Petrit Murzaku, “gjenerali i volejbollit”, i dekoruar nga Vladimir Putin
Kampion në të paktën shtatë lloje të ndryshme sporti
Nga Dash Frashëri
Kur qe 12 vjeç ndoshta ishte një nga partizanët më të rinj në moshë të Brigadës së XVII-të Sulmuese dhe të ushtrisë partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore; 19 vjeç u shpall volejbollisti më i mirë i Leningradit në Bashkimin Sovjetik; me 110 ndeshje ndërkombëtare në volejboll dhe kampion në të paktën shtatë lloje të ndryshme sporti, Petrit Murzaku e meriton të quhet “gjenerali i volejbollit në Shqipëri”.
Përveç shtatë dekoratave dhe urdhrave të dhënë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor para viteve 1990 dhe Presidenca e Republikës pas viteve 1990, ka edhe një dekoratë të veçantë të akorduar nga Presidenti rus Vladimir Putin.
Nga 15 dhjetor 2014, “Muzeut Murzaku” iu shtua edhe “Medalja e meritës, për rezultate të shkëlqyra në sport”, të akorduar nga televizioni “Telesport” dhe “Sport Plus”. Medaljen, të shoqëruar edhe me një bonus financiar, Murzakut ia dorëzoi Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello, gjatë ceremonisë “Gala”, të organizuar në Hotel “Tirana International”.
Petrit Murzaku u lind, më 14 mars të vitit 1932 në Tiranë në kohën kur lëvizja sportive në Shqipëri po njihte një hop cilësor. Asokohe zhvillohej kampionati i tretë i futbollit, me dy të parët e fituar nga Sportklub Tirana. Babai i tij, Avrami, ndërroi jetë në vitin 1941, kur Petriti ishte 8 vjeç. Petrit Murzaku ndërroi jetë, më 2 dhjetor 2020, në moshën 88-vjeçare.
Fëmijërinë e hershme e kaloi në Elbasan, i rritur me dashuri nga nëna e tij, Sotira, pjesëtare e njësitit gueril. Petriti nisi të punojë qysh në moshën 10 vjeç në Fabrikën e Tullave, ku njihet edhe me komunistët Gjok Doçi, Naun e Mihal Panxhi. Shpërndau trakte e letra sekrete, duke qenë pjesëtar i Brigadës së XVII-të sulmuese në vitin 1944 në moshën 12-vjeçare.
Një vit më pas, 1945, ai është në Shkollën “Skëndërbej”, së bashku me motrën, Veronikën, e cila është marrë edhe me alpinizëm. Trajneri i parë i tij ishte Rexhep Rama, ndërsa më të punuan edhe mjeshtrit Izet Cani, Ali Kastrati, Pjerin Muzhani, Myftar Marku panë te ai një sportist me të ardhme. Petriti ishte një sportist shumëplanësh: volejboll, futboll, basketboll, boks, skermë, por edhe me një pasion të jashtëzakonshëm për peshkimin. Shokë të tij të sportit në Elbasan ishin midis të tjerëve, Vasil Daka, Agron Starova, Enver Përnaska, Coli Papa, Sotiraq Blida, Dhimitër Lala, Hasan Dine, Servet Abazi, Vehap Xhindoli, etj.
Trajneri Ali Kastrati e mori në ekipin e tij të boksit te Partizani, kurse me Naim Pilkun u bë kampion kombëtar me basketbollin në vitin 1948, ndërkohë që luajti edhe futboll me Partizanin po në këtë vit, ku ndeshja e parë e tij ishte ajo kundër Flamurtarit të Vlorës (3-0), teksa ishte shok dhome me Refik Resmjen, një nga sulmuesit më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria, ndërsa idhull kishte Loro Boriçin, një figurë me dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, ish-trajner i Partizanit dhe i Kombëtares.
Në shtator 1949, Petriti shkon në ish-Bashkimin Sovjetik në shkollën “Politiko-Pedagogjiko-Ushtarake”. Pasioni për sportin dhe cilësitë e rralla si sportist e inkuadrojnë Petritin në ekipet sovjetike të Leningradit: volejboll, basketboll, boks dhe futboll. Në vitin 1951, 19-vjeçari Murzaku u shpall hendbollisti më im mirë i Leningradit, madje duke u shpallur “Mjeshtër Sporti”.
Në Shën-Petersburgun e sotëm ai u nderua me shumë diploma në” volejboll, basketboll, futboll. Gjithmonë e shihje me çantën në krah, nga një terren sportiv në tjetrin. Rikthehet në Shqipëri në vitin 1952, ndërsa tre vjet më pas e shohim Petrit Murzakun si kapiten të ekipit kombëtar të volejbollit në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë.
Numëron mbi 110 ndeshje ndërkombëtare volejbolli (57 fitore), duke pasur si kundërshtarë ekipet nga vendet e Lindjes në Lajpcig; Kampionati Europian në Pragë (1958); Ballkanik në Bukuresht (1958); Olimpiada “Stundenteske” në Moskë. Murzaku ka luajtur kundër ekipeve nga Rumania, Polonia, Gjermania, Austria, Bashkim Sovjetik, Kina, Hungaria, Bullgaria, Çekia, Belgjika, Holanda, Jugosllavia, Italia, Egjipti, Japonia, Mongolia, Turqia, Kore e Veriut, Anglia dhe Danimarka, etj.
Interesant është fakti se, në ndeshjet e turneut të zhvilluar në Pekin u ndoqën nga udhëheqësit më të lartë kinezë të asaj kohe, si: Çu Em Lai, Ten Hsiao Pini. Në Kinë, Petriti ka qenë dy herë: 1957 dhe 1962.Murzaku zotëronte një teknikë të përsosur, manovrim të shkëlqyer me topin, pasues i saktë, gjuajte perfekt, e për më tepër një lider i skuadrës. Ai shndërroi volejbollin në art. Gjithmonë në shërbim të skuadrës, strateg i lojërave spektakolare.
Pas përfundimit të studimeve në fushën Politiko-Pedagogjiko-Ushtarake, Murzaku u diplomua në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë, duke punuar dhjetë vjet si trajner dhe inspektor në klubin sportiv Partizani si dhe 20 vjet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve , në fillim si pedagog dhe më vonë në detyrën e Shefit të Katedrës së Fiskulturë Fizike. Petrit Murzaku e ka mbyllur me lavdi karrierën e tij sportive dhe atë si kuadër ushtarak në radhët e ushtrisë. Murzaku është një kampion i lindur. Kur sheh foton e tij me dekoratat e shumta ndihesh krenar për një sportist dhe ushtarak të atillë. Një model. Pas shkëputjes nga sporti i luajtur, ai është aktivizuar si arbitër volejbolli, si dhe kryetar dhe sekretar i kolegjiumit të arbitrave të volejbollit të Tiranës.
Petrit Murzaku nuk është dalluar vetëm si volejbollist, ai ka ushtruar disa sporte njëherësh: kampion në basketboll, por edhe në shtizë e kanotazh, vaterpol, hedhje disku Sporte që i përballoi me sukses, falë fizikut të shkëlqyer. Madje ai ishte rekordmen absolut në hedhjen e shtizës (1955), teksa ai ka marrë pjesë edhe në dhjetëgarësh (vendi i tretë). Nëse dikush dëshiron të vizitojë shtëpinë e Petrit Murzakun do të shohë një “muze” në një nga dhomat e tij: medalje dhe kupa të fituara, qindra fotografi si kampion, rekordmen, protagonist në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. E këtu nuk mungojnë edhe medaljet e kupat e dy vajzave të tij, njëra volejbolliste me Dinamon dhe tjetra me Tiranën.
Petrit Murzaku doli në pension në vitin 1987, në moshën 55 vjeç, por me 43 vjet aktivitet e punë pa ndërprerje, qysh kur doli partizan në moshën 12 vjeç në vitin 1944. Murzaku ka punuar me shumë emra të njohur të sportit dhe ushtarakë si: Isa Tare, Mark Mici, Bashkim Lika, Nasi Gjergjo, Suvorov Nikolla, Bekim Mataj, Myslim Mebeli, Durim Gorishti, Vasil Nikolla, Sulejman Starova, Sabah Bizi, Ilir Lame, Tomor Shehu, etj.
Petrit Murzaku është martuar me Kleopatrën, edhe ajo një volejbolliste, bashkëkohëse e Fahrie Hotit, me të cilën pati tri vajza: Mirela, Ingriti dhe Rudina. Petriti e konsideron Kleopatrën, jo vetëm shoqen e tij të jetës, por edhe si pjesë e pandashme e sukseseve të tij në sport. Patra e quan Petrit, një bashkëshort model, që shkëlqen jo vetëm në sport, por dhe në marrëdhëniet familjare. Edhe motra më e vogël e familjes Murzaku, Dhurata, është marrë me volejboll.
KUPA “PETRIT MURZAKU”
Në kuadër të festimeve me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut, u zhvillua në ambientet e palestrës së lojrave, pranë Ministrisë së Mbrojtjes kupa e volejbollit për vajza “Petrit Murzaku”. Në këtë aktivitet sportiv morën pjesë ekipet e volejbollit për vajza të klubit Tirana, Partizani, “Sh.Uka” dhe ekipi Dardania i Forcave të Armatosura. Kupën e fitores ia dorëzoi ekipit “Sh.Uka”, mjeshtri i Volejbollit, Petrit Murzaku.
MIRERLA, INGRITI DHE RUDINA
Mirela, Ingriti dhe Rudina janë tri vajzat e Petrit Murzakut, por vetëm dy të parat u morën me volejboll. Mirela ishte volejbolliste e Dinamos, ndërsa Ingriti e 17 Nëntorit, Tiranës së sotme. Ingriti është një nga volejbollistet më të njohura në Shqipëri. Me një karrierë të gjatë 25 vjeçare, që kulmoi me medaljet e arta në Lojërat Mesdhetare në Latakia të Sirisë në vitin 1987. Ingriti ka qenë anëtare e ekipit kombëtar të volejbollit në drejtimin e trajnerëve Kreshnik Tartari dhe Ilir Xhemalçe. Ingriti ka luajtur edhe në kampionatin grek për 14 vite rresht, nga 1991-2005, duke fituar pesë kampionate e katër kupa me Vrilisja të Athinës. Ajo është aktivizuar edhe në volejbollin e plazhit së bashku me Moza Dulen dhe Agi Babulin. Ingriti është martuar me ish-volejbollistin Alfred Koja.
***
SKEDA
PETRIT MURZAKU,
Mjeshtër i Merituar Sporti
Instituti i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”
Shkolla Ushtarake Pedagogjike “Leningrad”.
24 vjet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, si pedagog dhe shef katedre
KARRIERA SPORTIVE
Trajner i ekipit të volejbollit
Kapiten i ekipit kombëtar të volejbollit
Anëtar i ekipit kombëtar të basketbollit
Kampion dhe rekordmen në flakjen e shtizës
Ka 110 takime ndërkombëtare, 57 fitore me ekipin kombëtar
Pjesëmarrës në dy kampionate europiane dhe një botëror
Ka luajtur si futbollist, boksier, hendbollist, atlet, volejbollist, basketbollist.
Është nderuar me titullin: “Nderi i Qytetit të Tiranës”
TITUJ NDERI
Mjeshtër i Merituar i Sportit
Nder i Sportit Shqiptar
Urdhër i Artë “Naim Frashëri”
Urdhër i Punës i Klasit të Dytë
Urdhri “Skënderbeu” i Klasit të dytë
Urdhër Ushtarak i Klasit të dytë
Urdhër i “Yllit të Kuq”
Urdhri “Naim Frashëri” të Klasit Parë dhe Dytë
Dekoratë me rastin e 9 majit, fitores ndaj nazizmit, akorduar nga Presidenti rus Vladimir Putin
Medalja e Çlirimit
TITUJT KAMPION
22 Medalje kampioni në volejboll dhe basketboll
Në volejboll në vitet: 1952, 1953, 1954, 1955, 1956, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962 dhe 1963.
Në basketboll: 1952, 1953, 1954, 1955, 1956 dhe 1957.
Në shtizë: 1955, 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962 dhe 1963.
NË SPARTAKIADËN KOMBËTARE
Volejboll Vendi i Parë,
Shtizë Vendi i Parë,
Gjyle Vendi i Dytë,
Dhjetëgarësh Vendi i Dytë,
1955. Pjesëmarrës në Festivalin Botëror të Varshavës, për volejboll.
1957. Pjesëmarrës në lojërat e Festivalit të Rinisë në Moskë
1962, 1974. Turne sportiv në Kinë, ku u luajt futboll dhe volejboll, në qytetet: Pekin, Hanxhou, Tiancin, Kanton etj.
Vendet me ekipet e të cilave është ndeshur ekipi ynë kombëtar i volejbollit, pjesë e të cilit ka qenë edhe Petriti: Rumania, Polonia, Gjermania, Austria, B.S., Kina, Hungaria, Bullgaria, Çekia, Belgjika, Holanda, Jugosllavia, Italia, Egjipti, Japonia, Mongolia, Turqia, Kore e Veriut, Anglia dhe Danimarka.