Mancini: Belgjika, skuadra më e mirë në Europë
Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, e di mirë që me Belgjikën është një ndeshje shumë e vështirë
Roberto Mancini e di mirë që me Belgjikën është një ndeshje shumë e vështirë. Italiani madje nuk e ka problem ta pranojë që “Djajtë” bashkë me Francën janë dy ekipet më të mira në botë.
“Përballemi me skuadrën më të mirë në Europë, bashkë me Francën, dhe nëse janë në krye të renditjes botërore, do të thotë që janë shumë të fortë dhe do të kërkojnë të fitojnë nesër.
Kam shumë respekt për Belgjikën, por duhet të bëjmë lojën tonë dhe të shohim si do të shkojë ndeshja. Nuk ka më ndeshje të lehta, pasi të gjithë e patë çfarë i ndodhi Francës dhe Holandës, megjithatë do të kërkojmë fitoren”, tha fillimisht Mancini.
I pyetur për ata që do të hedhë në fushë nga fillimi, tekniku i Italisë shtoi: “Nuk kam shumë dyshime për formacionin, pasi të gjithë futbollistët janë në formë të mirë dhe gati të bëjnë më të mirën në fushë.
Vendimin final do ta marrim nesër, para ndeshjes, pasi të kemi verifikuar gjendjen fizike të gjithsecilit. Ndaj Austrisë e kishim parashikuar që do të ishte e vështirë, por mos harroni se bëmë 26 gjuajtje në portë dhe nuk ishim keq”.
Në fund Mancini flërt për duelin mes trajnerëve dhe habit kur thotë se i do në fushë dy yjet e Belgjikës, Hazard dhe De Bruyne. “Me Roberto Martinez jam përballur shumë herë dhe tani ai vjen si trajner i njërës prej skuadrave më të forta në botë.
Është e drejtë që ta përgatisin ndeshjen në fshehtësi, pasi bëhet fjalë për një sfidë shumë të rëndësishme. Shpresoj që De Bruyne dhe Hazard të rikuperohen, pasi do të ishte mëkat të mungonin në një ndeshje të tillë”.