Anton Mazreku, ikona e gazetarisë sportive

Themeluesi i “Sporti Shqiptar” dhe i radiokronikës sportive. Enver Hoxha e la në heshtje shokun e liceut të Korçës


Nga Dash Frasheri

Kur ishte endë një fëmijë, Anton Mazreku krijoi një gazetë shtëpiake “Nana Leze”, një kronikë e ngjarjeve javore familjare; 17-vjeçar shkroi në “Gazeta e Sportit” të Shkodrës të themeluar, më 30 nëntor 1925, ndërkohë që 27 vjeç, më 28 nëntor të vitit 1935, nipi i Luigj Gurakuqit themeloi gazetën e parë sportive në Shqipëri, “Sporti Shqiptar”. Më 1 shtator 1938 ai realizoi të parën radikronikë direkt të ndeshjes Sportklub Tirana-Iraklis i Kavallës (7-0).

“Babai, – tha e bija e tij, Adelina, gjatë marrjes së çmimit, – ishte një figurë poliedrike me një sferë të gjerë interesash intelektuale. Ai donte të kishte 11 djem, që të formonte një skuadër futbolli, por bëri vetëm një vajzë, sa për një skuadër”. Letërsia dhe sporti ishin dy dashuritë e mëdha të figurës poliedrike të intelektualit pasionant, poliglotit të edukuar me përpikërinë austriake (shkollën e mesme e bëri në Austri), çka ndikoi dukshëm në saktësinë dhe bollëkun e statistikave të përhershme të tij, si dhe kulturën e iluminizmit francez të mësuar në Liceun francez të Korçës, të cilën e ndeshim në poetikën e komenteve brilante të Mazrekut. Vdiq, më 3 gusht 1969 nga një hemorragji cerebrale, i dalë në pension të parakohshëm (si arsimtar e jo si nëpunës), pa i munguar asnjë ditë ish-zyrës së tij, me tetë orësh të plotë, pa asnjë shpërblim përveç pensionit.

FËMIJËRIA

I lindur, më 6 maj 1908 në Shkodër, nëna e tij, Adelajda, motra e Luigj Gurakuqit, dhe i ati, Serafin Mazreku, një intelektual gjakovar i dorës së parë i diplomuar në Vjenë dhe patriot i madh, Antoni i vogël u dallua për pasionin e tij për sportin dhe letërsinë. Poet lirik, prozator tipik, përzgjedhës mjeshtëror i kryeveprave botërore, Mazreku, është një ngjizje midis ëmbëlsisë së nënës së tij, Adelajdës dhe seriozitetit të të atit, Serafinit. Antoni e kreu arsimin fillor 6-vjeçar e mori në Shkodër. Ishte daja i tij, Luigj Gurakuqi, që e nxiti të ecte në rrugën e gjerë të letërsisë dhe të sportit. Ende fëmijë “botoi” të parën gazetë që ishte kronikë e ngjarjeve javore familjare që u quajt gazeta “Nana Leze” (emri i gjyshes) dhe që afishohej në derën e brendshme të shtëpisë Gurakuqi. Kjo “gazetë” ishte vënia në jetë e këshillës së dajës Luigj dhe nga ato vite Antoni çdo shkrim apo kujtim e hidhte në fletoren e tij, vetëm në formën e shtyllave (kolonat e gazetave).

SHKOLLIMI NË AUSTRI

Me iniciativën e Luigj Gurakuqit dhe miratimin e ministrit të asaj kohe, zotit Mirash Ivanaj, fill mbas mbarimit të arsimit fillor, gjashtë nxënësit më të mirë iu akordua një bursë për vazhdimin e arsimit të mesëm në Austri, e njëri prej tyre ishte edhe Anton Mazreku, krahas Frederik Shirokës (kirurgut të ardhshëm) dhe Skënder Luarasit. Pas dy vjetësh në Frajshtad të Austrisë, sistemuar në familjen e një arsimtari austriak, Antoni mësoi gjuhën gjermane si dhe qytetarinë austriake krahas fëmijëve bashkëmoshatarë të këtij arsimtari.

LICEU FRANCEZ

Me hapjen e liceut francez në Korçë, Antoni kreu studimet në qytetin që ai e përkufizon “Korça, model punë e përparimi”, e ku përvetësoi krahas gjuhës frënge edhe kulturën iluministe franceze. Shok shkolle, klase e konvikti me Enver Hoxhën (1926-1933), të cilin e takoi vetëm dy herë pas çlirimit të vendit, kur Hoxha ishte Kryeministër dhe Sekretar i Parë i Partisë së Punës të Shqipërisë, por i lënë thuajse në hije nga njeriu më i fuqishëm i diktaturës komuniste. Mazrekun e shohim në Korçë të radhitet në skuadrën e Skënderbeut, një mëngjarash simpatik që shkruante edhe në shtypin e kohës me pseudonimet “Aku” apo “Krahi i rrmaktë”, ashtu si kundër është edhe themeluesi i skuadrës “Shprefeja” në vitet 1940, nga bashkimi i dy ekipeve kryeqytetase, “Shpresa” dhe “Rufeja”.

DASHURIA PËR SPORTIN

Një nga shkrimet e tij titullohet “Arti i dashurisë”, ndoshta edhe një dedikim për bashkëshorten e tij, Vasilikën, por më tepër ngjan si një “traktat dashurie i përjetshëm” me të bukurën, kudo që ajo ndodhet në jetë, letërsi apo sport. “1926. Korçë. Posa kisha ardhur nga Shkodra. Vizita e parë Lyceut. E dyta fushës sportive. Lëvizja sportive sapo kishte nisur t’agonte për Korçën”, – shkruan Mazreku në shkrimin kushtuar Aristotel Samsurit, një prej kampionëve të parë të Skënderbeut të vitit 1933. Komentet e opinionet e tij, për ndeshja të tillë si Sporklub Tirana-Skënderbeu apo Kotori-Vllaznia mbeten ende perla të të shkruarit sportiv e “footballit të dashtun”, siç e cilëson Mazreku në “Historia e footballit shqiptar”. Mazreku ishte ambicioz. Donte të mësonte gjithçka që i vlente. Vazhdoi me korrespodencë fakultetin e Jurisprudencës në Bolonjë, duke e ndërprerë atë në vitin e III-të, për shkak të Luftës së Dytë Botërore.

KAMPION BALLKANI

Në fakt, Anton Mazreku, nuk doli kurrë një kampion i Ballkanit me Kombëtaren shqiptare të futbollit, por ai doli “kampion” me komentin e tij në atë “finale” të fituar 1-0 nga Shqipëria ndaj Rumanisë, më 13 tetor 1946. Edhe sot, pas 68 vjetësh kur e lexon komentin e tij të botuar në librin “Anton Mazreku, fjala dhe heshtja” me titullin “Shqipëria, Kampione e Futbollit në Ballkan”, edhe pse s’ke qenë kurrë i pranishëm në ditën më të lavdishme të futbollit shqiptar, mund t’i përjetosh 90 minutat e asaj ndeshje të madhe sikur të ishe i pranishëm midis 25 mijë tifozëve në impiantin e vetëm ndërkombëtar të kohës. Poselli, Dibra, Spahiu, Fakia, Llambi, Kavaja, Parapani, Teliti, Biçaku, Mirashi dhe kapiteni Boriçi nuk mund ta kenë ndjerë veten më të nderuar në penën mjeshtërore të Anton Mazrekut.

FIGURË POLIEDRIKE

Anton Mazreku ishte dhe mbetet një figurë poliedrike me një sferë të gjerë interesash intelektuale, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në shtypin e kohës. “Sportist i vjetër dhe fanatik, të tana pjesët e sportit i ka për zemër, por sidomos foot-ballin e ka në zemër. Qysh kur ishte student në Shkodër, ish lojtar i shoqërisë s’aherëshme “Studentë Shkodra”, “Juventus” dhe më pastaj kur ka kenë mësues në Korçë s’kish mungue me parë pjesë në “Skënderbeun” e atij qyteti. Sporti për Mazrekun nuk asht vetëm një nevojë për zhvillimin fizik të të riut, nuk asht vetëm një pasion, por asht një shkenc’ e tanë dhe si të këtillë e ka marrë Anton Mazreku”, shkruan Rudolf Gurashi në shkrimin e tij “Anton Mazreku, një vlerë e çmuarshme e vendit t’onë”.

KRYETAR I FEDERATËS

Federata Shqiptare e Futbollit u themelua në vitin 1930, por në atë të rikrijuar pas çlirimit, Federatas Sportive Shqiptare, më 2 shtator 1945, e shohim Anton Mazrekun si kryetarin e parë të saj. “Përvoja e tij, pasioni i tij, kultura e tij, ndershmëria e tij, e bënë një drejtues të talentuar”, kujton gazetari i mirënjohur Dizdari. Me ngritjen e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, Mazreku u bë nënkryetar i tij, nënkryetar të Komitetit Olimpik, nënkryetar të Federatës së Futbollit. Ai kontribuoi në ngritjen e terreneve sportive, riorganizimin e ekipeve, rifillimin e kampionateve të llojeve të ndryshme sporti.

GAZETAR MADH

Federata Shqiptare e Futbollit në vitin 1935 i ngarkoi Mazrekut të themelonte gazetën “Sporti Shqiptar”, së bashku edhe me Aqif Tominin dhe Luigj Shalën, e cila më pas ndryshon emrin në “Sporti” dhe “Sporti Popullor”. “Antoni është drejtori dhe kryeredaktori i parë i gazetës më jetëgjatë në Shqipëri”, shkruan Rifat Uruçi te “Intervistë në heshtje me Anton Mazrekun”. 36 vjet me radhë ai iu kushtua me një pasion të pashoq sportit, si organizator, por edhe si një gazetar me “sens kritik, por të shkruara me kulturë e talent publicistik”, siç e përshkruajnë Kristo Papajani e Besnik Dizdari. Gazetari shkodran Dizdari ka themeluar edhe një çmim “Anton Mazreku”, i cili u akordohet gazetarëve më të mirë sportivë në vend. “Anton Mazrekun e konsiderojmë themelues të publicistikës sportive shqiptare. Ai ishte modeli im i gazetarisë sportive”, shkruan Dizdari.

KOMENTATOR BRILANT

Me emrin e Mazrekut është e lidhur radiokronika e parë sportive shqiptare. Ai transmetoi për herë të parë në vitin 1938, një ndeshje midis Sportklub Tiranës dhe Kavallës së Greqisë. Ai ishte spiker i Radio Tiranës për sportin. “Anton Mazreku mbetet një propagandist i shkëlqyer i sportit shqiptar. Ai ishte pionieri i parë i publicistikes sportive dhe mikrofonit sportiv. Ai ka një vend nga më të nderuarit në historinë e gazetarisë”, shkruan komentatori Ismet Bellova, një nga nxënësit e pasuesit më të zellshëm të Mazrekut. Zëri i tij u dëgjua përmes radios nga Budapesti, Praga, Bukureshti, Moska, Varshava, etj. “Mazreku krijoi një ‘shkollë’ të tij sportive përmes radiokronikave në Radio Tirana”, kujton Prof.Dr. Jup Kastrati, i cili e vlerëson edhe si përkthyes të kualifikuar dhe poet lirik. Praktika ideologjike e biografike e regjimit të kaluar la gjurmë mbi Mazrekun, duke ia zbehur padrejtësisht në mënyrë të pamerituar kontributin e tij. Më 16 shtator 1966 nxirret në pension në moshën 58-vjeçare, ndërsa tre vjet më pas ai ndërron jetë në moshën 61 vjeç. Në kulmin e tij. Por, i harruar nga kasta politike e kohës. Sot, ai kujtohet si një nga gazetarët më të mirë të Shqipërisë, jo vetëm të sportit. Ai vlerësohet nga ata që e kanë njohur; nga ata që e kanë dëgjuar; nga ata që e kanë lexuar; nga ata që përpiqen që të imitojnë sado pak nga stili i tij.

Lexo më shumë

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…