Sul Tufa, “Sulejmani i Madhërishëm” i notit dhe i sporteve nënujore

Durrsakët gjithnjë ta kanë çmuar, atë çka dhe. Për këtë edhe të detyrohen.


Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

Më në fund erdhëm edhe tek Sul Tufa. Pa dashur të bëj shpëtimtarin e asaj që quhet historia qytetare e Durrësit në tërësinë e saj, por plakja natyrore që po i ndodh fizikut tim më detyron të shpejtoj, më nxit të godasë pa pushim në tastjerën e kompjuterit dhe të çfaq me sa mundem personazhe të traditës.

Vështirësi ka sa të duash. Dua të jem në thjeshtësinë dhe modestinë time, pasi në këto punë dhe në këto përpjekje nuk më nxit kushi, por dashuria e madhe për Durrësin dhe njerëzit e tij, për të mos i lënë në heshtje dhe me sa mundem tua heq pluhurin e harresës. Në këto ngacmime, ku sentimenti dhe malli vendosin mbi gjithçka, e ndjen se në jo pak raste mungojnë informacione, për personazhe që kanë merita, janë larguar nga jeta dhe nuk u gjen qoftë edhe një rradhë të shkruar.


Sul Tufa, i pari nga e majta, me një grup zhytësish nga Durrësi Thoma Berberi, Niko Rusha, dhe Hasan Zane. Dhërmi 1975.

E në këto kushte, mundimi bëhet i madh. Se çfarë lemë pas këtyre shkrimeve për pasardhësit, është dukshëm shumë e lehtë, pasi mbeten në elektronikë. Halli është me ne, që kërkojmë ta nisim nga e para, pa patur gjë në “trajse”. Puna është tek Sul Tufa, gjigandi i sporteve dhe i muzikës. Është marrë me not, me vaterpol, ka ushtruar trajnimin dhe në orkestrës e estradës së Durrësit luan në kontrabas. Fola me arkivën e teatrit “A. Moisiu”. Me gjithë kujdesin dhe vëmëndjen, shumë vështirësi për të kapur ndonjë foto, ku Sul Tufa të jetë duke i rënë kontrabasit.

E sa i takon notit, jemi me fat që jeton dhe është me shëndet të mirë 84 vjeçari, nga maestrot më pikantë të sporteve të ujit Niko Kurani. Duhet të nxitojmë, të nxitojmë, të nxitojmë, njëqind herë të nxitojmë, për të kapur dhe shpëtuar me sa mundemi historinë tonë shumëplanëshe.

Është meritë e Thoma Berberit, krijuesit dhe drejtuesit të KANUD-it (Klubi i Aktiviteteve Nënujorë Durrës) që çfaq një foto të shkëlqyer, ku janë krahas Thoma Berberit, Niko Rushës dhe Hasan Zanes edhe madhështori i notit dhe i ujit të thellësive Sulejman Tufa. Edhe këtu në not, çfaqet një Sulejman i Madhërishëm. Sa detyrime të kemi Sul Tufa!

Sa borxhe të kemi, mor i madhi ynë Sul Tufa! Ja si tani, të fillojmë t’i lajmë pak nga pak. Jam thjesht në detyrime morale dhe qytetare, pasi dua të thërrasim fort, aty ku mundemi dhe si mundemi, se kemi traditë të madhe në not, në sportet nënujore. Të tharrësim fort se ka qenë një gjigand i notit, nga trajnerët e parë të ekipeve të ujit në Durrës, nga krijuesit e sportit të gjuajtjes me pushkë, por edhe të qendrimit pse jo edhe me orë të tëra në thellësinë e ujrave të kripura!

Dhe ky është Sul Tufa, Sulejmani ynë i Madhërishëm, i thjeshti, i urti, punëmadhi, i papërtuari, i gjinduri për të bërë punë të mira dhe të mbara. Dhe ky është sërish Sul Tufa. Burrë i shtruar, por me fizik si një lis i lartë, të një kosovari autoritar, që erdhi në Durrës në mesin e viteve 40-të.

Hajde more Niko Kurani, hajde të bisedojmë për Sul Tufën! Ta kujtojmë këtë zotni të notit, që nuk u shkruajt asgjë por dhe që tani për tani, nuk kemi gjetur kurrfarë gjëje në kërkimet tona. Kur për Sul Tufën kështu, por për të tjerë? Retorika vjen e dhimbshme si vetë heshtja e njërit prej personazheve më të prekshëm, më të ndjeshëm të notit durrsak dhe jo vetëm.

Në disa gjëra, duke na munguar të dhënat sado të thjeshta biografike, do të kufizohemi me periudha. Ta zemë, që lindja e tij, do të jetë diku para se të prekej viti 1930. Dhe po të vendosim të mendojmë siç thotë Kurani historik, i bie që jetëgjatësia e tij 70-të vjeçare, të jetë ndërprerë diku pak para fundit të viteve 90-të. Dhe pena e parë për këtë është ky shkrim, që vlera mbigjithçka qendron se është i pari. Sa keq, por edhe sa mirë njëkohësisht!


Sul Tufa (majtas) dhe Niko Kurani.

Sul Tufa jetoi 70 vite dhe po i ofrohet tri dekadave që ka mbyllur sytë, për të na detyruar të hapim sytë tanë dhe për të parë angazhimin historik, të një njeriu që aq shumë i dha notit, apo në kuptimin figurativ ujit durrsak. Më fal Sul Tufa! Të falenderojmë Thoma Berberin, Majin tonë të shkëlqyer, që edhe atij i mbetemi borxhli për atë që ka bërë dhe po bën. Nuk harrohet batiskafi, krenaria dhe autoriteti që na dha Thoma Berberi, ne durrsakëve para gjithë Shqipërisë.

Nuk është rastësi që Thoma Berberi, është në një foto shumë të vlefshme me Sul Tufën duke eksploruar ujrat e Jonit, në zonën e Dhërmiut në verën e vitit 1975. Çfaqet në të madhështor Sul Tufa. Pjesë e familjes, që kur erdhën nga Kosova u përqendrua në Tiranë, ndërsa Sula qendroi me të motrën Vera Tufën në zonën e famshme të Pusit të Tapanasë, prapa gjykatës së Durrësit dhe në kufi me të famshmen tjetër lagje atë të Sefer Efeniut.


Ekipet e notit të “Lokomotivës”, që bënin ligjin në garat kombëtare. I pari në këmbë nga e majta trajneri Sul Tufa.
Vera Tufa, që me sa kemi informacion jetoi e vetme, mbetet nga volejbollistet e para në Durrës nën trajnimin e shkodranes së njohur, nga zonjat më të respektuara dhe më të afta në sport dhe kulturë Bernardina Qerraxhia. Beni është ndër krijueset e teatrit “A. Moisiu”. Mbetet çiklistja e parë, që ka pedaluar në kampionatet kombëtare të dyrrotakëve në mesin e viteve 30-të, duke bërë revolucion në sportin e femrave në Durrës. Sa histori të madhe dhe të çmuar që kemi? Sa punë na duhet e na duhet, ta çfaqim gjithnjë e më të plotë? Thënë troç, shkurt dhe qartë: Jemi shumë mbrapa. Duhet vetëm të ecim dhe të ecim.

Sul Tufa nuk trashëgoi fëmijë. U martua shumë vonë me një mësuese Melin, kolege në shkollën “Maliq Muço” me të mirnjohurën Verushe Myshketa.

Flet Niko Kurani:

-Sul Tufa e filloi me notin. Mbetet nga vaterpolistët më cilësore të Durrësit dhe të të gjithë vendit. Pas Mustafa Çelkupës, mori në dorëzim drejtimin e ekipeve të notit dhe bëri shumë. Unë vetë jam produkt i Sul Tufës, ndonëse pasioni dhe talenti im u çfaqën që në moshën 10 vjeçare. U largua shpejt nga noti, në fillim të viteve 60-të. Në mënyrë autodidakte, mësoi kontrabasin dhe filloi punë si orkestrant në orkestrën e estradës së Durrësit.

Sul Tufa notar. Sul Tufa vaterpolist. Sul Tufa trajner i notit të Durrësit, në mesin e viteve 50-të. Por Sul Tufa, është edhe krijuesi i gjuajtjes me pushkë deti. Ai mësoi si veten edhe dyshen e famshme Niko Kurani dhe Kastriot Karamuço. E ëma e Kasos, një italiane fisnike dhe shumë e bukur, solli një pushkë uji nga Italia. Kaq u desh dhe trioja Tufa, Kurani dhe Karamuça e adaptuan dhe prodhuan disa të ngjashme. Të tre gjuanin fort me pushkë dhe që të tre, qendronin padalë në sipërfaqe me orë e orë të tëra.

Sul Tufa punoi si mekanik në Parkun Automobilkistik të Mallrave dhe më pas kaloi në administratë. Punëtor i madh. Sakrifikues i madh. Tre herë është goditur në zemër nga infarktet dhe shpëtoi për mrekulli. Por infarktit të katërt nuk mundi. Gjuante shumë orë me pushkë. Mbase edhe ditë të veçanta kalonte, duke treguar guxim dhe qendresë para kafshëve të shumta të detit. Kemi të bëjmë me egërsira, të cilat edhe të rrezikojnë jetën. Dëgjonte shumë dhe fliste pak ky Sulë i Tufajve.

Punonte, stërviste veten dhe ekipin, zhytej në ujë, kalonte në provat dhe çfaqjet e estradës. Njeri i kompletuar, me kulturë dhe pasion të madh për sportet dhe artet. Shok dhe mik i mrekullueshëm. Ka dhënë shumë ky Sulejman i Madhërishëm. Dhe asnjëherë nuk u mburr, nuk e bëri gjoksin plagë nga “trimëritë” dhe nuk u çfaq në asnjë rast. Dha gjithçka të mira brenda bindjeve të veta, pa treguar meritat që i takojnë, pa spostuar asnjë dhe të thoshte qoftë edhe njëherë të vetme: “Unë e kam bërë këtë gjë”!

Po pse ishte kështu, Sul Tufa mbeti në heshtje. Asnjë nuk u kujtua për të dhe e lanë në qetësinë dhe mosbzamjen e tij. Punoi i heshtur. Bëri gjithçka të mirë dhe të vlefshme i heshtur. U largua në botën e përjetshme në heshtje. Dhe duhej të vinte 2 shkurti i vitit 2024, që një bashkëqytetar i tij, shumë krenar për punën e jashtëzakonshme që ka bërë ky gjigand, të detyronte veten t’a prishte këtë heshtje gati shekullore, nisur që nga lindja.


Në këmbë nga e majta Niko Kurani, Sul Tufa, Jorgo Goga, Koço Afezolli, Kastriot Karamuça, Shyqyri Qepali. Ulur nga e majta: Hysen Haxhia dhe Niko Karabeci (Naska). Viti 1962.

Sul Tufa dallohej dhe veçohej për shtatin e veçantë, fizikun tërheqës dhe të lidhur, shpatulla të gjëra sa deti, forcën dhe “egërsinë” si të një tarzani.

-Kur erdha nga Italia, pas atij tmerri që kalova me djalin, kujton Niko Kurani, diku nga viti 1997, mësova që Sul Tufa nuk jetonte. Prandaj edhe jam i sigurtë, që ky do të ketë qenë edhe viti i largimit nga ne. Di dhe këtë tjetrën, që jetoi 70 vite. I detyrohemi këtij njeriu, që i dha Durrësit shumë, shumë.


“Këngë për detin”, interpreton Qemal Kërtusha. Në kontrabas Sul Tufa. Foto e vitit 1962. Arkiva e Qendrës Kulturore “A. Moisiu”.

Më fal Sul Tufa për këtë vonesë! Por ngushëllohem, se jam i pari që po shkruaj për ty. Parë kështu, nuk mund ta fsheh kënaqësinë. Nëkëtë rast duhet t’ia dimë për nder Thoma Berberit, por edhe Kuranit ende të fortë të notit. Por sa të tjerë si Sul Tufa kemi, që kanë dhënë po kaq shumë, por nuk janë ndjerë? Duhet t’i zbulojmë dhe t’u kërkojmë të falur.

Sul Tufa, Sulejmani i Madhërishëm i notit dhe i sporteve nënujore. Po t’i dërgoj këto rradhë dhe vendosi diku në parajsën tënde. Durrësi nuk të harron. Durrsakët gjithnjë ta kanë çmuar, atë çka dhe. Për këtë edhe të detyrohen.

Sul Tufa, tashmë në paharresën tonë!

 

Lexo më shumë

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…