Eduard Dervishaj: In memoriam Metush Seferit, presidentit që i dha zemrën “Tironës” së tij
Metush Seferi dha kontributin e tij edhe per futbollin shqiptar. U nda nga jeta në 13 Shkurt të vitit 2021.
Nga Eduard Dervishaj
Rastesisht, pak dite më pare, pashe ne formatin YouTube nje dokumentar dedikuar 100 vjetorit të Sport Klub “Tirana” (2020). Per Klubin, për qytetin tone dhe për të gjithe ata që duan futbollin, pavarësisht cilin ekip mbeshtesin, ky ishte një moment historik për një nga klubet më të rëndësishëm të futbollit dhe të sportit shqiptar si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë institucional. Me 100 vite jete (102 sot) ky institucion sportiv është nga më të vjetrit e vëndit, dhe jo vetëm sportiv, është gati aq i vjetër sa vete historia e shtetit shqiptar.
Sport Klub Tirana ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës shoqërore të kryeqytetit, pjesë e kapitalit simbolik, trashëgimisë emocionale dhe krenarise së një komuniteti. Shenjë e identitetit të tij. Dhe për këtë, një rol të rëndësishëm ka luajtur historia e tij e shkruar nga ata që kanë dhënë gjithçka në fushë, në stol, në zyra dhe mbi të gjitha të tifozave të tyre të apasionuar.
Në dokumentar përmenden edhe emrat e atyre që kane drejtuar këtë Klub të madh gjatë historise së tij. Dikush prej tyre përmendet më shumë e dikush më pak por për njerin prej tyre nuk u fol fare. Është fjala për Z. Metush Seferi. Në fakt e përmendi emrin e tij nje futbollist dhe paralelisht shfaqet në dokumentar një fotografi e Z. Seferi shkruar me titra: Donator i Klubit…!? Përse donator…!!
Pak histori; mbasi kam vene re që në botën e futbollit ka shumë harresë. Në sezonin 1988-89, SK “17 Nëntori” (Tirana) fitoi titullin Kampion Kombëtar i Kategorisë së Parë. Mbas ketij sezoni “17 Nëntori” filloi gradualisht zbritjen në tabelën e klasifikimit, duke arritur në vendin e 4 në dy kampionatet pasardhese por me shume diference pikesh me fituesit. Në këtë kohe në Shqiperi po ndjehej era e ndryshimeve dhe vendi po përballej me një transformim themelor të ekzistencës së tij. Natyrisht në atë situatë, futbolli nuk mund të bënte përjashtim. Problemet e mëdha të asaj periudhe do të binin me gjithë peshën e tyre edhe mbi futbollin. Struktura e aktiviteteve u dëmtua seriozisht. Klubet, që deri atëherë kishin pasur një buxhet të garantuar nga shteti, papritur u gjendën përpara vështirësive shumë të mëdha financiare. Kishte mungesa të theksuara të bazës materiale. Rrezikohej jo vetëm pjesëmarrja në aktivitete, por dhe ekzistenca e tyre. Në kaosin e krijuar pas ndryshimit të sistemit, futbollistët, si gjithë qytetarët e tjerë, duhet të gjenin rrugët dhe mjetet për të siguruar jetesën e tyre dhe shume prej tyre u larguan nga vendi. Në veçanti gjatë sezoneve 1990-‘91 deri 1993-‘94, gjendja e vështirë, vuri jo pak herë në pikëpyetje dhe zhvillimin e Kampionatit të Kategorisë së 1-rë.
Ndërkohë SK “Tirana” (e kthyer ne emrin tradicional) vazhdonte rënien në tabelën e klasifikimit. Në vendin e 8 në sezonin 1991-92. Në fund të vitit 1991 Skender Hyka u emërua Shefi i Klubit. Skënderi i vuri shpatullat futbollit të “Tiranës” në një periudhë tejet të vështirë. Në sezonin 1992-93, “Tirana” siguroi qendrimin ne kategorine e pare në javen e fundit, në vendin e 11, me një pike diference me ekipet qe zbriten nga kategoria. Është ky momenti kur Hyka fillon bashkëpunimin me Metush Seferin, përfaqësuesi shqiptar i kompanisë “Ariston” dhe presidenti i parë i Klubit në periudhën e demokracisë. Që nga ajo kohë, Metushi nuk iu nda më “Tironës” së tij të zemrës, e cila po kalonte një nga momentet më të komplikuara të saj. Në bordin drejtues të “Tiranës” u futën emra të njohur, si Myslym (Lym) Alla, Konstanin Shkurti, Hekuran Skuqi si dhe Pandi Carapuli që dhanë kontributin e tyre për rimëkëmbjen dhe modernizimin e klubit.
Metushi, njeri i mirë e bujar, me një të folur të qetë e të ngadalshme që të transmetonte paqe, “tirons” deri në palcë, dha një kontribut shumë të madh, historik do të thosha, për ringritjen e S.K. “Tiranës” moderne e të suksesshme të mbas viteve 90.
Po ashtu, gjate ngjarjeve te vitit 1997, ndërsa shume ekipe kishin hyre në krize, gazetari Fatmir Mëneri, në gazetën “Sport Ekspres”, shkruante: “…Mbetet vetëm “Tirana”, tek e cila presidenti i saj, Metush Seferi, asnjëhere nuk është treguar “kokëkrisur”, por me modesti e pa i rënë gjoksit, mbetet i vetmi që mund ti rezistojë shkatërrimit”.
Dhe jo vetëm i rezistuan shkatërrimit dhe rrezikut për të rënë nga kategoria, por “Tirana” u transformua në një ekip fitues dhe nga më të mirët e kampionatit. Në periudhën 1993 – 98, “Tirana” fitoi 3 tituj Kampion, 2 Kupa Republike si dhe u kualifikua për në Turin e Pare për Kupën e Kupave të Europës. Rezultate të shkëlqyera!
Metush Seferi dha kontributin e tij edhe per futbollin shqiptar. Si drejtues i FSHF-së së asaj kohe i jam mirenjohes për mbeshtetjen dhe aktivizimin e tij ne proçeset e ndryshimeve te futbollit tone mbas viteve 90. Metush Seferi u largua nga drejtimi i Klubit në 09 Shtator 1998.
Atëhere, si mund të lihet në harresë Metush Seferi i cili së bashku me Skënder Hykën hodhën bazat mbi të cilat u ringrit “Tirana” e sotme? Presidenti i Klubit të një periudhe unike për historine e vendit por edhe të futbollit? Nuk ka më keq se mosmirenjohja dhe harresa e aq më shume harresa institucionale. Është mëse e qarte se humbja e kujtesës po na çon në humbjen e identitetit dhe e gjitha kjo e shkaktuar nga mosnjohja e së kaluarës.
p.s. Z. Metush Seferi u nda nga jeta në 13 Shkurt të vitit 2021 dhe Klubi i tij i zemrës nuk e pa të arsyeshme, në ndeshjen pasardhëse, që për të nderuar figurën dhe kontributin e tij të çmuar të mbante 1 minute heshtje apo të vendosnin shiritin e zi në fanelat e futbollisteve.