Bejkush Birçe, “gjenerali” i futbollit shqiptar
Ish-trajneri i njohur i Partizanit, Dinamos, Lokomotivës, Flamurtarit, Naftëtarit dhe i Kombëtares, një nga specialistët e mirënjohur të futbollit tonë Bejkush Birçe.
Nga Moisi Dalipaj
Bejkush Birçen kur e shikon duke ecur në rrugë, me atë rritëm të veçantë, ku trupi tij mesatar dhe i mbledhur, të prezanton profilin e një labi të “ashpër”, pak kush e mendon se ky njeri ka pak kohë që ka lënë pas 78 vitet e jetës tij. Ata që e njohin nga afër, e dine mirë dhe nuk kanë nevojë për të pyetur dikë tjetër, sepse përkushtimi tij për sportin që vazhdon dhe sot në këtë moshë, ka dhënë efektet e tij në portretin e tij fizik dhe mendor. I kthejllët në mendimet dhe kujtimet për karrierën e tij rreth 65- vjeçare me sportin, bëjnë që nostalgjia t’ia lëvizë moshën dhe kujtimet nga vendi. Ai ka lindur në fshatin Bolenë të Vlorës në një ditë të ftohët të shkurtit 1943. Çlirimi vendit e gjeti jetim dhe, së bashku me nënën, dy vëllezërit dhe motrën, zbresin në qytetin e Vlorës. Kur ishte vetëm 6 vjeç, transferohet në jetimoren e Tiranës, ku përfundon dhe shkollën 7- vjeçare. Më vonë, regjistrohet në Teknikumin e Sportit në Tiranë, duke ju përkushtuar fortë sportit. Rinia e tij po formonte një sportist shumëplanësh, duke u aktivizuar në futboll, not, volejboll dhe basketboll.
Të njëjtën gjë bën në Vlorë dhe vëllai tij më i vogël, Dalan Birçe. Por futbolli mbetet pasioni tij. Trajneri njohur i futbollit Xhevit Demneri , do bëjë këtë lab të sertë pjesë të skuadrës të të rinjve të Tiranës. Aktivizohet si sulmues, ku shpejtësia është cilësia e tij kryesore. Pas kësaj, pak kohë bëhet pjesë e skuadrës të Teknikumit të Fiskulturës në Kategorinë e Dytë. Hera –herës kthehet në Vlorë ku ndihmon në ngritjen e ekipeve sportive, duke u bërë pjesë e tyre. Në vitin 1962, kryen shërbimin ushtrak dhe bëhet pjesë e ekipit të Akademisë Ushtarake. Rregull, disiplinë dhe sport. Një formim ky, që do ndikojë në karakterin e tij në të ardhmen. Pak vite më vonë, Bejkush Birçe do t’i përkushtohet mësimdhënies , duke ndihmuar dhe përgatitjen të futbollistëve të rinj nga shkolla ushtarake për ekipin e ‘Partizanit’. Duke parë punën e tij plotë përkushtim, për sportin dhe veçanërisht për futbollin, dikush hodhi mendimin për t’i besuar drejtimin e ‘Partizanit’. Bejkush Birçe kujton: – “Në vitin 1971 më thanë se isha emëruar trajner i ‘Partizanit’. Nuk e besova për një farë kohe. U binda kur më merr në telefon Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Beqir Balluku, që më uroi për detyrën e që më thotë të shkoja te ‘Partizani’.
Ishte një detyrë shumë e rëndësishme të ishe trajner i parë i ‘Partizanit’, në atë kohë. Por edhe një detyrë shumë e vështirë. Sapo kishte mbaruar sezoni dhe para kishim Kupat e Evropës. Si çdo trajner në eksperiencën e parë, i gjendur në një ambient të ri, Bejkush Birçe, u detyrua të përballej me vështirësi. Ishte koha e Panajot Panos me shokë tek ‘Partizani’. Drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes, filluan të më paragjykojnë, pasi kishte nga ata që e kishin paragjykuar që në fillim, se si trajner pa përvojë, nuk ishte ai, njeriu i duhur për të drejtuar një ekip elitar, si ‘Partizani’. – “Ishin edhe këto arsye që ‘Partizani’ nuk kaloi atë vit një sezon të mirë. Pas tërë peripecive që përjetova, për të shmangur konfrontime, pa mbaruar ende sezoni, shkova në Ministri dhe kërkova dorëheqjen. U thashë se disa gjëra nuk mund të fshihen dhe kam duruar që jam sot këtu, por isha i bindur se ishte momenti i largimit tim. Pasi m’u pranua dorëheqja dhe nuk më është bërë asnjë vërejtje, u riktheva në detyrën e mëparshme, si pedagog te shkolla “Skënderbej”. Por u largova krenar se i solla ‘Partizanit’ në atë sezon, disa lojtarë që lanë gjurmë të thella si, Kujtim Dalipi, Sefedin Braho apo Uran Xhafaj”. Kjo ishte përvoja e parë, por shumë domethënëse për të ardhmen. Një vit më vonë, i vjen ftesa për të drejtuar si trajner, skuadrën e ‘Naftëtarit’ të Kuçovës.
Një punë e kujdesshme dhe shumë profesionale, duke ngritur nga e para ‘Naftëtarin’ e atij futbolli të bukur që në ato vite përballej me sukses, me çdo kundërshtar. Bashkim Sulejmani, Vasil Piperoni, Fatmir Ismaili, Enver Hafezi, Sofo Vasili, Bashkim Xheka, Qetsor Faqekuqi, Daut Hoxha, Nasho Fili, të përforcuar me 19 vjeçarët Agim Prifti, Mikel Koroveshi, Sandër Koçi dhe Dane Gega, ishin ai ansambël i bukur i futbollit shqiptar, që në ato vite përballej me sukses me ‘Partizanin’, ‘Dinamon’ ,’Vllazninë’ , ‘Labinotin’ ,’Flamurtarin’ dhe ‘17 Nëndorin’ . Dhe artitekti kësaj skuadre, është trajneri Bejkush Birçe, që dy sezonet që drejtoi këtë skuadër, i kujton me shumë nostalgji. Dhe vitin 1975, një ofertë tjetër për trajner do të lartësonte profilin e tij si trajner. Mori propozimin për të drejtuar ‘Flamurtarin’ e Vlorës. -“U mendova gjatë, sepse nuk ishte i lehtë rikthimi. Por më bindën në Vlorë, edhe disa miq e vendosa të rikthehesha. Kërkova kohë dhe për tre vjet, arrita të reformoja tërë skuadrën. Lojtarët që shkruan historinë e ‘Flamurtarit’ në Kupat e Evropës, në fund të viteve ’80, i pata seleksionuar falë një pune voluminoze si, Çipi, Ruci, Lushaj, Xhaho e të tjerë. Në sezonin që ‘Flamurtari’ po jepte frytet e para të punës, falë atij të brezi të artë që krijuam, më vjen një thirrje për t’u paraqitur në Ministrinë e Mbrojtjes.” Dhe për Bejkush Birçen, në fund të viteve1970 -1980, ka ardhur momenti i një epoke tjetër.
Duke kujtuar këtë moment Birçe thotë: “Kur u paraqita në Ministrinë e Mbrojtjes, sipas rregullave që ata kishin, m’u dha direkt urdhri: “Je emëruar trajner i ‘Partizanit’!”. Pas kthimit nga Vlora ime dashur, i ndërgjegjshëm se “urdhrat” e ushtrisë nuk mund të thyheshin, por edhe me sugjerimet e miqve, pranova të rikthehesha sërish në Tiranë e të bëhem trajner i ‘Partizanit’, edhe pse jo, me optimizëm. Kjo eksperiencë zgjati pesë sezone. “Pas kthimit iu futa punës. Gjeta një ekip të mirë dhe e rindërtova. Fitova dy tituj kampion radhazi (1979 dhe 1981) si dhe një Kupë. Eksperienca e dytë shkoi shumë mirë dhe jam shumë i kënaqur.” – thotë me atë seriozitet që e karakterizon Bejkush Birçe. Edhe pse ishte kohë e vështirë dhe Shqipëria ishte e izoluar prej regjimit, nën drejtimin e Bejkush Birçes, ‘Partizani’ arriti të shkruante historinë në Kupat e Evropës.
Në eksperiencën e dytë si trajner i ‘Partizanit’, Birçe, përveç titujve të parë kampionë si trajner, kujton përballjet Evropiane, me skuadra që ishin kampione të Kupave të Evropës në edicionet e kaluara, si ‘Sëlltik’, apo ‘Malmo’, ndaj të cilave fiton dhe barazon në Tiranë, pavarësisht se eliminohet me shumë vështirësi, në ndeshjet e kthimit. E njëjta histori, përsëritet edhe në përballjen e tretë ndaj ‘Austrisë’ së Vjenës, skuadra që në atë kohë kishin shkruar historinë e tyre në kontinent. ‘Sëlltik’ erdhi në Tiranë si kampione dhe ‘Malmo’, nën-kampione e Evropës. Pas ekperiencës për tre sezone, 1984-1987 trajner tek ‘Teuta’ në Durrës, Bejkush Birçe, drejtoi në vitet 1987, ‘Dinamon’, ekipin tjetër legjendar të kryeqytetit. -“Në atë vit ‘Dinamo’ rrezikonte rënien, por shpëtuam. Afrova disa lojtarë të spikatur, cilësitë e të cilëve i njihja, si porterin Foto Strakosha, Alfred Ferkon, Rudi Vatën, dhe plotësuam organikën. Në dy sezonet e mëtejshme, fituam Kupën dhe e mbylla me të, tre trofetë në ’90: titullin kampion, Kupën dhe Superkupën.”
SKEDA E BEJKUSH BIRÇES
Lindur: Më, 13.02.1943, në Bolenë të Vlorës.
Karriera si sportist: Vitet 1958 -1962 not, basketboll, volejboll e futboll në Vlorë dhe Tiranë.
Karriera si trajner: ‘Partizani’ 1971-1972, dhe 1978-1984. ‘Naftëtari’ 1972-1975, ‘Flamurtari’ 1975-1978, dhe 1996, ‘Teuta’ 1984-1987, dhe 1998, ‘Dinamo’ 1987- 1991, dhe Ekipin Kombëtar 1991-1994.
Trofe të fituara: Me ‘Partizanin’ titullin kampion 1979 dhe 1981, dhe Kupën 1980. Me ‘Dinamon’ dy Kupa 1989, 1990, titullin kampion 1990, dhe Superkupën 1990.
Karriera në organet drejtuese: Zëvendëspresident i FSHF-së, në vitet 1998 -2001, dhe vazhdim Kryetar I.
Vlerësime: Medaljet “Nderi Futbollit Shqiptar” -FSHF; dhe “Mjeshtër i Madh” -Presidenti Republikës .
Gazeta “Telegraf“