Harun Dojaka, një jetë kushtuar volejbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit
Harun Dojaka me sportin e volejbollit: si lojtar, trajner dhe gjyqtar.
Nga Moisi Dalipi, Gazeta “Telegraf”
Në radhët e kominitetit çam gjen personalitete të fushave të ndryshme, të cilët kanë kontribuar fortë me tërë vlerat e tyre për rritjen e shkencës , kulturës dhe sportit të vendit tonë. Dhe njëri prej tyre është pa as më të voglin dyshim dhe Haruan Dojaka. Një sportist shumëplanësh ky që ka ushtruar në vitet e rinisë tij atletikën , futbollin , notin dhe vaterpolin por që u dashurua më fortë me sportin e volejbollit duke I shërbyer atij për shumë vite dhe dekada si lojtar, trajner dhe gjyqtar.
Dhe sportit të volejbollit Harun Dojaka ju përkushtua për më shumë se gjysëm shekulli, duke nisur si lojtar në vitin 1952, tek ish –“17 Nëntori” dhe duke e mbyllur si trajner dhe seleksionues në vitin 2013, tek ekipet e moshave të qytetit të Ashsodit në Izrael. Por jo vetëm kaq, sepse jashtë kornizës të këtyre viteve nuk mund të qëndroin dhe vitet e rinisë tij në qytetin e Sarandës , ku nga 1946 deri 1952 ai ka ushtruar fortë e bukur sportet e atletikës , futbollit , notit dhe vaterpolit.
Dhe të gjitha këto vite të ngarkuara me sport dhe për sportin i japin Harun Dojakës një vend nderi në podin e më të mirëve të sportit tonë. Familja e Iljaz dhe Nurie Dojakës ardhur nga Filati Çamërisë në qytetin e Sarandës rreth viteve 1925. E vendosur me banim diku tek një kodër pranë detit , ku sot është lagjia Nr 1 e qytetit bregdetar, më i madhi fëmijëve që mbante dhe emrin e gjyshit vet Haruni, do të dashurohet shpejt me sportet e ujit siç janë noti dhe vaterpoli. Por të dhënat fizike të trupit tij do t’i japin të drejtën të ushtrohet dhe në llojet e tjera të sportit, siç janë atletika, futbolli dhe volejbolli.
Madje si një sportist shumëplanësh në vitet 1946-1952 , Harun Dojaka do të ndihmojë fort me talentin e tij ekipin vendas të “Butrintit” të Sarandës , në të gjithë llojet e sportit, ku më shumë ai do të spikatë me sportin e volejbollin. Në vitin 1952 kur ekipi volejbollit të meshkujve të“Butrintit” do të konturohej si skuadër, familja e djaloshit çam do të transferohej me banim në Tiranë. Një mundësi më shumë kjo për Harun Dojakën që të bëhet pjesë e ekipeve të volejbollit më parë “Spartakut” të Tiranës , që më pas është “17 Nëntori” .
Ai së bashku me Fatmir Mekën,Vangjel Kojën, Safa Vokopolën , Qemal Gjinalin, Ismail Malokun, Pellumb Pelivanin dhe Andon Konen, do të bënin që ekipi i meshkujve të “17 Nëndorit” të ishte në rivaliet të fortë me “Dinamon”, “Partizanin” e “Studentin”. Ata fitojnë titullin kampion në 1957 dhe tre herë Kupën e Shqipërisë në vitet 1957, 1958 dhe 1964.
Nga kjo skuadër e këtyre viteve, Harun Dojaka së bashku me Pëllumb Pelivanin, Vangjel Kojën dhe Andon Konën do të ishin dhe pjesë e ekipit tonë kombëtar. Por nga vitet 1961 Harun Dojaka, jo vetëm që do ishte pjesë e skuadrës të meshkujve si lojtar deri në 1966, por do të drejtojë për 9 vjet rresht deri në vitin 1970 dhe ekipin e volejbollit të femrave të “17 Nëntorit”. Por ky njeri kaq shumë i përkushtuar për sportin e volejbollit, paradite do jetë në punë si radioteknik në ish ndërmarrjet e riparim -shërbimit në Tiranë, kurse mbasdite do stërvitej me ekipin e meshkujve, si dhe do të drejtonte stërvitjen e ekipit të femrave. Jashtë agjedës tij javore nuk do të mbeten dhe drejtimi skuadrave sportive të volejbollit të Pallatit të Pionierëve në Tiranë .
I palodhur , i përkushtuar deri në sakrificë dhe plotë pasion për punën dhe sportin, Harun Dojaka do të formojë portretin e tij sportiv në këto vite. Në harkun e 9 viteve në drejtimin e ekipit të femrave të “17 Nëntorit” ai merr plotë 7 tituj kampion në vitet 1961,1962,1963,1964, 1966/1967, 1967/1968, dhe 1968/1969 dhe 4 Kupa të Republikës në vitet 1965,1966,1967,dhe 1968 .
Një superfuqi kjo skuadër në këto vite, jo vetëm në kampionatin shqiptar të femrave, por dhe në Kupat e Evropës Lojtare të tilla si e madhja Farie Hoti dhe me rradhë të tjerat , Vera Verria, Valentina Dinella, Rajmonda Bytyçi, Rina Shehu dhe Sashenka Azemi përbënin atë skuadër me të cilën trajneri Harun Dojaka, shkruajti histori brenda dhe jashtë vendit. Në vitin1969 skuadra kampione e “17 Nëntorit” do ndeshet për herë të parë në historinë e volejbollit shqiptar për Kupat e Evropës. Në turin e pare është përballë “Fenerebaçes” të Turqisë. Ndeshjen e pare e fiton skuadra jonë bardheblu 3-1 në Tiranë.
Përsëri fitore dhe në ndeshjen e kthimit në Stamboll, por me rezultatin 3-2 . Edhe pse skuadra jonë kishte kryer dy ditë udhëtim me mikrobus, ajo zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer në Stamboll. Ish mjeku sportiv i skuadrës Lluka Heqimi, kujton:- “Kemi zhvilluar një ndeshje të bukur shumë. Vajzat dhe trajneri Harun Dojaka kanë qenë fantastikë. Përpara ndeshjes, trajneri Dojaka nuk lejoi skuadrën të futej në fushë pa u vendosur flamuri ynë kombëtar në podin e nderit. Ky fakt si dhe fitorja, duke kaluar në turin tjetër, bëri që një shqiptar me banim në Stamboll, me emrin Myslyl Beu, të shtrojë një darkë për ekipin dhe ti dhurojë të gjithë skuadrës nga një orë dore. Kjo “dhuratë” nuk i pëlqeu shoqëruesit të sigurimit, duke bërë që skuadra të refuzonte peshqeshet e Myslym Beut”. Në turin tjetër , Tirana është eleminuar nga “Rapidi” i Bukureshtit, pas një ndeshjeje të jashtëzakonshme. Por vetëm kaq tek Tirana , sepse aventura si trajner për Harun Dojakën do të vazhdojë për tre sezone tek ekipi femrave të “Dinamos” .
Ishte viti 1970, kur Harun Dojaka mori drejtimin e “Dinamos” në kategorinë e dytë. Pas një rifreskimi që i dha skuadrës me lojtraret e reja në sezonin pasardhës 1971-1972, “Dinamo” e Haruan Dojakës me lojtaret Donika Muka, Donika Shakaj, Eva Kavaja, Fatmira Dreni , Fatime Ibrahimi, Semiha Suljemani, Liza Gjinaj, Florida Shurbi, Zana Bekteshi, Pranvera Hoxha, Valentina Dashi, Margarita Çela dhe Brikena Çabej, shpallet kampione kategorisë dytë, duke u kthyer në grupin e më të mirëve. Për arsye që nuk ka marrë një shpjegim që duhet këtë skuadër të ndërtuar aq bukur nga Harun Dojaka, nuk ja lejojnë ta drejtojë më “trajneri çam”, duke ia dhënë atë të madhit, Kreshnik Tartari. Ai thotë:-“ E mora skuadrën dhe vazhdova një kampionat të kategorisë parë duke mos lëvizur asgjë nga formacioni që kishte ndërtuar me aq profesionalizëm miku im, Dojaka. Në atë sezon u renditën në vendin e tretë.
Për ngritjen e “Dinamos” madhe që bëri emër në ato vite në Evropë, ndër të tjera unë kam pasur dhe ndihmën e Harun Dojakës . Ai ka punuar me një nivel të admirushëm, me përkushtim dhe pasion shembullor ”. Në vitet 1973-1977 Harun Dojaka do marrë drejtimin e ekipit të femrave të “Partizanit” që kishin plot 20 vjet në kategorinë e dytë.
Me punë, përkushtim dhe pasion, duke u mbështetur fortë tek tre lojtaret cilësore si motrat Lejla dhe Lulëzime Duka dhe Majlinda Rama, në fund të sezonit 1973-1974, “Partizani” fiton të drejtën për në kategorinë e parë. Por, kur gjithçka shkonte mirë dhe bukur, dikush në vitin 1977 u kujtua se “trajneri çam” Harun Dojaka, ishte djali i motrës së “armikut” Teme Sejkos dhe duhej larguar si trajner nga “Partizani”. Dëshpërim dhe zhgënjim total për këtë njeri pasionant dhe të përkushtuar. Pak kohë ushtron detyrën e gjyqtarit të volejbollit dhe pastaj gjithçka me sportin kishte të bënte vetëm me lëvizjet nostalgjike që bënte me atë biçikletën e tij të tipit “Mifa” në vendet ku luhej volejboll.
Në rrugën e tij të sportit në vitet 1985, përkushtohet fortë i biri, Amosi, që si voljbollist i “Studentit” dhe “Tiranës” por dhe aktivizimet e tij në Gjermani dhe Izrael deri ne vitin 1998, si dhe me trofetë e fituara, ai ishte një kopje e të atit tij, Harun Dojakës.
Pas vitit 1991 “legjenda” Harun Dojaka së bashku me bashkëshorten Marlena, me origjinë hebreje do të emigrojë në qytetin e Ashdodit në Izrael, ku për shumë se 20 vjet do të punojë me ekipet e moshave të volejbollit të këtij qyteti duke përgatur breza të tërë në volejboll. Gjithsesi, Harun Dojaka me kaq shumë kontribute dhe vlera është harruar nga ata që e kanë për detyrë, duke u majftuar vetëm me vlerësimin me titullin e thjeshtë “Mjeshtër Sporti”.
Skeda e Harun Dojakës
Lindur, më 25 nëntor në Sarandë dhe ndarë nga jeta më 5 maj 2013
Karriera sportive: 1946-1952 sportist shumëplanësh tek“Butriti” dhe 1952 -1966 volejbollist tek “Spartak” dhe “17 Nëndori”, ku fiton një titull kampion, tri Kupa Republike.
-Karriera si trajner: në vitet 1961-1970 trajner tek “17 Nëntori” ku fiton 7 tituj kampion dhe 4 Kupa Republike. Në vitet 1970-1972 ka drejtuar ekipin femra të velojebollit të “Dinamos” duke shpallur kampion kategorisë dytë në sezonin 1971/1972. Në vitet 1973 /1977 drejton ekipin e femrave të volejbollit “Partizanit” që pas 20 vjetëve ngjitet në kategorinë e parë. Në vitet 1992- 2012 trajner dhe seleksionues i ekipeve të volejbollit të qytetit Ashdod –Izrael.
Vlerësime: “ Mjeshtër Sporti”