Ashraf Hakimi te PSG, pesë sezone dhe 71 milionë euro
Ashraf Hakimi është zyrtarisht lojtari më i ri i PSG-së. Marokeni ka firmosur kontratë 5-vjeçare
Ashraf Hakimi është zyrtarisht lojtari më i ri i PSG-së. Marokeni ka firmosur kontratë 5-vjeçare teksa transferimi do të kryhet në bazën e 60 milionë eurove, plus 11 milionë bonuse.
Vetë lojtari foli si një futbollist i PSG-së duke u shprehur mjaft i lumtur për aventurën e tij të re: ‘’Sot ndjehem shumë krenar. Pas përvojave të mia në Spanjë, Gjermani dhe Itali, PSG-ja më ofron mundësinë për të zbuluar një ligë të re nën ngjyrat e një prej klubeve më prestigjioze.
Mezi pres të takoj shokët e ri të skuadrës, tifozët dhe të ndjej entuziazmin e jashtëzakonshëm që të fal stadiumi ‘’Park De Princ’’. Unë ndaj të njëjtat ambicie të mëdha me stafin dhe lojtarët dhe do të bëj gjithçka për t’i dhënë klubit tim atë që presin nga unë”.
Ndërkohë, një reagim për këtë transferim bëri dhe vetë presidenti i PSG-së, Naser El-Khelaifi i cili i thuri elozhe Hakimit, duke e cilësuar si më të mirin në botë:
“Ne jemi të lumtur që të mirëpresim Ashraf Hakimin në Paris sot. Nënshkrimi i një lojtari të këtij stadi tregon nivelin e ambicieve tona. Po vazhdojmë të ndërtojmë diçka shumë të veçantë.
Ashraf është vetëm 22 vjeç, por është një nga mbrojtësit më të mirë në botën e futbollit dhe ky është standardi që ne kemi vendosur në klub. Unë e di që Ashraf do të ketë një karrierë fantastike me ne dhe i gjithë klubi i uron sukses nën ngjyrat tona”.