Tragjeditë e dashurive të mëdha të volejbollit
Lidhjet Asllan Rusi-Pranvera Hoxha dhe Silva Turdiu-Skënder Shehu patën një fund të hidhur
Nga Dash Frashëri
Volejbolli, një nga sportet më të rëndësishme shqiptare të viteve 1970, është dëshmitar i dy dashurive të mëdha të ndaluara me fund tragjik, madje me dy krime shtetërore.
Në kryeqytetin shqiptar ka një pallat sporti të lojërave me dorë.
Ai është ndërtuar në vitin 1950. Dikur ka mbajtur emrin “Partizani”, ndërkohë që pas ardhjes së demokracisë quhet “Asllan Rusi”, emër që e mban edhe sot.
Pikërisht, me emrin e një prej volejbollistëve më të shquar të gjeneratës së viteve 1970, Asllan Rusit të Dinamos, fundi i të cilit ishte tragjik, ndërsa kalvari i jetës së tij, i denjë për një skenar filmi me buxhet disa qindra milionësh.
DRAMA RUSI-HOXHA
Dashuria për vajzën e vetme të diktatorit Enver Hoxha, Pranverën, ishte pikënisja dhe përfundimi i shkatërrimit të volejbollistit tiranas.
Asllan Rusi është lindur më 4 tetor të vitit 1944 në Tiranë. Nëse do të jetonte akoma, ai sot do të ishte 70 vjeç. Por fatkeqësisht, në vitin 1983, Asllan Rusi vdiq nga një sëmundje e shkaktuar prej metastazave të kancerit, pasi ai kishte 8 vjet që përjetonte ferrin. Historia e dashurisë së Asllan Rusit me Pranverën krijoi shqetësim në familjen Hoxha.
Pas kësaj, Pranverën e larguan nga volejbolli për t’i dhënë fund çdo problemi”.
Bashkëkohësit e Asllanit dhe njerëzit që i kanë qëndruar afër edhe në ditët e vështira, thonë se, gjithçka ka ndodhur nga një histori e parealizuar dashurie, me vajzën e Enver Hoxhës.
Kjo dashuri ka pasur dy indicie dhe ka lindur nga fakti se, volejbollistët e Dinamos në atë kohë bënin pushime në Bllokun e Udhëheqjes te Plepat, ngaqë këtë ekip e përfshinte klubi i Ministrisë së Brendshme.
Faktori tjetër ka të bëjë me faktin se, Pranvera Hoxha, vajza e Enverit ishte përfshirë në ekipin e volejbollisteve për shkak të prirjeve të saj sportive.
Liljana Hoxha, nusja e familjes së ish-liderit komunist, dëshmon mbi misterin e dashurisë që tronditi Tiranën në vitin 1975. Madje gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare” ajo shton se është e bindur për vërtetësinë e përdorimit të medikamenteve për shkatërrimin e jetës së sportistit, pasi një eksperiencë të tillë e ka provuar në lëkurën e saj.
Ajo e konsideroi Asllan Rusin një viktimë, ndërsa kushtet që çuan në vdekjen e parakohshme të volejbollistit një krim shtetëror. Ndërsa 17-vjeçarja Pranvera Hoxha detyrohej të braktiste volejbollin pa dijeninë e babait diktator, një tjetër skenar zbatohej nga sigurimi i shtetit ndaj volejbollistit Rusi.
“Vërtetësia e faktit që volejbollisti i njohur është traumatizuar prej sigurimit me urdhër të posaçëm, se guxoi të dashuronte vajzën e gabuar, viktimë edhe ajo si shumë e re dhe pafajshme”, tregon nusja e vogël e Enver Hoxhës.
Asllan Rusi është një “i njohur” në Spitalin Psikiatrik të Tiranës. Jo për bëmat e tij si i sëmurë mendor.
Asllan Rusin e çuan në “çmendinë” me dhjetë policë që mezi e mbanin, pasi ishte shumë i fuqishëm. Ish-volejbollisti kampion, të cilit regjimi komunist i shkatërroi jetën vetëm sepse guxoi të dashuronte vajzën e Enver Hoxhës, ishte shtruar më shumë se një herë.
Motivi ngjan me një skenar policoro-kriminal: “I dilte përpara vajzës së Enver Hoxhës… shkaktoi disa incidente, prandaj e sollën…”. Veprime këto që e çuan ish-volejbollistin e Dinamos drejt shkatërrimit fatal. Shkatërrimi fizik i Asllan Rusit, duket i ka sjellë atij pak vite më pas një sëmundje të pashërueshme, – kancerin.
Mjekët i kishin vënë emrin “kancer i lëkurës”, pasi kishin konstatuar se ai ishte shfaqur fillimisht nga një nishan në kurriz. Me kalimin e kohës, sëmundja kishte përparuar duke u përhapur në gjithë trupin dhe duke mundur përfundimisht trupin e munduar të volejbollistit të madh shqiptar.
Kështu, në vitin 1983, Asllan Rusi u largua bota, që nuk i dha të drejtën të kishte fatin e jetës së tij në duar.
Në këtë periudhë ai kishte rreth gjashtë vjet që e kishte lënë volejbollin dhe punonte si mësues fizkulture në liceun artistik “Jordan Misja”, në Tiranë. Trajneri i shquar i volejbollit të femrave të Dinamos, Kreshnik Tartari, e ka pasur shok skuadre me Asllan Rusi te meshkujt. Rusi konsiderohet ende si një nga fenomenet e volejbollit shqiptar.
Sot, Rusi kujtohet jo vetëm si një fenomen volejbolli, por edhe si një sportist i madh, një ndër të cilët e meriton më shumë se kurrë “Medaljen e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.
Lidhja dashurisë e vitit 1975 midis volejbollistit Asllan Rusit dhe Pranvera Hoxhës, vajzën e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, njëherësh edhe lideri absolut i vendit nuk do të mbetej unike për “bllokun” dhe kryeqytetin shqiptar.
DRAMA SHEHU-TURDIU
Tirana do të përjetonte një dramë akoma më të madhe në vitin 1981.
Një dramë dashurie në volejbollin e femrave midis djalit të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, Skënder Shehut me volejbollisten kampione te Dinamos, Silva Turdiut.
Fejesa e Skënder Shehut me Silva Turdiun, edhe pse fillimisht e pranuar nga Enver Hoxha, ky i fundit i uroi personalisht, do të ishte një nga shkaqet kryesore të vetëvrasjen apo vrasjes së Mehmet Shehut, burgosjen e Skënder Shehut dhe largimin përfundimtar nga volejbollit të Silva Turdiut, një prej vajzave më të bukura të Tiranës asaj kohe.
“Drama e vajzës më të shkëlqyer të ekipit, Silva Turdiu, për “faj” të volejbollit dhe absurdit politik të regjimit komunist, është një nga pengjet e mia”.
Kjo është brenga e madhe e Kreshnik Tartarit, ish-trajnerit të Dinamos së famshme të viteve 1975-1990, në lidhje me ato që ai përjetoi në “vetë të parë” pas ndëshkimit të volejbollistes bukuroshe 20-vjeçare, Silva Turdiu, për shkak të fejesës më Skënder Shehun, djalin e dytë të ish-kryeministrit më jetëgjatë komunist, por dhe të gjithë historisë shqiptare, Mehmet Shehut.
Lidhja e pazakontë Shehu-Turdiu, i pari pinjoll i njeriut të dytë më të fuqishëm në regjimin komunist pas Enver Hoxhës dhe e dyta, pinjolle e dy prej familjeve më të shquara shqiptare, Turdinjve (nga i ati) dhe Pipajve (nga e ëma), ishte sintezë e një regjimi sa human në dukje, aq brutal në ndëshkime shembullore.
Një lidhje e nisur midis dy të rinjve të dashuruar marrëzisht në fillim të vitit 1980, e zyrtarizuar si fejesë më 1 shtator të vitit 1981; e shoqëruar me një vizitë urimi të Enver Hoxhës më 3 shtator 1981, e vazhduar me një proces të frikshëm “Hoxha kundër Shehut” dhe e përfunduar me vdekjen e kryeministrit Mehmet Shehu më 17 dhjetor 1981, në një nga enigmat më të mëdha të historisë 45-vjeçare komuniste, nëse ishte vrasje apo vetëvrasje.
Silva Turdiu, vajza e profesorit të nderuar të matematikës, Qazim Turdiu, njëherësh edhe mbesa e gjigantit të letrave, Arshi Pipa, të arratisur në Shtetet e Bashkuara, një prej simboleve të bukurisë tiranase, volejbolliste kampione me Dinamon, përjetoi një fat tragjik jo vetëm ndarjen nga i fejuari i saj, por dhe nga pasioni i saj më i madh, volejbolli.
Nga mikeshat më të mira të saj, Ela Tase, Mimoza Ibrahimi, Emona Gripshi, por dhe nga trajneri i saj, njeriu që e rriti dhe e bëri të famshme, trajneri Kreshnik Tartari.
“Silva nuk u bë e famshme nga lidhja me djalin e Mehmet Shehut, ajo ishte një kampione e madhe, dhe e tillë ka mbetur”, thotë Kreshnik Tartari, trajneri që e stërviti 5 vjet më radhë, qyshkur ajo ishte vetëm 15 vjeçe, e derisa u nda përfundimisht nga bota e sportit.