Klodian Arbri, talenti beratas i lindur për goleador!

Pinjolli i Dinastisë “Arbri” tregohet i thjeshtë për karrierën 20 vjeçare, golashënuesi i dytë më i mirë i kësaj dinastie


Nga Agron Kaja, gazetar sportiv

Kur shkruan për futbollistë të një dinastie, natyrisht që respekti është në plan të parë. Klodian Arbri është numri 3 i Dinastisë “Arbri” në futbollin beratas dhe atë shqiptar, një nga sulmuesit më të shquar në Berat në dy dekadat e fundit.

Duke kujtuar edhe faktin se Loku ka dalë golashënuesi më i mirë shqiptar në sezonin 1999-2000, le të themi se kjo dinasti është e abonuar me trofeun “Këpuca e Artë”. Gjithsesi, në këtë bashkëbisedim me Klodian Arbrin, fokusi i bisedës u zgjerua duke ju referuar gjithë rrugëtimit të karrierës së tij si futbollist, por duke mos harruar edhe “merakun” e beratasve atë të titullit kampion në sezonin 1999-2000, i cili me një shpikje alla-shqiptarçe nga FSHF-ja e kohës iu dha Tiranës, pas ndeshjes direkte Tirana-Tomori 1-1 dhe ruletës së penalltive. Të gjitha këto vijnë për Tifozët.al edhe me të pathëna nga goladori beratas, i cili drejtuesit e futbollit shqiptar të atij sezoni i quan mashtrues me strategji kulisash. Ndërkohë që në rreth 20 vite karrierë, Klodian Arbri luajti më shumë se 300 ndeshje në elitën e futbollit shqiptar, ku arriti të shënoi mbi 100 gola.

****

-Klodian Arbri, i treti nga radha në Dinastinë “Arbri” në futbollin shqiptar,

si është jeta juaj pasi keni lënë futbollin?

Në fakt, unë nga futbolli vetëm sa jam larguar si lojtar në vitin 2016, sepse menjëherë jam angazhuar si trajner në drejtimin e skuadrave të moshave në FK Tomori. Aktualisht në vitin 2021 drejtoj skuadrën e U19. Kështu që, pas lënies së futbollit si lojtar, unë nuk i kam “varur këpucët në gozhdë”, në kuptimin figurativ.

-Gjithsesi, si ndjehet Loku një ish-lojtar e golashënues i Tomorit?

Ka qenë kohë e artë periudha që unë kam luajtur me fanelën e Tomorit. E nisa karrierën time dhe e mbylla me këtë skuadër, e cila për mua mbetet më e mira në Botë. Nuk e them për nostalgji e për tu treguar patriot, por e them me zemër. Unë ndjehem i respektuar nga tifozeria e mrrekullueshme që ka Tomori dhe kjo më bën krenar për sa kam dhënë te kjo skuadër.

-Karrierën e nisët dhe e mbyllët me Tomorin, shkoi mirë rrugëtimi juaj në futbollin e luajtur?

Kishte ulje e ngritje, por mund të them se ka qenë një karrierë e mirë e mbushur me shumë emocione. E nisa 17 vjeç në elitën e futbollit shqiptar dhe e mbylla 37 vjeç pikërisht te një emër “Tomori”. Me këtë skuadër ka një kulm, pikërisht sezoni 1999-2000 kur nuk dolëm dot kampionë, për arsyet që tashmë janë bërë publike.

-Duket se e vuani ende atë kampionat (1999-2000) që zyrtarisht dolët nënkampionë?

Atë padrejtësi që na bëri FSHF-ja e vuan i gjithë qyteti i Beratit, i cili jeton me futbollin e Tomorit. Në atë sezon ne kishim një skuadër pa shumë kualitete, por me lojtarë punëtorë në fushë që bënë një kampionat shumë të mirë. Duke ju referuar rregullores së atij kampionati, titulli i takonte Tomorit, por FSHF-ja e shkeli atë dhe shpiku një ndeshje direkte!

-Çfarë shkruhej në rregulloren e kampionatit të sezonit 1999-2000?

Në rregullore përcaktohej se, kur dy skuadra ishin me pikë të barabarta në fundin e kampionatit, shikoheshin ndeshjet direkte mes tyre. Ne barazuam 0-0 në Tiranë e fituam 1-0 në Berat, e që këtu bie ndeshja direkte. Pra, nuk kishte shumë për të diskutuar titulli për një ndeshje shtesë, por mendoj dhe jam i bindur se me ndarjen nga jeta të presidentit tonë Ardian Çobo, diçka ndryshoi në atë kohë.

-Mos ndoshta FSHF-ja përfitoi nga vdekja e presidentit Çobo dhe bëri atë padrejtësi me skuadrën e Tomorit?

Unë e them me bindje dhe kurajo qytetare e ligjore, se pas vdekjes së Presidentit tonë Adrian Çobo, FSHF-ja e ndryshoi rregulloren në mëndjen e saj, sepse ajo e fillimit të kampionatit na shpallte ne kampionë. Në atë kohë, padrejtësisht ishte ngulitur ideja se Tomori i fitonte ndeshjet me dhunë, për shkak se kishte një president “gangster”. Jo, nuk ishte kështu. Mbi të gjitha Adrian Çobo ishte një njeri qytetar dhe dashamirës ekstrem për futbollin beratas. Ai e ndante jetën e tij private me atë të skuadrës, por fjalët “llomotitën” pas vdekjes së tij.

-Qëndruam gjatë tek ky moment, ju si e konsideroni përfundimisht?

Si padrejtësi, si një poshtërsi që duhet dënuar penalisht. Të gjithë ata persona që e gatuan atë të shkojnë para ligjit. Ai SPAK-u le ta bëjë shembull atë gjëmë që FSHF-ja i bëri Tomorit, sepse kishte vlera si ekip dhe i fitoi ndeshjet me futboll të pastër në fushën e lojës. Kam shumë respekt për Tiranën, kam luajtur me të, por nëse i ka mbetur pak qytetari e fisnikëri tironse, t’ia dorëzojë atë titul Tomorit.

-Ka një dukuri te Tomori, ku për një dekadë nuk ka një sulmues race si ju e të tjerë më parë, si e përshkruani këtë situatë?

Janë disa faktorë që ndikojnë, e së pari do të thoja se përzgjedhja e talenteve, këtu edhe sulmuesit, fillon nga moshat e vazhdon te Akademia. Në këto hallka duket se ka pak profile sulmuesish, por edhe kur ata spikatin në Kategori të Pari e më shumë në Kategorinë Superiore, menjëherë shkon jashtë vendit. Në Shqipëri asnjë futbollist talent nuk ka kohë t’i tregojë vlerat e tij, ndryshe në kohën tonë në ekip ishim në garë 6 sulmues për 2 vende në formacion. Ne punonim dhe stërviteshim shumë, gjë që këtu nuk ecën si duhet.

-Në karrierë ju provuat të luanit me gjashtë skuadra shqiptare dhe një të huaj, si ka qenë përvoja juaj në përbërjen e tyre?

Mendoj se karriera ime erdhi në ngjitje. Pasi fillova me Tomorin kur isha 17 vjeç, këtu u formova dhe katër sezone më vonë provova skuadër jashtë Shqipërisë (Maribor i Sllovenisë). Më tërhiqte më shumë futbolli shqiptar dhe jam rikthyer duke krijuar mundësinë të luaja me shumë skuadra, me të cilat mendoj se kam dhënë gjithçka që unë kisha më mundësitë e mia.

-Në Dinastinë “Arbri” jeni dy vëllezër golashënues Kombëtar (Arbeni e Klodiani), mendoni se mbiemri juaj është shkollë e golashënuesve?

Mendoj se kjo që thoni ju qëndron. Dalja ime si golashënuesi më i mirë i Shqipërisë me 19 gola nuk ishte rastësi, por erdhi pas më shumë se gjashtë sezoneve që unë kisha nisur me të rriturit. E kam filluar 16 vjeç karrierën me Tomorin dhe goli për mua ishte prioritet. Por, edhe djali im Klejdoni është një golashënues. Ai luan me U17 të Tomorit dhe është shënuesi kryesor në skuadër.

-Po ritmikën e Kombëtares, apo edhe skuadrave tona përfaqësuese, e ndjek?

Natyrisht që e ndjek, sepse e mendoj që aty është kulmi i tifozerisë kuqezi për çdo shqiptar. Nëse do ta krahasoja me atë kombëtare që luajti në Euro 2016, them se është larg, ndërsa sot ende nuk ka një formacion bazë. Ka talente të përzgjedhur shumë mirë, por nuk ka ata elementë bazë ku të përqendrohet e gjithë skuadra.

-Me çfarë merret sot Klodian Arbri, me apo pa futboll?

Unë jam trajner i skuadrës U17 të Tomorit, me një brez që ti shërbejë së ardhmes së afërt e të largët të Tomorit. Por, së bashku me nipin tim Polizoin, po punojmë me grupe fëmijësh nga mosha 7 vjeç e deri në 15 ku kemi ngritur një mini-Akademi që e kemi quajtur “Futboll Arbri”. Them se shumë shpejt nga këta breza do të dalin futbollistë që do bëjnë emër me Tomorin.


 

 

PËR KUJTESË:

Rregullorja për klasifikimin përfundimtar/ K61K, Sezoni 1999-2000

Renditja përfundimtare kur dy ekipe janë me pikë të barabarta:

#Renditet më sipër ajo skuadër që ka fituar më shumë pikë në përballjet direkte (më 29/10/1999 Tirana-Tomori 0-0; më 25/03/2000 Tomori-Tirana 1-0). Tomori merr 4 pikë nga 6 të mundshmet).

#Renditet më sipër ajo skuadër që ka shënuar më shumë gola në ndeshjet direkte (më 29/10/1999 Tirana-Tomori 0-0; më 25/03/2000 Tomori-Tirana 1-0). Tomori  +1 gol nga Tirana).

 

Renditja e Kampionatit të 61-të Kombëtar/ Kategoria e Parë 1999-2000

N/R   SKUADRAT       Nd     F       B       H       G+    G-     D       P      

1        Tomori                 26      15      7        4        35      22      +13   52

2        Tirana                   26      16      4        6        40      14      +26   52

 

Elbasan/ E dielë 28 maj 2000, ora 15:00, stadiumi “Ruzhdi Bizhuta”

Ndeshja finale Tirana-Tomori 1-1 (5-4p)
Shënues: Rizvanolli 57’/ Dede (aut) 88’ (Koha shtesë e barabartë 1-1)

FORMACIONET
TIRANA: Blendi Nallbani, Elvis Sina, Rezart Dabulla, Nevil Dede, Krenar Alimehmeti, Alban Tafaj, Ervin Bulku (Enkli Memishi 57’), Zoltan Kenesei, Johan Driza, Anesti Vito (Peter Sutori 100’), Erjon Rizvanolli (Florian Riza 62’). Trajner: Shkëlqim Muça
TOMORI: Madrit Muzhaj, Klodian Dino, Elton Fani (Gëzim Gega 76’), Afrim Deliu, Eduart Aliaj, Gentjan Lako, Shkëlzen Rustami, Luan Jahja (Ronaldo Tabaku 60’), Klodian Arbri, Saimir Maloku, Edmond Gjata (Besnik Hasa 60’). Trajner: Kristaq Mile
Gjyqtarë: Kryesor Bujar Pregja (Tiranë); Asistentë: Ëngjëll Pjetrushi (Lezhë) dhe Arian Mali (Patos)

Kartonët e verdhë: Blendi Nallbani, Alban Tafaj, Erjon Rizvanolli/ Elton Fani, Eduard Aliaj (2kv)
Karton i kuq: Eduard Aliaj
Shikues: Mbi 16.000

 

 

PASAPORTA SPORTIVE E KLODIAN ARBRI

Datëlindja: 23 prill 1979
Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Berat
Sporti: Futboll/ Roli në fushë: Sulmues
Shtatlartësia: 183 cm/ Nr këmbës: 42
Nisja e karrierës në futboll: Sezoni 1996 me Tomorin.

Skuadrat ku është aktivizuar (7): Në sezonet 1996-2000 me Tomorin, në 98 ndeshje shënuar 33 gola; në sezonin 2000-2001 me Mariborin në Slloveni, në 8 ndeshje, shënuar 2 gola; në vitin 2001- me Tomorin, në 13 ndeshje, shënuar 8 gola; në vitin -2002 me Tiranën në 14 ndeshje, shënuar 6 gola; në sezonin 2002-2003 me Vllazninë, në 11 ndeshje shënuar 4 gola; në sezonet 2003-2005 me Lushnjen, në 31 ndeshje shënuar 16 gola; në sezonin 2005-2006 me Skënderbeun, në 30 ndeshje shënuar 6 gola; në sezonin 2006-2007 me Dinamon, në 10 ndeshje shënuar 1 gol; në sezonet 2007-2010 me Lushnjen, në 38 ndeshje shënuar 12 gola; në sezonet 2010-2012 me Tomorin, në 38 ndeshje shënuar 12 gola; në sezonet 2012-2014 me Bylisin, në 42 ndeshje shënuar 8 gola; në sezonin 2014-2015 me Lushnjen në 22 ndeshje, shënuar 6 gola, në vitin 2015 me Luftëtarin 14 ndeshje, shënuar 6 gola; në vitin 2016 me Tomorin, në 14 ndeshje shënuar 4 gola.

Ndeshje e gola në karrierë: 393 ndeshje, 124 gola.
Ndeshje ndërkombëtare (8): Me Tomorin 2; Me Tiranën 2; me Partizanin 2; me Mariborin 2.
Me kombëtaret: Në vitet 1996-2001 me U15, U17, U19 dhe U21, luajtur në 32 ndeshje, shënuar 30 gola.

Kualifikime: Trajner me licensën UEFA B
Karriera si trajner: Trajner i U17 të Tomorit
Aktualisht: Trajner në Akademinë “Futboll Arbri” me moshat, U7 e deri në U15 vjeç.
Tituj personalë: Mjeshtër Sporti.

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…