Mançester Siti, klubi më i pasur në botë!
“Qytetarët” shënuan një xhiro vjetore prej 731 milionë eurosh, i ndjekur nga Reali i Madridit me 714 milionë euro.
Liverpuli ka lënë pas Mançester Junajtidin për herë të parë në listën e klubeve më të pasura në klasifikimin 26-vjeçar të kompanisë së njohur të auditit “Deloitte”.
Skuadra e “Reds”-ave ka kapërcyer katër vende, duke u renditur në vend të tretë falë rritjes së të ardhurave gjatë sezonit të shkuar 2021-22 me 22% në krahasim me 2020-21.
Për herë të parë, klubet e Premier Ligës dominojnë më shumë se 50% të renditjes së 20 vendeve të para (11 skuadra).
Mançester Siti vazhdoi të ruante vendin e parë për klasifikimin e të ardhurave, ndërsa “Qytetarët” shënuan një xhiro vjetore prej 731 milionë eurosh, ndjekur nga kampionët e Europës, Reali i Madridit me 714 milionë euro.
Liverpuli që u ngjit 4 shkallë dhe arriti shifrën e 702 milionë eurove. Në vend të katërt renditet Mançester Junajtid me 689 milionë euro të xhiruara sezonin e shkuar dhe PSG me 654 milionë euro.
Bajerni i Mynihut ka humbur gjithashtu tre shkallë, ndërsa nga vendi i tretë zbriti në vendin e gjashtë me 653 milionë euro. Po tre shkallë ka zbritur edhe Barcelona që e shikon veten në vendin e 7-të me 638 milionë euro.
Dhjetëshen e parë e plotësojnë tre klubet londineze: Çelsi (568 milionë euro), Totenhemi (523 milionë euro), Arsenali (433 milionë euro). Juventusi ka zbritur dy vende, por mbetet skuadra e parë italiane me 400 milionë euro.
Asnjë ndryshim pozicioni për Interin nga sezoni i shkuar. Zikaltrit renditen në vend të 14-të, me 308 milionë euro xhiro, duke lënë pas rivalët e Milanit me 265 milionë euro. Por kampionët e Italisë kanë fituar tre shkallë në krahasim me një sezon më herët, duke u ngjitur në vendin e 16-të. Pas tyre renditen katër klube të tjera angleze, të cilat mbyllin klasifikimin e 20 vendeve të para: Lestëri (252 milionë euro), Lidsi (223 milionë euro), Evertoni (213 milionë euro) dhe Njukasëlli (212 milionë euro).