Arbiona Bajraktari: E kam ëndërruar që fëmijë të vesh fanellën kuqezi!

Historia e pabesueshme e Arbiona Bajraktarit, vajza që i dedikoi jetën e dytë futbollit!


Tani kushtet janë më të mira. Po t’i krahasoj me kohën kur ishim të vogla, kushtet janë si dita me natën. Stërviteshim në fusha të vogla, në kalçeto, pasi fushat e mëdha ishin për djemtë. Ne nuk na lejonin sepse ishim vajza.”

Arbiona Bajraktari i falet një jete të dytë. Lufta në Kosovë preku edhe atë e familjen e saj, të cilët u detyruan të merrnin udhën drejt Shqipërisë, për të mbijetuar. Ajo ishte vetëm 3 vjeçe e gjysmë asokohe. Familjarët e saj, ashtu sikurse qindra shqiptarë të tjerë të Kosovës i ishin drejtuar kufirit të Morinës, për të shpëtuar jetën e tyre. Në traktorin me të cilin ata udhëtonin kanë qenë rreth 30 persona, me në krye gjyshin e saj. Rrugëtimi i tyre ngeci pikërisht në doganën e Morinës, për shkak të numrit të madh të njerëzve që donin të kalonin kufirin dhe ku për gati 3-4 ditë, ata kanë konsumuar vetëm ujë, pa ushqim. Kjo gjë ndikoi në gjendjen shëndetësore të gjithë familjes së saj, por sidomos tek vogëlushja Bajraktari, e cila nuk e përballoi mirë situatën. Të gjithë menduan se Arbiona kishte ndërruar jetë…., por pasi kaluan kufirin e Morinës, ata u pritën nga një familje në Kukës. Plaka e shtëpisë, një zonjë fisnike dhe e mençur e ka risjellë sërish në jetë, duke e ushqyer për disa ditë me kos. Arbiona nuk e kujton mirë këtë histori, edhe sepse ka qenë mjaft e vogël, por kujton çdo ditë dhe thekson se do t’i mbetet mirënjohëse gjithë jetën asaj familjeje që i dhuroi për herë të dytë jetën.

Pas përfundimit të luftës, familja e Arbionës u zhvendos sërish në Kosovë. Ajo u rrit në Suharekën e saj të bukur, aty ku edhe lindi, mësoi, si dhe hodhi hapat e parë në futboll. Lagjet e vjetra të qytetit të saj i kujton ende me nostalgji, ku së bashku me fëmijët e tjerë luanin me një top, për të cilin kujdeseshin më mirë se për veten e tyre. Në moshën 12 vjeçare, dy shoqet e saj të ngushta u regjistruan në një klub futbolli për femra dhe e ftuan edhe Arbionën të bëhej pjesë e këtij ekipi. Nuk e mendoi dy herë, por vendosi që t’i bashkohej dhe të udhëtonte thuajse çdo ditë larg Suharekës, për gati 40 minuta, vetëm e vetëm që të ndiqte ëndrrën e saj. “Futboll kam nisur të luaj që kur isha e vogël, me shokët dhe shoqet e lagjes. Derisa një ditë, dy shoqet e mia të shkollës më thonë se ishin regjistruar në një ekip futbolli për vajza dhe më ftuan të bashkohesha me to. U thashë po dhe çdo ditë udhëtoja 40 minuta larg qytetit për të mësuar më shumë mbi futbollin”.

Prindërit e Arbionës nuk kishin kuptuar gjë, derisa një ditë e morën vesh dhe e ndaluan të shkonte. Arbiona ishte shumë e vogël për të ndjekur stërvitjet e futbollit larg qytetit e gjithashtu duhej të fokusohej te shkolla. Për nga natyra, ajo është pak kokëfortë dhe këmbëngul aty ku mendon se ka të drejtë. E pavarësisht se familja nuk ishte dakord që ajo të vazhdonte të luante futboll, ajo nuk i dëgjoi. Madje, shpesh la edhe orët mësimore që të ndiqte stërvitjen. “Kur e morën vesh familjarët e mi, normalisht që nuk e pritën mirë. Më thanë që nuk do të shkoja më dhe se duhet të ndiqja veçse shkollën. Kishin edhe frikë që unë të lëvizja vetëm, pasi isha e vogël. Por, unë nuk i dëgjova. Përkundrazi, edhe kam lënë ndonjëherë orët mësimore për të shkuar në stërvitje. Ky nuk është një model i mirë, që shoqet e mia duhet ta ndjekin, pasi shkolla dhe pasioni që ne kemi, janë dy gjëra të ndryshme nga njëra-tjetra. Për rreth 3-4 muaj, babi dhe vëllezërit e mi nuk dinin gjë. Kam pasur një mbështetje shumë të madhe nga trajneri i skuadrës”.

Turneu drejt Suedisë do të ishte pika e kthesës për të dhe familjen e saj. Aty jeta e Arbionës do të fillonte të kishte tjetër rrjedhë. “Kur ekipi i Malishevës, me të cilin unë luaja, do të udhëtonte drejt Suedisë për një turne, trajneri kishte shënuar edhe emrin tim në listë. E ka marrë tim atë dhe i ka thënë që vajza është pjesë e listës pasi ka talent dhe i ka kërkuar të më bënte dokumentet që të lëvizja me ta. Babi ka mbetur pa fjalë, nuk e ka pritur. Por që prej asaj dite, kam pasur besimin e plotë të tij”.

E pavarësisht kushteve të vështira që është rritur, numri 5 i Kombëtares sonë të futbollit ia ka dalë mbanë të lërë emër në çdo ekip me të cilin ka luajtur. Pa transport, stërvitje me vetëm një top, fushat e futbollit i mohoheshin sepse ishin vajza.. ajo sërish ia doli. “Kushtet kanë qenë shumë të vështira në atë kohë. Na kanë munguar shumë gjëra, transporti për shembull ishte shumë i vështirë. Stërviteshim në fusha të vogla, në kalçeto, pasi fushat e mëdha ishin për djemtë. Ne nuk na lejonin sepse ishim vajza. Kemi pasur vetëm një top dhe kjo ka vazhduar deri kur kam ardhur tek ekipi i Kukësit. Nuk kemi pasur secila prej nesh një top dhe për këtë arsye, kemi bërë veç nxemje dhe ushtrime fizike dhe më pas direkt në lojë. Çfarë mund të bënim më tepër me një top?”

Sot, kushtet janë ndryshe. Futbolli i femrave është një nga prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit, që ka hartuar një strategji të mirëfilltë për ta zhvilluar më tej futbollin e femrave.“Tani kushtet janë më të mira. Po t’i krahasoj me kohën kur ishim të vogla, kushtet janë si dita me natën. Mbështetja që po na jep edhe FSHF-ja është e madhe. Shpresoj të vazhdojnë të na mbështesin, pasi duhet thënë, mbështetja e futbollit të femrave nuk është aq e madhe kudo, jo vetëm te ne. Megjithatë, duket sikur gjërat kanë ndryshuar. Federata po na ndihmon jo vetëm me bazë materiale por edhe nga ana financiare. Kjo është një shtysë e madhe për të gjitha ne që luajmë futboll, pasi dihet që karriera në futboll nuk është shumë e gjatë”.

Me Kombëtaren ka gjithashtu një histori jo si të gjitha historitë e tjera. Kur ishte 16 vjeçe dhe luante me ekipin e Therandës në Kosovë, një nga skautët e FSHF-së në Kosovë e kishte ndjekur dhe i thotë se do ta merrnin në Kombëtaren shqiptare. Fillimisht nuk i besoi, derisa i ati i thotë se e kishin marrë në telefon nga FSHF-ja. “Kur luaja me Therandën në Kosovë, një ditë në stërvitje dikush që ishte skaut i Federatës Shqiptare të Futbollit në Kosovë. Ai më kishte ndjekur prej kohësh në stërvitje dhe ndeshje dhe më tha se do të më marrë në Kombëtaren shqiptare. Unë isha vetëm 16 vjeçe dhe sigurisht që nuk e mora seriozisht. Isha pa shumë eksperiencë, krahasuar me vajzat e tjera në Kombëtare. Skauti më pas ka marrë babin në telefon dhe i ka thënë që duan të më kenë pjesë të Shqipërisë. Emocione të mëdha. Më vjen mirë, i bëra krenarë prindërit e mi, ia dola edhe vetë të realizoja ëndrrën time të madhe”. 

 

Fillimisht pjesë e Kombëtares A, më pas një “xhiro” tek ekipet e moshave, për t’u rikthyer dhe mbetur përfundimisht tek ekipi A. “Fillimisht jam grumbulluar me Kombëtaren A, duke i kapërcyer ekipet e moshave. Më pas, në një miqësore me Kombëtaren U-19, trajneri më ka thënë të kaloj direkt tek ekipi A dhe më pas nuk jam shkëputur më”.

Dilema ka pasur edhe ajo, ashtu sikurse thuajse çdo futbolliste që vinte nga Kosova. Shqipërinë apo Kosovën? E vogël ëndërronte të vishte ngjyrat kuqezi, e për këtë arsye, dilemën që kishte ia shoi ëndrra e fëmijërisë. “Me Kombëtaren e Kosovës kam qenë pjesë e një seleksionimi, por sërish kam vendosur të jem pjesë e Kombëtares shqiptare. E kam ëndërruar që fëmijë të vesh fanellën kuqezi”.

Nuk i kujtohet mirë numri i saktë i ndeshjeve me Kombëtare, teksa në mendje ka të fiksuar ndeshjen kur ka debutuar me Shqipërinë dhe atë më të bukurën që vajzat kuqezi kanë zhvilluar. “Ndeshja ime e parë në radhët e ekipit Kombëtar ka zgjatur 4-5 minuta. Kam debutuar kundër Turqisë, në një ndeshje jo fort të lehtë, e kryesisht për mua. Isha shumë e vogël, e megjithatë, nga trajneri mora një feedback pozitiv. Më mbështeti dhe më tha se luajta shumë mirë. I mbaj mend fjalët sikur sot, pasi kanë qenë vërtetë motivuese për mua dhe kisha nevojë për një mbështetje të tillë. Ndërsa ndeshja më e bukur ka qenë kundër Greqisë, ku arritëm të fitojmë 2-1”.

Një dëmtim e ka lënë jashtë fushave për gati një vit, më i rëndi në tërë këto vite që ajo luan futboll. Tani është në fazë rekuperimi dhe po shpreson që të jetë gati për edicionin e ri futbollistik me Vllazninë.  “Është hera e parë që pësoj këtë lloj dëmtimi. Që kur kam nisur të luaj futboll, nuk kam munguar në asnjë ndeshje. Kam pasur dëmtime të lehta muskulare, tërheqje, por nuk kam qëndruar kurrë kaq gjatë larg fushës. Më erdhi në momentin tim më të mirë, qoftë me klubin, ashtu edhe me Kombëtaren. Kisha zhvilluar një sërë ndeshjesh të mira. Jam vizituar te mjeku i Kombëtares A, Gianluca Stesina dhe ai është kujdesur për mua. Jam operuar në dhjetor dhe shpresoj që me fillimin e edicionit të ri futbollistik të nis edhe unë të luaj sërish. 

Vllaznia është pika e saj e dobët. Arbiona është “minuti i 122-të” i ekipit shkodran. 6 vite ka në këtë skuadër dhe sërish nuk mendon të largohet. E vetmja gjë që shpreson është të korrë sa më shumë suksese, të marrë trofe si dhe të bëhen sërish pjesë e UWCHL. “Me Vllazninë jam bashkuar që në vitin 2015 dhe mendoj ende të vazhdoj. Kam pasur ftesa edhe nga jashtë, por kam vendosur të qëndroj në këtë ekip. Këtu kam mësuar çdo gjë, këtu jam rritur dhe këtu do të vazhdoj të luaj. Ndeshja më e bukur me këtë skuadër? Nuk e përcaktoj dot. Jemi kualifikuar në 32 ekipet më të mira të Europës në 2019. Por do të mbaj mend gjatë gjithë jetës atë gol që shënova kundër ALG Spor në minutën e 122-të. Ende emocionohem… Momenti më i mirë në karrierën time”.

Arbiona është bërë për futbollin dhe futbolli është bërë për Arbionën. Përveçse të luajë mirë, ajo di edhe të komunikojë në mënyrë të shkëlqyer. Sporti është shëndet thotë ajo, teksa thekson se futbolli është për këdo. “Çdo vajzë duhet të ndihet e lirë sot të realizojë ëndrrat që ka. Le të luajnë futboll, nëse kanë dëshirë, le të luajnë. Futbolli është sporti më i bukur në botë dhe përveç se shëndetit, nuk sjell asnjë të keqe. Ka ende prindër që stepen t’i dërgojnë vajzat e tyre në futboll, ashtu siç ka nga ata që besojnë se fëmijët e tyre duhet të provojnë çdo fushë të jetës.. sportin, pikturën, muzikën etj. Ideja se vajzat duhet të shkojnë vetëm në shkollë duhet të marrë fund njëherë e mirë. Unë nuk luaj vetëm futboll, por edhe studioj në të njëjtën kohë për Edukim Fizik. Futbolli është jetë…. dhe është për të gjithë.

Në fund të rrëfimit të saj të veçantë për fshf.org, nuk harron të falënderojë dhe të thotë se në futbollin e femrave ka pasur gjithmonë një idhull.. “Që prej kur jam bërë pjesë e Kombëtares dhe e Vllaznisë, më dukej e pabesueshme që do të luaja krah Albina Rrahmanit, idhullit tim. Dikur ëndërr, sot e disa vite, luaj në të njëjtin ekip me të. Vazhdon të mbetet idhulli im dhe do të vazhdojë të jetë kështu. / FSHF.org/

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…