Champions League/ Prishtina gjunjëzohet para Ferencvarosit të Myrto Uzunit
Ferencvaros fiton 3-0 me Prishtinën në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Champions League
Ferencvaros është shumë i fortë për Prishtinën në ndeshjen e parë të turit të parë eliminator të Champions League. Kampionët e Kosovës ia dolën të rezistojnë për plot 71 minuta në “Groupama Arena” të Budapestit, por më pas u thyen, pasi sulmuesi norvegjez Nguen dërgoi topin në rrjetën e Ardit Nikës.
Mjaftoi ky gol që bardheblutë e Prishtinës të dorëzoheshin totalisht në minutat e mbetura, ndërsa Ferencvaros ia doli të shënojë edhe dy herë të tjera, me Mmaee në minutën e 74-t dhe Blazic në të 78-ën, duke kompletuar suksesin me rezultatin 3-0.
Luajti si titullar në këtë takim edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Myrto Uzuni, që bëri një ndeshje të mirë, por nuk arriti të lërë gjurmë në suksesin bindës të skuadrës së Ferencvarosit.
Ndonëse mbetet për t’u zhvilluar edhe ndeshja e kthimit në “Fadil Vokrri”, kualifikimi për Ferencvaros është vetëm formalitet dhe mund të nisë të mendojë për turin tjetër. Nga ana tjetër Prishtina zbret në turin e dytë eliminator të Ligës së konferencës, në rast eliminimi. /Supersport/