Ferit Keta-Gulliermo Blokland, super dueli për titullin kampion bote në Kickboxing
Ferit Keta do të ngjitet në ring për të fituar titullin e kampionit të botës në disiplinën e Kickboksit në Federatën IKFB
Pritja ka përfunduar, Ferit Keta do të ngjitet në ring për të fituar titullin e kampionit të botës në disiplinën e Kickboxing në Federatën IKFB. Do të jetë një duel epik ai që, nën logon “Duel në Themel”, do të zhvillohet këtë të shtunë, duke nisur nga ora 19:00, në Kalanë e Bashtovës, ku luftëtari shqiptar do të ketë si kundërshtar një emër të njohur në botën e kikboksit, holandezin Gulliermo Blokland.
Në prag të kësaj sfide, ashtu siç është rituali i zakonshëm në sportet e luftimit, të dy rivalët kanë kryer peshimin tradicional në një hotel të njohur në bregdetin adriatik, në Golem. “Shqiponja kuqezi” dhe “Kobra holandeze” do të sfidohen në peshën “cruiser”, e thënë në ndryshe peshë ku garojnë ata që janë nga 83 në 88 kg.
Nuk do të jetë një sfidë e thjeshtë për 32-vjeçarin tonë, i cili rikthehet të duelojë në kikboks pas një periudhe të konsiderueshme ku iu dedikua boksit, gjithsesi për bulqizakun nuk përbën ndonjë problem të madh dhe përgatitjet e tij nën drejtimin e trajnerit Ismail Keta kanë qenë mjaft intensive. Vlen për t’u theksuar edhe prania e tifozëve në Kalanë e Bashtovës, ku priten mbi 2000 spektatorë, duke e bërë një ndër eventet e para në Europë në sportet e luftimit që do të mirëpresë kaq shumë tifozë që nga periudha para pandemisë. Një përballje vërtetë emocionuese që do të dhurojë çaste mjaft të veçanta dhe që do të mund ta ndiqni në kanalin SuperSport 1 të platformës DigitAlb këtë të shtunë, duke filluar nga ora 19:00.