Arben Kokalari, “truri” i mesfushës së Tomorit
Së bashku me vëllain e tij më të madh, Robertin, formuan një “duet” që historia e futbollit beratas i kujton me nostalgji.
Nga Agron Kaja, gazetar sportiv
Në historinë e futbollit beratas, Arben Kokalari mbetet një nga mesfushorët më të spikatur të Tomorit në periudhën 1979-1991. Pjesë e Dinastisë “Kokalari”, Beni e shkruajti historinë e karrierës së tij me ndeshje të bukura, pse jo edhe me episode të veçanta. Në deklarimin e tij për Tifozët.al, ai tregon se pas largimit nga futbolli i luajtur, ndjehet i keqardhur për nivelin e futbollit shqiptar në tërësi. Ndërkohë që për situatën në skuadrën e Tomorit, Kokalari i “vogël” është edhe më kritik. “Skuadra sot është në një situatë, e cila për të gjithë ne futbollistët që në vite kemi veshur fanelën e Tomorit, na duket më mirë që të mos flasim fare. Tomori nuk është aty ku duhet…!!! Me skuadra Bashkie, futbolli shqiptar vetëm hapa prapa po bën”, kështu theksoi mes të tjerave Arben Kokalari në këtë bisedë, në të cilën zbuloi se, vëllain e tij më të madh, Robertin, e kishte gjithmonë frymëzim në lojë kur ata së bashku veshën fanelën e Tomorit.
-Arben Kokalari kapet “mat” nga Tifozët.al, pikërisht në Turqi. Cili ishte qëllimi i vizitës suaj, sportiv apo privat?
Pas lënies së futbollit unë kam nisur një biznes privat që përqendrohet në Shqipëri, në Rumani dhe në Turqi. Është një biznes që e ndihmon komunitetin e biznesit në këto shtete, një punë që më jep gjithçka: Kënaqësinë, financat, por edhe njohje e bashkëpunime të reja, të cilat janë të nevojshme në përditshmëritë e sotme.
-Nuk shfaqeni shpesh në media, e quani bezdi, apo pjesë natyrës suaj?
Që të jesh i pranishëm në median sportive, duhet të jesh i lirë në kuptimin e angazhimeve personale e familjare. Unë këtu kam rreth dy dekada që koha për median, pse jo edhe për të parë futbollin e luajtur, më ka munguar plotësisht. Unë shoh jetën time, familjen time, dhe përderi sa media këtu në Shqipëri duket si material i thyer, një media me pikatore, nuk kam pse ti afrohem.
-Si ish-futbollist i Tomorit, si ndjeheni sot kur skuadra luan në kategori inferiore?
Natyrisht që nuk ndjehem mirë, sepse po luan në Kategori të Parë dhe në të Dytën, ndryshe nga sa flet historia e kësaj skuadre. Në një farë mënyre, edhe e pranoj se ky është realiteti, por kur me këto luhatje nuk ka arritur asgjë, kjo tregon se nuk është në gjendje të mirë. Madje në disa sezone ka paraqitur edhe situata jo normale për historinë e Tomorit në këto 98 vite që nga krijimi i tij.
-E kujtoni hyrjen tuaj në elitën e futbollit shqiptar me Tomorin?
Unë kam nisur të luaj futboll me të rriturit e Tomorit (viti 1979) kur ende nuk kisha mbushur 16 vjeç, pikërisht në një ndeshje të Kupës së Republikës, Tomori-Lokomotiva 1-1. Për mua ishte një vlerësim i madh që më besuan aq shpejt të luaja në ekip së bashku me Matrapazin, Milen e Kovaçin, dhe duke patur në skuadër edhe vëllain tim më të madh (Bertin), përgjegjësia ime në fushë ishte maksimale.
-Po ndeshjen e fundit me fanelën e Tomorit si e sjell në kujtesë?
Jam shkëputur nga Tomori me keqardhje në vitin 1991, dhe si ndeshje të fundit me këtë fanelë kujtoj me shumë nostalgji e respekt barazimin 0-0 në Lushnje, në fundin e kampionatit në muajin maj. Dhe nga ai vit e deri më sot, Tomorin e kam ndjekur shumë rrallë dhe nuk ndjehem i lumtur për ecurinë e tij në këtë periudhë.
-Në karrierën tuaj, më shumë ishit të orientuar si mesfushor-sulmues, apo mesfushor-mbrojtës?
Mua më tërhiqte shumë organizimi. Se vinte ky organizim nga mbrojtja, apo topi kthehej nga sulmi, kjo pak rëndësi kishte gjatë lojës. Unë kërkoja shumë që skuadra të orientohej drejt portës kundërshtare dhe të arrihej qëllimi final, shënimi i golit. Ndërkohë që kujtoj se në atë periudhë bashkëpunimi me Matrapazin e Milen ishin bukuria e lojës sonë.
-Për më shumë se 12 vite keni luajtur te Tomori së bashku më vëllain tuaj Robertin, kishit lirshmëri në bashkëpunimin tuaj gjatë lojës?
Unë e kisha frymëzim Bertin gjatë gjithë karrierës sime me Tomorin. Ai për mua ka qenë si një trajner në fushë, sepse edhe natyra e tij në lojë ishte e një menaxhuesi korrekt i të gjitha reparteve, edhe pse luante si qendërmbrojtës. Unë e them me krenari se Berti bashkëpunonte perfekt me të gjithë lojtarët në fushë.
-Sa ju “shqetësonte” biografia gjatë karrierës suaj në futbollin shqiptar?
Ashtu ishte ajo kohë dhe unë sot nuk dua të përkëdhelem e të shaj sistemin. Ne bëmë punën tonë në atë sistem që biografinë nuk na e pranonte, por futbollin që bëmë unë dhe Berti e dëshironte, pa asnjë shpërblim. Që në këtë rast nënkuptohen angazhimin tonë në skuadrat kombëtare të Shqipërisë.
-Vetëm dy sezone luajtët në Rumani me Otelul, pse kaq karrierë e shkurtër në Europë?
Unë i falenderoj drejtuesit e skuadrës rumune Otelul Galati që më besuan në dy sezone fanelën e ekipit të tyre. Më pas, duke parë se mosha po kalonte dhe gjithçka në atë periudhë (1993) drejtohej nga ekonomia e tregut, largimi im nga futbolli erdhi si detyrim i kësaj situate.
-Cila përvojë ka qenë më e suksesshmë në karrierën tuaj: Me Tomorin apo me Otelulin në Rumani?
Mendoj se me të dyja këto skuadra unë kam dalë i suksesshëm. Nëse te Tomori hodha bazat dhe u konsolidova si futbollist, në Rumani u njoha me një përvojë që në atë periudhë pak futbollistë shqiptarë patën mundësi ta preknin. Do kujtoj se unë luajta në Rumani edhe kundër Sulejman Demollarit e Perlat Mustës, për të mos përmendur shumë shqiptarë të tjerë që luajtën atëhere në futbollin rumun.
-Në eksperiencën me Tomorin, veçoni ndonjë ndeshje që ju ka mbetur ende në kujtesë?
Në 12 sezone me Tomorin mund të jenë 120 ndeshje të mira, por edhe 12 ndeshje jo fort të mira. Ti përmendësh ato, unë e kuptoj si respekt i kohës së artë, ndaj po them se nuk mund të veçoj asnjë ndeshje. Të gjitha ishin të bukura, madje edhe ato kur sportivisht nuk kanë realizuar synimet tona.
-Si e krahasoni periudhën kur ju ishit në përbërje të Tomorit, me gjendjen e skuadrës sot?
Kam kaluar rreth 20 vite me futbollin në Berat, nisur nga moshat e vogla e deri tek të rritur, por këtë situatë ku ndodhet Tomori sot as nuk e kisha provuar, por edhe nuk e kisha menduar në atë periudhë. Mua më duket një situatë, e cila për të gjithë ne futbollistët që në vite kemi veshur fanelën e Tomorit, na duket më mirë që të mos flasim fare. Tomori nuk është aty ku duhet…!!!
-Çfarë do sugjeronit në përmirësimin e kësaj situate te skuadra e Tomorit?
Ka disa momente për këtë situatë, dhe unë do të veçoja sponsorët jo solidë në financa e në integritet, infrastrukturën jo në standardet e nevojshme, por edhe stafet teknike e drejtuese që nuk e menaxhojnë skuadrën në situatat e ekonomisë së tregut. Me skuadra Bashkie, futbolli shqiptar vetëm hapa prapa po bën. Sepse në çdo fushë duhen vendosur njerëzit e duhur, duhen akademi nga të gjitha anët. Fëmijët duhet ta gjejnë veten aty, sikundër brezi im nisej drejt rrugëtimit në fushën e lojës nga sheshet e lagjeve e të shkollave.
PASAPORTA SPORTIVE E ARBEN KOKALARI
Datëlindja: 9 korrik 1963
Vendlindja: Berat/ Vendbanimi: Tiranë
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Roli në fushën e lojës: Mesfushor organizator
Numri këmbës: 40/ Shtatlartësia: 175 cm
Hyrja në futbollin elitar: Në vitin 1979
Ndeshja e parë në karrierën me Tomorin: Viti 1979, Tomori-Lokomotiva 1-1 Kupa e Shqipërisë
Ndeshja e fundit në karrierën me Tomorin: Viti 1991, Lushnja-Tomori 0-0, Kategoria e Parë
Ndeshja e fundit e karrierës: Viti 1993, Otelul-Steaua Bukuresht 1-1, në Kampionatin rumun
Skuadrat ku ka luajtur: Me Tomorin 1979-1991 (332 ndeshje); me Otelul Galati në Rumani 1991-1993 (63 ndeshje)=395 ndeshje.
Ndeshje ndërkombëtare 6: Me Tomorin 2 ndeshje; Me Otelulin 4 ndeshje.
Në total: Luajtur 401 ndeshje në karrierë.
Me Kombëtaret: Stërvitur me U19 e U21, i larguar…!!!
Pas largimit nga futbolli luajtur: Biznes privat në Tiranë.