Napoli, kampion i fazës së parë me një rekord absolut
Statistikat flasin qartë dhe e dërgojnë Napolin të sigurt drejt titullit kampione i Serisë A.
Besëtytnia nga njëra anë, matematika nga ana tjetër. Por këtë herë i duhet besuar kësaj së dytës, sepse Napoli i Spaletit është një makineri rekordesh dhe më shumë ishte e vështirë që të bëhej.
Pas fazës së parë, ku kanë merituar totalisht të jenë kampionë dimri, statistikat flasin qartë dhe e dërgojnë Napolin të sigurt drejt titullit, me një pikavarazh, por mbi të gjitha me një avantazh nga Milani i vendit të dytë, që është thjesht i frikshëm: +12! Një diferencë e tillë, nëse gërmojmë në historinë e Serisë A, të paktën në epokën e tri pikëve, nuk ishte parë kurrë, kështu që kjo përbën mrekullinë e parë të kësaj skuadre.
KUOTA 50 – Le ta nisim nga pikët: 50 rrumbullak dhe sigurisht që tani objektivi ose më saktë projeksioni është ai i 100 pikëve në fund të sezonit. Nga viti 2004 e deri më sot, kur Seria A kaloi me 20 skuadra, vetëm Juventusi dhe Interi kanë mundur që të bëjnë më mirë se kaq.
Saktësisht 4 vite më parë, Juventusi i parë i Kristiano Ronaldos e mbyllte fazën e parë me 53 pikë, duke qëndruar sipër të kaltërve në renditje dhe në fund shpalleshin kampionë 5 javë përpara fundit.
Ndërkohë, sërish Juventusi, por këtë herë ai i epokës Konte, mbyllte fazën e parë mbi kuotën 50 pikë, saktësisht 52 pas 19 javësh dhe në fund arrinin që të bënin edhe çmendurinë e të fituarit “scudetton” në kuotën 102 pikë.
Pas bardhezinjve, edhe Interi i sezonit post “Calciopoli”, 2006-2007, e kishte autostradë rrugën drejt titullit, pasi pas 19 javëve të para grumbullonte 51 pikë…
DISTANCË REKORD – Gjithsesi, më garanci se sa sasia e pikëve ka distanca, që një skuadër ka nga tjetra për të qenë më e qetë drejt objektivit titull. Dhe Napoli, falë rënies së Milanit ndaj Lacios arrin që të regjistrojë rekordin historik, +12.
Një diferencë e tillë nuk ishte parë asnjëherë, ndërkohë deri dje dy distancat rekord e vendosnin Interi në sezonin 2006-2007, me +9 pikë nga Roma. Ashtu sikurse Juventusi 2018-2019, sërish me 9 pikë avantazh nga Napoli. Por atëherë ishte një tjetër Napoli, pa Osimhenin dhe Kvaratskhelian…
MILANI HOLANDEZ – Nëse shkojmë më përpara ndër vite, kur Seria A ishte me 18 epike dhe fitorja vlente 2 pikë dhe jo 3, ndoshta vetëm Milani i holandezëve mund të krahasohet me Napolin e Spaletit.
Në atë vit, “Djalli” e mbyllte fazën e parë me 8 pikë diferencë, por duke qenë se fitorja vlente 2 dhe jo 3 pikë, kishte pak a shumë të njëjtën distancë sa Napoli sot dhe në fund titulli ishte pa asnjë diskutim i Milanit. /Panorama Sport/