Alfred Kazanxhi, juristi që e futi Shqipërinë në Botërorin “Angli 1966”
Aventura Kuqezi nisi më 24 maj 1964, falë kontributit të Alfred Kazanxhi
Nga Dash Frashëri, botues
i Tifozet.al
Alfred Kazanxhi do të mbahet mend si sekretari i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit që e futi Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Angli 1966”, aventurë që filloi më 24 maj 1964. Sot mund të duket si një detyrim ligjor pune, por atëherë në vitin 1963 u desh miqësia dhe këmbëngulja e tij tek ish-zëvendëskryeministri Abdyl Këllezi (1945-1975) që Shqipëria t’i jepte përgjigjen “PO” ftesës në skadim e sipër të bërë nga FIFA. Juristi i njohur, një nga gjyqtarët e parë ndërkombëtarë më stemën e FIFA-s në vendin tonë, u nderua nga televizioni “Telesport” dhe gazeta “Sport Plus” më 15 dhjetor 2014 gjatë një ceremonie “Gala” me “Medaljen e Meritës”, për rezultate të shkëlqyera. Nderi i dorëzimit të medaljes i takoi ish-Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Alfred Kazanxhi është i martuar me kirurgen e parë femër në Shqipëri, zonjën Rushen Golemi, ish-deputete e PD-së. Ata janë prindërit e dy vajzave binjake, Irisit dhe Inisit, si dhe kanë një djalë, Konstandinin.
DASHURIA PËR FUTBOLLIN
Alfred Kazanxhi u lind në Durrës, më 6 nëntor 1924 (ndërroi jetë në moshën 96 vjeç, më 12 mars 2021). Ishte vetëm tre vjeç, kur Futboll Klub Durrësi, pararendësi i Teutës, zhvilloi në Barit të Italisë dy ndeshje miqësore me Unione Sportive Bari (prill 1929). Në atë skuadër të drejtuar nga Anastas Koxhaj bënte pjesë edhe portieri Niko Dovana, emrin e të cilit e mban stadiumi i Durrësit. Ndeshjen e parë që ndoqi është ajo Teuta-Vlora, më 20 prill 1930, kur ishte vetëm 6 vjeç. Asokohe Kazanxhiu pa në fushë Dovanën, Tartarin, Nushin, Zaguridhin. Dhe u dashurua menjëherë me futbollin e sportin. Pas mbarimit të shkollës fillore, familja e tij u transferua në Tiranë ku Alfredi ndoqi gjimnazin, ku një prej shokëve të klasës ishte Ramiz Alia, ish-Ministër i Arsimit dhe Kulturës dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së (1985-1991) dhe kryetar i Këshillit Presidencial (1991). Alia ndikoi jo pak në jetën e Alfredit, të paktën në profesionin që ai zgjodhi në jetë: jurist. Gjithsesi, vdekja e parakohshme e të atit dhe pamundësia financiare për të paguar një shtëpi me qira e rikthyen sërish në Durrës.
SPORTIST ILEGAL
Pas themelimit të Partisë Komuniste dhe krijimit të Rinisë Komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërorë, Alfredi, 17-vjeçar, e shfrytëzoi pasionin e tij për futbollin në dobi të Luftës, duke punuar me rininë. “Kam luajtur futboll ilegal në vitet 1942-1943, jo në fusha zyrtare, por në fusha me baltë që ndodheshin në afërsi të portit të Durrësit, – tregon Alfred Kazanxhi për “Sport Plus”. – Kemi bërë ndeshje me Sport Klub Tiranën, ishte Enver Begeja përgjegjës. Kemi luajtur edhe me ekipet e Kavajës e Shijakut, por qëllimi në të vërtetë ishte grumbullimi i rinisë për agjitacion për Luftën, sportin e përdornim si mbulim. Bëmë një fushatë te tregtarët e Durrësit, unë Hysen Ballica, Iljaz Reka dhe unë, por në fakt paratë i përdornim për luftën”. Alfredi është veteran dhe invalid i Luftës së Dytë Botërore, madje i ka shpëtuar për mrekulli një arrestimi nga pushtuesit italianë në verën e vitit 1943.
FTESA E LIRI BELISHOVËS
Pas çlirimit të Shqipërisë, në vitin 1945 Alfredi punon si sekretar i klubit Ylli i Kuq të Durrësit, me kryetar Telemak Anastasiadhin, ish-futbollist i njohur i Teutës, e më pas një nga gjyqtarët më të mirë të Shqipërisë dhe anëtar i Këshillit të Federatës Sportive.
Ishte Liri Belishova, asokohe anëtare e Byrosë Politike të Partisë Komuniste e konsideruar si gruaja më e fuqishme në Shqipëri në vitet 1945-1960, ajo që e futi Alfredin në instancat e para të larta të futbollit shqiptar pas transferimit në Tiranë. (Belishova pas ndarjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik u arrestua si proruse, e internuar për më shumë se 30 vjet në Mallakastër). “Kemi menduar që të jesh përgjegjësi i Federatës Sportive Shqiptare”, më tha Liri Belishova, Në fakt, atëherë nuk ishte krijuar Federata, pasi ishin komisione. U mora në vitet 1946-1948, pra si përgjegjës i aktivitetit sportiv të Shqipërisë.
GJYQTAR NDËRKOMBËTAR
Alfred Kazanxhi në vitin 1948 u bë një nga arbitrat e parë shqiptarë me stemën e FIFA-s, pra një gjyqtar ndërkombëtar. “Shqipëria është pranuar në FIFA qysh në vitin 1930. Në vitin 1948 në zyrën e sporteve erdhi një broshurë nga FIFA, ku nga Shqipëria njiheshin dhe ishin certifikuara si arbitra tre gjyqtarë, unë, Adem Karapici dhe Nani Sallata. Në fakt, unë isha drejtues i federatës, pavarësisht se unë kam qenë arbitër kryesor në dhjetëra ndeshje futbollit në Shqipëri. Kam qenë gjyqtar vetëm në një ndeshje ndërkombëtare, Shqipëri-Poloni, si anësorë së bashku me Nani Sallatën në ”, – tregon Alfredi për “Sport Plus”.
STUDIMET NË BASHKIMIN SOVJETIK
Në vitin 1950, Kazanxhi shkoi për studime në Bashkimin Sovjetik. “Ramiz Alia, të cilin e kisha pasur shok klase dhe e dinte pasionin dhe punën që unë kisha bërë për sportin, më thirri dhe më tha se, do të më çonin në Bashkimin Sovjetik për Fizkulturë, – tregon Kazanxhi. – I thashë se isha invalid lufte (dëmtim në krah), kështu që më mirë të shkoj për drejtësi. Ti nuk do të bëhesh sportist, por drejtues, këmbënguli Ramizi. Por, nuk mund të ri duke parë të tjerët duke bërë pararele dhe hekur. Kështu, pas këmbënguljes sime, Ramizi pranoi që unë të shkoja të studioja për drejtësi në vitet 1950-1955, katër vjet në Odesa dhe një në Moskë. Pas kthimit në Shqipëri punova si gjykatës në Shqipëri, pavarëisht se më propozuan për inspektor të gjykatave në Ministrinë e Drejtësisë së asaj kohe”.
SEKRETAR I FEDERATËS
Në të vërtetë Federata Shqiptare e Futbollit ishte krijuar në vitin 1930, por ajo e ndërpreu aktivitetin për shkak të luftës, ndërsa si Federatë futbolli ajo u rithemelua më 21 shkurt 1962. Pikërisht, Alfred Kazanxhi ishte dhe sekretari i saj. “Punova pesë vjet në Federatë, nga viti 1962 deri në gusht 1967, – tregon Alfredi. Shqipëria deri atëherë merrte pjesë në Kampionatin Ballkanik dhe atë të Europës Qëndrore. Periudha e tij përkon me dy evenimente të mëdha për Kombëtaren shqiptare, Kampione e Ballkanit në vitin 1946: pjesëmarrjet për herë të parë në eliminatoret e Kampionatit Europian “Spanjë 1964” dhe Kampionatit Botëror “Angli 1966”.
FUTI SHQIPËRINË NË BOTËROR
“FIFA gjithmonë na dërgonte ftesa për pjesëmarrjen tonë, përfshirë edhe ato në vitet 1950, 1958 apo dhe 1962. Na vinin një afat për përgjigjen. Kishin mbetur vetëm dy javë nga afati, për të pranuar apo jo për të marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit. Në fakt, atëherë duhet të paguaje që të merrje pjesë. Kisha në shtëpi një fotografi të Abdyl Këllezit, dalë si kampioni trehapëshit, por që mbante asokohe detyrën e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë. I kërkova takim, i tregova fotografinë, me të cilën u kënaq shumë. I tregova shkresën nga FIFA ku ishte shkruar se, kishim dhe dy javë afat nëse do të merrnin pjesë apo jo. ‘Do të marrim, si jo, ne nuk do të izolohemi’ më tha ai. Mori në telefon ministrin e Financave dhe aprovoi edhe fondet përkatëse për pjesëmarrje, kështu që Shqipëria u bë pjesë e eliminatoreve të Botërorit të Anglisë. Ndeshja e parë ishte ajo me Holandën, më 24 maj 1964 në Roterdam. Humbëm 2-0 (dy gola në pjesën e dytë, tregon Alfred Kazanxhi. Abdyl Këllezi, ish-anëtar i Byrosë Politike të PPSH, ish-ministër i ekonomisë dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si “puçist”. “Por, ishte një ministër tepër i zoti, kjo nuk ka asnjë diskutim”, – tha Kazanxhi.
30 MIJË DOLLARËT E BRAZILIT
Ish-sekretari i Federatës tregon gjatë bisedës për “Sport Plus” edhe një detaj interesant. Në vitin 1962, Brazili kishte ardhur në Europë për një turne ndërkombëtar në dimër. Edhe Federata Shqiptare, nisur nga marrëdhëniet normale politike midis dy vendeve, i bëri ftesë “Seleçaos”. “Por, ata na kërkuan 30 mijë dollarë që të vinin që të luanin në Shqipëri. Sigurisht, që nuk ishim të gatshëm të paguanim, pasi ishin mjaft për atë kohë, kështu që ndeshja nuk u zhvillua”, tregon Alfred Kazanxhi.
GOLAT E BEQIR BALLUKUT
Ish-ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku (i pushkatuar nga Enver Hoxha në vitin 1974) njihej si një tifoz i madh futbolli, madje djali i tij, Vladimir Balluku, ishte lojtar kampion me Partizanin në sezonin 1970-1971. Alfred Kazanxhi tregon një detaj interesant: “Kur edhe Danimarka dhe fituam 1-0 në vitin 1963 me golin e Panajot Panos, më thirri Beqir Balluku, të cilin e kam pasur komandant në Brigadën e Dytë Sulmuese duke më thënë: Ore, sekretar! Ç’e keni atë trajner, pse mo me 1-0 kënaqet ai, por ne i mbytëm ato, skuadra jonë duhet të kishte fituar 4 me 0”. Trajneri i fitores së parë të Shqipërisë në Europë ishte i madhi Zyber Konçi, i ndarë nga jeta vetëm dy ditë më parë, më 19 janar 2015, ashtu sikundër Panajot Pano u nda, po më 19 janar, por në vitin 2010.
ORGANIZATOR I SHKËLQYER
I diplomuar për jurist, njeri i letrave zyrtare, tepër praktik, Alfred Kazanxhi ishte një mjeshtër i vërtetë i organizimit të akomodimeve të Kombëtares gjatë ndeshjeve jashtë Shqipërisë. Ai organizoi dy udhëtime model të ekipit në dy transferta rresht brenda dhjetë ditëve në Zvicër (2 maj 1965) dhe Irlandën e Veriut (7 maj 1965), përfshirë këtu edhe gjithë problematikën e itinerarit. “Humbëm 1-0 me penallti me Zvicrën (gol i Kubi Kuhnit), ndërsa humëbm 4-1 me Irlandën e Veriut. Ishte skuadër shumë e fortë. Nuk kishim shumë eksperiencë ndërkombëtare”. Tre gola u shënuan nga Xhobi Krosan, një nga Xhorxh Best. Për Shqipërinë realizoi Robert Jashari. Në të dyja takimet, trajner ishte Zyber Konçi.
MIK ME BORIS APUHTININ
Alfred Kazanxhi ishte mik i ngushtë i Anton Mazrekut, i Dr. Vafsi Samimit, portierit të Vlorës e Tiranës, por edhe i sovjetikut Boris Apuhtin. Pedagogu, trajneri dhe specialisti i sporteve dhe edukimit fizik, Boris Apuhtin nga Bashkimi Sovjetik, njeriu që në vitin 1949 kishte organizuar platformën e re politike sportive, la gjurmë në riorganzimin e futbollit në vendin tonë. Ish-futbollist i Dinamos së Moskës, trajner i Dinamos së Kievit, Lokomotivës së Moskës, etj,. “Ishte me të vërtetë një trajner i zotit dhe një njeri shpirtmadh. Kishte ardhur për të drejtuar Kombëtaren dhe na ndihmoi shumë. Bëri dy ndeshje miqësore dhe në të dyja arbitrova unë, – tregon Alfredi. Boris Apuhtin u dekorua me Urdhrin e Punës së Klasit të Tretë në Shqipëri.
BROÇIÇ, TRAJNERI MË I MIRË
Në Shqipërinë e viteve 1945-1960 kanë punuar disa trajnerë të huaj: jugosllavi Ljubisha Broçiç (ish-trajner midis të tjerëve edhe Juventusit e Barcelonës), sovjetikët Boris Apuhtin dhe Nikolaj Mihailoviç Ljukshinov (dekan i Institutit të Kulturës Fizike “Lesgaft”, ish-trajneri i Zenitit të Leningradit), hungarezi Miklos Vadas (specialist i shquar, drejtues teknik i Federatës Hungareze 1954), apo dhe emra të tjerë më të parëndësishëm. “Për mua, Broçiç mbetet trajneri më i mirë që ka ardhur në Shqipëri. Fitoi Ballkaniadën e vitit 1946. E kërkuam sërish, por kishte marrë një ofertë nga jashtë Jugosllavisë, duke u bërë trajneri i Egjiptit. Pati një karrierë të shkëlqyer”, – tregon Alfred Kazanxhi, i cili deri në fund të viteve 1980 vijoi pjesëmarrjen si arbitër i katërt në kampionatin kombëtar të futbollit. Kazanxhi ka marrë pjesë në Kupën e Ballaknike dhe Europe Qendrore të zhvilluar në Beograd 1962 dhe Sofje 1969.