Albi Doka: S’duhet t’i trembemi Polonisë
Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për sfidën që do të zhvillojë ndaj Polonisë më 2 shtator
Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për sfidën që do të zhvillojë ndaj Polonisë më 2 shtator, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2022, ndërsa ditën e hënë është kompletuar i gjithë grupi i lojtarëve.
Këtë të martë, në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët e ekipit, Myrto Uzuni dhe Albi Doka, të cilët kanë folur për sfidën që i pret ditën e enjte.
Albi Doka theksoi se fokusi kryesor i skuadrës është sfida e parë ndaj Polonisë, ndërsa u shpreh se shpreson te një përsëritje e suksesit që arriti Kombëtarja në vitin 2016, duke pasur parasysh grupin e mirë që ka.
Sfidat e shtatorit – Kemi tre ndeshje, por duhet të fokusohemi te ndeshja me Poloninë, sepse nëse ia dalim në këtë ndeshje, dy të tjerat i kemi në shtëpi dhe do kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Besoj se do marrim një rezultat të mirë.
Sukses me grupin e krijuar? – Mendoj se po, pasi kemi kohë si grup dhe jemi grumbulluar edhe më parë. Besoj që po, mund t’ia dalim me grupin që kemi krijuar.
Polakët, pengesa më e madhe? – Po, Polonia është ekipi më i fortë që kemi, por ne nuk duhet t’i trembemi me këtë grup lojtarësh që kemi. Jam me fat që stërvitem me këta lojtarë.
Përsëritje e arritjes së Kombëtares në 2016? – Normale që e mendojmë me njëri-tjetrin dhe e bisedojmë. Duhet ta ëndërrojmë atë gjë sepse prandaj jemi këtu, për të arritur atë qëllim.
A ndikon pauza verore te gjendja e lojtarëve? – Jo, jemi më të karikuar sepse kemi ardhur vetëm për një motiv dhe motivi është që të marrim rezultate sa më të mira.