Adriatik Balla: Ferit Keta, kampion bote në kikboks në kalanë shqiptare me histori 600-vjeçare
Analiza e mbrëmjes madhështore të boksit në Kalanë e Bashtovës
Nga Adriatik Balla, Gazeta “Sot”
Kush thotë se shqiptarët nuk dinë të organizojnë e të jenë kompetitivë e kanë totalisht gabim. Ky perceptim, shpesh edhe ndër ne, duhet evituar medoemos. Përkundrazi, mbrëmja e së shtunës në Kalanë e Bashtovës dëshmon pjekuri dhe arritje e në të njëjtën kohë vërteton se bashkëpunimi i të gjithëve të çon tek suksesi.
Që në degëzimin e Gosit në Kavajë, kur merr rrugën për në Vilë-Bashtovë, patrulla të shumta policie të bëjnë me shenjë rrugën që duhet ndjekur.
Vijnë nga ana e anës, nga veriu e nga jugu, nga Vlora e nga Prishtina, nga Lezha e nga Tetova, nga Tirana e Shkupi, madje edhe nga Europa. Padyshim shumë dibranë, sepse për ta kjo mbrëmje është e veçantë, kjo pasi në ring ngjiten shqiponjat e Bulqizës, Dibrës e të Shqipërisë.
Në qendër të kalasë është ngritur ringu, kurse në muret e bedenat e saj valëvitet aq krenar flamuri më i bukur në botë. Ka qenë vetë kalaja, nga të paktat në fushë në të gjithë Ballkanin, që ka tërhequr po ashtu vëmendjen, sepse dëshmon kulturë, forcë dhe lashtësi, por këtë herë një arenë e boksit dhe kikboksit.
Pas një periudhe të gjatë pandemie, e cila la mjaft pasoja, edhe boksit shqiptar i duhej një indicie, një puls. E kush më mirë sesa vëllezërit Keta mund ta jepte këtë puls?!
U ngjitën në ring njëri pas tjetrit shqiponjat kuqezi, të gjithë me fitore. Fillimisht Roxhers Muslija, më pas Ervin Keta që bëri ndoshta ndeshjen më të bukur të mbrëmjes, një fitore spektakolare e tij, më pas radha e A.Murrjes, e L. Ismailit (të cilin unë do ta quaja boksier me dhunti mbresëlënëse), si dhe e Mikel Alliut, që u ndal në barazim me një boksier grek. Në këtë ndeshje vlen të thuhen dy fjalë. Mikeli u fut në ring disi i mllefosur se i kishte rënë një grek përballë (grekët nuk shquhen në boks), por i bëri llogaritë gabim, sepse “dinakëria greke” shfaqet kudo dhe një e majtë e thatë e grekut bëri që gjyqtari të numërojë për Mikelin 1, 2, 3… Por djaloshi nga Bulqiza ngrihet shpejt dhe në raundet pasues e bën grekun të flasë me vete. Dhe shprehja “damar shqiptari” i shkoi për shtat Mikelit në këtë duel, sepse i kërkoi grekut publikisht një raund final për të shpallur një fitues, por në një mjedis ku askush nuk dinte greqisht, ai gjeti një justifikim “ekselent” tipik grek. “Jam i sëmurë tani”, e më pas shprehja provokuese “se perimeno stin Eladha”. Ishte fat që greku refuzoi, se kam bindjen nuk do të dilte më i gjallë nga ringu.
Dhe mbrëmja vijon të jetë spektakolare me duele spektakolare, ku spikati dhe një boksier gjerman që mbrojti titullin europian.
Më pas vjen moment kulminant i ndeshjes. Në skenë ngjitet kampioni në fuqi i kikboksit, holandezi me origjinë nga Surinami, Guillermo Blokland. Një ndeshje me 5 raunde, por që holandezi mezi e çoi deri në të tretin.
E më tej, nën zërin fantastik të moderatorit amerikan Mike Martham, nën një entuziazëm të papërshkruar, me muzikën e filmit “Skënderbeu”, Ferit Keta Keta, ky “Skënderbe” i ringut profesionist, u ngjit me madhështi në arenën e gladiatorëve, e denjë për historinë dhe trashëgiminë që mbart edhe vetë Kalaja e Bashtovës. Himni i kënduar nga Kastriot Tusha e ndezi më tej gjakun arbëror.
Pozicional, me qetësi olimpike, durim si rrallë kush, profesionist në detaje, burrëror, kryelartë, syshqiponjë, me forcë fizike e goditëse asgjësuese, “snajper” me kalibrim milimetrik, me besim në vetvete, por edhe i vetëdijshëm për pritshmëritë, para një publiku që fitoren e ka në gen dhe e dëshiron fort, Feritit i duhej të ishte në lartësinë e detyrës dhe ai ia doli mrekullisht. Shkurt i lindur për tu bërë kampion botëror.
Holandezi tentoi të provonte me shqelme këmbët e Feritit, por ato i dolën blloqe betoni, tentoi ta godiste në kokë, por s’gjeti hapësirë, bëri sa mundi edhe në aspektin “aktorial”, për të përfituar kohë e për ta nxjerrë kundërshtarin nga “binarët” por të gjitha i dolën blof. Pasi u rrëzua disa herë (nokdaun), ai nuk pati fund tjetër veçse të dorëzohej duke iu numëruar sekondat e nokautit.
Duhet ta dini, miq, që nga puna kërkimore e shumë universiteteve me zë në SHBA dhe në Britaninë e Madhe, ka rezultuar se nga afro 70 lloje sportesh, boksi është më i vështiri. Kjo jo vetëm për forcën goditëse që duhet të përballojë sportisti gjatë lojës, strategjinë e garës, taktikën, teknikën, qëndrueshmërinë fizike, por veçmas përgatitjen psikologjike. Të gjithë këta elementë, Ferit Keta i ka në shkallën sipërore, prandaj ai u kurorëzua mbrëmjen e të shtunës si kampion botëror në kikboks.
Një mbrëmje spektakolare, ku spikati në vecanti shpirti luftarak i djemve të trajnerit strateg Ismail Keta, përgjegjësia ndaj publikut të tyre dhe dëshira e madhe prej zemre që atdhetarët, kudo që janë, të ndihen të lumtur e krenarë për përkatësinë e tyre.
Një eveniment madhështor i moderuar me mjeshtëri nga gazetari Defrim Methasani, njeriu që bën shumë për miqtë, të njohur e të panjohur e veçmas për Dibrën tonë. Defrimi meriton respektin e të gjithë neve.
Jo rastësisht në kalanë e Bashtovës kishte profesorë, akademikë, politikanë, artistë etj. Nuk mungoi presidenti Alfred Moisiu, kryetari i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ministrja e sportit Evis Kushi, përfaqësuesi i familjes heroike të Jasharëve të Kosovës, baca Rifat Jashari, të gjithë kryetarët e bashkive të qarkut të Dibrës si dhe ai i Dibrës së Madhe.
Nuk munguan në këtë mbrëmje sporti të përhershmit, mbështetësit e mëdhenj e të pakushte, “Tifozat Kuq e Zi”, që i dhanë ngjyra të zjarrta spektaklit të ringut në Kalanë e Bashtovës.
Dhe ia vlejti. Sot kemi një kampion boten në kikboks, kemi një trajner që është fenomen si Ismail Keta, kemi më shumë solidaritet e dashuri për njëri-tjetrin, sepse mbi gjithçka tjetër, këta djem të talentuar e patriotë shquhen për shpirtmadhësinë e tyre. /15 gusht 2021