Redon Xhixha drejt Azerbajxhanit
Sulmuesi i bardhebluve ka marrë një ofertë bindese nga klubi i Karabakut, ku ka milituar Ansi Agolli.
Redon Xhixha ndoshta po luan sot ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Tiranës. Sulmuesi i bardhebluve, ka marrë oferta të ndryshme dhe e fundit vjen nga një skuadër e cila në dekadën e fundit ka bërë surpriza në futbollin europian.
“Panorama Sport” mëson se klubi i Karabak në Azerbajxhan ka shfaqur interesim konkret për futbollistin e bardhebluve dhe negociatat janë në një fazë mjaft të avancuar.
Karabak ka monitoruar Xhixhën prej javësh dhe fakti se Tirana e vlerëson në shitje lojtarin, ka shtyrë atë të bëjë një hap para për të mbyllur bisedimet. Fakti që ky klub tashmë luan rregullisht në fazën në grupe të aktiviteteve të rëndësishme europiane, e bën shumë më interesante ofertën për sulmuesin bardheblu.
Ekziston pëlqimi mes të gjitha palëve për një marrëveshje të mundshme por tashmë negociohet për të gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket marrëveshjes financiare që të kënaqë si dy klubet, ashtu edhe vetë Xhixhën.