Silvinjo: Pse vendosa të jetoj në Tiranë
Silvinjo ka dhënë një intervistë për “Top Channel”ku tregon gjithçka për aventurën e tij të re
Silvinjo u emërua trajneri i ri i Kombëtares shqiptare teksa vjen pas dy eksperiencave që ka pasur më parë me Olimpik Lionin në Francë dhe Korinthiasin në Brazil. Në 54 ndeshje të zhvilluara, ai ka fituar 19, ka barazuar 18 dhe ka humbur 17. Në këto, skuadrat e tij kanë shënuar 59 gola dhe kanë pësuar 50. Gjithashtu ja vlen të përmendësh që posedimi i topit shkon mesatarisht në 55%.
Silvinjo ka dhënë një intervistë për “Top Channel” teksa tregon gjithçka për aventurën e tij të re.
AKIMI I PARË- Është një grup njerëzish e menaxherësh në botën e futbollit që kanë njohjet e tyre edhe këtu, më morën në telefon më thanë presidenti i federatës shqiptare të futbollit dëshiron të të takoj për një drekë në Milano.
Unë jetoj në Porto në Portugali, mora avionin shkova atje. Dreka shkoi shumë mirë presidenti më tha projektet e federatës për kombëtaren dhe unë të mijat. Më pas u ktheva në Portugali dhe pas rreth 10 ditësh më mori menaxheri e më tha Silvio, presidenti ju zgjodhi juve, bëhu gati të të fillojmë të punojmë me federatën shqiptare të futbollit.
NJOHJA E SHQIPËRISË- Në vitin 2014 kam njohur Rei Manajn tek Interi, Mançini e donte shumë dhe mua më pëlqente, ishte një lojtarë mjaft interesant. Sigurisht që më pas u interesova më tepër lexova për këtë vend për Tiranën , nga aty vendosa të jetoj këtu. Sigurisht që kam një punë monitorimi dhe do të udhëtoj për të parë lojtarët, por puna fillon nga këtu. Kombëtarja është ndryshe, ti përfaqëson një vend, prandaj duhet ta jetosh këtë gjë, unë kam patur edhe një eksperiencë me kombëtaren braziliane dhe e kam kuptuar që të përfaqësosh një komb duhet ta kuptosh atë.
LEGJIONARËT- Kështu ndodh edhe me brazilianët, argjentinasit, lojtarët luajnë kudo në për botë dhe duke luajtur në vende të ndryshme mësojnë shumë. Kur shkova tek Arsenali si lojtari i parë brazilian që luante me atë skuadër, brenda 6 muajëve mësova shumë. Si të mbroja, si të bëja këtë apo atë, në këtë formë rritesh nga ana profesionale dhe nga këndvështrimi im kaq shumë lojtarë jashtë është një avantazh.
SKËMA- Futbolli është përmirësuar, ka ndryshuar taktika, kanë ndryshuar rregullat, kanë ndryshuar shumë gjëra, por është diçka që i ka rezistuar viteve në futboll, zemra dhe shpirti, kjo na duhet. Ky është një sport kompleks, por njerëzit futen në fushë dhe njerëzit vijnë për të parë të japësh shpirtin. Ne përfaqësojmë një komb, ne përfaqësojmë njerëz. Lojtarët duhet ta kuptojnë shumë shpejt që në fushë nuk tallet dot askush, aty duhet të japësh gjithçka.
PËRGËZIMET- Mund të them që kam biseduar me dy trajner, që i vlerësoj shumë, më shkroi Tite kur firmosa kontratën dhe fola me të, gjithashtu më shkroi edhe Roberto Mançini, me të cilin kam punuar tek Interi. Një trajner shumë i mirë më uroi e më tha “Të shkoftë mbarë Silvio ec përpara…” dhe shkëmbeva disa mesazhe me ta.
EKSPERIENCAT TE KORINTHIAS DHE LION – Kanë qenë dy situata të ndryshme, tek Lioni pata shumë pak kohë, 11 ndeshje më duket, dy muaj. Tek Korinthias bëmë të gjithë sezonin u renditëm në vendin e pestë edhe pse klubi në ato momente kishte shumë vështirësi. Unë jam një trajner që kam marrë licencën në Itali, kam pasur mundësi të luaj në Spanjë, tek Barcelona, Selta Vigo, po ashtu tek Arsenali dhe Mançester Siti. Dhe kur më pyesin ti je një trajner brazilian, italian apo europian, i them thjeshtë, unë jam trajner ndërkombëtar.
ZGJEDHJET TAKTIKE- Këtu është e gjithë federata, presidenti, stafi shumë i mirë, por në fund të fundit janë lojtarët protagonistët që bëjnë luftën, që luftojnë. Nga nesër do të fillojmë t’i shohim me kujdes të gjitha ndeshjet që janë zhvilluara për të kuptuar më mirë, pasi puna ka filluar, më pas skema taktike nuk është gjëja më e rëndësishme.
Gjëja më e rëndësishme është që lojtarët të fiksojnë në kokën e tyre se këtu punohet dhe duhet seriozitet. Ne duam të bëjmë diçka të rëndësishme, të shohim objektivin dhe të kualifikohemi për Euro2024.
JETA PRIVATE- Vajzën e kam në Madrid është në vitin e tretë në fakultet, ndërsa djali është 17 vjeç, tani mbaron shkollën dhe duhet të shkojë në Universitet. Ai luan edhe futboll është mesfushorë dhe më i mirë se babai i tij, por ka më pak zemër dhe guxim në fushë se sa babai i tij. Kur luaja në Brazil i vogël 12-13 vjeç e dilja nga fusha i thoja babait tim, e pe sa bukur e bëra këtë apo atë, por ai më thoshte me rezerva, mirë por të mungoi agresiviteti, guximi, nuk dhe shpirtin në fushë.
E them këtë gjë sepse nuk mund të mungojë kurrë, por im bir luan mirë, nuk është majtosh, por është i mirë. Është edhe më inteligjent se babai i tij. Ende nuk e ka zgjedhur nëse do të vazhdojë në botën e futbollit apo në Universitet edhe pse aktualisht luan me një skuadër të vogël në Portugali. Për këtë arsye unë jam këtu vetëm për momentin por do të vij edhe bashkëshortja ime sigurisht.
TAKIMI ME LOJTARËT- Do ta fillojmë nga Italia, por jo se është thjesht më afër por kemi më tepër lojtarë. Më pas do të udhëtojmë do të shkojmë në vende të tjera ku janë lojtarët, Zabaleta do të merret më tepër me pjesën spanjolle ndoshta në Portugali, pra do të lëvizim.
PËRSHTYPJET- Njerëzit janë shumë bujar, të sjellshëm. Më bën përshtypje që edhe të detyrojnë të hash, dhe i thonë kujtdo që këta janë të huaj janë miqtë e mi dhe miku nuk preket. Të shohësh këtë mirësjellje, ushqim, kafe një përqafim në këtë botë ku jetojmë është diçka e rrallë.