Dani Alves rrezikon 12 vjet burg, 23-vjeçarja refuzon dëmshpërblimin
Ish-mbrojtësi ka dhënë tre versione të historisë, asnjë prej të cilave nuk është bindës sipas hetuesve
Dani Alves përballet me 12 vjet burg nëse shpallet fajtor për agresion seksual ndaj një vajze 23-vjeçare. Ngjarja ndodhi më 30 dhjetor në banjën e një klubi nate në Barcelonë. Mbrojtësi i krahut 39-vjeçar u mbyll më 20 janar, në burgun Brians 1, në Sant Esteve Sesrovires, pasi gjykatësi i Gjykatës së Provës të Barcelonës numër 15 urdhëroi ndalimin e përkohshëm të lojtarit pa kusht.
Sipas ‘El Pais’ gruaja ka hequr dorë nga një kompensim ekonomik nga lojtari. Sipas ‘El Periódico’, kamerat e vëzhgimit hedhin poshtë versionin e Dani Alves, i cili është deklaruar gjithmonë i pafajshëm. Futbollisti ka kaluar rreth pesëmbëdhjetë minuta në atë banjë, me viktimën e supozuar.
Dani Alves ka dhënë tre versione të historisë, asnjë prej të cilave nuk është bindës sipas hetuesve. Ata dëgjuan disa dëshmitarë dhe panë edhe kamerat e vëzhgimit. Siç raporton TV3, ai fillimisht ka thënë se nuk e njeh vajzën që dyshohet se e ka sulmuar seksualisht.
Më pas ka komentuar se e ka parë por asgjë nuk ka ndodhur. E në fund ka pohuar se ka qenë ajo që “u hodh mbi të”. Për më tepër, sipas televizionit rajonal katalanas, futbollisti është sjellë në një mënyrë shumë “narcisiste”, duke besuar se ishte i pandëshkueshëm, para gjykatësit që hetonte çështjen e tij. Kodi penal spanjoll ka ndryshuar së fundmi ligjin në lidhje me dhunën seksuale, duke eliminuar dallimin midis agresionit dhe dhunës. Krimet e këtij lloji tani dënohen me nga 12 muaj deri në 4 vjet, të cilat mund të rriten në 12 vjet në rast agresioni.
Sipas dëshmisë së vajzës, e cila shoqërohej nga dy miq, Dani Alves është prezantuar si një burrë i quajtur “Dani”. Ai i ka thënë se “luante petanke në L’Hospitalet de Llobregat”. Sidoqoftë, miqtë meksikanë të vajzës e njohën. Pasi bëri shaka me të tre, Alves iu afrua viktimës duke i folur në portugalisht, derisa i kapi fort dorën dhe e afroi drejt penisit të tij. Këtë gjë e përsëriti dy herë pavarësisht rezistencës së vajzës. Alves më pas i tregoi derën e banjës që ajo ta ndiqte atje.
Pasi hyri brenda, gruaja donte të dilte nga banja, por, sipas versionit të saj, Dani Alves mbylli derën. Më pas braziliani ishte ulur mbi tualet duke i ngritur fustanin lart dhe duke e detyruar të ulej sipër tij. Ai përdori edhe fjalën se ajo ishte “kurva e tij e vogël”. Në atë moment ai e detyroi t’i bënte seks oral të cilit ajo i rezistoi në mënyrë aktive derisa ai e goditi. Pastaj e ngriti nga toka dhe e penetroi derisa ejakuloi. Më pas, gjithnjë sipas deklaratës së gruas, ai i tha asaj të priste të largohej dhe ta bënte këtë vetëm pasi të kishte dalë nga banja.