Elisabeta Karabolli, “pistoleta” kuqezi që mposhti qitëset ruse
21-vjeçare, Elisabeta Karabolli u shpall Kampione e Europës në Frankfurt mbi Main (28 shtator 1979)
Nga Dash Frasheri
Kur Elisabeta Karabolli (Nishica) u shpall kampione e Europës në Frankfurt mbi Main (28 shtator 1979) në pistoletë standard 30×30, qitësja shqiptare, atëherë 21 vjeç, la pas dy rivale tepër të forta sovjetike, përfaqësueset e një prej gjigantëve të këtij sporti në botë.
Medalja e artë e Elisabetës nuk erdhi rastësisht: në vitin 1977 ajo fitoi Medaljen e Bronztë në Romë; në 1978 fitoi Medaljen e Argjendtë në Finlandë dhe një vit më pas në Gjermani fitoi Medaljen e Artë, duke u bërë kampionia e parë shqiptare që fiton një Kampionat Europian në ushtrimin me pistoletë me ajër.
36 vjet më pas, Elisabeta Karabolli mori edhe një medalje tjetër, pikërisht më 15 dhjetor 2014. Ajo u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” me çmimin “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyera në sport”.
Elisabeta Karabolli, e martuar me Ilir Nishicën, banon prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithsesi, edhe pse ajo jeton në SHBA, madje ka garuar me këtë ekip, në historikun e qitjes sportive shqiptare Elisabeta Karabolli është kampionia e parë shqiptare në Europë. Ajo është e vetmja që ka marrë medalje në aktivitetet Ballkanike, Europiane dhe Lojërat Mesdhetare. Elisabeta Karabolli u lind në Tiranë, më 13 shkurt 1958.
Është e martuar me Ilir Nishicën, edhe ky një qitës dhe ka dy fëmijë. Aktualisht, jeton në qytetin Akuorth të shtetit të Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur ishte ende 14 vjeç dhe mori një pistoletë në dorë, ajo ndoshta nuk do të guxonte se shtatë vjet më pas do të shpallej Kampione e Europës, do të bëhej ““Mjeshtre e Merituar e Sportit” dhe “Mjeshtër Ndërkombëtar”.
VAJZA E NJË USHTARAKU
Vajzë e një ushtaraku model si Tare Karabolli, me origjinë nga Kallarati i Vlorës, Elisabeta do të krijonte raportin e parë me pistoletën, madje një “dashuri me shikim të parë”. Testet e para në poligonin e qitjes ishin mbresëlënëse, dhe Elisabeta regjistrohet në klubin sportiv “Partizani, një ekip me traditë të madhe.
Serioze në stërvitje, këmbëngulëse në garë, me një vijëshënimi perfekt e me një goditje të bukur, Elisabeta shpallet Kampione e Shqipërisë në garën e qitjes me pistoletë standard 30+30 kur ishte vetëm 17 vjeç, një shenjë e pastër e gjenialitetit të saj. Rezultatet i japin mundësinë të jetë anëtare e ekipit përfaqësues shqiptar.
Në vitin 1977, në Kampionatin e 15-të Europian të qitjes që u zhvillua në Romë në garën me pistoletë 30+30, Elisabeta, atëherë vetëm 19 vjeç renditet në vendin e tretë me 584 pikë, përkrah 48 qitëseve më të mira, përfaqësuese të 24 vendeve të kontinentit. Elisabeta var në qafë me medaljen e bronzit, por vështrimi i saj sheh nga vendi me numër 1 i podiumit.
Një vit më pas, në Kampionatin e 16-të Europian të zhvilluar në Hameelina të Finlandës ajo realizon 586 pikë, vetëm 2 pikë larg nga vendi i parë. Në seritë e qitjes me shpejtësi, shqiptarja Karabolli befason me goditjet e saj. Medalja e argjendtë dhe nënkampione e Evropës.
BASTI PËR KARABOLLIN
Në Tiranë dikush ka venë edhe ndonjë bast me kohën: “Në ç’vit do të bëhet Elisabeta kampione Europës”. Dhe një vit më pas, në 1979, në historikun e qitjes sportive shqiptare kemi kampionen e parë shqiptare në Europë. Në kampionatin e zhvilluar në Frankfurt mbi Main (Gjermani), në vitin 1979, qitësja 21 vjeçare, me rezultatin e lartë prej 587 pikësh, fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Kampionia nga Shqipëria ngre lart flamurin dhe tingujt e himnit kombëtar dëgjohen në Europë.
Në këtë kampionat ekipi përfaqësues shqiptar i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata realizon 1733 pikë (rekord i ri kombëtar me 21 pikë më shumë) dhe shpallen ekipi nënkampion i Europës, duke merituar medaljet e argjendta. “Mjeshtërja e Merituar e Sportit” në vitin 1980, në kampionatin shqiptar me rezultatin 593 pikë vendos një rekord të ri kombëtar, duke kaluar dhe atë botëror të kohës.
Sipas bashkëshortit të saj, qitësi Ilir Nishica, Elisabeta e ka thyer dy herë rekordin botëror gjatë garave të zhvilluar në Shqipëri. Në vitin 1980, në Kampionatin Europian, ekipi përfaqësues shqiptar i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata renditet i katërti, duke lënë pas ekipet e 19 shteteve. Krenaria e sportit shqiptar Elisabeta Karabolli, si qitëse e Klubit Sportiv “Partizani” kështu ka ecur me krenari në majat e sportit të qitjes.
Në Lojërat e 12-ta Mesdhetare të vitit 1993 të organizuara në Langwdok-Rusijon në Francë nga 16-27 qershor e të hapura nga ish-presidenti i Francës, Fransua Miteran, Elisabeta fitoi medaljen e argjendtë në pistoletë me zjarr dhe atë më ajër, madje ato ishin dy medaljet e vetme të fituara nga ekipi shqiptar. Rezultatet e larta të arritura nga “Mjeshtërja e Merituar e Sportit” Elisabeta Karabolli në rrugën e gjatë sportive të saj janë krenaria e qitjes sportive shqiptare.
QITËSJA FINANCIARE
E diplomuar në Universitetin e Tiranës për Financë, ajo që nga viti 1997 konkurron me sukses në kampionatin amerikan të qitjes. “Kur mbërritëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na e dhanë menjëherë shtetësinë amerikane, – tregon për gazetën Ilir Nishica, – Komiteti Olimpik Amerikan dhe nënpresidenti i Federatës Botërore të Qitjes, Geri Anderson, fitues i medaljeve të arta në Lojërat Olimpike të Tokios (1964) dhe Meksikos (1968) në 300m pushkë në tri pozicione, na kanë ndihmuar jashtëzakonisht. Anderson ishte një përkrahës i madh i familjes sonë.
Vinte në apartamentin tonë dhe gjithmonë habitej, se ku e gjente Shqipëria e vogël gjithë atë forcë për të madh për të nxjerrë kampionë në Europë. Na e dhanë shtetësinë amerikane me motivacionin “Aftësi të jashtëzakonshme në sportin e qitjes”. Në këtë kampionat, i cili është nga më të fortët në botë, Mjeshtrja nga Shqipëria prej vitesh renditet mes tre më të mirave të tij.
Në vitin 2007 ajo fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa në vitin 2008, në pjesëmarrjen e përhershme të saj në këtë kampionat, shqiptarja Elisabeta Karabolli doli Kampione e Amerikës në ushtrimet e qitjes me pistoletë, duke lënë pas katër herë pjesëmarrësen në Lojërat Olimpike dhe fituesen e medaljes së artë në Lojërat Panemariken, Elizabet Kalahan.
Qitja e femrave ka nxjerrë katër kampione Europe e dhjetëra Ballkani, por të gjithë kujtojnë faktin se Elisabeta Karabolli është kampionia e parë e Europës, pikërisht në pistoletë 30+30 me 587 pikë. Medalje ari dhe kampione e Europës (Gjermani, 1979). Një vit më pas, Ermira Dingu në ushtrimin pushkë 1×60 me 594 pikë merr medaljen e artë dhe shpallet kampione e Europës (Spanjë, 1980). Emanuela Kola në ushtrimin pistoletë 30+30 për të reja merr medaljen e artë. Kampione e Europës (Rumani, 1983). 24 vjet më pas, është Lindita Kodra që në pistoletë sportive me 583 pikë mori medaljen e artë dhe u shpall Kampione e Europës (Granada/Spanjë, 2007).
Medalje Bronzi P 30+30
Europiani 1977
Romë, Itali
Medalje Argjendi P 30+30
Europiani 1978
Hameenlinna, Finlandë
Medalje e Artë P 30+30
Europiani 1979
Frankfurt mbi Main, Gjermani