Procesi i licencimit të klubeve, Shulku takim me drejtuesit për kriteret
Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur takimet dypalëshe me të gjitha klubet aplikante që synojnë të pajisen me licencë
Në kuadër të procesit të licencimit të klubeve shqiptare, duke u mbështetur edhe në kërkesat e UEFA-s, Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka nisur sot takimet dypalëshe me të gjitha klubet aplikante që synojnë të pajisen me licencë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s për edicionin e ardhshëm 2023-2024.
Sekretari i Përgjitshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, së bashku me përfaqësuesit e Departamentit të Licencimit kanë zhvilluar takimet e para me drejtuesit e klubeve të Tiranës dhe Partizanit, ku është diskutuar në lidhje me kriteret që duhet të përmbushin klubet dhe problematikat me të cilat duhet punuar për të përmbushur të gjitha kushtet.
Për herë të parë klubet aplikante për licencë mund t’a dorëzojnë dokumentacionin e tyre jo vetëm fizikisht në Departamentin e Licencimit në FSHF, por edhe online. Klubet duhet të përmbushin gjashtë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces, që janë kriteri sportiv, kriteri i infrastrukturës, kriterin e ri të përgjegjësisë sociale, kriterin ligjor, kriterin e administratës dhe personelit dhe për kriterin financiar. Për pesë kriteret e para, afati i brendshëm për dorëzimin e dokumentacioneve si online ashtu edhe fizikisht, është lënë data 31 janar 2023, ndërsa afati përfundimtar është data 28 shkurt 2023. Kurse për pjesën e kriterit financiar afati përfundimtar është 31 mars 2023 sipas ligjeve të shtetit shqiptar.
Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve ka organizuar edhe disa workshop-e me të gjitha klubet përgjatë këtyre javëve, ku i është bërë e qartë mënyra dhe procedura se si duhet të plotësohet dokumentacioni për të përfituar në përfundim të procesit licencën për sezonin 2023-2024. Takime dypalëshe me klubet do të vijojnë edhe në ditët në vijim edhe me përfaqësuesit e klubeve të tjera që kërkojnë një licencë për të qenë pjesë e kompeticioneve në vend dhe Europë.
Procesi i licencimit të klubeve është një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kampionateve elitare, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku luhet futboll në botë. /FSHF