Festë kuqeblu, Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë

Kupa e Shqipërisë shkon në Shkodër. Vllaznia triumfon me rezultatin minimal 1-0 ndaj Skënderbeut në finalen e zhvilluar në “Air Albania”


Kupa e Shqipërisë shkon në Shkodër. Vllaznia triumfon me rezultatin minimal 1-0 ndaj Skënderbeut në finalen e zhvilluar në “Air Albania” dhe mbyll me trofe një sezon të zhvilluar në kufijtë e perfektes, ku 4 ditë më parë pa t’i ikte nga duart titulli kampion vetëm për shkak të golavarazhit.

Nën një atmosferë mjaft të bukur, të krijuar nga ata pak tifozë që u lejuan të futen në stadiumin “Air Albania”, kuqeblutë e drejtuar nga dyshja Brdariç-Plori dominuan ndeshjen thuajse gjatë gjithë 90-minutëshit dhe ia dolën me meritë të ngrenë për herë të 7 në histori Kupën e Shqipërisë.

Sfida nisi mjaft mirë për shkodranët, që fituan terren dhe në minutën e 8’ krijuan rastin e parë të rrezikshëm, teksa pas një aksioni mjaft të bukur, Dilaver provoi një roveshiatë spektakolare, por nuk arriti të gjejë kuadratin e portës së Rexhepit.

Skënderbeu rreshtohet me forca të shumta mbrapa dhe provon kundërsulmin, por thuajse në asnjë rast nuk arrin të përfitojë nga gabimet e kuqebluve dhe të shfaqet rrezikshëm.

Me kalimin e minutave Vllaznia shton ritmin dhe presionin, teksa në minutën e 30’ Rexhepi ndal pa problem një tentativë të Jonuzit nga distanca, ndërsa në të 36-ën portieri nga Tetova bën heroin, duke grushtuar një gjuajtje të Dilaver, pas një aksioni perfekt të shkodranëve.

Goli ishte rrotull dhe erdhi pikërisht në minutën e 39’, teksa pas një aksioni të gjatë, Isaevski shërbeu në zonë për Da Silvën, i cili gjuajti menjëherë dhe topi përfundoi në rrjetë, i devijuar edhe nga një mbrojtës i korçarëve.

Pjesa e dytë nisi mirë për Skënderbeun, që iu afrua golit me një gjuajtje të Uerdi Marës, por tentativa e tij përfundoi jashtë kuadratit. Tenton nga distanca edhe Taipi, por sërish përfundon jashtë kuadratit, ndërsa Mensah ka një rast të mirë në zonë, por koordinohet shumë keq dhe nuk gjen portën.

Nga ana tjetër Vllaznia nuk e ul për asnjë moment presionin dhe zbret disa herë rrezikshëm, por Da Silva nuk shfrytëzon si duhet dy mundësi të mira për të mbyllur ndeshjen, duke goditur keq dhe dërguar topin jashtë.

Skënderbeu nuk dorëzohet dhe kërcënon me Doumfour, por goditja e tij me kokë pritet nga portieri Zogoviç, teksa në momentin më të mirë të korçarëve, Zguro djallos gjithçka me një ndërhyrje nga mbrapa ndaj Gurishtës.

Kapiteni i shkodranëve zhvendoset në qendër të mesit të fushës dhe anësori pogradecar e godet nga mbrapa, ndërsa arbitri Juxhin Xhaja i tregon kartonin e kuq menjëherë, duke e dërguar para kohe në dhomat e zhveshjes.

Superioriteti numerik shfrytëzohet mjaft mirë nga shkodranët, që menaxhojnë mirë lojën dhe i afrohen edhe golit të dytë, por tentativat e Hoxhajt, Avdijajt dhe Kalezic, nuk përfunduan në rrjetën e Rexhepit.

Vërshëllima finale e arbitrit Juxhin Xhaja la në fuqi rezultatin 1-0, teksa në kampin shkodran shpërtheu festa e përligjur, për mbylljen në mënyrë mjaft të suksesshme të një sezoni, ku na dhuruan emocione të forta dhe futboll të bukur.

Vlen të theksohet se shkodranët kanë dominuar totalisht në këtë edicion të Kupës së Shqipërisë, duke fituar të 5 ndeshjet e zhvilluara, në të cilat ka shënuar plot 18 gola dhe nuk e ka nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta. /Supersport/

Lexo më shumë

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

KAMPIONATET

Kategoria e Parë, zbardhet kalendari i edicionit 2024-2025

Pas përfundimit të 3 fazave, skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë ngjiten automatikisht në kategorinë “Abissnet…

KOMBËTARET

Çeki-Shqipëri, Silvinjo dhe Bajrami: E vështirë, duam fitore

Në prag të sfidës ndaj Çekisë, e vlefshme për Nations League, që do të luhet nesër në stadiumin “Epet Arena”…

TIFOZËT SHQIPTARË

Super tifozi i “Kuq”, Erion Braçe: Bravo Laçi! Skuuuadëëër!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, uroi Laçin pas kualifikimit historik për në turin e tretë të Conference League.

MERKATO

Dajan Shehi, te Botosoni në Rumani

26-vjeçari do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me klubin rumun

TIFOZËT E HUAJ

Duka: Tani duam të kualifikohemi në Botëror

Rrugëtimi i Kombëtares kuqezi në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” është ende një nga temat më të diskutuara në…