri në vitin 2021), duke stampuar këtë mbiemër në historinë shekullore të futbollit beratas, dhe atë shqiptar.

Ndërsa janë gati edhe tre nipër: Djemtë e Gersit dhe djali i Lokut të cilët luajnë me moshat në Angli dhe në Berat.

 

 

PASAPORTA SPORTIVE E ARBEN ARBRI
Datëlindja: 6 janar 1964
Vëndlindja: Lagja “22 Tetori”, Berat.
Vëndbanimi: Athinë-Berat
Gjëndja civile:I martuar me tre djem
Arsimi :Në vitet 1975-1979 shkolla 8-vjeçare; në vitet 1979-1983 Shkolla e Mesme e Përgjithshme, Berat.
Sporti që ka ushtruar: Futboll/ Pozicioni në fushën e lojës: Sulmues
Numri në fanelë: 7/ Numri i këmbës: 40

Karriera sportive

Skuadrat ku ka luajtur: Me të Rinjtë e Tomorit në periudhën 1980-1983; Me të Rriturit e Tomorit në periudhën 1983-1990; me PAZ Janina në sezonin 1990-1992 (luajti si grek); në sezonin 1992-1993 me Arta; në sezonin 1993-1994 me Niki Volos; në sezonin 1994-1995 me Preveza; në sezonin 1995-1996 me Qelqira (Korfuz), në sezonin 1996-1997 me Tomorin.

Ndeshje të zhvilluara në total 462: Me Tomorin në periudhën 1983-1990: Ndeshje në Kampionat 156, në Kupë 24, në miqësore 30 (Total 210); me PAZ Janina në sezonin 1990-1992 (luajti si grek): Ndeshje në Kampionat 34, në Kupë 8, në miqësore 6 (Total 40); në sezonin 1992-1993 me Arta: Ndeshje në Kampionat 28, në Kupë 6 dhe miqësore 4 (Total 38); në sezonin 1993-1994 me Niki Volos: Ndeshje në Kampionat 30, në Kupë 8 dhe miqësore 6 (Total 44); në sezonin 1994-1995 me Preveza: Ndeshje në Kampionat 32, në Kupë 8, në miqësore 6 (Total 46); në sezonin 1995-1996 me Qelqira (Korfuz): Ndeshje në Kampionat 32, në Kupë 6, miqësore 6 (Total 44); në sezonin 1996-1997 me Tomorin: Ndeshje në Kampionat 22, në Kupë 4, në miqësore 6 (Total 32).

Miqësore më 15.05.1985 Tomori-Kombëtarja A, 3-1.

Ndeshje me kombëtaret 24: Me U21 në periudhën 1983-1985 luajtur në 10 ndeshje 4 gola; Me Kombëtaren A, në periudhën 1985-1990 grumbulluar 14 herë, luajtur në 12 ndeshje, shënuar 2 gola.

Ka fituar në Shqipëri: Një herë golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Dytë, në sezonin 1985-1986 me 38 gola; Një herë golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë, në sezonin 1986-1987 me 14 gola.

Ka fituar në Greqi: Me Niki Volos, golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Dytë në sezoni 1993-1994 me 26 gola; Me Preveza golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Tretë në sezonin 1994-1995 me 47 gola.

Skuadrat që ka drejtuar si trajner: Në periudhën 2005-2014, me U19 Tomori

Aktualisht: Specialist futbolli me Licencën UEFA A; trajnim në Konverçiano, Itali.

Tituj sportivë: Mjeshtër Sporti; Mjeshtër i Merituar i Sportit; Pllakata e Nderit FSHF

 

Lexo më shumë

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…