Presidenti Duka në “Skaner”/ Sfidat e futbollit, ligji i sponsorizimit, infrastruktura, kampionati, Kombëtarja e deri te projektet

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një intervistë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Skaner” në MCN TV me gazetarin Gerti Çarçani.


Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një intervistë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Skaner” në MCN TV me gazetarin Gerti Çarçani. Për më shumë se një orë, Presidenti Duka foli për shumë tema të rëndësishme që i përkasin futbollit shqiptar.

Në fokus të diskutimeve ishin: situata financiare e klubeve në Shqipëri, ligji i sponsorizimit, formalizimi i klubeve, buxheti i shtetit për futbollin, investimet në infrastrukturën sportive, kampionati “Abissnet Superiore” dhe skema Final Four, arbitrimi, situata e fundit e krijuar me Policinë e Shtetit për garantimin e rendit dhe sigurisë në stadiume, tifozët, ekipi Kombëtar, përgatitjet për edicionin e ri kualifikues në Kupën e Botës, aktivitetet e rëndësishme që FSHF do të organizojë dhe mirëpresë në Shqipëri, si dhe vendimi i rëndësishëm i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për të caktuar Shqipërinë si një nga vendet për të organizuar Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027.

Më poshtë intervista e plotë e Presidentit Duka në emisionin “Skaner” me gazetarin Gerti Çarçani.

Situata financiare e klubeve? – E rëndësishme është që situata financiare të shëndoshet dita-ditës dhe vetë klubet të krijojnë mundësi të ardhurash dhe ta përmirësojnë atë. Unë mendoj që kjo lloj situate ka ndryshuar për mirë, sepse klubet menaxhohen në një nivel shumë më të lartë se më parë dhe kanë më shumë të ardhura. Por, që të kemi një futboll ashtu siç e duam dhe të shkojmë në një stad tjetër, në një nivel më të lartë zhvillimi, do të duhet një incentivim apo mbështetje.

Sot pothuajse të gjitha të ardhurat e klubeve vijnë nga vetë aktiviteti i tyre, donacionet e Federatës apo donacionet e FIFA-s dhe UEFA-s. Buxheti i shtetit është zero dhe nuk ka asnjë lehtësi fiskale apo incentivim për ata që investojnë në futboll. Kjo do të ishte një nxitje akoma më e mirë për ta shëndoshur edhe më shumë situatën financiare.

Padyshim që ka edhe shumë gjëra të tjera për t’u përmirësuar; të rriten të ardhurat nga komercializimi i të drejtave, nga biletat, nga rritja e numrit të spektatorëve apo edhe nga prodhimi i futbollistëve. Por prodhimi i futbollistëve është i lidhur, siç e thashë, me një shëndet akoma më të mirë financiar.

Ligji i sponsorizimit? – Klubet kanë vështirësi dhe kjo mund të sjellë mërzi e largime. Por kjo nuk është e vetmja arsye pse ligji i sponsorizimit duhet të ekzistojë. Ne e kemi argumentuar dhe thënë disa herë që ligji i sponsorizimeve është një domosdoshmëri dhe një e drejtë që i takon sportit.

Ekonomia shqiptare ka përfitim nga futbolli. Futbolli ka një ndikim direkt në ekonomi, që llogaritet me qindra milionë euro, nga ndikimi i drejtpërdrejtë i të gjithë aktivitetit futbollistik shqiptar. Ligji i sponsorizimit nuk është thjesht një donacion; mund të jetë edhe në një formë tjetër. Qeveria mund të zgjedhë të krijojë një buxhet për sportin, gjë që ne jemi i vetmi vend që nuk e kemi. Jemi i vetmi vend në Europë që e kemi buxhetin për futbollin zero. Shumica e vendeve kanë gjetur si më të përshtatshëm këtë ligj, i cili u krijon lehtësira fiskale atyre që sponsorizojnë në sport. Ka pasur diskutime apo debate përse duhet të jetë kështu apo nëse mund të krijojë mundësi për abuzime.

Absolutisht nuk ka hapësira për abuzime nëse miratohen të gjitha aktet nënligjore, të cilat ne i kemi propozuar dhe ndalojnë apo limitojnë çdo lloj abuzimi. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet tona dhe kemi pasur premtime nga qeveria, madje edhe nga kryeministri direkt. Edhe pas mbrëmjes gala diskutuam me të dhe ai tha që këtë vit do të bëhet patjetër. Madje tha që nuk quhet as sponsorizim, por një fond i domosdoshëm për sportin. Uroj dhe shpresoj që të jetë e vërtetë këtë vit.

Unë kam parë në emisionin tuaj shifrat e Kosovës për futbollin, që realisht i kanë ndihmuar klubet të zhvillohen. Në renditjen e klubeve në UEFA, klubet e Kosovës janë më mirë se klubet shqiptare, megjithëse me një histori shumë më të vogël se ne. Dashamirës kanë qenë të gjithë, por në letër nuk ka asgjë.

Mendoni që ka qenë një vullnet i munguar nga ana e qeverisë apo pjesa burokratike që mendon se krijon “gropë” në buxhet? – Çfarë grope do të krijojë në buxhet? Buxheti në fund të fundit është për të përmirësuar jetën e vendit. Futbolli nuk është thjesht një sport ku vijnë disa spektatorë në stadium, por edukon fëmijët dhe i shërben shoqërisë. Nëse ky buxhet përdoret për të ardhmen e fëmijëve, për t’i edukuar ata, qoftë sportivisht apo mendërisht, kjo nuk quhet gropë.

Nëse do të flasim për shifrat që ligji i sponsorizimit do të sjellë, apo për taksat që do të shkojnë për futbollin, ato do të jenë më pak se kostoja e një kilometri rruge. Sporti nuk është diçka për t’u anashkaluar. E përsëris, është një gjë që i shërben shoqërisë, fëmijëve, edukimit dhe pse jo, edhe gjendjes shpirtërore të njerëzve.

Ne kemi shkuar deri në vendime ekstreme. Kemi bojkotuar kampionatin, por në fund e ndaluam bojkotin sepse patëm një premtim që kjo gjë do të bëhej, bashkë me disa gjëra të tjera. Do të vazhdojmë të luajmë futboll dhe të kërkojmë atë që na takon.

Ishte ide e gabuar bojkoti, apo bëri efekt? – Rezultati nuk është gjë, ndoshta ideja e rikthimit ishte e gabuar. Gjithsesi, është e vështirë, sepse në fund të fundit njerëzit thonë që duan të shohin futboll. Futbollistët duan të luajnë, spektatorët duan të shohin. Nuk është shumë e lehtë të bojkotosh për një kohë të gjatë. Unë pres që ligji të miratohet këtë vit. Kam prirje t’i besoj gjithkujt, aq më tepër Kryeministrit të vendit. Gjithçka është e rëndësishme dhe një shëndet i mirë financiar është i rëndësishëm. Por kjo nuk varet nga ne. Uroj që të ndodhë këtë vit.

Mendoni se me hyrjen në fuqi të këtij ligji bizneset do të afrohen më shumë te futbolli? – Ky ligj sjell disa gjëra të mira. Sporti dhe futbolli në veçanti, e ka të vështirë të mbahet vetë në çdo hapësirë gjeografike të Shqipërisë. Shpesh njerëzit mendojnë vetëm për Tiranën apo Partizanin, por në Shqipëri luajnë futboll më shumë se 23 mijë persona. Nga këta, vetëm 2 mijë janë profesionistë, ndërsa 21 mijë të tjerë janë amatorë, përfshirë fëmijët në çdo cep të vendit. Ata e kanë të pamundur ta zhvillojnë futbollin pa marrë atë që u takon nga buxheti.

Për ta argumentuar edhe një herë atë që kemi theksuar më parë: fondet që shteti mund të investojë në futboll apo në sport në përgjithësi nuk janë thjesht një shpenzim apo donacion. Përkundrazi, është një investim që kthehet shumë shpejt. Nga pikëpamja ekonomike, rritja e futbollit sjell përfitime të konsiderueshme, qoftë nga aktivitetet që zhvillohen në vend, qoftë nga shitja e një futbollisti apo taksat që paguhen nga lojtarët profesionistë. Investimi kthehet më shpejt se në shumë sektorë të tjerë, madje më shpejt se brenda tre vitesh.

Si qëndron çështja e formalizimit të klubeve? – Klubet profesioniste në Shqipëri janë pothuajse 100% formale. Edhe ato amatore, ndonëse nuk janë biznese të mëdha, kanë një nivel formalizimi të kënaqshëm. Në fakt, është shumë e vështirë të gjesh dikë të punësuar në të zezë në klubet shqiptare.

Formaliteti në futboll është më i lartë se në pjesën më të madhe të ekonomisë shqiptare. E them këtë me bindje, pasi ne i licensojmë klubet duke bërë kontrolle mbi formalizimin dhe funksionimin e tyre. Nëse nuk plotësojnë kushtet, nuk licensohen. Nuk ka qenë kërkesë e klubeve që të përfitojnë nga amnistia fiskale. Vetëm disa klube kishin detyrime tatimore të trashëguara nga periudha e mëparshme, të cilat shteti nuk i fali dhe ato janë paguar. Kjo situatë ka prekur kryesisht klubet si Vllaznia dhe Tirana.

Ka ardhur momenti që edhe Federata e Futbollit të jetë e përfshirë në listën e buxhetit? – Federata e Futbollit bën shumë gjëra, që mbase nuk i takon edhe të bëjë. Pothuajse të gjithë infrastrukturën, përmirësimin, mirëmbajtjen, rinovimin dhe ndërtimin e fushave të reja e bën nëpërmjet të ardhurave të veta dhe projekteve që merr nga FIFA dhe UEFA.

Kryesorja në buxhet apo ligjin e sponsorizimit duhet të jenë klubet, akademitë, ekipet e futbollit në të gjithë Shqipërinë. Jo vetëm në klubet profesioniste, kryesisht në ato amatore. Ata nuk mund të krijojnë të ardhura dhe e kanë të vështirë që të mbijetojnë nëse nuk e kanë një mbështetje financiare. Sot të gjithë aktivitetet në Shqipëri financohen nga Federata e Futbollit, edhe aktivitetet amatore.

Nëpërmjet projekteve që ne kemi si “Uniforma Ime”, projekti i furnizimit me topa dhe çdo gjë tjetër. Qoftë edhe pagesat për fushat, për kampionatet që bëhen për fëmijët, për stërvitjen e fëmijëve nën 10 vjeç. Kryesisht nëse do të ketë ndonjë gjë më mirë, të jetë për klubet, për akademitë dhe fëmijët, pasi Federata është në një moment që gjeneron të ardhura dhe mban shumë mirë aktivitetin dhe e përballon atë. Besoj se jemi i vetmi vend në Europë që kemi 0 para nga buxheti.

Kampionati “Abissnet Superiore” dhe skema Final Four? – Nuk besoj se keni përkrahur asnjëherë asnjë skemë. Asnjëherë nuk keni thënë shumë mirë që u bë nga një kampionat me 18 skuadra me fusha asnjanëse e me një fazë, shkuan në 16, 12 dhe 10 në ndarjen me kategori. Ju nuk keni thënë ‘OK’ edhe për reformën në kampionatin e të rinjve, që po të shohësh sot kampionati U-19 në vendin tonë ka një rivalitet dhe nivel njëlloj si ekipet e para. Ky është rezultat i reformave dhe ndryshimeve të skemave.

Kështu që nuk pres që ju të thoni sa mirë dhe nuk ju takon të thoni. Çdo gjë do një afat që të ketë maturimin, rritjen dhe të japë rezultatet e saj. Edhe kjo duhet të ketë një kohë. Por nuk besoj që ka prodhuar asgjë negative vjet dhe as sivjet. Krijon një lloj suspance për kampionatin, një lloj gare dhe aktiviteti sportiv në kryeqytet në një stadium shumë të bukur. Një finalizim të garës dhe i jep shance më shumë katër skuadrave për të dalë kampion. Diskutimet janë të ndryshme, por edhe kampionatin Botëror e humb për një penallti. Kryesorja është që t’i japim më shumë vëmendje futbollit.

Rivaliteti me 4 skuadra që në fund do të ndajnë titullin rrit më shumë rivalitetin, më shumë interesin, më shumë njerëz që vijnë rreth futbollit dhe në fund të fundit krijon më shumë njerëz që do të afrohen dhe nesër. Ky është dhe promovimi që mund t’i bësh lojës. Sigurisht që mund të sjellë edhe disa të ardhura më shumë, por këto të ardhura nuk janë jetike për klubet. E rëndësishme është që të krijojmë një interes më të madh për lojën. Gara ndahet edhe për një penallti, edhe për një minutë.

Ka pasur gara në kampionatin shqiptar që janë ndarë me golavarazh. Kështu është futbolli, nuk shoh asnjë gjë të keqe. Do të jenë klubet kryesisht që do të marrin vendimin nëse do të duhet të vazhdojnë kështu apo jo. Asgjë nuk bëhet nga mendimi i një njeriu në tavolinë. Janë marrë ekspertët më të mirë të Europës dhe kemi marrë të gjithë statistikat e kampionatit shqiptar në 20 vitet e fundit dhe kanë shkuar në këtë lloj konkluzioni. Ideale nuk ka kurrë, çdo lloj skeme ka opinione të ndryshme. Kjo është një gjë e re. Gjithmonë gjërat e reja janë më interesante në futboll. Sa më tepër gjëra të reja, aq më bukur. Këtu te loja jonë nuk ka mendime të njëjta asnjëherë. Ne rritemi nga mendimet ndryshe.

Padyshim që ka diferenca mes ekipeve, pasi ka klube me kontingjente, kualitet, gjendje dhe formë më të mira, por diferencat nuk janë shumë të mëdha. Jemi dëshmitarë të javës së fundit të Kupës, ku Skënderbeu fitoi ndaj Dinamo City-t që është në vendet e para. Kemi parë dhe rezultate të tjera të tilla, si brenda dhe jashtë. Ka surpriza, nuk dihet. Një kampionat me dhjetë skuadra nuk është i parashikueshëm. Jemi kampionati që ka më pak diferenca mes vendit të parë dhe të fundit në Europë.

Jemi kampionati që ka më shumë emocion deri ditën e fundit për të ndarë titullin. Besoj që drejt kësaj tradite do të shkojë përsëri. Nuk është çudi që vendet e fundit si Skënderbeu, Teuta, Tirana, Laçi të fitojnë çdo lloj ndeshjeje edhe kundër Partizanit, Egnatias, Vllaznisë, Dinamos. Mund të sjellë më shumë afrim, edhe mund të mos ndodhë. Futbolli nuk është i parashikueshëm, prandaj është i bukur.

Rrezikon viti i dytë i “Final Four” pa Tiranën? – Do të ishte shumë mirë që Tirana të jetë pjesë. Një lloj penalizimi ka qenë për “Final Four” e vitit të kaluar që nuk ishte Tirana. Dihet që Tirana është skuadër e kryeqytetit me shumë mbështetje dhe do t’i jepte akoma më shumë interes.

Nëse ka interes për Tiranën, ka interes për futbollin. Kur ka interes në stadium për Tiranën, nuk është se përfiton vetëm Tirana, por edhe Laçi apo Skënderbeu, sepse janë pjesë e të njëjtës familje. Duke qenë skuadër me shumë tifozeri dhe shumë interes në kryeqytet, do të ishte shumë mirë që të ishte.

A është e vërtetë që Presidenti i ka më shumë sytë te Kombëtarja? – Në një lloj mënyre, ekipi Kombëtar jo vetëm për rëndësinë që ka, por edhe për ndikimin direkt në performancën e tij nga Federata dhe gjithë stafi i saj, është më i madh sesa në performancën e një klubi.

Nga pikëpamja organizative, unë besoj që ne jemi perfekt, nga pikëpamja e vëzhgimit të saj dhe të gjithë elementëve, e financimit etj. Ne tashmë kemi filluar një projekt për të mirëmbajtur edhe fushat e klubeve. Përveç se ua kemi ndërtuar, padyshim që e mira nuk ka fund, por brenda mundësive tona bëhet maksimumi për çdo lloj klubi, akademie, skuadre apo individi që luan futboll.

Arbitrimi? – Arbitrimi për sa të jetë historia e futbollit, do të mbetet një çështje e diskutueshme, sepse vendimet nuk janë gjithmonë të pranueshme. Rezultatet nuk janë gjithmonë të pranueshme, por arbitrat dhe e gjithë puna që bëhet për përgatitjen e tyre është si asnjëherë më parë. Qoftë për përgatitjen teorike apo fizike të tyre.

Fakti që niveli i arbitrave në Shqipëri është shumë më i mirë se më parë dhe është zhvilluar më shumë se vetë loja, e tregon edhe prania e arbitrave shqiptarë në garat ndërkombëtare. Asnjëherë në historinë e vendit tonë nuk ka pasur arbitra në nivelin e grupeve të Conference League apo Europa League. Ne edhe sot vazhdojmë dhe arbitrat tanë janë aktivë, qoftë edhe me vajzat, si Emanuela Rusta. Niveli është rritur. Në finalen e “Final Four” besoj që do të jetë një arbitër ndërkombëtar nga më të mirët në Europë.

Siguria në stadiume, referuar edhe derbit të fundit? – Nëse do të shohësh shkresën e Policisë për organizimin e derbit në “Arenën e Demave”, që është një stadium simpatik, do ta rendisja ndër më të mirët në rajonin e Ballkanit. Nëse nuk është në 5 më të mirët, në 10 më të mirët është. Dhe të thuash që nuk marrim përsipër të zhvillojmë një ndeshje futbolli në këtë stadium dhe nëse i lexoni argumentet, thonë se kapaciteti i stadiumit është më i vogël se kërkesat e tifozëve. Kur luan Kombëtarja, ne kemi 300 mijë kërkesa dhe në stadium hyjnë 20 mijë njerëz.

Çfarë do të thotë Policia, që të mos luajmë në “Arenën Kombëtare”? Ku të shkojmë, në hënë? Ne kemi luajtur futboll në vitin 1991, kur Shqipëria ishte ashtu siç ishte. Kemi luajtur futboll në vitin 1997. Në 2025-ën, 90% e stadiumeve në Shqipëri kanë shkresa nga Policia që janë të papërshtatshme dhe nuk marrin përsipër sigurinë. Kjo është një lloj loje, ku mendojnë se e hoqën përgjegjësinë nga vetja. Nuk mendojnë se si do ta kryejnë detyrën e vet për të garantuar një aktivitet publik. Ne shumë thjesht mund të themi që kemi 90% të shkresave nga Policia dhe nuk luajmë futboll. Ky është realiteti, këto janë stadiumet. Ai stadium në fakt është shumë i mirë. Kur Policia arriti në stadium, gjithçka ishte perfekte. Domethënë që e bëjnë kur duan ta bëjnë dhe nuk e bëjnë kur nuk duan ta bëjnë.

Ne në përgjithësi kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë, por nuk e di pse kohët e fundit kanë ndodhur këto. Por unë uroj që të jetë ndryshe, le ta shohin sportivisht sportin. Është një lloj klime në Shqipëri ku thonë që ta heqim përgjegjësinë nga vetja, të dërgojmë një shkresë që nuk e marrim përsipër dhe këta të “vrasin veten”. I fusin dhe një ndjekje penale shefit të garave që ky e ka fajin që u zhvillua ndeshja në “Arenën e Demave”. Ne nuk marrim urdhra nga policia për të organizuar ndeshje. Policia ka për detyrë të ruajë rendin publik në çdo lloj aktiviteti. Nëse nuk do ta ruajë, le të mos e ruajë. Ai është një nga stadiumet më të mirë në rajon. Nuk mund të thotë policia që kapaciteti është më i vogël se kërkesat. Më duket pak absurd.

Edhe sot erdhi një shkresë nga policia që nuk merr përsipër organizmin e ndeshjes Delvina – Orikumi. Rreth 90% të shkresave nga policia janë të tilla. Para së të fillojë ndeshja, vijnë shkresat. Atëherë ne çfarë të bëjmë, duhet që t’i pezullojmë? Ndeshjet bëhen dhe policia vjen. E bëjnë që edhe nëse ndodh diçka, thonë që ne jua thamë.

Mungesa e tifozëve në stadiume? – Unë nuk kam një statistikë të saktë që ta them sot se sa është prania e spektatorëve në stadiume në Shqipëri dhe nëse është nën nivelin apo mbi nivelin rajonal. Padyshim që duhet të ketë më shumë dhe kur themi prania e spektatorëve në çdo lloj ndeshjeje futbolli dhe jo vetëm në Arenën Kombëtare, por edhe në të gjitha aktivitetet e tjera. Sidomos në kampionatin e të rinjve, interesi është shumë i shtuar krahasimisht me vitin e kaluar. Nëse do të marrim mesataren dhe të fusim edhe Kombëtaren, tifozë në stadium ka akoma më shumë se më parë.

Padyshim që duhet të ketë më shumë, por duhet të ketë më shumë edhe promovim dhe organizim më të mirë nga klubet. Ka fenomene të tjera që ndikojnë negativisht, por nuk janë justifikim as për ne dhe as për klubet. Si transmetimi i ndeshjeve live, që u jep njerëzve mundësinë ta shohin më komod, apo qoftë edhe të gjitha aktivitetet e tjera të shtuara, pra larmia e aktiviteteve të ndryshme.

Gjithsesi, interesi për të qenë në stadium duhet të jetë më i madh. Produkti duhet të promovohet, dhe promovimi bëhet nga vetë organizatorët, klubet, akademitë dhe të gjithë aktorët e tjerë. Ka projekte të dedikuara për këtë gjë nga Federata dhe mbështetja nuk ka munguar. Unë besoj që do të ketë akoma më shumë. Shumë shpejt do të vijmë në stadiume të mbushura në Shqipëri.

Klubet janë mjaftuar vetëm me rrjetet sociale për çdo lloj komunikimi. Për t’i rikthyer tifozët nuk është e thjeshtë, por as e pamundur? – Absolutisht që kanë bërë hapa përpara edhe në këtë këndvështrim që the ti, se në qoftë se edhe rrjetet sociale nuk ishin deri dje, tani janë. Ky është një hap pozitiv. Mund të organizohet shumë më mirë, të marketohet shumë më mirë, të promovohet më mirë, të lajmërohet, se në fund të fundit, njerëzit ndonjëherë nuk janë shumë të qartë edhe për oraret apo ditët e ndeshjeve.

Qoftë klubet apo akademitë apo gjithkush që bën aktivitete, në një lloj mënyre duhet ta lajmërojë aktivitetin e vet për të pasur më shumë prani, por jo thjeshtë ta lajmërojë, por ta promovojë, marketojë dhe të ketë më shumë interes. Ka hapa pozitivë, por ka akoma shumë punë për të bërë.

Ka një përgjigje pse ndeshjet e ekipit Kombëtar janë sold-out dhe jo në një derbi? – Po, sepse në ndeshjet e ekipit Kombëtar njerëzit nuk vijnë thjesht për futboll. Në ekipin Kombëtar, shqiptarët kanë parë atë “hirushen”, atë gjënë e bukur me të cilën krenohen. Nuk vijnë thjesht për futboll, por për krenarinë e tyre, për bluzën, për lidhjen me kombin, për të bashkuar forcat në një demonstrim kombëtar. Nuk është e njëjta gjë. Këtë gjë duhet ta bëjnë tifozët e Partizanit për Partizanin, apo tifozët e Teutës për Teutën. Nuk është shumë e thjeshtë, sepse dëshira dhe ndjenja kombëtare janë më të mëdha sesa ato të një klubi.

Padyshim që janë edhe rezultatet e ekipit Kombëtar që kanë qenë shumë të mira. Pjesëmarrja e ekipit Kombëtar në Europian, në 2016-ën dhe 2024-ën ka bërë akoma më shumë promocion për ekipin. Vërtetë duhet të jemi shumë të kënaqur që Angli-Shqipëri në Wembley është sold-out 2 muaj përpara. Nuk besoj se ndonjë ekip ballkanik apo i nivelit të mesëm do të ishte sold-out dy muaj para. Biletat i ka shitur Federata Angleze.
Investimi në infrastrukturë për vitin 2024 mbi 10 milionë euro. Vazhdon ingranazhi i fortë për rritjen e cilësisë në infrastrukturë? – Me mundësitë, financat apo projektet tona, kemi bërë shumë. Jam i sigurt që kemi bërë shumë më shumë se çdo Federatë tjetër në rajon e më gjerë. Se çfarë është bërë vitin e kaluar, ju i keni evidentuar, fushat që janë rikonstruktuar apo ndërtuar. Qëllimi jonë kryesor është që të ndërtojmë fusha të reja dhe këtu kemi një lloj vështirësie, sepse kërkesat në përgjithësi janë që të rinovojmë ato që kemi, ne nuk duam të marrim pjesë, megjithatë nuk është se e kemi përjashtuar 100% rikonstruksionin, por më tepër në ndërtime fushash të reja. Kemi pasur sukses në vitin 2024, por kërkojmë të bëjmë akoma më shumë në 2025-ën.

Vetëm këtë javë do të prezantojmë 3 projekte stadiumesh për t’i rinovuar në bashkëpunim me bashkitë e qyteteve. Stadiumi i Kavajës, i cili është në fazën e projektimit dhe ne do ta prezantojmë këtë javë në Kavajë. Stadiumin e Vorës në bashkëpunim me bashkinë e Vorës dhe stadiumin e Gramshit, një mini stadium, për ato kërkesa që mund të ketë Gramshi, në bashkëpunim me bashkinë e Gramshit.

Patjetër që kemi edhe disa projekte të tjera, fusha futbolli në rindërtim që kanë filluar apo do të fillojnë. Kemi një projekt të madh për mirëmbajtjen e shumë terreneve sportive, sepse kemi Kampionatin Europian U-17 në maj dhe na duhen 8 fusha futbolli me bar natyral për stërvitje dhe për këtë kemi ngritur një ekip që po rindërton dhe mirëmban këto fusha ku do të stërviten ekipet.

Një fushë në “Shtëpinë e Futbollit” që është bërë një kantier i madh dhe shpresoj që t’ia arrijmë në kohë, rindërtimi i fushës “Tofik Jashari” në Shijak, në Luz, në Lushnje, në “Selman Stërmasi”, ku do të bëhet fusha për stërvitje, “Skënder Halili” etj., janë 10 fusha që skuadrat tona po i rindërtojnë dhe mirëmbajnë për t’i bërë në kushte ideale për Europianin.

Në “Shtëpinë e Futbollit” një fushë tjetër natyrale apo hotel për ekipin Kombëtar? – Hoteli për ekipin Kombëtar është projekt i vitit 2025. Kemi shpenzime shumë të mëdha, sepse çmimet e hoteleve janë bërë shumë të shtrenjta. Ekipi Kombëtar akomodohet në Tiranë dhe duke llogaritur buxhetet që ne shpenzojmë për akomodimin, pasi duket sikur kemi vetëm ekipin A, por kemi rreth 20 ekipe Kombëtare.

Kemi ekipet e vajzave, nga të gjitha moshat, nga U15 deri te ekipi i parë, kemi ekipet e djemve nga U14 deri te ekipi i parë, të cilat kanë shumë shpenzime për akomodim, të cilat janë bërë shumë të mëdha. Në një plan biznesi që kemi bërë na rezulton që hoteli na shërben dhe do ta fillojmë në 2025-ën këtë projekt. Kemi aplikuar për fonde nga FIFA, jam shumë i sigurt që do të na miratohet dhe do të vazhdojmë.

Emri për “Arenën Kombëtare”? – Kemi pasur disa aplikime, të hënën është afati i fundit. Do të vendosim këtë javë se cili do të jetë emri i ri i “Arenës Kombëtare”. Është rikthyer e interesuar përsëri “Air Albania”, i kemi vendosur kushte për detyrimin e vjetër dhe për të ardhmen, për ta garantuar atë dhe do të jetë pjesë e garës edhe ajo. Janë 5 kompani në garë.

Kombëtarja në kualifikueset e Botërorit. A mund ta guxojmë të pamundurën? – Ne gjithmonë kemi pasur kritika. Edhe kur thonim që do luajmë në Europian, por faktikisht ne u kualifikuam 2 herë. Tashmë kualifikimi për Botëror është një gjë shumë e vështirë, por ne do ta tentojmë. Grupi është ai që është, që dihet përbërja e skuadrave. Anglia, përveçse është një skuadër me traditë, është në një formë të mirë sportive dhe me një trajner të ri, i cili do të tregojë forcat e veta para tifozëve në ndeshjen e parë “Wembley” kundër Shqipërisë.

Ne i kemi filluar të gjitha përgatitjet me mendimin e qartë që ne do të luftojmë për Botëror, por me përgjegjshmërinë dhe të ndërgjegjshëm për vështirësinë që ka arritja në Botëror. Mbetet për t’u parë. Kemi bërë çdo gjë akoma më mirë nga pikëpamja organizative në krahasim me kualifikueset e Europianit dhe Nations League, për kushtet që i kemi krijuar skuadrës dhe unë besoj që e kemi ngulitur në mendjen e stafit dhe skuadrës që ne jemi pretendentë realë për Botëror. Futbolli nuk është i parashikueshëm, se po të ishte ashtu nuk do të kishte bukurinë që ka.

Rruga për Botërorin është më e vështirë? – Po patjetër, janë vetëm 16 skuadra, në Europian janë 24 skuadra. Në nivele grupesh, në Europian shkojnë 2 të parat, nëse në kualifikueset e Europianit do ishin kualifikuese Botërori ne do të ishim në Botëror, sepse u renditëm të parët në grup. Ky short është pak ndryshe, skuadrat janë të gjitha të vështira, padyshim që është më mira Anglia, por të gjitha janë të vështira, edhe Andorra. Duhet të luftosh në çdo ndeshje. Teorikisht, vendi i parë i takon Anglisë, praktikisht duhet ta shohim.

A ka ardhur koha që Shqipëria të luajë ndryshe sipas jush? – Nuk e kuptoj çdo të thotë të luash ndryshe. Për mua duhet të luash gjithmonë, të impenjohesh maksimalisht dhe nuk janë skemat ato që janë determinante.

Padyshim që në momente të veçanta të lojës, kush bën lëvizjen e duhur në kohën e duhur, fiton një avantazh më shumë. Skema varet nga futbollistët që ke në dispozicion, kundërshtari që ke, momenti që je dhe duhet të vendosësh. Unë mendoj që zgjedhjet e stafit dhe Silvinjos janë kështu, e stafit, jo e vetëm Silvinjos. Asnjëherë Silvinjo nuk thotë unë, por ne. Puna e tyre nuk fillon në ditën e parë të grumbullimit, por ditën e parë të vitit. Analizojnë çdo gjë me detaje, përgatisin çdo gjë mirë dhe për këtë jam i kënaqur. Nuk përgjigjet as skuadra apo një futbollist gjithmonë në nivelin maksimal që ti kërkon, por përgatitja është fantastike, serioze, e përgjegjshme dhe çunat më pëlqejnë jashtëzakonisht shumë.

Mobilizimi, dëshira, dashuria e tyre për të ardhur, kanë kënaqësi që vijnë me ekipin Kombëtar, janë të bashkuar dhe jam i kënaqur me atë që japin. Nuk kam qenë gjithmonë i kënaqur me rezultatet, por jam i kënaqur me impenjimin.

Si mund të bëjmë rezultat të mirë në Londër? – Ashtu siç bëhet në një ndeshje futbolli, s’kemi pse të kemi frikë, 11 kundër 11. Ne kemi treguar që mund të bëjmë mirë. Kemi parë shumë ndeshje ku nuk fiton ai që është më i mirë në letër. Pashë Manchester City me Real Madrid, Reali është një ekip yjesh dhe e shkatërroi City-n që ishte superfuqi para 6 muajsh. Por dy javë para ndeshjes me City-n pashë Realin kundër Espanjolit, me Kumbullën në krye, që e fitoi Espanjoli lojën. Kështu është futbolli. Ne duhet të kemi besim që mund të bëjmë mirë. Ne nuk jemi favoritët, por nuk kemi asgjë për të humbur.

Në axhendën europiane tani Shqipëria shikohet ndryshe – Këtë e tregon edhe ajo që e thashë më parë, Wembley dy muaj para sold-out. Diferencat në ekipe janë të vogla, nuk ka të mëdhenj e të vegjël. Duhet pasur kujdes, duhet impenjim maksimal. Po të pyesësh çdo shqiptar do të thotë që 6 pikë me Andorrën dhe 6 pikë me Letoninë i kemi në xhep. Letonia është një ekip i fortë dhe duhet të djersitësh shumë për të fituar.

Duhet që tani të mendojmë për Anglinë. Andorra ka barazuar kundër nesh në Elbasan, nuk është për t’u nënvlerësuar. Duhet të vlerësosh çdo moment me të njëjtin përqendrim. Skuadrat e mëdha nuk të falin, edhe ne duhet të shkojmë aty. Asnjëherë s’duhet të mendosh se po fitove, je në letër më i madh, por duhet të jesh më i madh në fushë.

Karshi çdo kundërshtari, ti e përjeton shumë keq një humbje – Patjetër, në stadium shkojmë për të fituar. Duhet të dish të humbasësh, ndaj futbolli është i bukur.

Europiani 2027 U-21 Shqipëri Serbi. Pse vendosi UEFA? E kërkoi Shqipëria? – Ne kemi aplikuar për të qenë organizatorë të Kampionatit Europian U-21 si garues i vetëm, edhe Serbia i vetëm, edhe Turqia dhe Belgjika. Me pragmatizëm, rrugës, ne menduam që bashkimi i dy Federatave do të ishte më afër vendimit për ta organizuar. Ne mendojmë që organizimi i një Kampionati Europian 21-vjeçarësh është një aktivitet i madh dhe shumë i rëndësishëm për futbollin dhe Shqipërinë.

Është një aktivitet që promovon futbollin në përgjithësi, promovon futbollistët që do luajnë me Kombëtaren U-21, sepse ekipi do të marrë pjesë si organizator, përmirëson infrastrukturën, vendos futbollin shqiptar në qendër të vëmendjes. Padyshim që jemi njerëz të futbollit, por edhe qytetarë shqiptarë. E dimë historinë, por nuk mendojmë se duhet të ngelemi peng i historisë, por duhet të shohim përpara, ne nuk i ndryshojmë as fatet e as gjeografinë.

Ne nuk e rishkruajmë dot historinë, ne nuk amnistojmë askënd, por shohim përpara për të bashkëpunuar dhe shohim të mirën e futbollit. Mesazhi që ne japim është mesazh qytetari, paqeje dhe bashkëpunimi. Nuk mendoj se i bën keq askujt. I kuptoj ata që kanë sensibilitet për atë që kanë kaluar, por duhet të dish të ndërtosh të ardhmen.

Thonë që Dukës ia kërkoi Rama këtë organizim… – Rama është Kryeministri i vendit, por ai nuk e ka ditur kur ne kemi nisur këtë iniciativë, por padyshim që unë e kam pyetur. Që të bësh një Kampionat Europian, duhet të kesh një bashkëpunim me të gjithë aktorët në vend. Për përgatitjen e dokumentacionit për të marrë pjesë në garë, përfshihen të gjitha institucionet shqiptare. Kemi marrë garanci nga Qeveria, Ministria e Brendshme, organet vendore, bashkitë ku do të organizohen, aeroporti. Nuk mund ta bësh vetëm ti, nëse nuk ke konsensusin e të gjithëve.

Për këtë unë i kam thënë Kryeministrit në atë kohë, të aplikojmë, ta bashkojmë garën tonë me Serbinë? Më ka thënë “Fantastike, ta vazhdojmë”. Të gjithë përgatitjen për garën e kemi bërë bashkë me të gjitha institucionet e vendit, përndryshe nuk do të na besohej organizimi.

Mendoni se edhe opinioni publik në Kosovë do ta perceptojë më vonë ndryshe më vonë? – Kjo është një ngjarje shumë e madhe sportive. Ne do të luajmë futboll në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Rrogozhinë, mbase edhe në ndonjë stadium tjetër me projektet që kemi tani. Ekipi jonë Kombëtar do të marrë pjesë në këtë garë, finalja do të bëhet në Tiranë, që është ngjarja më e madhe e kampionatit. Në Shqipëri do të marrin pjesë ekipet më të mira të Europës, serbët do të luajnë në Serbi, ne në Shqipëri dhe të gjithë do të kënaqen.

A ishte një test organizimi shumë i mirë i finales së UEFA Conference League në Tiranë? – Nuk mund të besojnë që mund të bësh një aktivitet kaq të madh pa dhënë disa prova. Ne i kemi dhënë këto prova me Conference League, organizimi i të cilës shkoi perfekt. Kemi organizuar shumë turne ndërkombëtarë në Shqipëri, jemi një nga vendet që organizojmë më shumë ndeshje kualifikuese të ekipeve të 17-vjeçarëve, 19-vjeçarëve, për vajza dhe djem, kemi bërë shumë mirë. Në një turne për 19-vjeçarët ishte vendosur të bëhej në një vend tjetër dhe të tre ekipet pjesëmarrëse ishin dakord që të bëhet në Shqipëri për vitin 2025. Ne e kemi traditë mikpritjen, përveçse stafi i FSHF-së është në nivelin maksimal organizativ të këtyre turneve.

Të gjitha këto kanë bërë që të mos ketë asnjë dyshim që FSHF e organizon shumë mirë këtë event. Ky kampionat është i dyti nga niveli i rëndësisë për futbollin e të rriturve. Në shtator kemi mbledhjen e KE-së së UEFA-s në Tiranë, që për ne është historike, që UEFA organizon mbledhje në Tiranë apo konferenca për qëndrueshmërinë etj. Ne nuk jemi thjeshtë në hartën e vendet që organizojnë, por në top-listën e vendet që mirë-organizojnë.

Kryeministri do jetë në shtator në mbledhjen e KE-së së UEFA-s? – Patjetër, jo vetëm Kryeministri, por edhe ministrat, do të kemi takime përshëndetëse.

Misioni është i qartë, për të ulur barrierat sensitive dhe për të shëruar ca plagë … – Unë i mirëkuptoj njerëzit që acarohen, pavarësisht se nuk e pranoj gjuhën e urrejtjes. Unë i ftoj që ta shohin me sportivitet dhe me syrin pozitiv.

Qëllimi jonë është i mirë, objektivi jonë është pozitiv dhe për të mirën e shqiptarëve kudo që jetojnë, përfshirë edhe Kosovën. Shumica e opinionistëve në Kosovë janë pozitivë me këtë organizim, por për populizëm ndonjëherë bëjnë deklarata ndryshe.

Mund të ishte një aplikim i përbashkët me Kosovën, por ajo nuk ishte gati? -Absolutisht po. Ne me Federatën dhe futbollin në Kosovë jemi një dhe nuk mund të diskutohet që po të ishte e mundur me Kosovën, ne do të ishim shumë të lumtur.

Ka ngecur tërësisht procesi i basteve? – Nuk kam asnjë informacion, ka ngecur me një lloj pabesie nga politika. U nis ndryshe dhe ne u ftuam dhe lobuam që bastet në Shqipëri të legalizohen, nisur kjo nga fakti që bastet kanë ekzistuar dhe vazhdojnë ende në të zezë. Meqë ky aktivitet bëhet, pse të mos ketë disa të ardhura për klubet, akademitë e futbollit. Që në miratimin e ligjit filluan duke hequr ato gjëra që mund të jepnin të ardhura për klubet, si reklamat, me argumente populiste, që nëse një klub shkruan apo reklamon një kompani bastesh, do të manipulojë rezultatin etj. 50% e klubeve angleze reklamojnë këtë aktivitet. Edhe disa ndryshime të tjera që ishin premtuar, por u hoqën. Përderisa në Shqipëri luhen baste, të jenë disa të ardhura për sportin, por mesa duket është menduar ndryshe, të ketë të ardhura për të tjerë.

Burimi: FSHF.org

Lexo më shumë

Presidenti Duka në “Skaner”/ Sfidat e futbollit, ligji i sponsorizimit, infrastruktura, kampionati, Kombëtarja e deri te projektet

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një intervistë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Skaner” në MCN TV me…

KAMPIONATET

Egnatia merr kreun, provë force ndaj Vllaznisë

Egnatia ka rimarrë kreun e renditjes të Kategorisë Superiore me një provë të mirëfillte force në Shkodër, duke mundur 2-0…

KOMBËTARET

Kupa e Botës 2026, dalin në shitje biletat e ndeshjes Shqipëri – Andorra

Më 24 mars, Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë kualifikuese në grupin E kundër Andorrë, në orën 20b”.

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Presidenti Duka në “Skaner”/ Sfidat e futbollit, ligji i sponsorizimit, infrastruktura, kampionati, Kombëtarja e deri te projektet

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një intervistë mbrëmjen e djeshme në emisionin “Skaner” në MCN TV me…