Kolela: Vllaznia do të japë 300% ndaj Partizanit
Trajneri i kuq: Më ka ndodhur të fitoj një kampionat pa marrë para për gjashtë muaj
Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, është shfaqur sot para mediave duke komentuar gjendjen e skuadrës para sfidës ndaj Vllaznisë me të cilën të kuqtë i kthen aktivitetit futbollistik në vitin 2023. Tekniku italian bëri të qartë se nuk i beson shumë problemeve me të cilat kanë filluar vitin skuadrat e tjera rivale.
“Si e nisa vitin si kryesues? Isha i lumtur, i qetë. E rëndësishmja është të punojmë mirë.
Çdo ndeshje vlen tri pikë, e qartë që ndeshja e parë pas ndalesës ka rëndësi se të rinisesh mirë është diçka e rëndësishme. Vlen gjithmonë tre pikë, por ka pak më shumë vlerë.
Vllaznia është një kundërshtar që e respektojmë, është shumë e fortë. Por siç e dini më mirë se unë, çdo kundërshtar që vjen të luajë ndaj Partizanit jep 300%. Ajo që duhet të mësojë të bëjë skuadra është të presë një kundërshtar në maksimum ndaj nesh.
Fusha jonë është shtëpia jonë, stërvitemi këtu e luajmë. Është e qartë që e konsiderojmë një avantazh që luajmë këtu.
Probleme fizike? Them se jemi në formë të mirë, nuk është se kemi probleme në veçanti përveç atyre të zakonshmeve.
Telashet e skuadrave si Vllaznia e Tirana me merkaton dhe financat? Janë gjëra që nuk më interesojnë absolutisht. Unë mendoj për skuadrën time dhe të bëjnë maksimumin. Pastaj që të tjerët të jenë të kuq, blu, të verdhë, të gjelbër, të kenë para apo jo, janë probleme të tyre. Preferoj të mos komentoj të tjerët, komentoj skuadrën time, jo atë që ndodh te të tjerët. Mua më ka ndodhur të fitoj një kampionat pa marrë para për 6 muaj.
Matondo e Da Silva të gatshëm? Jo, as në stol”, u shpreh ndër të tjera trajneri i Partizanit para mediave.