Bujar Qesja: “Jashtëtokësorët” e sportit durrsak!

Fotoja është e vitit 1950. Shumë histori. Shumë drithërima. Shumë emocion dhe dëshirë. Shumë prestigj dhe personalitet.


Nga BUJAR QESJA, “Mjeshtër i Madh”

Edhe sikur 100 vite të rroj, ç’ka e shpresoj, edhe sikur për çdo ditë të çfaq nga një foto, minierës së artë të sporteve durrsake, nuk i mbaron minerali. Është punuar fort, shumë fort, për të krijuar famën e pazbehur veçanërisht të atletikës. Duhet t’ia dimë për nder paraardhësve tanë, që punuan me një personalitet, dëshirë dhe pasion të pashoq për të ravijëzuar formatin më tërheqës, të kryelartësisë të një sporti i destinuar të mos harrohet.

Kanë punuar emra pikantë, mjeshtra virtuozë, ku në dejet e gjakut të tyre, qarkullonte e pastër dëshira e jashtëzakonshme, për të bërë të dallohen si një majë mali, puna dhe shkëlqimi i atletikës durrsake. Zotëroj këtë foto të rrallë, shumica prej të cilëve me emra dhe mbiemra gjigandësh, por gati të gjithë të shuar për të na lënë të gjallë të pabesueshmen e tyre. Çfarë pasionesh! Çfarë talentesh! Çfarë shpirti dhe zemër përfaqësimi! Çfarë lokalizmi të jashtëzakonshëm, për të qenë gjithnjë në krye!

Fotoja është e vitit 1950. Pas këtij viti, doja edhe 12 muaj të vija në jetë dhe nuk mund të qortohem, për mos plotësimin një për një të emrave të pamjes. Janë gjithsejt 28 vetë, prej të cilëve 19 meshkuj dhe 9 femra. Për fatin e mirë, emrat e femrave i kemi të plota, ndërsa nga 19 meshkujt, na mungojnë emrat e 9 atletëve. Janë të dhëna të pjesshme që nuk mund t’i marrim të mirqena.

Por vlerat e jashtëzakonshme të kësaj pamje të rrallë, nuk mund t’i lemë në errësirën e dhomës tonë të ruajtjes. Duhet pa tjetër të jenë në dritën e fokusit të lexuesit. Është historia e atletikës tonë dhe kemi për mision, t’i bëjmë pronë të atyre që na ndjekin. Pamja ngjason si një zbulim i ri, që na gëzon dhe na bën të mbajmë frymën.

Shumë histori. Shumë drithërima. Shumë emocion dhe dëshirë. Shumë prestigj dhe personalitet. Na e japin këta të 28 pjestarët e një fiksimi të rrallë, nga më të rrallët nga vetë pesha e rëndë e faneles që mbajnë shumë prej tyre.

Kemi së bashku dy “jashtëtoksorë” për nga fama e punës dhe emërit të tyre. Fati i ka ngjitur për të mos i ndarë përjetësisht. I pari në këmbë nga e majta është Taq Dafa, që më vonë mori nofkën “Tarzani”, apo “Ujku” i detit. Dhe puq me të qendron gjigandi Bashkim Taga, një sportist dhe drejtues i gjithanshëm. E nëse me Dafën është kryer disi detyrimi, me vendosjen e emrit të pishinës moderne të Durrësit, Bashkim Tagës vazhdojmë e vazhdojmë t’i mbetemi borxhli. Është një figurë, sa që madhësia e dëshirave tona nuk mjafton, duke i mbetur plotësisht, e theksojmë plotësisht borxhli.

Më pas ky Taga erdhi dhe kthehet në themelin e basketbollit durrsak, ku së bashku me Dhimitraq Gogën, arritën të krijojnë atë binom të pakonkurueshëm në tërë sportet shqiptare. Sa shumë kemi për të folur, e për të shkruar! Sa detyrime mbeten për të kompesuar! Këtu mbetemi ende mbrapa.

Tre persona na tërheqin vëmëndjen, që janë me veshje jo sportive. Emra që na bëjnë nder, që na ngrejnë kryet, që na bëjnë krenar, që na bëjnë të bërtasim nga gëzimi për shyqyrin që i kemi patur dhe ia pamë hajrin punës së tyre. Që të tre janë shkolluar jashtë vëndit. Të mos harrojmë bëhet fjalë për vitin 1950, vetëm pesë vite pas çlirimit të Shqipërisë, ku ende era e barutit ishte lëndë e parë për frymëmarrjen.

Dhe këta të të tre janë: Benardina Qerraxhia, Bashkim Taga dhe Tom Gjiri. Beni dhe Tomi kanë mbaruar para luftës universitetin e Sporteve në Orvieto të Italisë dhe Bashkimi në ish Jugosllavinë e Titos. Çfarë metodistësh! Çfarë komunikimi dhe shkollë më vete në të folur! Eh çfarë tret dheu!
I treti majtas vjen Skënder Dedja, që u bë madhështor më pas në sportin e futbollit. Përfundoi studimet e larta në Hungari. Durrsak safi. Numurat 4, 5 dhe 6 fatkeqësisht mbeten të paplotësuar. Dhe vijmë tek emri i shtatë. Emër surprizë për nga vetë angazhimet që mori më pas. Është Kristaq Rama, që ngjason nga trupi me kolosin tjetër Dhimitraq Gogën. Në vitin 1953, Kristaq Rama pasi kthehet nga Moska punon në repartin e pikturës në Durrës, kohë kur ushtron edhe basketbollin me ekipin e qytetit. Dhe ky një durrsak i hershëm.

Numuri 8 mbetet bosh, për të vazhduar me Mahmut Ferrin, me këtë shijakas të urtë dhe një kuadër i përmëndur për punë të mira. Me dy njerëz të rradhës përsëri krijohet mangësi, për t’u mbyllur rradha lart me emrin e Tod Koçit, që çfaqet cilësisht më pas në sportin e volejbollit.

Në shtatëshen e rradhës së dytë, mungojnë emrat e tre të parëve nga e majta, për t’u bashkuar në një trio të artë, emra shumë të njohur, që kanë dhënë më të mirën e tyre. Janë Shefqet Ferri, Tom Gjiri dhe Idriz Çinari. Një treshe që e ka pak piedestalin. Numuri 19 që është i fundit i rradhëes së dytë, është në mungesë, për të na dhënë oksigjenin e duhur të padurimit, me një nëntëshe, që përbën gjerdanin e shndritshëm të atletikës së femrave, por edhe gati të të gjitha llojeve të tjera të sporteve, por veçanërisht në basketboll dhe volejboll.


Emrat për fatin e mirë janë të pronësuar nga ne dhe po ua masivizojmë. Gjithnjë nga e majta, qëndrojnë përjetësisht të fiksuara këto emra:
Pina Duma, Lumturi Cërloj, Eftiqi Papaj, Pina Lala, Benardina Qerraxhia, një heroinë e jashtëzakonshme e sporteve, por edhe e artit, edhe e kulturës, edhe e mësimdhënies.

Çfarë figurë mbetesh Beni ynë e paharrueshme! Dhe pas zysh Benit, vazhdojmë me Kaliroj Rizin, sa detyrime i kemi kësaj figure të madhe të sporteve e veçanërisht të basketbollit, Veronika Dafa, Nedret Pipa dhe Myrvete Bylykbashi që pak është shkruar për këtë të fundit.

Kjo ishte pamja që më ekzaltoi, më emocionoi dhe më gozhdoi shpirtërisht. Sa punë na duhet të shpalosim historinë tonë të sporteve! Kemi konkuruar me botë shpirtërore, kemi fituar dhe kemi gëzuar duke nderuar çdo qytetar të Durrësit, të madh e të vogël.

Të shkruajmë, të shkruajmë, të shkruajmë pa pushim, pa u lodhur, pa u mërzitur. Këta të mëdhenj të atletikës në këtë pamje, që janë të mëdhenjtë tanë në shumicën e sporteve përfaqësuese, meritojnë t’i nderojmë, më shumë se kështu.

Një brez që nuk harron paraardhësit, është i destinuar të mos harroj edhe veten.

* Marrë nga postimi në Facebook i autorit (Durrës: 20 korrik 2021)

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…