Ilir Çaushllari, beratasi i Champions League dhe UEFA Cup

Mesfushori me tipare sulmuese ka luajtur në Shqipëri, Slloveni dhe 9 skuadra në Belgjikë


Nga Agron Kaja, gazetar sportiv

Atë ditë kam qenë prezent në seancën stërvitore të skuadrës së Tomorit, ku mes Kovaçit, Miles, vëllezërve Kokalari, vëllezërve Arbri, Dumes, Gegës, Vodës e Rehovicës, një djalë i ri shtatshkurtër hyri si i ndrojtur në mesin e tyre. Shumëkush që ishte atë ditë në stadium, ndoshta është treguar skeptik për atë çka kishte afruar në skuadër trajneri Guxim Mukli, e midis tyre edhe unë në rolin e gazetarit sportiv. Por kjo nuk zgjati shumë, sepse në shënimet e mia hyri zëvendëstrajneri Andrea Xheblati, i cili me qetësinë e tij më afroi nga vetja e më tha: “…Mos dëgjo ata në shkallët e stadiumit, ky është një e ardhme e futbollit beratas…”. Dhe fjala ishte për mesfushorin-sulmues Ilir Çaushllari, i cili në gjashtë sezone në futbollin elitar shqiptar: 5 me fanelën e Tomorit dhe 1 me Albpetrolin, tregoi vlera me teknikën e tij e virtuozitetin në lojë. Ai së bashku me Kliton Bozgon, Arian Zëren, Madrid Muzhajn, Arben Milen, Nurjan Kananin, Spartak Muçën, Florian Rushitin, Dhimtraq Trifkën etj, sollën freskinë te skuadra beratase, e cila pas vitit 1992 pësoi shumë rrjedhje nga radhët e saj. Një karrierë e shkurtër, por e bukur për Ilirin me Tomorin, e cila 25 vite më pas vjen për Tifozët.al me gjithçka që ky talent i dha futbollit beratas. Sepse më pas karriera e tij vazhdoi në Kroaci e Slloveni, për tu ndalur në Belgjikë deri në vitin 2011. Madje Iliri tregon se ka luajtur edhe ndeshje në Ligën e Kampioneve dhe në Kupën UEFA.

-Ilir Çaushllari la pak shenjë në elitën e futbollit shqiptar, ju ndjeheni i plotësuar për sa luajtët në Shqipëri?

Mendoj se në gjashtë sezone që luajta në elitën e futbollit shqiptar, kam dhënë më të mirën e mundësive të mia. Nisa karrierën në elitë me Tomorin dhe them se kam kujtime me ndeshje shumë të bukura, me gola të veçantë, por edhe me ballafaqime të vështira. E shkurtër në kohë, por një karrierë e bukur me ndeshje të paharruara. Edhe një sezon te Albpetroli kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës në Shqipëri.

-Nëse zhvendosemi në kujtesë 32 vite më parë, çfarë do të sillni në vëmendjen tuaj për atë start?

Natyrisht që kjo hapësirë kohe ka sjellë shumë momente në karrierën time si futbollist, por që 32 vite më parë kujtoj debutimin tim te skuadra e Tomorit, e cila atëhere luante me sukses në Kategorinë e Parë. Si çdo fillim, edhe ai ishte i veçantë për mua, jo vetëm se nisa karrierën në elitë, por se pata fatin të sfidoj emra si Kovaçi, Mile, vëllezërit Kokalari e vëllezërit Arbri, Dumen, Gegën e  Vodën, ndërsa në portën e Tomorit ishte Erjon Rehovica.

-Si erdhi ky afrim për ju te skuadra e të rriturve të Tomorit?

Mbaj mend se pas një ndeshje kontrrolli që zhvillohej mes të rriturive me të rinjtë e Tomorit në vitin 1989, trajneri Guxim Mukli më thirri në fundin e saj dhe më komunikoi se do isha pjesë e të rriturve. Unë ndjeva emocion, pasi në skuadër luanin ende emrat e mëdhenj që i përmenda më sipër, por edhe për faktin se erdhi në një moment të papritur për mua, pasi atëhere nuk i kisha mbushur 16 vjeç.

-Pas një viti trajneri Mukli ju besoi si titullar në skuadër, cila ishte ndeshja premierë për ju me fanelën e Tomorit?

Mbaj mend në sezonin 1989-1990 kisha hyrë dy-tre herë si zëvendësues, por në fazën e dytë kur Tomori luajti me Apoloninë në Fier, unë isha në lojë si titullar. Kundërshtar kisha Dashnor Poçin, atëhere mesfushori më i mirë në Shqipëri dhe atë takim Tomori e humbi 1-2. Por në fund, Poçi më dha dorën dhe më inkurajoi për lojën që unë zhvillova në atë ndeshje.

-Çfarë kujtoni si më të veçantat e kësaj karrierë të shkurtër në futbollin shqiptar?

Kryesisht me Tomorin unë kujtoj shumë ndeshje, kujtoj shumë ngjarje, e në veçanti kujtoj daljen në Kategorinë e Parë në sezonin 1993-1994, pasi drejtimin e skuadrës e kishte marrë trajneri Kiço Mile. Edhe pse e shkurtër në kohë, karriera në Berat për mua ka mbetur e pashlyeshme në kujtesë. Por mbi të gjitha, gjatë kësaj karriere më ka mbetur në kujtesë tifozeria, sepse Tomori ka shumë tifozë, ka shumë nga ata që nuk e kuptojnë jetën pa futbollin e skuadrës. Janë  “Lojtari i 12-të” i vërtetë. Nostalgji!

-Tomori dhe Albpetroli tashmë janë histori e karrierës suaj, si erdhi largimi juaj nga Shqipëria?

Largimi im erdhi natyrshëm, por edhe me pak vonesë, sepse kisha menduar që të largohesha edhe më parë nga Shqipëria. Por atëhere sapo ishte ndërruar sistemi dhe ishin disa burokraci që frenonin. Ishte kryerja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por edhe konsolidimi im në elitën e futbollit shqiptar me Tomorin.

-Pas largimit nga Shqipëria, si e keni ndjekur futbollin shqiptar, në veçanti  Tomorin e Albpetrolin?

Unë në Berat kam një pjesë të njerëzve të afërt dhe kjo është arsyeja që gjendem shpesh aty. Por në çdo moment, kudo ku kam luajtur, unë me krenari kam deklaruar se vij nga skuadra e Tomorit. Madje kur doli nënkampion në sezonin 1999-2000, krenaria ime ishte më e madhe, ndoshta ndjeva edhe kontributim tim në atë arritje.

-Futbolli kroat, slloven dhe ai belg u bënë “streha” e karrierës suaj, i  kishit menduar këto lëvizje?

Mua më ka ndihmuar shumë miku im, ish-koleg te Tomori, Kliton Bozgo. Ndoshta nuk e kisha menduar që do të luaja në tre shtete në Europë, por mendoj se kam bërë më të mirën gjatë gjithë karrierës në skuadrat ku pata fatin të luaj. Fillimi ishte shumë i vështirë për mua, sepse ishte e para herë që luaja jashtë Shqipërisë, por gradualisht u ambientova dhe kalimi te Genk në Belgjikë ishte arritja më e madhe.

-Në sa skuadra keni veshur fanelën e tyre gjatë karrierës në Europë?

Janë disa, sepse unë luajta futboll deri në moshën 37 vjeçare. Nga viti 1995 e deri në vitin 2011, karriera ime vazhdoi në Kroaci e Slloveni për katër sezone, për tu përqendruar deri në fund në Belgjikë, ku pata mundësinë të luaja edhe ndeshje në UEFA Europa Ligë. Unë kam qenë lojtar vetëm i Genk, edhe kur kam luajtur si i huazuar në skuadrat e tjera.

-Si e kujtoni këtë eksperiencë në Europë, dhe a u ndeshët me ndonjë skuadër shqiptare?

Për mua mbeten ndeshje të bukura të karrierës sime, por që në Europë nuk pata rastin të luaj kundër ndonjë skuadre të futbollit shqiptar. Fillimisht me Tomorin në vitin 1991 kam luajtur dy ndeshje në Kupën Ballkanike kundër Otelul Galati të Rumanisë, ku isha lojtari me moshën më të re në të dyja ekipet. Me Rudarin luajta katër ndeshje në Kupën UEFA, ndërsa me Genk luajta katër ndeshje në Ligën e Kampioneve. Këtu kujtoj përballjen me Mariborin ku luante shoku dhe miku im Kliton Bozgo.

-Kthehemi tek Tomori i cili ka rreth 20 sezone që endet në kategori inferiore të futbollit shqiptar, si troket për ju kjo situatë?

Natyrisht që nuk ndjehem mirë për historinë që ka Tomori, por edhe si një ish që luajta vetëm në elitë me këtë fanelë. Gjendja sot në kategori inferiore nuk e justifikon aspak emrin që ka Tomori në futbollin shqiptar. Gjithmonë kam shpresuar se do të ketë ende beratas si Bexhet Aliaj e Adrian Çobo, që ti sjellin Tomorit përfaqësim dinjitoz në elitën e futbollit shqiptar.


PASAPORTA SPORTIVE E ILIR ÇAUSHLLARI
Datëlindja: 5 tetor 1974/ Vendlindja: Berat
Vendbanimi: Geel,  Belgjikë
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Mesfushor-sulmues
Numri i Këmbës: 39/ Shtatlartësia: 171 cm
Hyrja në elitën e futbollit shqiptar: Sezoni 1989-1990 me Tomorin
Ndeshja e parë me fanelën e Tomorit: Sezoni 1989-1990, Apolonia-Tomori 2-1
Ndeshja e fundit me fanelën e Tomorit: Sezoni 1994-1995, Tomori-Vllaznia 2-0
Skuadra në futbollin shqiptar: Sezonet 1989-1992 Tomori; Sezoni 1992-1993 Albpetroli; Sezonet 1993-1995 Tomori.
Skuadra në Europë: Në sezonet 1995-1997 me Korotan, Slloveni; në sezonet 1997-1999 me Rudar Velenjë, Slloveni; në sezonet 1999-2001 me RKC Genk, Belgjikë; në sezonin 2001-2002 Ingelmunster Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonin 2002-2003 KFC Verbroedering Geel, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonin  2003-2004 Heusden-Zolder, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonin 2004-2005 Dessel Sport, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonet 2005-2007 KVK Tirlemont, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonin 2006-2007 Hoogstraten VV, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonet 2007-2009 Sint-Lenaarts, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonin 2009-2010 Vlimmeren Sport, Belgjikë (huazuar nga Genk); në sezonin  2010-2011 Turn Hout, Belgjikë (huazuar nga Genk).
Tituj e trofe të fituara: Me Genk Superkupën e Belgjikës, viti 2000; Me Heuzden Zolder kampion në 1B Pro Ligë, viti 2003; Me KVK Tirlemont kampion në National Division 1, viti 2006.
Ndeshje ndërkombëtare 10: Me Tomorin 2 ndeshje në Kupën Ballkanike; Me Genk 4 ndeshje në Ligën e Kampionëve; Me Rudar 4 ndeshje në UEFA Europa Ligë.
Ndeshje me kombëtaret: Luajtur 11 ndeshje me U15, U17 dhe U19 të Shqipërisë.
Aktualisht: Biznes privat në Geel, Belgjikë.

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…