Stafet e ekipeve kombëtare, testime me talentet e reja që militojnë nëpër kampionate të huaja
Stafet e ekipeve kombëtare kanë organizuar të enjten një seleksionim me lojtarë të rinj shqiptarë të vitlindjes 2004, 2005, 2006 për të evidentuar talentet e reja që militojnë nëpër kampionate të huaja.
Stafet e ekipeve kombëtare kanë organizuar të enjten një seleksionim me lojtarë të rinj shqiptarë të vitlindjes 2004, 2005, 2006 për të evidentuar talentet e reja që militojnë nëpër kampionate të huaja. Ky seleksionim është zhvilluar në Monselice-Padova të Itali, aty ku Kombëtarja U-17 është e impenjuar këto ditë në “Torneo dell Nazioni 2021” dhe në të kanë marrë pjesë futbollistë të cilët aktivizohen me ekipe në Itali, Austri dhe Angli.
Të pranishëm ishin trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja, zv.trajneri i Kombëtares, Sergio Porrini, drejtori teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-16, Agron Kërçova, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, specialisti i futbollit në sektorin e ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, skauti i FSHF-së në Itali, Evis Jaho, etj.
Rreth 54 futbollistë të rinj të moshave 15, 16 dhe 17-vjeçare janë paraqitur në këtë seancë seleksionimi, pasi ishin përzgjedhur më parë dhe njoftuar nga stafi i FSHF-së. Fillimisht, stafi i ekipeve kombëtare me në krye Camolesen dhe Rejan kanë zhvilluar një bisedë me prindërit e lojtarëve, ku i kanë shpjeguar edhe rëndësinë e këtyre aktiviteteve dhe i kanë falënderuar për interesin e shfaqur.
Më tej, lojtarët kanë zhvilluar ushtrime të ndryshme nën drejtimin e trajnerëve kuqezi, ku kanë treguar aftësitë e tyre në futboll. Gjithashtu, u organizuan edhe dy ndeshje testuese, ku u aktivizuan të gjithë lojtarët e paraqitur në këtë seleksionim, që zgjati për rreth tre orë. Pjesa më e madhe e lojtarëve të këtij grupi nuk është aktivizuar më parë me ekipet Kombëtare të moshave, ndërkohë që sipas stafit që drejtoi këtë seancë kishte elementë që treguan nivel të lartë dhe ishin mjaft interesantë, të cilët mund të jenë të vlefshëm në të ardhmen për ekipet kombëtare.
Bëhet fjalë për lojtarë që aktivizohen me klube si Lazio, Sampdoria, Torino, Genoa, Cagliari, etj. Në këtë mënyrë stafet e ekipeve Kombëtare do t’i mbajnë në monitorim të vazhdueshëm këta lojtarë, që mund të marrin një ftesë në të ardhmen e afërt për grumbullimet e radhës të ekipeve Kombëtare përkatëse.
Duke folur për Fshf.org, Giancarlo Camolese, ka vlerësuar këtë aktivitet, teksa është shprehur i kënaqur për impenjimin dhe vlerat e treguara nga lojtarët e ftuar në këtë seleksionim.
“Kemi bërë këtë seleksionim me futbollistë shqiptarë që aktivizoheshin kryesisht në klube italiane, duke përfituar nga rasti që disa nga trajnerët tanë të ekipeve kombëtare ishin në Itali për kompeticionin ‘Torneo delle Nazioni’. Kësisoj kemi ftuar 54 lojtarë dhe kemi organizuar dy ndeshje testuese. Jemi shumë të kënaqur sepse kishte pjesëmarrje të madhe të lojtarëve, që erdhën aty së bashku me familjarët e tyre.
Sigurisht ishte edhe trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja dhe stafi i tij, kemi biseduar me familjarët e lojtarëve në një klimë mjaft miqësore. Mund të them që kemi parë elementë mjaft interesantë dhe ndonëse ata janë larg ne do t’u qëndrojmë gjithmonë pranë përmes strukturave tona për të parë në vazhdimësi rritjen e tyre. Ata që e meritojnë natyrisht do të jenë pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave, ndërkohë që të gjithë lojtarët e pranishëm ishin mjaft krenarë për këtë mundësi. Vetëm pak prej tyre kanë luajtur me ekipet Kombëtare të moshave më parë, të tjerët janë të rinj që ne nuk i kishim parë në aksion me ekipet zinxhir. I këshilluam edhe familjarët e tyre, që t’i mbështesin fëmijët, të fokusohen te shkolla dhe te futbolli, ndërkohë që ne do të vazhdojmë t’i ndjekim dhe të monitorojmë rritjen e tyre”, – tha Camolese.