Skënder Halili – Vezullimi i ndërprerë i një ylli, do të ndriçojë gjatë në futbollin shqiptar
DOSSIER/ Po te jetonte sot qendërmbrojtësit më i spikatur në historinë e futbollit shqiptar do t’i festonim 80 vjetorin e ditelindjes
Nga Bedri Alimehmeti,
Gazetar, shkrimtar – “Mjeshtër i Madh” & “Fisnikëria Tiranse”
Starti i një “ikone” që nuk zgjati shumë
Që ka mbetur ikonë në futbollin shqiptar, këtë te gjithë e thonë. Dhe, që e interpretonte qendërmbrojtësin e lirë në ato vite aq përsosmërish, kur nuk ishte zbatuar ende në disa vende me futboll të përparuar, e bëri që vështirë të përsëritet. Që askush nuk i bënte rofeshiatat deri në lartësinë e kokës, këtë e vërtetojnë ende bashkëlojtarët dhe rivalët, sepse ishte i shkëlqyer në luftën e ajrit. Skënder Halili i afronte dhe u jepte kurajë futbollistëve të rinj, dhe ai nuk u dëbua asnjëherë nga gjyqtarët, sepse ishte i thjeshtë dhe i dashur, edhe me tifozët.
Ai ishte njerëzor në gjithçka bënte, dhe të gjitha këto cilësi të patjetërsueshme janë të murosura në portretin emblematik të Skënder Halilit, legjendarit të ekipit bardheblu dhe të kombëtares, figura e të cilit teksa vitet kalojnë, merr gjithnjë e më tepër përmasa gati mitike. Ai ishte djalë i rrugës “Fortuzi”, që në Tiranë etiketohet “maternitet” i futbollit shqiptar. Vetëm duke përmendur emra të tillë futbollistësh të shquar, si Gani Merja, Panajot Pano, Skënder Halili, Indrit Fortuzi e Blendi Nallbani, bindesh për këtë fakt. Fillimisht te kopshti i “Rukes”, më pas te oborri i shkollës “10 Korriku” (sot “Sinan Tafaj”), apo te bulevardi ” Zogu I” bashkë me Panajot Panon, Eqerem Casllin, Bujar Hykën, Eshref Demnerin, Astrit Zhordën, Hasan Vocin etj, moshatarë, me të u mbrujt e u kalit talenti i tij si futbollist, modelin e të cilit ai e kishte te dy dajat: Xhaferri e Ganiu, të cilët bënin emër në ato vite.
Më pas, thuajse të gjithë bashkë u gjendën te fusha “Puna” (ish-ekspozita Shqipëria Sot), ku nën drejtimin e teknikut Xhavit Demneri u bënë pjesë e të rinjve bardheblu. Aty takuan Osman Memën, Pavllo (Ben) Bukovikun, Luigj Bytyçin, Naim Ballën, Pjerin Perollin, Bujar Kulhekun etj, me të cilët vargëzojnë tituj kampionë. Ndërkohë, viti 1957 e gjen Skënderin në radhët e ekipit të të rriturve bardheblu, ishte koha kur trajneri Alla sapo kishte nisur të ndërtonte atë ekip që do të bënte epokë në vitet ‘60-të. Dhe shumë shpejt do të mbërrijnë sukseset. Më 29 nëntor 1959, 17 Nëntori fiton Kupën e 15 vjetorit të çlirimit, por fill pas kësaj arritjeje, të gjithë futbollistët e rinj që kishim shkëlqyer në atë aktivitet i thirrën ushtarë. Kështu ndodhi me Panon, Bytyçin, Bukovikun e Osman Memën që kaluan te Partizani, ndërsa Halili e Caslli shkuan te Dinamo.
Largimi nga Dinamo, pasoja me një vit pezullim
Nga dhjetori 1959 e deri në dhjetor 1961, Skënderi kontribuoi për Dinamon, me të cilën u shpall kampion dhe fitues i Kupës. Pas përfundimit të ushtrisë, ai kërkon të kthehet, por has në kundërshtimin e drejtuesve të Dinamos, të cilët donin ta mbanin përgjithmonë. Ai nuk pranon e përfundimisht kthehet te 17 Nëntori, ndërsa drejtuesit e Dinamos ankohen në FSHF, e cila çuditërisht e dënon me një vit mosaktivizim. Gjithsesi, ai stërvitet intensivisht me ekipin e zemrës.
Është momenti kur mbërrin formën më të shkëlqyer si futbollist, falë së cilës bëhet pjesëtar i padiskutueshëm i ekipit kombëtar, që në qershor 1963 merr pjesë për herë të parë në Kupën e Evropës midis Kombeve, në dy ndeshje ndaj Danimarkës 0-4 dhe 1-0. Ndërkohë, me 17 Nëntorin spikat në ndeshjet e Kupës Ballkanike, dhe në sezonin 1964-1965 shpallet kampion i Shqipërisë, titulli i 7-të i bardhebluve, teksa Shqipëria ka nisur ndeshjet në grup për eliminatoret e Botërorit Angli 1966, ku garon me Zvicrën, Holandën dhe Irlandën e Veriut. Në Kupën e Kampioneve, 17 Nëntori eliminohet nga Kilmarnok i Skocisë, 0-0 dhe 0-1, ndërsa në sezonin 1965-1966, bardheblutë shpallen sërish kampion, pas një finaleje dramatike me Partizanin (2-1), duke qenë se e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta.
Arrestimi dhe burgosja për dy orë dore
Ishte fundgushti 1966. Në kuadër të përgatitjeve për pjesëmarrje në Kupën e Kampioneve, ku bardheblutë shorti i kishte vënë përballë një ekip relativisht të lehtë, kampionen e Norvegjisë “Oslo 04”, ishin grumbulluar në hotel “Durrësi”. Natën vonë, teksa flinin futbollistët, dëgjojnë zhurmë hapash dhe zëra, dhe kur dalin në ballkon shohin Skënder Halilin që e fusin në një “Gaz-69”. Të nesërmen mësojnë se shokun e tyre të skuadrës e kishin arrestuar.
Pas kësaj, nga autoritetet vendase, 17 Nëntori nuk u la të udhëtonte për në Norvegji, çka ju kushtoi dy vite pezullim nga UEFA. Ndodhi kështu, sepse dikush në tregun e zi ishte kapur duke shitur dy orë dore. Ai kishte dhënë emrin e Skënder Halilit, të cilit gjatë kontrollit në shtëpi i gjetën edhe 57 dollarë. Këto përbënë bazën e akuzës, pas së cilës e dënuan me 11 muaj burg (!), kur gjasat më të shumta ishin vetëm për 6 muaj kondicionel (me kusht).
Pas kësaj, Skënderi kryen dënim në galeritë e kromit në Bulqizë, ku shëndeti i merr goditjen e parë. Kur u lirua, kishte shumë dëshirë të kthehej sërish në fushë, sepse ishte ende i ri, 27 vjeç. Por, me gjithë dëshirën e drejtuesve, te 17 Nëntori ishte e pamundur. Klubi Flamurtari u përpoq, por nuk ia doli, ndërsa Besëlidhja e Lezhës këmbënguli më shumë. E afroi dhe e trajtoi, madje me fanellën e skuadrës lezhjane arriti të zhvillojë një ndeshje miqësore stërvitore ndaj ekipit kombëtar (0-0), e cila përgatitej për eliminatoret Euro 1968. Dhe vetëm kaq.
Kalvari i jetës së vështirë, pjesë e paradokseve të kohës
Pas kësaj kthehet në Tiranë, ku punon në NRSH “17 Nëntori”, dhe në fushat e futbollit shfaqej vetën në kampionatin lokal të ndërmarrjeve, ku vetëm për të parë atë numri i shikuesve ishte tejet i madh. Nën kujdesin e klubit “17 Nëntori”, Skënder Halili kreu një kurs për trajner dhe pas kësaj u mor me përgatitjen e futbollistëve të grupmoshave.
Nga duart e tij dolën emrat e njohur, si Astrit Ramadani, Krenar Alimehmeti, Florian Riza, Ilir Daja, Fation Kepi, Fatos Daja etj. Kjo gjë i dha shumë kënaqësi, por sëmundja e rëndë e mposhti. Më 13 dhjetor 1982, vetëm 42 vjeç, Skënder Halili u nda nga jeta. Dhimbjen për humbjen e tij e ndjeu opinioni sportiv i gjithë vendit, ndaj atë ditë të largët dhjetori, kortezhi i përmortshëm që e përcolli për në banesën e fundit, dukej i pambarimtë. Por, është për të ardhur keq, që përpara atij varri nuk u mbajt e nuk u tha asnjë fjalë. Edhe ky fakt bënte pjesë në paradokset e asaj kohe të mbrapshtë.
Ai ishte njerëzor në gjithçka bënte dhe të gjitha këto cilësi të patjetërsueshme janë të murosura në portretin emblematik të Skënder Halilit, legjendarit të ekipit bardheblu dhe të kombëtares, figura e të cilit, teksa vitet kalojnë, merr gjithnjë e më tepër përmasa gati mitike
Skeda
Skënder Halili
Datëlindja: 20 gusht 1940/ Vendlindja: Tiranë.
Roli: Qendërmbrojtës.
Ekipet ku është aktivizuar: Të rinjtë e Tiranës 1954-1957; Puna e Tiranës 1957-1959; Dinamo 1960-1962; 17 Nëntori 1963-1966.
Me kombëtaren: Luajtur në 9 ndeshje.
Tituj e trofe: Kampion me të rinjtë e Tiranës 1956, 1957; me Dinamon 1960; me 17 Nëntorin 1964-1965, 1965-1966. Kupa e Shqipërisë: Dinamon 1960; Kupa “50 vjetori i Pavarësisë” me Dinamon 1962.
Karriera si trajner: Me grupmoshat e 17 Nëntorit.
Tituj: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Simbol i qytetit të Tiranës”, “Nderi i sportit shqiptar”, “Mjeshtër i Madh”, “Kalores i Urdherit te Skenderbeut”
U nda nga jeta: 13 dhjetor 1982
Përjetësimi: Nga viti 2000, qendra stërvitore e FK Tirana mban emrin “Skënder Halili”